• Dita e djeshme shënon hapin e parë për përfundimin me sukses të procesit të diktuar nga udhërrëfyesi të Bundestagut që do ta çojë Shqipërinë drejt zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme.

 

  • U përmbushën tre kushtet që opozita vendosi, reformë jashtë parlamentit ilegjitim – e padiktuar nga qeveria, reformë me konsensus të forcave politike, miratim pa asnjë ndryshim- parlamenti noter i vendimeve konsnesuale të tryezës politike.

 

  • Përmbushja e kushteve u arrit jo për shkak të vullnetit të mirë të palës tjetër, por për shkak të presionit ndërkombëtar. Për të shkuar drejt Europës, Shqipëria ka nevojë të ndahet nga qeveria e korruptuar e Edi Ramës.

 

  • Falenderoj Bundestagun gjerman, përfaqësuesit diplomatikë në Tiranë, në veçanti ambasadorin britanik, përmes së cilit u vu në lëvizje mekanizmi, që çoi në plotësimin e tre kërkesave të opozitës, pavarësisht se me katër muaj vonesë.

 

  • Procesi që nisim ka një qëllim: të kthejë lirinë e votës dhe mundësinë që çdo shiqiptar të vendosë qeverinë, parlamentin dhe kryebashkiakët që do. Kjo betejë nuk bëhet as për karriket, as për fatet tona politike.

 

  • Me aksionin tonë që nisi në 16 shkurt grisëm perden e propagandës qeveritare të Shqipërisë pa probleme dhe i treguam botës mbarë nevojën akute për ndryshim. Sakrifica e mandateve të djegura, moslegjitimimi i farsës së 30 qershorit i tregoi botës se demokracia ishte ne grahmat e fundit dhe bëri të mundur vetëdijësimin e Perëndimit se Shqipëria ka nevojë për ndihmë.

 

  • Ky është vetëm fillimi i një beteje, që do të konsiderohet e fituar, kur ne të kemi një proces zgjedhor, që do të sjellë një parlament dhe një qeveri të dalë nga vullneti i qytetarëve dhe i jep fund plaçkitjes së shqiptarëve.

 

  • Për opozitën, objektivi politik është i qartë, largimi i një orë e më parë e kësaj qeverie përmes zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe të ndershme, të cilave do t’u paraprijë një reformë zgjedhore sipas standardeve të diktuara nga OSBE/ODIHR.

 

  • Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi me vlerat dhe sakrificat, me të cilat ka nisur kjo betejë. Çdokush që e mendon ndryshe, gabohet. I bëj thirrje çdokujt që dëshiron të kontribuojë në proces, ta shfrytëzojë mundësinë e derës hapur në PD . Ne do të krijojmë hapësirat në Këshillin Politik për të diskutuar çdo temë, përfshi ndryshimin e sistemit.

 

  • Largimi i kësaj qeverie është emergjencë kombëtare. Instrument tjetër përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk ka. Afrimi i këtij momenti një minutë e më parë është objektivi ynë. Nuk do të tolerojmë dhe nuk do të pranojmë asnjë vonesë të reformës zgjedhore përtej 15 marsit.

 

  • Teza se “u legjitimua Damian Gjiknuri” është një tezë e dalë nga kancelaria e Edi Ramës. Nuk ka për të patur amnisti as për Damian Gjiknurin, as për Imer Lalën, as për Vangjush Dakon, për askënd që është përfshirë në shitblerjen e votave. Këta janë të gjithë ushtarë të Edi Ramës.

 

  • Stigmatizimi i procesit të reformës zgjedhore është rënie viktimë e propagandës së qeverisë. Synimi im është të largojmë fenomenin, personin, qeverinë, bandat e Edi Ramës dhe të krijojmë kushtet që kurrë më, asnjë parti politike, asnjë individ të vendosë shqiptarët në kushte pengmarrje nga krimi.

 

  • Edi Rama nuk është dikush që duhet besuar, por është dikush që duhet larguar një orë e më parë. Edi Rama nuk e ka vullnetin politik për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

 

  • Ne u qëndrojmë të gjitha çështjeve të rakorduara me opozitën e bashkuar më 23 prill, ku qeveria tranzitore si garante e vullnetit për të zbatuar edhe ligjin ekzistues, edhe ndryshimet që do të bëjmë, është kërkesa jonë kryesore.

 

  • Reforma zgjedhore është i vetmi nga 9 kushtet e Bundestagut, ku opozita ka një rol për të luajtur. Po e bëjmë këtë në shërbim të interesit publik. Kërkesa për ndryshim nuk ka qenë kurrë më ulëritëse.

 

  • Një grusht njerëzish të babëzitur funksionojnë si një parti e vetme. Kjo është partia e babëzis, e përbërë nga kupola drejtuese e Partisë Socialiste, një grusht oligarkësh dhe bandat më të rrezikshme në Ballkan dhe Europë.

 

  • Rruga e vetme e daljes nga kjo e keqe është të bashkojmë forcat e çdokujt për vendosjen e standareve mbi të cilat funskionon Europa. I duhet dhënë fund bashkëjetësës së politikës me krimin dhe partisë së babëzizë.

 

 

BASHKËBISEDIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.

 

Të  dashur bashkëqytetarë,

 

Dita e djeshme shënon edhe hapin e parë për përfundimin me sukses të procesit të diktuar nga  udhërrëfyesi të Bundestagut që do ta çojë Shqipërinë drejt zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme; vlerësimit të procesit farsë dhe ilegjitim të 30 qershorit dhe zgjedhjeve lokale në një ditë me zgjedhjet parlamentare, vënies në funksion të plotë të drejtësisë të pavarur që nuk mbron, por ndëshkon qeveritarët e korruptuar dhe krimin e organizuar; ndëshkimin e krimit elektoral nga Dibra në zgjedhjet e vitit 2017 e kudo. Dhe, në këtë mënyrë, do të sigurojë për shqiptarët hapjen e negociatave me gjithë benefitet që kjo sjell, në kuptimin politik, shoqëror, ekonomik dhe financiar për qytetarët shqiptarë kudo ku janë.

 

Pavarësisht prej propagandës së shfrenuar të atij që, për katër muaj me radhë, u mundua të anashkalojë kushtet e Bundestagut dhe të diktojë një farso-reformë me një farso-parlament dhe një farso-opozitë, faktet janë këto:

 

  1. Reforma Zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e dalë me votat e blera dhe pseudo-opozita e blerë me paratë e krimit dhe të oligarkisë.
  2. Vendimet për reformën zgjedhore do të merren me konsensus midis dy palëve – opozitës së bashkuar dhe parlamentit monist, plus patericat e veta
  3. parlamenti vetëm do të noterizojë formalisht marrëveshjet e tryezës politike, nga e cila vendimet do të dalin me konsensus.

 

Këto janë tre kushtet që opozita e bashkuar vendosi në tetor, vetëm javë apo ditë pas rezolutës së Bundestagut. Këto janë tre kushtet me të cilat u mandatuan përfaqësuesit e opozitës së bashkuar. Këto janë tre konkluzionet e takimit të djeshëm midis palëve, konkluzione të cilat u arritën jo për shkak të vullnetit të mirë të palës tjetër, por për shkak të presionit ndërkombëtar, për të shtyrë përpara axhendën e shëndoshjes së demokracisë së sëmurë në Shqipëri, dhënies fund shtetit të falemintuar dhe të dështuar të qeverisë korruptuar të Edi Ramës dhe dhënies së shanseve dhe mundësi të njëjta shqiptarë si çdo qytetar tjetër në Europë.

 

Për këtë arsye dua ta nis këtë bashkëbisedim me një falënderim të thellë për, në radhë të parë, Bundestagun Gjerman, jo vetëm për partinë tonë simotër CDU/CSU të Angela Merkel, por edhe partinë tjetër Social Demokratët gjermanë, të cilët me përgjegjëshmëri të lartë i dhanë fund një periudhe të dëmshme, heshtje, cinike dhe mospërfillje të problematikave të thella të demokracisë shqipatre për hir të një stabilitet të shtirë dhe kuptuan se gremina, në të cilën po e çonte vendin autokracia e inkriminuar e Edi Ramës, do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për shiqiptarët, por edhe për rajonin dhe për Europën, pasoja të cilat filluan të ndihen si në aventurat rajonale që mund ta zhysnin Ballkanin në luftë ashtu edhe në valët e emigracionit që kanë pushtuar me numra të pakrahasueshëm edhe me vende ku ka luftë apo luftë civile në Europën Perëndimore, për shkak të emigracionit si një nga shprehjet e dëshpërimit, ku është zhytur Shiqpëria, nën qeverisjen e dështuar të Edi Ramës. Falënderimi i parë i takon Bundestagut Gjerman e në veçanti Kristian Demokratëve dhe Kristian Socialëve gjermanë të cilët edhe në fjalët e vetë, krerët aktualë të qeverisë janë njerëzit më të informuar për çfarë ka ngjarë dhe po ngjet në Shiqperi.

 

Falenderim kam edhe për komunitetin ndërkombëtar dhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë, për SHBA dhe BE, vendet anëtarë të BE dhe, në veçanti për ambasadorin britanik, Duncan Norman, përmes së cilit u vu në lëvizje mekanizmi i cili çoi në plotësimin e tre kërkesave të opozitës, pavarësisht se me katër muaj vonesë.

 

Sot jam këtu për të garantuar se, në radhë të parë, qytetarët shqiptarë, demokratët, mbështetësit e opozitës së bashkuar, socialistët e zhgënjyer, trishtuar dhe të dëshpëruar nga metamorfoza e partisë së tyre në një grupim që mbron interesat e krimit dhe të oligarkisë e, në veçanti, rininë shqiptare se procesi që do të nisim ka një dhe vetëm një qëllim: Të kthejë lirinë e votës, të kthejë mundësinë që çdo shiqiptar, përmes votës të tij dhe të saj, të vendosë që sot e tutje qeverinë që do, parlamentin që do, kryebashkiakët që do dhe t’i shkarkojë ata me votë të lirë, siç ndodh, pavarësisht prej ndonjë mangësie, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut e kudo tjetër në rajon, siç ndodh e duhet të ndodhë në çdo vend në rajon.

 

Kjo betejë nuk bëhet as për karriket tona, as për fatet tona politike. Mandatet tona i dogjëm, pikërisht për t’i treguar botës mbarë se këtu demokracia ishte ne grahmat e fundit. Sakrifica e mandateve të djegura, moslegjitimimi i farsës së 30 qershorit solli atë që çdokush mund ta konsideronte të pamundur para këtyre vendime – vetëdijësimin e perëndimit se Shqipëria edhe një herë ka nevojë për vëmednje dhe ndihmë për të ndaluar rënien në një autokraci kriminale dhe për t’u rikthyer shqiptarëve mundësitë, liririnë për të vendosur me votë për të jetuar dhe punuar me nder në vendin e tyre të çliruar nga totalitarizmi, autokracia dhe kriminaliteti në çfarëdo forme dhe mënyre të rikthehen ato.

 

Të mos keni asnjë dyshim, ky është vetëm fillimi i një beteje, e cila do të konsiderohet e fituar vetëm atëherë, kur ne të kemi një proces zgjedhor, që  do të sjellë një parlament dhe një qeveri të dalë nga vullneti i qytetarëve me instrumente të mjaftueshme kontrolli dhe balance, që do të garantojnë një herë e përgjithmonë fundin e akteve të turpshme që kemi parë në këto vite 7 vite – që nga dhunimi i të drejtave themelore të njeriut, shkatërrimi i pronës, vënia e institucioneve në dispozicion të kriminelëve dhe oligarkëve, shtypja pa mëshirë e qytetarëve të thjeshtë, plaçkitja e tyre, qoftë me taksa të rritura, me çmime të rritura të naftës, të energjisë, shtyrja drejt emigracionit, dëshpërimit, deri vetëvrasjes, e mijëra bashkëatdhetarëve tanë, monopolizimi i arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, vrasja e konkurencës, që janë produktet e vetme të qeverisë së dështuar në Edi Ramës.

 

Për opozitën, objektivi politik është i qartë, largimi i një orë e më parë e kësaj qeverie përmes zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe të ndershme, të cilave do t’u paraprijë një reformë zgjedhore sipas standardeve të diktuara nga OSBE/ODIHR.

 

Në 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman, pas konstatimit të qartë të krizës politike të rëndë që ka pllakosur në Shqipëri, kushti i parë është miratimi i Reformës Zgjedhore.

 

Dua ta them qartë për këdo që ndoshta me të vertetë nuk e ka kuptuar, se ky është i vetmi kusht ku opozita ka një rol për të luajtur dhe e ka luajtur këtë rol me vetëdije të plotë dhe në shërbim të një dhe një interesi të vetëm, interesit të qytetarëve shqiptarë.

 

Po të ishte për interesa politike meskine, po të ishte për ekuacione pushtetesh e karrikesh, kishte dhjetëra rrugë të tjera të cilat ne i kemi refuzuar dhe do t’i refuzojmë me përbuzje.

 

Beteja jonë është që ju, qytetarët shqiptarë, të vendosni me votën tuaj, parlamentin e ardhshëm, qeverinë e ardhshme, kryebashkiakët e ardhshëm një orë e më parë. Kurrë nuk ka qenë më e madhe nevoja, kurrë nuk ka qenë më ulëritëse kërkesa për ndryshim.

 

Ditë për ditë zbulohen kryebashkiakë me rekorde kriminale, të instaluar me dhunë kundër ligjit dhe kundër Kushtetutës në zyrat e shtetit. Ditë për ditë qytetarët shqiptarë bien viktima të sundimit të krimit, padrejtësisë dhe babëzisë së pushtetarëve, së bashku me një grusht njerëzish që e kanë kthyer Shqipërinë në çifligun e tyre.

 

Rruga e vetme e daljes nga kjo e keqe është të bashkojmë forcat e çdokujt e çdo force politike, e çdo grupimi shoqëror, e çdo individi, i çdo qytetari, intelektuali, akademiku, studenti, pensionisti, të punësuari, profesionisti, për të vendosur edhe këtu në Shqipëri, ato standarde, që i bëjnë shoqëritë e përparuara të funksionojnë në atë mënyrë, në atë formë, saqë sot 70 në 100 prej nesh, nuk mendojnë gjë tjetër vetëm të shkojnë në ato shoqëri të tjera, pavarësisht se nuk kanë asgjë të përbashkët me atdheun tonë, me gjuhën tonë dhe zakonet tona.

 

Por nuk ka përse të jetë kështu.

 

E gjitha kjo është produkt i bashkëjetesës së politikës me krimin, produkt i kapjes së shtetit, produkt i nxjerrjes jashtë shtetit, jashtë Republikës, jashtë institucioneve të interesave të shqiptarëve të thjeshtë dhe grabitjes së gjithçkaje –  nga pronat në bregdet tek mineralet, nga koncesionet dhe PPP-të  tek taksat e shtetit – nga një grusht njerëzish të babëzitur që sot funksionojnë si një parti e vetme. Kjo është partia e babëzisë e përbërë nga kupola drejtuese e Partisë Socialiste, një grusht oligarkësh dhe bandat më të rrezikshme në Ballkan dhe Europë.

 

Mundja e tyre, shporrja e tyre njëherë e mirë nga zaptimi i institucioneve shtetërore është misioni i Partisë Demokratike, është misioni i opozitës së bashkuar.

 

Në procesin që sapo ka nisur, ne shkojmë me objektiva të qarta dhe të vendosur për t’u shkuar deri në fund. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi për vlerat me të cilat ka nisur kjo betejë dhe për të cilat janë bërë sakrifica të panumërta, nga mbështetësit tanë, nga qytetarët e thjeshtë. Çdokush që e mendon ndryshe, gabohet. Ndaj i bëj thirrje çdokujt që ka diçka për të dhënë dhe për të ofruar në këtë proces ta shfrytëzojë mundësinë e derës hapur në Partinë Demokratike dhe në opozitën e bashkuar.

 

Pjesa e Këshillit Politik që përfaqëson opozitës e bashkuar  e konsideruar që të jetë e hapur dhe të krijojë hapësirën në çdo moment dhe në çdo hap të procesit të reformës zgjedhore për kontributin, mendimet dhe sugjerimet e çdo faktori tjetër, duke përfshirë shoqërinë civile, grupet e interesit dhe këdo tjetër që ka vullnetin për të ndihmuar, për të nxjerrë Shqipërinë nga dështimi ku e ka zhytur kjo qeveri dhe ky kryeministër.

 

Objektivi ynë i parë është të vihet në lëvizje menjëherë mekanizmi dhe të goditet çdo përpjekje e hapur apo e nëndheshme për t’i lënë këto dy muaj, deri më 15 mars, të kalojnë pa asnjë zhvillim, në mënyrë që vazhdojë të zvarritet e të zvarritet kjo gjendje e papranueshme për Shqipërinë, në mënyrë që Edi Rama dhe kohorta e tij e grabitësve të vazhdojnë të plaçkisë buxhetin, taksat doganat, institucionet, hekurudhën, portet, rrugët, shëndetësinë, sipërmarrjet, qytetarët.

 

Është emergjencë kombëtare largimi i kësaj qeverie. Instrument tjetër përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk ka. Afrimi i këtij momenti një minutë e më parë është objektivi ynë dhe për këtë arsye nuk do të tolerojmë dhe nuk do të pranojmë asnjë vonesë në procesin e përfundimit, siç është rënë dakord, më 15 mars të reformës  zgjedhore.

 

Ka, siç jam i vetëdijshëm, shumë njerëz që kanë dyshimet e tyre. Ka nga ata të cilët, nën peshën dhe hallet që kjo qeveri e dështuar u ka imponuar, kanë humbur shpresën. Sot u them se asnjëherë në këto shtatë vite nuk kanë qenë kaq të qarta, kaq të grupuara dhe kaq të vendosura synimet e opozitës së bashkuar dhe aleatëve tanë perëndimorë dhe euroatlantikë, që Shqipëria mos të humbë trenin e integrimit, trenin e progresit, trenin e zhvillimit, të punësimit, të institucioneve gjithëpërfshirëse që u shërbejnë qytetarëve dhe jopërjashtuese që u shërbejnë vetëm një grupi njerëzish.

 

Por, ndërsa mund të kemi mendime dhe nuanca mendimesh të ndryshme, këto 7 vite, po kështu, na kanë sjellë përpara dy zgjedhjeve të qarta: bardh e zi. Të vazhdojmë në këtë rrugë, në rrugën e dështimit total, përkeqësimit ekonomik, të varfërimit, të dorëzimit, të pafuqisë para një grushti njerëzish, që e kanë marrë peng Shqipërinë apo të përdorimim të gjithë fuqinë e mendjeve, zemrave tona për t’u dhënë shqiptarëve atë që kërkojnë dhe meritojnë tash 30 vjet -një realitet europian politik, ekonomik, social, i cili nuk ndodhet as në dollapët e partive politike, as në dosjet e kryetarëve të partive politike, por ndodhet në zemrat dhe mendjet e atyre që e duan Shqipërinë si gjithë Europa dhe do të jetë kontributi i gjithë atyre. Detyra ime si kryetari i opozitës së bashkuar, detyra jonë si parti politike është t’u japim mundësinë, çelësin për ta ç‘kyçur këtë energji, në mënyrë që, të gjithë së bashku, të përdorim shansin dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ka ky vend në zemër të Europës për ta kthyer edhe në standardet ekonomike, edhe në standardet e shëndetësisë, edhe në standardet e arsimit dhe çdo standard tjetër, në një vend me të vërtetë europian me të cilin të krenohemi dhe jo të turpërohemi dhe drejt të cilit vrapojmë dhe jo të largohemi.

 

Ju faleminderit për vëmendjen, i hapur për pyetjet tuaja.

 

Pyetje: Zoti Basha, a po ngjall PD tek mbëhstetësit pabesueshmëri për faktin se duket se ka inkoherencë qendrimesh apo deklarata emotive, për faktin se një ditë më parë duket se keni legjitmuar atë që për shumë kohë e keni cilësuar si simbolin e krimit elektoral, zotin Gjiknuri.

 

Lulzim Basha: Nuk ka asgjë më të pavërtetë dhe naïve se kjo. Mund të rri këtu e të habitem sesi propaganda e Ramës ka arritur në këto nivele apo naivitei i njerëzve ka arritur në këto nivele, por kjo nuk është detyra ime. Detyra ime është t’ju tregoj fare qartë se teza se “u legjitimua Damian Gjiknuri” është një tezë e dalë direkt nga kancelaria e Edi Ramës dhe e shpërndarë përmes renegatëve dhe patericave të tij, pre e të cilës mund të ketë rënë edhe ndonjë naiv apo ndonjë person që ka pritshmëri jorealiste dhe revolucionare mbi mënyrën sesi duhet të ndryshojë Shqipëria. Shqipëria do të ndryshojë përmes të njëjtave mekanizmave që ndryshon dhe përparon Europa. Njëri prej këtyre mekanizmave është zbatimi i ligjit. Përsa i përket pyetjes konkrete, më lër të të jap një përgjigje fare konkrete. Në kushtet e Bundestagut është edhe “fillimi i ndjekjes penale dhe proceseve gjyqësore kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje dhe ndjekjen serioze e të shpejtë të procedimeve.” Në rezolutën e PPE-së ky kusht është forcuar edhe me “arrestimin e personave të kapur në përgjime duke vjedhur votat.” I njëjti kusht përsëritet edhe nga Unioni Demoktatik Ndërkombëtar, ku, përveç Partive Popullore Europiane, përfshihet edhe partia në pushtet e SHBA dhe partia në pushtet në Britaninë e Madhe. Duke parë në sy qytetart dua t’ju them se nuk ka për të patur amnisti as për Damian Gjiknurin, as për Imer Lalën, as për Vangjush Dakon, as për Avdylajt, për askënd që është përfshirë në shitblerjen e votave. Dërgimi i tyre para drejtësisë dhe aty ku e kanë vendin është prioritet absolut i PD-së, i opozitës së bashkuar dhe institucioneve euroatlantike. Ju lutem ta kuptoni realitetin, ashtu siç është. Këta janë të gjithë ushtarë të Edi Ramës. Stigmatizimi i procesit të reformës zgjedhore, nuk është gjë tjetër veçse rënie viktimë e kësaj propagande. Synimi im është të largojmë fenomenin e Edi Ramës, personin e Rdi Ramës, qeverinë e Edi Ramës, bandat e Edi Ramës dhe të krijojmë kushtet që kurrë më, asnjë parti politike, asnjë individ të vendosë shqiptarët dhe Shqipërinë në kushte pengmarrje nga krimi. Për këtë, ne kemi një hartë rruge, një udhërrëfyes solid që është rezoluta e Bundestagut, për të cilën dje kemi dhënë kontributin tonë, duke krijuar një proces për reformën zgjedhore:

  1. jashtë parlamentit ilegjitim antikushtetues,
  2. me konsensus të forcave politike
  3. që do të kalojë pa asnjë ndryshim, pas miratimit në nivelin politik.

 

 

Pyetje: Deklaruat se reforma zgjedhore është hapi i parë drejt zgjedhjeve, ndërsa maxhoranca ka deklaruar se kjo reformë bëhet për zgjedhjet e vitit 2021. A ka një dakordësi që zgjedhjet të zhvillohen vitin që vjen?

 

Lulzim Basha: Faleminderit për pyetjen, e cila ka brenda dhe vetë përgjigjen. Çdo ditë që kalon me këtë gjendje politike, me një qeveri ilegjitime që i ka vënë lakun në fyt shqiptarëve, është një ditë e zezë për Shqipërinë. Është objektivi ynë i shpallur politik që, menjëherë pas përfundimit të reformës zgjedhore, të shtyjmë për procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet lokale dhe t’u rikthejmë qytetarëve shqiptarë parlamentin e tyre dhe jo parlamentin e bandave, një qeveri që del nga vullneti i tyre dhe jo nga vullneti i bandave e oligarkëve dhe institucione, të cilat të mundësojnë mirëqenien dhe kujdesin ndaj qytetarëve dhe jo pasurimin dhe shpëtimin nga drejtësia të oligarkëve dhe të banditëve, me të cilët qeveris sot parlamenti dhe qeveria ilegjitime në fuqi.

 

Pyetje: A duhej fillimisht një marrëveshje për të nxjerrë nga burgu qytetarët të cilët kanë protestuar, përpara së të uleshit në këtë tryezë?

 

Lulzim Basha: E para, opozita ka prej minutës së parë e deri në çdo çast që ndjek me të gjitha asetet e veta juridike, çdo rast nga ato që përmendët. Së dyti, për çdo akt të tillë, nuk mjafton thjesht dhe vetëm nxjerrja nga arresti në shtëpi të atyre individëve që ende mbahen në arrest shtëpie, por edhe çuarja para drejtësisë e çdo huligani me uniformë policie ,që i ka shërbyer krimit, ka shkelur kushtetutën dhe ligjin dhe ka dhunuar të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.

 

Pyetje: Në këto negociata, larg vëmendjes sonë përmes ndërkombëtarëve, keni marrë garanci se do të pranohen zgjedhjet e parakohshme?

 

Lulzim Basha: Garancia e vetme që vendi të normalizohet janë qytetarët e këtij vendi. Nëse qytetarët zgjedhin të ulin kokën, të pranojnë të keqen, të largohen nga vendi dhe ta lënë atë në dorë të Edi Ramës, të injorantëve, të hajdutëve, përdhunuesve, trafikantëve, t’i lënë familjarët e tyre në fatin dhe mëshorën  kësaj bande, atëherë nuk ka faktor ndërkombëtar që mund të bëjë diçka për këtë. Por vendi ka sot një opozitë të bashkuar, që është mazhorancë numerike, jemi mazhorancë numerike dh,e përmes kësaj beteje, synojmë të jemi maxhoranca morale dhe politike një orë e më parë. Kjo është një betejë që do ta bëjmë bashkë me qytetarët shqiptarë dhe do ta fitojmë për qytetarët shqiptarë.

 

Pyetje: Zoti Basha, në konferencën e fundit ju u shprehët i zhgënjyer nga zoti Rama pas marrëveshjes së vitit 2017-ës, që sipas jush nuk i qëndroi fjalës. Ju është rikthyer besimi tek zoti Rama?

 

Lulzim Basha: Nuk shoh absolutisht asnjë paralele midis të dyjave. E para dështoi për faktin e thjeshtë, sepse shitblerja e votave ishte bërë realitet dhe vetë marrëveshja u nënshkrua nga njëra palë në kushtet e mashtrimit, për t’i hedhur hi syve. Ndërsa aktualisht, kemi një kusht të faktorit ndërkombëtar, reformën zgjedhore, për t’i hapur rrugë zbatimit të kësaj reforme, siç është e shkruar e zezë në të bardhë në rezolutën e Bundestagut. Kemi një sërë rekomandime të OSBE-ODIHR-it, dhe kemi një vendosmëri të opozitës për t’i shkuar deri në fund kësaj beteje, për t’u garantuar shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme. Në asnjë prej këtyre rreshtave nuk nënkuptohet besimi ndaj Edi Ramës. Edi Rama nuk është dikush që duhet besuar, por është dikush që duhet larguar një orë e më parë.

 

Pyetje: Ky takim mund të jetë një paradhomë për një takim të mëvonshëm politik duke u përballur me zotin Rama vetëm në zgjedhje apo edhe në një tryezë?

 

Lulzim Basha: Më lejoni të jem fare i qartë dhe nëse nuk jam i qartë më thoni ta përsëris për herë të pestë. Nuk është takim. Është procesi i reformës zgjedhore, është kushti i parë i Bundestagut për hapjen e negociatave. Është kushti i parë për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore, sa i takon opozitës së bashkuar. Ky është objektivi me të cilin kemi shtyrë dhe kemi marrë këtë fitore për çdo shqiptar. Një vit përpara, ca nga mos dijenia, ca nga moskujdesi për Shqipërinë e vogël, gjërat këtu dukejsikur shkonin fjollë. Ishte beteja jonë që çoi drejt kësaj rezolute dhe rezolutave të tjera që përmenda, drejt vetëdijesimit të faktorit ndërkombëtar, që nuk mund ta lërë më Shqipërinë në këtë gjendje dhe një hartë rruge ku hapi i parë është reforma zgjedhore dhe zgjedhjet dhe zbatimi i reformës që nuk ndodh as në stadium, as në pishinë, por ndodh në zgjedhje, në proces zgjedhor të parakohshëm. Pra në këtë kuptim, synimet tona janë fare të qarta dhe nuk ka asgjë jashtë këtyre synimeve dhe objektivave- të përfundohet brenda 15 marsit reforma zgjedhore dhe të detyrohet pala tjetër t’i japë fund situatës së iligjitimitetit dhe anti-kushtetueshmërisë, si në nivelin e parlamentit të cunguar me 82 deputetë dhe marionetat e pushtetit që kanë mbetur aty, si në rastin e bashkive të zaptuara me dhunë pas një procesi ilegjitimi. Kjo dhe vetëm kjo është axhenda jonë.

 

Pyetje: Pra, mekanizmi me të cilin, siç keni thënë ju, Rama do të largohet nga krimi, dhe nga ortakëria e tij me oligarkinë dhe krimin, është vetëm nëpërmjet procesit të reformës zgjedhore?

 

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet tona. Sigurisht do të synojmë që rregullat e përmirësuara apo të shkruara në letër të jenë ashtu siç i kërkon realiteti shqiptar, siç e tregoi dhe 30 qershori, por PD dhe opozita e bashkuar e kanë bërë të qartë prej fillimit se kryesore është vullneti politik. Edi Rama nuk e ka vullnetin politik për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj për ne, qëndrimi i 23 prillit është dhe mbetet qëndrimi zyrtar: Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Pyetje: Zoti Basha, ju thoni se për daljen nga kriza ku ka hyrë vendi, nuk mjafton vetëm reforma elektorale, pra bërja e saj në letër, por edhe zbatimi, si dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë. Por a është marrëveshja e djeshme një konsensus i arritur mes jush dhe shumicës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në pranverë apo në vjeshtë?

Lulzim Basha: Jo, nuk është. Po të ishte, do ta kishim raportuar si të tillë. Është objektiv i shpallur i opozitës së bashkuar, në funksion të të cilit do të mobilizojmë çdo lloj instrumenti popullor, qytetar, politik e ndërkombëtar. Por padyshim, siç e keni dëgjuar, në frymën e organizatës kreu i të cilës është, sa më shumë kohë të kalojë aq më shumë mund të kapësh. Pra, këtu janë dy axhenda krejtësisht të ndryshme. Axhenda e Edi Ramës është të qëndrojë në pushtet me çdo mjet dhe me çdo formë sa më gjatë, axhenda e opozitës dhe besoj e shumicës së qytetarëve, është t’i japë fund kësaj situate një orë e më parë me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore që mbahen në një ditë.

 

Pyetje: Pjesëmarrja e opozitës në takimin e djeshëm ka qënë surprizë si për opinionin publik edhe për median. Nëse mund të dimë, sa kohë kishte që punohej për këtë takim dhe a ishte përcaktuar mbajtja e këtij takimi ditën e djeshme, pasi kritikët tuaj e kanë lidhur pjesëmarrjen e opozitës në këtë takim një ditë pas pushimit të një procesi gjyqësor ndaj jush.

 

Lulzim Basha: Nuk janë kritikë të mi, janë miq të Edi Ramës. Përfitues të Edi Ramës. Janë njerëz të cilët kanë vënë gjithçka në funksion të pushtetit të korruptuar dhe të dështuar të Edi Ramës. Ndaj nuk meritojnë asnjë përgjigje. Ndërsa pyetje tuaj do t’i përgjigjem fare thjeshtë. Prej fillimit të dhjetorit, faktori ndërkombëtar ka ushtruar ndaj mazhorancës për të pranuar 3 kushtet e parashtruara nga opozita që në fillim të tetorit. Nëse takimi do të zhvillohej dje apo jo, këtë nuk mund ta thonim deri në orët e fundit, për shkak të tentativave për ta zvarritur. Ndaj edhe njëherë dua të falendëroj faktorin ndërkombëtar për presionin që ka ushtruar, falë të cilit u arrit që dje, në letër, të pranoheshin 3 kushtet e shpallura të opozitës:

  1. Procesi jashtë parlamentit
  2. Vendimmarrja me konsensus
  3. Adoptimi i vendimmarrjes me konsensus, pa asnjë ndryshim, në parlamentin e cunguar për t’i hapur rrugë procesit zgjedhor.

 

Pyetje: Zoti Basha, pas një viti të vështirë, ta quajmë kështu, të politikës shqiptare, keni pasur mjaft protesta të forta të opozitës, keni pasur djegie mandatesh, shumë akuza ndaj qeverisë. Dita e djeshme ishte pikënisja e një marrëveshje, çfarë fituat ju nga kjo marrëveshje nga çfarë kishit në 16 shkurt 2019, përpara kësaj date?

 

Lulzim Basha: Unë mendoj se pyetja duhet shtruar çfarë fitojnë shqiptarët? Unë mendoj që shqiptarët fitojnë së pari vetëdijesimin e mbarë komunitetit ndërkombëtar për krizën e rëndë të politikës në vend. Së dyti domosdoshmërinë e rishikimit të kushteve të rregullave të lojës t’i mundësojë çdo shqiptari të votojë i pandikuar nga kërcënimet apo nga shitblerja e votës. Dhe, së treti, që përmes një procesi të tillë të hapet rruga për t’i dhënë fund një orë e më parë kësaj gjendje përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve vendore në një ditë. Pa aksionin tonë të 16 shkurtit dhe çdo gjë që vijoi, sot, me siguri do të gjendeshim në një situatë ku propaganda dhe milionat të krimit dhe oligarkisë do të pikturonin një Shqipëri pa probleme pavarësisht se ekonomikisht shoqërisht nga ana e shpopullimit dhe largimit të shqiptarëve, vendi është në krizën më të thellë, sepse ka qeverinë më të dështuar në 30 vite. Thënë me një fjali, besoj se ia dolëm përmes një aksioni të gjatë, të vështirë dhe plotë sakrifica, ta grisnim perden e propagandës së shtrenjtë qeveritare dhe t’i tregonim botës mbarë nevojën akute për ndryshim.

 

Pyetje: Zoti Basha, cila është garancia e Partisë Demokratike që ajo çfarë keni arritur të shkruani në letër, të zbatohet? A janë sërish ndërkombëtarët një lloj garancie?

 

Lulzim Basha: Partia Demokratike është në këtë betejë për qytetarët, sepse po të na pyesësh ne nuk ka asnjë garanci nga Edi Rama. Zero garanci. Por edhe forca jonë është tek qytetarët, është natyrisht edhe tek faktori ndërkombëtar. Ne ia kemi dalë me një bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe një mobilizim të opinionit qytetar ta sjellim deri këtu dhe kam besim të madh se çdo zvarritje apo përpjekje për ta përdorur këtë proces për të zgjatur ditët e së keqes, do të ketë një përgjigje të merituar qytetare dhe shpresoj edhe ndërkombëtare.

 

Pyetje: Reforma Zgjedhore duhej të ishte bërë që në 2013, pse pritët 7 vite për realizimin e saj?

 

Lulzim Basha: Kjo është një pyetje që duhet t’i drejtohet atij që e bllokoi Reformën gjithë këto vite. Këtu në këtë sallë, në maj të 2016-ës kemi bërë prezantimin e parë të Reformës. Zoti Bylykbashi mund të përgjigjet në mënyrë edhe më të detajuar për këtë. Por, në mënyrë të vazhdueshme është zvarritur nga pala tjetër, sepse ju e dini fare mirë, kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk ka nevojë as për rregulla zgjedhore, as për program zgjedhor. Rregullat e tyre zgjedhore janë blerja e votës, kërcënimi i qytetarëve, kërcënimi i institucioneve dhe punonjësve të administratës shtetërore, programi i tyre është, tepsia. Për ta nuk ka patur nevojë, as për rregulla loje, as për program politik, apo ekonomik dhe kjo është arsyeja përse e kanë zvarritur. Sot është e qartë se kështu nuk do të vazhdohet më. Kjo është e patolerueshme që në rastin më të keq kjo do të thotë stopim i procesit të integrimit europian, për partnerët ndërkombëtarë. Ndaj, gjendemi në një situatë tjetër, të një vetëdijesimi maksimal të faktorit ndërkombëtar, të një vetëdijesimi maksimal të qytetarëve shqiptarë dhe ne si opozitë e bashkuar dhe si shumicë e re politike, kemi detyrimin dhe privilegjin ta drejtojmë këtë betejë deri në përfundimin e saj me sukses.

 

Pyetje: Më lejoni të citoj kryeministrin Rama i cili duket se paralajmëroi tryezën e ditës së djeshme që në datën 8, kur thoshte se ishte dakord me opozitën, citoj, “në një proces dakordësie për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR”. Ishte pjesë e kësaj dakordësie mosprekja e sistemit? Ju përmendët pak më herët përfshirjen e shoqërisë sivile në Këshillin Politik. Ju kujtoj se shoqëria sivile ka mbledhur 50 mijë firma të shqiptarëve të cilët kërkojnë ndryshimin e sistemit. A do ta nisë, z.Lulzim Basha nga vetja ndryshimin dhe t’i përgjigjet kësaj kërkesë që vjen nga 50 mijë shqiptarë?

 

Lulzim Basha: Së pari, citimet që bëtë duhet t’i bëni të plota, se ka citime të tjera që deklarojnë se “do ta kalojmë reformën ne”, domethënë parlamenti monist dhe patericat, pseudo-opozita e blerë me paratë e drogës dhe të krimit. Do ta kalonin ata reformën. Ky ishte qëndrimi i fundit i Edi Ramës, që mbaj mend unë. Në qoftë se bëhet citimin, ta bëjmë tamam, se këtë tha në fund fare Edi Rama. Ndërsa dje kemi një realitet tjetër. Kemi Bundestagun të zbatuar në praktikë, kemi procesin jashtë parlamentit me konsensus të gjitha forcave politike, të opozitës së bashkuar, të dyja palët në tavolinë, parlamenti monist bashkë me patericat veta në një anë, opozita e bashkuar në anën tjetër. Dhe keni sot një angazhim publik timin në emër të opozitës së bashkuar për t’i dhënë çdo hapësirë, çdo zëri që kërkon të kontribuojë në këtë proces për çdo aspect – që nga aspektet jetike, pa të cilën asnjë sistem nuk do të funksionojë, siç është shitblerja e votës, siç është kërcënimi i votuesve, siç është roli i krimit në zgjedhje, që nga emërimi i kandidatëve deri tek shantazhet ndaj institucioneve dhe qytetarëve të thjeshtë, siç është roli i policisë etj, etj, e deri tek diskutimi i sistemit. Absolutisht po! Do të luftojmë që të krijojmë hapësira për këdo që dëshiron të kontribuojë dhe që këtë kontribuim nuk e sheh vetëm në kuadër të fatit të vet politik, por në kuadër të interesit të shqiptarëve dhe të interesit publik për t’i çliruar shqiptarët nga makthi i zgjedhjeve të kontrolluara e të diktuara nga kushdo tjetër përveç ata vetë. Ne do të krijojmë hapësirat në Këshillin Politik për të diskutuar çdo temë, përfshi ndryshimin e sistemit.

Pyetje: Për të qëndruar tek drafti juaj i reformës zgjedhore. A do ta përfshini në draftin tuaj kërkesën për të patur një qeveri tranzitore përgjegjëse, kujdestare, nuk e di si mund të quhet, për çdo herë para zgjedhjeve?

 

Lulzim Basha: Absolutisht ne u qëndrojmë, siç ju thashë, të gjitha çështjeve të rakorduara me opozitën e bashkuar më 23 prill, ku qeveria tranzitore si garante e vullnetit për të zbatuar edhe ligjin ekzistues, edhe ndryshimet që do të bëjmë, është një nga kërkesat tona kryesore. Është kërkesa jonë kryesore në fakt. Do t’i qëndrojmë plotësisht këtij qëndrimi.

 

Pyetje: Pavarësisht nëse i krijon kushtet për zgjedhje të lira ose jo. Pas shtatë vitesh në opozitë karriera juaj politike do ta varet nga zgjedhjet e parakohshme, nëse mbahen. Nëse nuk sillni opozitën në pushtet do ta jepni dorëheqjen?

 

Lulzim Basha: Shikoni, e di unë që ka disa njerëz që merak nuk kanë nëse do të ndryshojë apo jo Shqipëria, por a do të japë apo s’do të japë unë dorëheqjen. Por nuk mendoj se ky është momenti apo vendi për të kënaqur kureshtjet apo thrillet e tyre. Sot Shqipëria është në krizë dhe detyra ime është të bëj gjithçka në emër të opozitës së bashkuar, në emër të Partisë Demokratike për t’i dhënë fund kësaj krize, për t’u dhënë shqiptarëve instrumentin për të dalë nga kjo krizë dhe për të punuar bashkë me ta që edhe Shqipëria, që i ka të gjitha mundësitë të mos jetë kështu, sepse nuk ka pse të jetë kështu, por të jetë një vend me ekonomi funksionale, me konkurencë ekonomike, me konkurencë politike, me të ardhme për fëmijët e saj, për rininë e saj. Kjo është axhenda ime sot. Ëndrra dhe makthet e të tjerëve nuk janë sot fare as në radarin, as në preokupimet e mia dhe të bashkëpunëtorëve të mi.