Deklaratë e deputetes Voltana Ademi

 

 

 

 

 

 

Kur përfaqësuesi politik i oligarkisë kërkon favor seksual me një të mitur, në këmbim të një vendi pune, do të thotë se është ndezur llampa e alarmit, për shoqërinë, për shtetin për vendin tonë.

Quo Vadis?

Me të vërtetë, ku po shkojmë kështu?

Shqetësimi shumëfishohet kur del në dritë mekanizmi se si funksionon punësimi në vend. Skandali i Sarandës nxori zbuluar atë që të gjithë kemi dëgjuar, se në realitet vendet e punës kjo qeveri i këmben si në pazar, pikërisht në zyrat e Partisë Socialiste.

Janë shumë drama të tjera që janë konsumuar nga oreksi e babëzia e oligarkëve dhe përfaqësuesve të tyre, duke kërkuar favore në zyrat e Partisë Socialiste në këmbim të një vendi pune, në këmbim të bukës së gojës.

Partia Demokratike e dënon ashpër këtë fenomen që cënon dinjitetin human të vajzave e grave, nënave e motrave tona.

Ne kërkojmë drejtësi të shpejtë dhe shembullore për këtë shkelje të ligjit dhe të cdo kodi, norme e morali në vendin tonë.

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të kalojë në sitë këtë mekanizëm kriminal e pervers punësimi, në të gjitha zyrat e e Partisë Socialiste në Shqipëri. 

I ftojmë vajzat dhe gratë e Shqipërisë, të ngrenë zërin, të denoncojnë cdo lloj dhunuesi. Edhe nëse ka mandatin e oligarkisë në pushtet, askush nuk ka të drejtën të shesë e të blejë, të bëjë pazar me nderin tonë.