- Standardet e dyfishta, policia dhe prokuroria fshehin identitetin e drejtuesit të lartë të drejtësisë që premtoi favore të paligjshme.
- 3 pyetje për të zbuluar identitetin e gjyqtarit të lartë. Ardian Dvorani dhe Sokol Sadushi, të vetmit me profilin e përshkruar në dosje.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ÇLIRIM GJATA
Arrestimi i një grupi të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të ushtrimit të paligjshëm ndaj një zyrtari të lartë të drejtësisë ka nxjerrë edhe një herë në pah standardet e dyfishta të policisë dhe të drejtësisë në Shqipëri.
Në paradën e leximit të emrave dhe veprave penale të rreth 30 të ndaluarve, drejtori i përgjithshëm i policisë shmangu identifikimin e zyrtarit të lartë të drejtësisë, i cili, sipas prokurorisë, ka premtuar favore për gjykimin e dosjes në Gjykatën e Lartë.
Emri i këtij zyrtari nuk përmendet as në materialet e përgatitura nga prokuroria. Mes të tjerash, thuhet se një drejtues i një organi të lartë të drejtësisë ka premtuar shqyrtimin tek 50 çështjet e para të dosjes, për të cilën prokuroria thotë së është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme.
Emri i atij që në dokumenta identifikohet si drejtues i një organi të lartë të drejtësisë mbetet mister.
Policia dhe prokuroria kanë detyrimin të informojnë opinionin publik:
1- Kush është zyrtari i lartë i sistemit të drejtësisë i përfshirë në këtë dosje?
2- Pse po mbahet i fshehtë emri i tij?
3- Pse u kryen ndalimet përpara se drejtuesi i organit të lartë të drejtësisë të kryente takimin e radhës në mars, siç thuhet në dosje?
Aktualisht, në sistemin e drejtësisë janë vetëm dy persona që kanë lidhje me Gjykatën e Lartë, ku do të shqyrtohet dosja për të cilën prokuroria pretendon se ka patur ndikim të paligjshëm.
Ata janë:
- Ardian Dvorani, aktualisht i vetmi anëtar funksional i Gjykatës së Lartë, drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
- Sokol Sadushi, kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i të cilit pritet të ndodhë në mars. Sokol Sadushi, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi si ekspert i lartë, është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një organ i lartë i sistemit të drejtësisë.
Sot është koha që policia dhe prokuroria të zbulojë identitetin e funksionarit të lartë të drejtësisë.
Drejtësia nuk mund të bëhet me disa standarde. Drejtësi është kur të gjithë, pavarësisht pozitës së tyre, lidhjeve dhe shërbimeve për kryeministrin, vihen përpara drejtësisë.