BASHA: SHQIPËRIA KA MUNDËSINË TË BËJË 3 HERË MË SHUMË SESA KA BËRË DERI TANI ME PAKETËN E NDIHMËS. 120 MILION EURO KONCESIONE PËR 10 OLIGARKË DUHET TË ANULOHEN

 

Pyetje: Ashpërsimi i masave duket se ka mbyllur një pjesë të konsiderueshme të bizneseve në vendin tonë. Nëse kjo situatë zgjat, rrezikojmë një kolaps, ndërkohë që kam informacione nga biznese të ndryshme të cilët kanë menduar reduktime drastike të stafeve të tyre. Si zgjidhet situata ekonomike në Shqipëri?

Lulzim Basha: Qeveria është shumë vonë në marrjen e masave për të përballuar një front tjetër të kësaj lufte që është kriza ekonomike. Ne kemi pothuajse 3 jave që kemi propozuar paketën tonë, disa propozime janë pranuar, me vonesë por janë pranuar. Unë e kam përshëndetur pranimin e tyre. Por nga ana tjetër nuk po zbatohen. Akoma nuk e dimë nëse në fund të marsit njerëzit që janë mbyllur në shtëpi, qofshin ata të vetëpunësuar apo punëmarrës tek bizneset të cilat janë mbyllur dhe nuk janë në gjendje të paguajnë pagat e punonjësve të tyre, do të kenë mundësinë të kenë minimumin jetik të garantuar në kontot e tyre bankare. Për këtë kemi kërkuar transparencë. Kemi kërkuar që masat e marra dhe të shpallura të detajohen dhe njerëzit ta dinë se kush përfiton dhe si përfiton. Deri tani nuk e kemi këtë.

Pyetje: A e ka mundësinë Shqipëria për këtë?

Lulzim Basha: Pa diskutim. Shqipëria ka mundësinë të bëjë 3 herë më shumë sesa ka bërë deri tani, në kuptimin e fondeve buxhetore, dhe për këtë ne kemi treguar fare qartë se ku janë paratë. 120 milion euro të cilat janë të buxhetuara këtë vit për 12 koncesione për 10 oligarkë, siç i njeh tashmë populli, duhet të anulohen menjëherë. Afro 40 milion euro në shpenzime operative duhet të ridestinohen menjëherë. Afro 100 milion euro në investime publike, mund të ridestinohen menjëherë. Në vend të kësaj shohim që vetëm në 10 ditët e fundit, kanë shkuar afro 30 milion euro për beton. Betoni nuk është prioritet sot. Sot prioritet është shëndetësia, siguria e jetës së qytetarëve, janë shtresat në nevojë të cilat po afrohen në një pikë vlimi ku nuk kanë më me çfarë të përballojnë të përditshmen e tyre dhe është ndërtimi i mekanizmave për të mbrojtur ekonominë. Të gjithë ekonominë, biznesin e vogël pa diskutim pasi është prioritet. Është motori i ekonomisë, është shtylla kurrizore e ekonomisë, fermerët po kështu por edhe punëmarrësit e mëdhenj. Masat duhet të jenë të vendosura, duhet të jenë të shpejta sepse kjo, njësoj si fillimi i krizës, së infektimit nuk pret. Në qoftë se i shkojmë nga mbrapa, atëherë dëmet do të jenë shumë të mëdha dhe do të na kushtojnë shumë më shumë se në rastin kur veprojmë menjëherë, ashtu siç kemi sugjeruar, ashtu siç kemi propozuar me masa konkrete. Është koha për të frenuar çdo shpenzim korruptiv dhe abuziv. Siç e thashë, 30 milionë euro për beton do të mjaftonin 2 muaj për 70 mijë punonjësit e fasonerisë me pagë minimale.

 

BASHA TREGON ÇFARË E SHQETËSON MË SHUMË. “QEVERIA NUK KA ALIBI PËR MBROJTJEN E KONCESIONEVE”

Shqetësimi im kryesor sot më 30 mars është që edhe 50 mijë lekëshi i fundit i familjeve në nevojë ka shkuar drejt harxhimit. Çfarë do të ndodhë nesër? A do të kenë njerëzit, të cilët duhet të përfitojnë ndihmë sociale, mjaftueshëm para për të blerë bukën, vajin, sheqerin, miellin, orizin? Sepse këto janë pyetjet që i bën vetes çdo kryefamiljare dhe çdo kryefamiljar i familjeve në nevojë, të cilat sot për fat të keq, përbëjnë 50% të familjeve shqiptare dhe këto pyetje meritojnë përgjigje.

Pyetje: Ka opozita një mekanizëm se si mund të zhbëhen konçensionet  pa një kosto ekstra?

Lulzim Basha: Mekanizmi është ligji. Ligji për fatkeqësinë natyrore u jep të drejtën autoriteteve të pezullojnë çdo kontratë, jo më kontratat konçensionare, por çdo kontratë. Pra nuk ka asnjë alibi. Ka vetëm mungesë vullneti dhe ka një tentativë për t’i rrëshqitur pyetjeve, të dhimbshme. Natyrisht, kjo është një përballje me shumë fronte, por pyetjeve të dhimbshme nuk mund t’I rrëshqasësh me propagandë dhe pyetjet e dhimbshme sot janë:

  1. Çfarë do të bëhët me 300 mijë shqiptarë që ushqeheshin 1 herë në ditë para kësaj krizë?
  2. Çfarë do të bëhet me mbi 50 mijë familje të hequra nga ndihma ekonomike këto katër vite të cilat nuk përfitojnë nga kjo VKM.
  3. Çfarë do të bëhet me 50-70 mijë biznese, të cilat detyrohen të mbyllen, por edhe po qëndruan hapur sipas normativave nuk kanë xhiro, sepse njerëzit lëvizin me autorizim, të cilat nuk përfitojnë nga VKM-ja?
  4. Çfarë do të bëhet për sigurinë tani të flasim jo thjesht për çështje ekonomike, me 70 mijë kryesisht nëna dhe vajza që punojnë në fasoneri apo në call centers, te rinj, apo qoftë dhe fabrika të cilat janë potencialisht vatra infeksioni dhe mund te zhbëjnë, zhvlerësojnë çdo sakrificë që kemi bërë si shoqëri deri më sot.

“PO TË ISHIT KRYEMINISTËR”, BASHA ME 3 PRIORITETE: SIGURI, TESTIM, NDIHMË EKONOMIKE

Pyetje: Lulzim Basha po të ishte sot kryeministër i Shqipërisë, vendimi i parë që do të merrte cili do të ishte? 

Lulzim Basha: Do të zbatoja plotësisht protokollin e sigurisë për jetën e çdo qytetari. Do të urdhëroja menjëherë mbylljen e këtyre vatrave të infeksionit, do të vendosja mjaftueshëm para të cilat buxheti i ka, por do të duhet të shkojnë aty ku ka nevojë. Këtë po bën Kosova. Nuk ka nevojë të marrim shembuj të fryrë, këtë po bën Maqedonia e Veriut, këtë duhet të bëjë Shqiperia. Fondet janë të pamjaftueshme, mënyra e dhenies së tyre është e paqartë, kemi humbur tre javë, fillon prilli, shumica e familjeve kanë djegur rezervat e tyre, kanë djegur atë pak dhjamë që kishin ndaj duhet urgjentisht të veprohet. Nga ana tjetër të ndryshohet urgjentisht strategji sa i përket dedektimit, zbulimit duke rritur masivisht testimin, duke nisur me shtresat më të ekspozuara që janë shëndetësia, janë punonjësit e shtetit që janë në kontakt me njerëzit, policia, janë punonjësit e sektorit privat që janë ne kontakt me njerëzit që nga punonjësit e tregtisë, të supermarketeve, bukëpjekësit me të gjithë ata që janë në kontakt me njerëzit dhe duke e shtrirë atë dhe duke nisur procesin e gjurmimit. Shqipëria është një vend i vogël në qoftë se hallkat funksionojnë, në qoftë se udhëzimet jo thjeshtë botohen apo hidhen e rihidhen në Facebook por zbatohen, atëherë ne mund ta gjurmojmë dhe ta izolojmë virusin dhe kjo do t’a bënte shumë me te thjeshtë qe sistemi shëndetësor të mos shkojë drejt kolapsit. Këto janë tre prioritetet kryesore; siguria e jetës, mbyllja pra e vatrave potenciale të infeksionit, më shumë testime, nisja e procesit të gjurmimit dhe paketa e ndihmës social ekonomike, e cila është me vonesë, është e padetajuar dhe e pamjaftueshme.

 

BASHA APEL PËR TE MOS LËNË MEDIAN JASHTË NDIHMËS. “GAZETARËT DHE OPERATORËT DUHEN NDIHMUAR. RREZIKOHET MBYLLJA E DRITAREVE INFORMATIVE DHE TRANSPARENCËS”

Pyetje: Javën e kaluar Shqipëria mori një përgjigje pozitive për çështjen e negociatave. Nisur nga deklaratat dhe akuzat e shumta edhe në Itali sa i takon BE. Mendoni se Europa do të jetë e njëjtë pas COVID-19?

Lulzim Basha: Dua t’ju them se është një lajm i mire për shqiptarët dhe 15 detyra për qeverinë shqiptare të cilat duhet te kryhen dhe për këtë padiskutim na pret një punë e madhe. Por ajo qe është e rëndësishme edhe një herë dhe qe dua të theksoj është se duhet t’i japim fund standardit se ndryshe flitet dhe ndryshe veprohet. Si fillim kemi vendosur këto masa te rrepta për qytetarët, u kërkojmë aplikimin online, ky aplikacion se sot nuk funksionon. Se dyti, duhet te ketë një kujdes edhe më te shtuar për moshat e rrezikuara, moshat e shtyra.  Së treti, duhet qe mjekët urgjentisht të testohen masivisht dhe duhet të ketë transparencë për testimet. Jemi i vetmi vend që s’ka transparencë për testimet, ndërkohë që numri i viktimave po rritet, numri i të infektuarve po rritet. Numri zyrtar që dimë ne, ndërkohë që numri i testimeve mbetet jashtëzakonisht i vogël në krahasim me vendet e tjera.

Bomba ekonomike e kësaj krize nuk mund dhe nuk duhet të injorohet dhe në këtë drejtim duhet te veprohet me urgjencë. Nuk ka vend për hezitim as për biznesin e vogël, as për fermerët, as për punëmarrësit e mëdhenj, as për median. Sepse kam marrë informacion 48 orët e fundit që shumica e medias është detyruar të punojë tani me gjysëm kapaciteti, gjysma e punonjësve te medias janë dërguar ne shtëpi pa paga dhe në raste të tjera ata qe mbahen aty mbahen me gjysëm page, në kohë lufte siç është kjo, ne kohë krize siç është kjo. Ua them me siguri qe informacionet që marrim janë që një një pjesë e madhe e mediave kanë shkurtuar përgjysem personelin apo edhe më shumë dhe kane shkurtuar pagat.

Problemi qe vjen me këtë është nëse fillojnë dhe mbyllen dritaret informative këtë pasoja do ta vuajnë qytetarët; mungesa e transparencës, mungesa e informacionit apo informacioni i njëanshëm është shume i dëmshëm në kohë krize.  Kjo është ajo që dua të ngre.

Nuk ka media që i ka shpëtuar kësaj. Thirrja ime është që media të mos jetë jashtë vëmendjes dhe të ketë një mbështetje edhe për  to; në veçanti për punonjësit e medias, për gazetarët, për operatorët.