Projektligji që po diskutojmë tani, bën fjalë për disa ndryshime të cilat përmirësojnë ligjin aktual “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, por nuk e ndryshojnë thelbin e tij.

Këto përmirësime konsistojnë:

Së pari, në krijimin e lehtësirave për importuesit dhe prodhuesit e materialit mbjellës e shumëzues bimor,

Së dyti, në përcaktimin e rregullave më të qarta për importin, testimin, certifikimin, analizimin dhe rianalizimin e materialit mbjellës e shumëzues bimor,

Së treti, në përmirësimin e rregullave të inspektimit nga Autoritetit Kombëtar i Ushqimit.

Këto ndryshime vijnë si rezultat i kërkesave dhe konsultave me biznesin e bujqësisë, kryesisht furnizuesit në rolin e importuesit dhe prodhuesit të materialit mbjellës e shumëzues bimor, për të lehtësuar procedurat për regjistrimin e varieteteve dhe hibridëve në Katalogun Kombëtar, si dhe pas kërkesave të vazhdueshme të fermerëve për të përdorur material mbjellës me cilësi.

Për arsyet që përmenda më lart, shprehem pro këtyre ndryshimeve në ligjin aktual.

Por pavarësisht miratimit të këtyre ndryshimeve, që ju vinë në ndihmë agrobiznesit dhe fermerëve, nuk mund të rri pa denoncuar nga kjo foltore, situatën e vështirë në të cilën ndodhen sot bujqësia dhe fermerët shqiptarë.

Bujqësia shqiptare është më e kërcënuar se kurrë nga politikat dhe administrimi i papërgjegjshëm i kësaj qeverie.

Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për sipërmarrjen, po bëhet gjithnjë e më vështirë për fermerët dhe qytetarët, po bëhet gjithnjë e më vështirë për fshatin dhe për qytetin, po bëhet gjithnjë e më vështirë për çdo familje shqiptare.

PS erdhi në pushtet me mashtrime të bujshme. Por mashtrimet më spektakolare ishin ato që ju bënë fermerëve, bujqësisë në veçanti dhe zhvillimit rural në përgjithësi.

Kaluan dy vjet dhe nuk po mbahet asnjë prej premtimeve te shpallura  ne programin elektoral te koalicionit te majte  për mbështetjen e sektorit bujqësor dhe industrisë agroushqimore.

Ku shkuan angazhimet e programit elektoral të PS për politika fiskale që synojnë uljen e drejtpërdrejtë të çmimeve të inputeve bujqësore, dhe për heqje të TVSH për të gjitha plehrat kimike, farat, fidanat, materialin gjenetik që përdoret në blegtori, vaksinat, ilaçet dhe për çdo lëndë të parë që përdoret për bujqësinë dhe blegtorinë?

Në programin elektoral dhe në atë të qeverisë socialiste thuhej se do të investoheshin 160 milion dollarë për sistemin e ujitjes dhe kullimit, brenda një periudhe 4 vjeçare.

Por realiteti është krejt ndryshe.

Kryeministri krenohet që mbështet investimet ne bujqësi, por gjatë dy viteve të qeverisjes, fondet për ujitje dhe kullim janë shumë herë më pak, se ç’pati premtuar, duke e lëne bujqësinë ne mëshire te fatit.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, me Aktin Normativ për Buxhetin 2015, qeveria shkurtoi me 520 milionë leke, ose 25.6% më pak,  investimet ne ujitje dhe kullim.

Por edhe këto pak fonde që akordohen nga qeveria për ujitjen dhe kullimin, vidhen dhe shpërdorohen nga drejtuesit rajonale të bordeve të kullimit.

Mediat denoncojnë shpërdorime të mijra litrave naftë, e cila nuk është përdorur për punime bonifikuese, por ose ka përfunduar në xhepat e drejtuesve, ose është përdorur gjatë fushatës së fundit elektorale.

Punonjësit e këtyre institucioneve janë në dijeni të këtyre shpërdorimeve, por nuk bëjnë zë, nga frika e humbjes të vendit të punës.

Por edhe kur zëri i protestës përcillet tek deputetë dhe drejtues të partive të mazhorancës, ato bien në vesh të shurdhët, pasi abuzuesit i kanë shpatullat të ngrohta.

Kryeministri është në dijeni të një sërë skandalesh, abuzimesh e shpërdorimesh të fondeve publike nga drejtues të bordeve të kullimit.

I bëj thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe organeve ligjzbatuese, të verifikojnë këto denoncime dhe abuzuesit të përballen me ligjin.

Do të 5 fishojmë financimin publik për skemat mbështetëse të bujqësisë, ka qenë një tjetër premtim i bujshëm i PS.

Por si paraqitet në fakt realiteti?

Struktura dhe aktivitetet e parashikuara për mbështetje, përjashtojnë pothuajse tërësisht fermerin për shkak se është hequr dore nga shtimi i sipërfaqeve  te mbjelljeve ne fushe dhe ambiente te mbrojtura.

Ne këto kushte, sipas Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, deri më 31 gusht, për vitin 2015, janë financuar vetëm 2253 aplikime, me një vlerë prej 584 milion lekë, ose me një realizim vetëm 36%, ndërkohe kur vetëm në qarkun e Korçës, gjatë viteve 2007-2012, janë financuar 5880 aplikime, pra rreth 3 herë më shumë, me një vlerë prej 631 milion lekë.

Në shkallë vendi, gjatë viteve 2008-2013, janë financuar 4000-7500 aplikime në vit, ose mesatarisht janë financuar 5500 aplikime në vit, pra rreth 2.5 herë më shumë.

Por sikur të mos mjaftonin këta tregues kaq të ulët, për skemat mbështetëse të bujqësisë për këtë vit, me Aktin Normativ për Buxhetin 2015, qeveria shkurtoi me 95.7 milionë leke, zërin “Transferta buxhete familjare-llogaria 606”, të cilat gjatë muajit shtator dhe në vazhdim do të pakësojnë me 40 milion investimet dhe me 55.7 milion skemat e fermerëve. Tendenca e Ministrisë te Bujqësisë për te ndryshuar kahun e financimit nga pagesa direkte për hektar te sipërfaqes se mbjelle (ullinj, peme frutore, agrume, etj,) drejt financimit te ngritjes se kapaciteteve grumbulluese,  ruajtëse dhe përpunuese, është e gabuar, sepse rrezikon  frenimin e rritjes se prodhimit bujqësor si dhe shpenzimin e fondeve  ne mënyre  jo eficente.

Por për kë ka qenë edhe kjo pak mbështetje, sipas shifrave që përmenda më lart?

Kjo mbështetje me grante falas nga buxheti i shtetit ka qenë për  individë apo subjekte,  ne shuma qe shkojnë deri ne 150 mije $, ne një kohe kur mijra fermerë nuk përfitojnë asnjë lek.

Individët dhe subjektet te cilët kanë përfituar shuma te tilla janë përzgjedhur pa  respektuar asnjë kriter konkurrues, por sipas “porosive nga lart”, për klientelën e qeveritarëve.

Ne kushtet kur buxheti i shtetit për bujqësinë është mjaft i limituar, këto shuma mund te jepeshin ne  formën e kredive me norma te ulta interesi, ose edhe me  interes zero,  por jo te faleshin për klientët e qeverisë.

Pra qeveria, me një te rene te lapsit, ka përjashtuar nga mundësia e financimit shumicën e fermerëve qe derdhin djersen çdo dite ne fushe, duke e konsideruar këtë, sipas kryeministrit, si një lëmoshë për fermerët, të cilët, deri tani, nuk paskan ditur të konkurrojnë.

Ministria e Bujqësisë i heq të drejtën e peshkimit peshkatarëve të Lagunës së Patokut dhe ja jep të vëllait të deputetit, nëpërmjet forcës dhe pushtetit që i ka dhënë kryeministri Rama.

Para disa ditësh, Gjykata Administrative, ka rrëzuar vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, me argumentimin se kriteret e përcaktuara për zhvillimin e tenderit për administrimin e lagunës, i plotësonte më mirë shoqëria “Cali”.

Sipas Gjykates Administrative, Ministria e Bujqësisë nuk ka marrë parasysh dokumentet e shoqërisë “Cali” dhe nuk ka zbatuar korrekt ligjin gjatë prokurimit.

Ja pra, me këto metoda klienteliste punon kjo qeveri.

Nga 1 shtatori qeveria ka nisur të ashtuquajturin aksionin kundër evazionit dhe informalitetit, për të mbushur sadopak gropën e madhe prej 200 milion dollarësh të evazionit, korrupsionit dhe kontrabandës.

Eshtë folur shumë për informalitetin dhe evazionin fiskal në biznesin e madh dhe të vogël.

Po me fermerët dhe prodhimet e tyre si do të veprohet? Cilat do të jenë aktet nën ligjore qe do të nxjerrë qeveria për sektorin e bujqësisë, në zbatim të ligjit “Për procedurat tatimore”, që u miratua vetëm me votat e maxhorancës, javën e kaluar?

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, pas 31 Dhjetorit 2015, asnjë fermer nuk do të lejohet më që të shesë vetë prodhimin e tij ne tregjet me pakicë.

Ata do të mund t’i sheshin prodhimet vetëm tek tregtarët apo në pikat e grumbullimit.

Ky vendim i ka alarmuar fermerët e vegjël. Nuk mjafton kostoja e lartë e prodhimeve të tyre bujqësore, por tashmë dhe çmimi i ulët i shitjes në grosistët apo në pikat e grumbullimit, duke mos mbuluar dot shpenzimet e prodhimit.

Kështu atyre do tu hiqet dhe e ardhura e vetme që kanë për të jetuar.

Shitjen e prodhimeve tek tregtarët apo në pikat e grumbullimit, fermerët do ta bëjnë vetëm pasi të kenë vetëdeklaruar produktet dhe të jenë pajisur me një kod që merret pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, ose në Drejtoritë e Bujqësisë.

Imagjinoni 350 mijë fermerë, që brenda 3 muajve, duhet të paraqiten  pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, ose në Drejtoritë e Bujqësisë, për të vetë deklaruar produktet e tyre bujqësore dhe për tu pajisur me kod.

Po për këtë periudhë si do të veprohet?

Jemi në pikun e prodhimeve bujqësore dhe gjithçka është e bllokuar.

Fermerët nuk po shesin dot prodhimet e tyre bujqësore, sepse tregtarët e shumicës dhe impiantet frigoriferike për konservimin e frutave, veçanërisht të mollës, nuk mund të grumbullojnë këto prodhime, pa faturë tatimore, që fermerët nuk e disponojnë.

Por tashmë, fermerët shqiptarë nuk mund të mashtrohen më, me gënjeshtra dhe të ngopen me lugën bosh të rilindjes të vetë demaskuar si gënjeshtra më e madhe në historinë e Shqipërisë demokratike.


Fjala në Kuvend e deputetit Gjergji Papa, 1 tetor 2015