BASHA: JEMI TË GJITHË NË NJË VARKË. QEVERIA NUK DUHET TË VONOJË ZBATIMIN E PROPOZIMEVE TONA. SHËNDETËSIA, PAKETA SOCIALE, BIZNESI, 3 PRIORITET E NDIHMËS

Pyetje: Zoti Basha ju keni qenë aktiv dhe keni ofruar edhe propozime konkrete për situatën, por a janë bërë kalkulimet se ku do të gjenden paratë, a ka para?

Lulzim Basha: Propozimi ynë është i plotë dhe i kalkuluar. Dua t’i përsëris thirrjen kryeministrit që, pa humbur kohë, të adoptojë masat e propozuara, të cilat nuk janë shpikje të Partisë Demokratike, por janë të bazuara në përvojat e vendeve të tjera, sigurisht brenda mundësive të Shqipërisë. Ne jemi të vetëdijshëm për mundësitë e Shqipërisë, por jemi , po kështu, të vetëdijshëm se në këtë kohë sakrifica nuk mund t’u kërkohet vetëm qytetarëve të thjeshtë. Kemi një planifikim prej 120 milion euro për 10 oligarkë dhe për 12 koncesione. Këto para duhet të zhvendosen menjëherë nga këto kontrata dhe t’u vendosen qytetarëve në ato tre prioritete që janë; personeli shëndetësor, shëndetësia në përgjithësi. Janë kitet testuese dhe përgatitja për të trajtuar të infektuarit më spitale. Së dyti paketa sociale, njerëzit në nevojë, familjet në nevojë, të moshuarit, ata që janë të papunë. Ato mijëra familje që janë ende në çadra dhe janë të harruar. 50 përqind e popullsisë është në kushte të vështira. Një në dhjetë shqiptarë ushqehet vetëm një herë në ditë. Duhet menjëherë të merren masa për t’u ardhur në ndihmë këtyre njerëzve. Dhe së treti çështja e ekonomisë. Pa diskutim edhe në Shqipëri, si kudo tjetër, kjo do të ketë pasoja ekonomike. Duhet t’i dilet para, nuk duhet të reagojmë pas. Duhet t’i dilet para me masa të cilat ndihmojnë ekonominë, japin besim për operatorët ekonomikë. Para disa ditësh Banka e Shqipërisë adoptoi një prej masave duke bërë shtyrjen e kësteve të kredive për ato biznese që janë goditur nga epidemia dhe unë e përshëndeta këtë vendim të BSH dhe kam besim se bankat e nivelit të dytë do të veprojnë me vetëdije, sepse në fund të fundit këtu askush nuk mund të rrijë në një degë të veçantë. Të gjithë jemi bashkë në këtë varkë dhe të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që të dalim shëndosh e mirë.

THIRRJA E BASHËS PËR RAMËN: VEPRO PA KOMPLEKSE, MIRATO TË PLOTË PAKETËN E MASAVE TË PD. NUK JANË PROPOZIME ELEKTORALE, JANË PËR SHQIPTARËT

Roli i qeverisë është të marrë masa, të mos vonohet në marrjen e masave, të ketë një plan të qartë, ta menaxhojë situatën,  të mos i lërë t’i dalë nga duart dhe pastaj t’i shkojë nga pas. Roli ynë është të bëjmë tranparencën, të kërkojmë llogari dhe të bëjmë propozime. Këto kemi bërë gjatë këtyre ditëve. Siç e thashë, pavarësisht prej retorikës politike, që refuzoj të bëhem pjesë, një pjesë pozitive është që shumë prej propozimeve  tona, tani janë adoptuar nga qeveria. Njëra prej tyre është marrë nga Banka e Shqipërisë. Sot, kam një dhe vetëm një thirrje për kryeministrin Rama dhe për qeverinë. Të mos ketë asnjë kompleks. Propozimet nuk po i bëjmë as për fushatë, as për kapital politik. Po i bëjmë për diçka shumë më të madhe sesa PD dhe PS, se ego i atij apo e imja. Po e bëjmë për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish, po e bëjmë për t’ia bërë sa më të lehtë shqiptarëve këtë kohë me shumë vështirësi dhe akoma me shumë të panjohura.

“TRANSPARENCË NË ÇDO HAP, VEPRIM  NË KOHË”, BASHA: PROPOZINET TONA REALISTE, VENDI KA MUNDËSI TA PËRBALLOJË KRIZËN, NËSE PEZULLOHEN KONCESIONET

Disa prej propozimeve janë adoptuar nga qeveria, pavarësisht prej toneve luftarake dhe për fat të keq prej debatit politik, ose më mirë të themi sulmeve politike ndaj opozitës, prapë se prapë disa prej propozimeve tona tashmë janë adoptuar në letër.

Pyetje: Ju thoni se i ka sulmuar qeveria, por sot në një Twitter kryeministri i ka quajtur fantastike propozimet tuaja. Çfarë komenti për qëndrimin që ka mbajtur kryetari i qeverisë ndaj propozimeve tuaja?

Lulzim Basha: Refuzoj të përfshihem në debat politik, sepse nuk i vlen askujt debati politik dhe ai Twitter apo twittera të tjerë, janë në fakt harxhim i kotë i kohës së njeriut që drejton qeverinë. I bëj thirrje mos të merret me opozitën. Do të ketë kohë të merret me opozitën dhe opozita të merret me të. Ta fokusojë gjithë energjinë e tij, gjithë kohën e tij tek zgjidhja e problemeve të njerëzve. Është kohë e humbur të sulmosh opozitën në këtë kohë. Beteja sot është për shëndetin e njerëzve. Të ishte për politikë, rrija dhe unë. Prisja të shihja çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon, gjurmoja, prisja dështimin e tij dhe nuk bëja asnjë propozim. Por po flasim për jetë njerëzish. Po flasim për shëndetin e njerëzve. Nuk ka këtu kuptim beteja politike. Asgjë nuk vlen më shumë se jeta. Politikanët, kryeministrat shkojnë e vijnë, qytetarët janë gjeja më e rëndësishme. Prandaj i kemi bërë propozimet që do t’i ndërmerrnim vetë po të ishim në qeverisje të vendit, pasi them se janë zgjidhja e duhur dhe plotësisht e mundshme. Mjafton që të ketë mirëmenaxhim, të ketë transparencë. Ka nevojë për transparencë edhe për të qetësuar njerëzit. Nuk mjafton të thuash “E di unë. Prisni se do të bëhet si të them unë” Transparenca është aleati më i mirë kundër panikut, kundër frikës. Ndaj dhe ftesa e thirrja ime është që të ketë transparencë për çdo hap dhe të veprohet më mirë një ditë më parë se një ditë më vonë. Shqipëria nuk ka mundësitë e Italisë apo vendeve të Europës, por ka mundësi. Vetëm fatura e koncesioneve është 120 milion euro. Vetëm para disa ditësh janë paguar 700 mijë euro për inceneratorin e Tiranës. Fatura në total ka shkuar 23 milion euro vetëm për inceneratorin e Tiranës. Po ju jap vetëm një shembull: vetëm një kilometër rrugë bën 20 milion euro. Ajo që po kërkojmë është jo vetëm e arsyeshme, por e domosdoshme. Ndalimin e këtyre kontratave, pezullimin apo ngrirjen e këtyre kontratave dhe devijimin e këtyre fondeve për familjet në nevojë.

BASHA TREGON ÇFARË DO TË BËJË NËSE RAMA MIRATON PROPOZIMET E PD PËR EKONOMINË DHE SHËNDETËSINË

Pyetje: Zoti Basha, vetë si po e përbloni këtë sitiatë me COVID-19? Drugeni për te afermit, për famjratë? Keni frikë?

Lulzim Basha: Personalisht nuk kam frikë. Kam shqetësim, si çdokush tjetër, për anëtarët e familjes, që janë në moshë apo për dikë që nuk është në shëndet të plotë, natyrisht për miqtë dhe për gjithë shqiptarët, te cilët, për shkak te moshës apo shëndetit rrezikojnë më shumë. Prandaj, gjithë qytetarët e tjerë të shëndetshëm, si unë, të bëjmë gjithçka për t’i mbrojtur të afërmit tanë që, janë më të ekspozuar ndaj rrezikut. E gjitha kjo po bëhet për të mbajtur jetë njerëzish, për të shpëtuar jetë njerëzish. Çdo mërzi të momentit, çdo vështirësi të momentit duhet ta shikojmë përmes dritares që shpëton jetë njerëzish. Nuk mjafton vetëm kaq, që vetëm shqiptarët të bëjnë sakrifica. Duhet që për çdo sakrificë që u kërkohet shqiptarëve, të ketë edhe masa mbështetëse brenda mundësive të Shqipërisë. Prandaj, edhe një herë, bëj thirrje që plani ynë social- ekonomik të vihet në veprim. Garantoj se me vënien në veprim të këtij plani as do të rrahim gjoksin, as nuk do të thërrasim fitore. Madje do ta përshëndesim qeverinë dhe do ta urojmë, nëse vendos të veprojë, por duhet të veprojë një orë e më parë. Nuk është koha për të llogaritur se çfarë bën kundërshtari politik. Nuk ka kundërshtar politik në luftën për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. E lus zotin Rama të jetë sa më pak nervoz. Në këtë plan, nuk kam asgjë që drejtohet kundër tij. Vërejtjet tona për mosveprimin në kohë qëndrojnë, por jo si sulme politike apo për të bërë lajm, por si shqetësim real për fatin e mijëra qytetarëve.