·      Presioni i opozitës anullon tenderat, Basha: Të kthehet menjëherë në vendim të qartë qeverie. Çdo fond duhet të shkojë vetëm për përballimin e situatës.

 

·      Basha: Anullimi i tenderave kursen 200 milionë euro. Transparenca për çdo qindarkë të shqiptarëve do të jetë fokusi i opozitës.

 

·      Basha: Anullimi i tenderave të shoqërohet me anullimin e koncesioneve dhe pagesat për PPP. Shqiptarët duhet të trajtohen me një paketë të plotë ndihme.

 

·      “Qeveria të rishikojë vendimin”, Basha bën krahasimin e paketave të ndihmës. Kosova 170 milionë euro, Shqipëria 3 herë më pak, 65 milionë euro.

 

·      Basha: Çdo ditë e humbur me planin gjysmak, që përjashton nga ndihma me mijëra qytetarë dhe biznese ngarkon me përgjegjësi qeverinë. Po reagon shumë vonë dhe me mjete tepër të pakta.

 

·      “Duhet një plan i plotë ndihme dhe zbatimi i tij menjëherë”, Basha: Planet në letër të qeverisë nuk hahen, nuk pihen, nuk ngrohin.

 

·      Basha: Këshilltarët ndërkombëtarë të qeverisë i kanë bërë thirrje Ramës të ndjekë dhe të plotësojë pikat e platformës së opozitës.

 

·      “Fjalët boshe dhe batutat kundër opozitës nuk sjellin ushqim”, Basha: Rama të mos harxhojë kohë duke sulmuar opozitën dhe pastaj duke i pranuar propozimet e saj me vonesë. Është koha për të reflektuar dhe për të ndihmuar njerëzit.

 

·      Basha, qeveria të vendosë si pjesë të emergjencës edhe ndihmën për ata që kanë mbetur në çadra dhe ata që kanë mbetur në banesa të dëmtuara nga tërmeti.

 

·      Koncesionet korruptivë, kreu i opozitës tregon kontributin personal që Arben Ahmetaj duhet të japë për të mos thelluar gropën e buxhetit.

 

PRESIONI I OPOZITËS ANULLON TENDERAT, BASHA: TË KTHEHET MENJËHERË NË VENDIM TË QARTË QEVERIE. ÇDO FOND DUHET TË SHKOJË VETËM PËR PËRBALLIMIN E SITUATËS.

 

Prej më shumë dy javësh i kam kërkuar qeverisë të anullojë çdo procedurë prokurorimi që nuk lidhet me emergjencën dhe me menaxhimin e situatës së krijuar nga COVID -19. Sot mësuam jo zyrtarisht nga faqja e Agjencisë së Prokurorimeve Publike, APP, që qeveria ka vendosur anullimin e prokurimeve.

  • Së pari, dua të uroj që ky të jetë një lajm i vërtetë. Ndonësë një vendim i vonuar, më mirë vonë sesa kurrë.
  • Së dyti, dua t’i kërkoj qeverisë, që bën njoftime zyrtare për çështje shumë më të vogla se kjo që, këtë njoftim të APP, ta kthejë menjëherë në vendim qeveritar të qartë dhe të prerë.

Sot emergjenca është dedikimi i çdo fondi për të menaxhuar situatën shëndetësore dhe ekonomike, e cila sa vjen dhe rëndohet. Kërkesa e opozitës që mori mbështetjen e shmicës së shqiptarëve sot është kthyer në një njoftim të Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe thirrja ime është që të kthehet menjëherë në një vendim qeveritar.

Tenderat e panevojshëm, tenderat abuzive të cilat nuk shkojnë në drejtim të shëndetësisë, të mbështetjes së familjeve në nevojë dhe të mbështetjes së ekonomisë shqiptare duhet të anullohen me një vendim të qartë dhe të prerë qeverie.

 

 

BASHA: ANULLIMI I TENDERAVE KURSEN 200 MILIONË EURO. TRANSPARENCA PËR ÇDO QINDARKË TË SHQIPTARËVE DO TË JETË FOKUSI I OPOZITËS.

 

Ndonëse i vonuar, duke përshëndetur këtë hap, i cili nëse zbatohet ashtu siç është shpallur do t’u kursejë shqiptarëve afro 200 milionë euro të tyret, të cilat ishin planifikaur për të tenderuar dhe për një pjesë të madhe tenderat kishin filluar, dua të kërkoj dy gjëra të qarta dhe të thjeshta:

 

  • Së pari, transparencë totale në zbatimin e këtij vendimi. Opozita dhe ftoj edhe median, do të monitorojë në mënyrë të përditshme që të mos ketë asnjë hapësirë për abuzuesit të harxhojnë paratë e shqiptarëve në tendera qesharakë dhe të pafalshëm, si ato që janë shpallur ditët e fundit.
  • Së dyti, çdo procedurë prokurorimi duhet të jetë transparente. Prej 24 orësh shqiptarët janë njohur me skandalin e tenderit të ushqimit, i cili i është dhënë një kompanie në Maqedoni, e cila, vetëm 6 ditë para tenderit ka ndërruar objektin e punës. Nga kompani kompjuterash ka shtuar në objektin e saj blerjen e mallrave ushqimore. 35 mijë kompani shqiptare që ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri dhe për arsye që deri më sot Kryeministri, Ministrja e Mbrojtjes dhe zyrtarë të shtetit kanë refuzuar t’ua shpjegojnë shqipatrëve, kanë zgjedhur një kompani kompjuterash në Maqedoni për t’i dhënë tenderin prej 1.5 milionë euro ushqime.

 

Ndaj, transparenca në çdo procedurë tenderimi është dhe do të jetë fokusi ynë për të mbrojtur çdo qindarkë të taksapaguesve shqiptarë për t’u ardhur në ndihmë mjekëve, infermierëve, pacientëve, shëndetësisë, familjeve në nevojë dhe ekonomisë shqiptare.

 

 

BASHA: ANULLIMI I TENDERAVE TË SHOQËROHET ME ANULLIMIN E KONCESIONEVE DHE PAGESAT PËR PPP. SHQIPTARËT DUHET TË TRAJTOHEN ME NJË PAKETË TË PLOTË NDIHME.

 

Hapi i sotëm i kërkuar prej më shumë se 3 javësh nga opozita duhet të shoqërohet menjëherë me anullimin nga qeveria të të gjithë koncensioneve dhe pagesave për PPP-të dhe çdo lek i qytetarëve duhet të shpenzohet në dobi të tyre dhe vetëm për tejkalimin e krizës që ka shkaktuar pandemia. As shqiptarët dhe as Shqipëria nuk e kanë luksin të shpenzojnë miliona euro me koncensione, me PPP apo me tendera korruptivë të panevojshëm. Sot që flasim, shumica dërmuese e familjeve shqiptare po përballen me vështirësi të mëdha, vështirësi në kufijtë e mbijetesës, pa paga dhe pa të ardhura. Ndërkohë që bizneset janë lënë pa asnjë mbështetje dhe nën presionin sesi do të mund t’i kthejnë sado pak në gjendjen normale. Ndaj për këtë arsye kërkoj menjëherë një paketë të plotë ndihme, e cila të vijë në kufijtë e nevoja që ka sot Shqipëria dhe shqiptarët dhe mundësive që ofron buxheti i shtetit. Dua ta përsëris fare qartë: është e pafalshme që tre javë pas propozimit të opozitës për një paketë sociale dhe ekonomike Shqipëria të mjaftohet me një paketë që është vetëm sa një e treta (1/3) e paketës së Kosovës.

 

 

“QEVERIA TË RISHIKOJË VENDIMIN”, BASHA BËN KRAHASIMIN E PAKETAVE TË NDIHMËS. KOSOVA 170 MILIONË EURO, SHQIPËRIA 3 HERË MË PAK, 65 MILIONË EURO.

 

Të dashur qytetarë, Kosova ka një buxhet dy herë më të vogël se Shqipëria e megjithatë ka kaluar një paketë tre herë më të madhe se Shqipëria. 65 milion euro me 170 milion euro. Ky është krahasimi midis dy qeverive, dy vendeve, dy anëve të një kombi dhe ky krahasim nxjerr zbuluar fokusin e qeverisë dhe autoriteteve të Kosovës tek interesi i qytetarëve dhe fokusin deri më tani të gabuar dhe të pamjaftueshëm të qeverisë së Tiranës. Shtesë prej 300 eurosh mbi pagën për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejtë ndaj virusit, mjekët, infermierët, policët, gardianët, zjarrfikësit, ata që janë në qendrat e karantinës, me vlerë totale 15 milion euro ka miratuar Kosova. Shtesë prej 100 eurosh mbi pagën për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe farmacive për muajin prill dhe maj, paguar nga buxheti i Kosovës me një vlerë totale prej 3 milion euro. Pagesë të asistencës mujore 130 euro për gjithë qytetarët që humbasin vendin e tyre të punës për shkak të emergjencës së shëndetit publik për muajt prill, maj dhe qershor. Janë këto disa prej vendimeve të cilat Republika e Kosovës i ka futur menjëherë në fuqi.

Kjo është tërësisht e mundur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Me anullimin e tenderave dhe pezullimin e afro 200 milion eurove që ishin planifikuar të shkonin në drejtime totalisht të panevojshme, madje korruptive, është hedhur një hap i parë dhe shumë i vonuar, i kërkuar prej 3 javësh nga unë personalisht, nga Partia Demokratike dhe nga gjithë opozita e bashkuar.

Sot dua të përsëris kërkesën urgjente për anulimin me vendim qeverie të të gjithë koncesioneve dhe PPP, për alokimin e 120 milionë eurove që janë planifikuar këtë vit tërësisht në funksion të emergjencës në mënyrë që të mbështeten të gjitha kategoritë që kanë mbetur pa mbështetje nga vendimi i parë, por i paplotë i qeverisë.

 

BASHA: ÇDO DITË E HUMBUR ME PLANIN GJYSMAK, QË PËRJASHTON NGA NDIHMA ME MIJËRA QYTETARË DHE BIZNESE NGARKON ME PËRGJEGJËSI QEVERINË. PO REAGON SHUMË VONË DHE ME MJETE TEPËR TË PAKTA.

 

 

Vendimi i qeverisë është i paplotë, sepse nuk u jep përgjigje pyetjeve se çfarë do të bëhet me mbi 35 mijë – 50 mijë biznese të vogla me xhiro nën 140 milionë lekë, të cilët sot nuk përfitojnë nga paketa anemike e ndihmës që është aprovuar para një jave dhe ende nuk ka nisur efektet.

  • Çfarë do të bëhet me dhjetëra të papunë që janë pjesë e skemës sociale? Me çfarë do të ushqehen ata dhe familjet e tyre.
  • Çfarë do të bëhet me mbi 70 mijë familje që jetojnë në mjerim të plotë, por janë hequr padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike dhe nuk përfitojnë nga plani ekonommik i qeverisë.
  • Çfarë do të bëhet me mijëra e mijëra ambulantë dhe të tjerë të vetëpunësuar, që nuk janë përfshirë në vendimin gjysmak të qeverisë. Si do të ushqehen ata, kur qeveria ka ndaluar veprimtarinë e tyre.
  • Çfarë do të bëhet me fermerët?
  • Çfarë do të bëhet me qindra, mijëra të punësuar në sipërmarrje prodhuese dhe sipërmarrje të mëdha për shkak të vështirësive dhe problemeve të infektimit kanë mbylluar dyert dhe kanë mbyllur aktivitetin, janë në pamundësi për pagimin e pagave dhe përballimin e kosotove të tjera?

Plani që ne i kemi paraqitur qeverisë është i qartë dhe i zbatueshëm. Hapi i parë i hedhur sot, duhet të kthehet në vendim qeverie, hapi hedhur me shuëm vonesë, por, ashtu siç kam premtuar sot e përshëndes në emrin tim dhe në emrin e opozitës së bashkuar. Tani menjëherë, jo duke humbur ditë dhe javë të tërë duhen hedhur hapa të tjerë për anullimin e koncensioneve, për plotësimin e vendimit gjysmak të qeverisë. Koha nuk pret. Mediat kanë transmetuar pamje rrënqethëse të kryefamljarëve, të moshurave, të prindërve që në fund të marsit dhe këtë fillim prilli nuk iu ka mbetur asnjë kacidhe dhe që po vuajënë për mungesat elementare të ushqimeve bazë.

Qeveria nuk mund të tregohet as e verbër, as e shurdhër, kryeministri nuk mund të fshihet as pas propagandës dhe as pas sulmeve bajate ndaj opozitës. Ne kemi vetëm një qëllim, qëllimi ynë i shpallur është shëndeti, siguria dhe mirëqenia e shqiptarëve. Ne kemi në dorë të tregojmë rrugën ëpr të arritur sa më shpejt dhe sa më mirë, por është qeveria ajo që ka përgjegjësinë morale, ligjore dhe të gjithanshme për të mos qëndruar duarkryq dhe për mos u zvarritur pas krizës, e cila po cënon rëndë ekonomië e familjeve shqiptare dhe ekonominë kombëtare. Çdo orë dhe çdo ditë e humbur në këtë drejtim ngarkon me përgjegjësi qeverinë dhe ata që ngurrojmë të marrin vendimet e duhura për shqiptarët duke vazhduar rrugën e gabuar me reagimin tepër vonë dhe me mjete tepër të pakta.

 

“DUHET NJË PLAN I PLOTË NDIHME DHE ZBATIMI I TIJ MENJËHERË”, BASHA: PLANET NË LETËR TË QEVERISË NUK HAHEN, NUK PIHEN, NUK NGROHIN. KËSHILLTARËT NDËRKOMBËTARË TË QEVERISË I KANË BËRË THIRRJE RAMËS TË NDJEKË DHE TË PLOTËSOJË PIKAT E PLATFORMËS SË OPOZITËS.

 

Përsëris edhe një herë për të marrë sot të gjithë masat e munguara dhe për të prezantuar sot planin e plotë ndihmës dhe për të nisur pa asnjë vonesë zbatimin e këtij plani. Planet në letër nuk hahen, nuk pihen, nuk ngrohin, nuk sjellin energjinë elektrike. Planet ne letër nuk ndihmojnë të moshuarit të blejnë racionin e ditës, nuk ndihmojmë fëmijët e sëmurë, nuk ndihmojnë kryefamiljarët të qetësojnë fëmijët e uritur apo pasigurinë që ka mbërthyer pas kolapsit të të ardhurave që ka shkaktuar ky tre javësh i vështirë.

Të dashur bashkëqytetarë, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë t’ju mbështesë. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që sakrificën e familjeve tuaja, fëmijëve tuaj, tuajën personalisht dhe prindërve tuaj t’i përgjigjet me një mbështetje financiare të mjaftueshme që askush të mos vuajë për bukën e gojës, për energjinë elektrike, për ujin e pijshëm, për medikamentet. Dhe të gjithë të ndihemi të sigurt se këtë situatë të ëvshtirë me të vërtetë do ta kalojmë të gjithë sëbashku si një familje, por një familje ku sakrifica iu kërkohet të gjithëve me përjashtim të një grupi, i cili, në vend që të sakrifikojë vazhdon të majmet dhe të fitojë. Të gjithë duhet të sakrifikojmë dhe akti kryesor i kërkohet qeverisë.

  • Sot me anullimin e prokurimeve ka hedhur hapin e duhur, por të vonuar.
  • Sot, jo nesër të anullojë koncensionet.
  • Sot, jo nesër të plotësojë paketën, të paktën në nivelin e Kosovës, me një nivel buxhetor, gjysmën e buxhetit të Shqipërisë.
  • Sot jo nesër të derdhë paratë në kontot e zbrazura të familjeve në nevojë dhe t’i vijë në ndihmë biznesit sa më parë me të gjitha masat e propozuara të lehtësimit fiskal, për të cilat, edhe zyrtarisht siç jemi informuar, këshilltarët ndërkombëtarë ekonomikë të qeverisë Rama i kanë bërë thirrje të ndjekë dhe të plotësojë pikat e platformës së Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar.

 

 

“FJALËT BOSHE DHE BATUATAT KUNDËR OPOZITËS NUK SJELLIN USHQIM”, BASHA: RAMA TË MOS HARXHOJË KOHË DUKE SULMUAR OPOZITËN, NGA NJËRA ANË, DHE, DUKE I PRANUAR PROPOZIMET E SAJ ME VONESË, NGA ANA TJETËR. ËSHTË KOHA PËR TË REFLEKTUAR DHE PËR TË NDIHMUAR NJERËZIT.

 

Pyetje: Ka një argument të maxhorancës se të gjitha propozimet e PD pa doganë, pra nuk llogariten efektet që ato kanë në buxhet, një përgjigje për këtë ju lutem. Dhe e dyta: Pse Partia Demokratike nuk e detajon paketën e saj për përballimin e kësaj situate me kosto reale, ju keni deklaruar rreth 90 milion euro në muaj, pse nuk ka një llogaritje dhe një dokument publik?

 

Lulzim Basha: Dokumenti është bërë publik prej dy javësh dhe në mënyrë të përsëritur është edhe shpallur publikisht. Nga kjo zyrë kam shpallur publikisht koston e përllogaritur për të gjitha masat që kemi propozuar dhe është mbledhja e kësaj kostoje që ka çuar në shifrën prej 90 milion euro në muaj që kemi propozuar si pjesë e paketës për të ndihmuar të gjitha kategoritë, njerëzit në nevojë, ata që kanë humbur të ardhurat, ata që janë në shtrëngesë ekonomike, pavarësisht janë në listën e ndihmës ekonomike apo jo, por edhe sipërmarrja. Gjithçka është bërë me transparencë, me përllogaritje, të cilat, po kështu, janë shpallur publikisht.

Ndaj, nuk është momenti për të harxhuar kohë duke sulmuar opozitën, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, duke i pranuar propozimet e saj me vonesë, por është koha për të reflektuar dhe për të ndihmuar njerëzit. Asnjë nga propozimet tona nuk bëhet as për fushatë, as pa doganë. Të gjitha propozimet do t’i zbatonim dhe do t’i vinim në jetë, nëse sot do të ishim në drejtim të vendit. Ky ka qenë kriteri mbi të cilin është hartuar paketa jonë e propozimeve. Deri më sot janë adoptuar një pjesë e tyre në letër, akoma presim të zbatohen në terren, ndërkohë që i bëjmë thirrje të zbatojë edhe pjesën tjetër.

Edhe njëherë: është fare e thjeshtë. Nëse Shqipëria me një buxhet dy herë më të madh se Kosova ka destinuar një shumë tre herë më të vogël se Kosova në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe sipërmarrjes, atëherë çdokush e kupton se po bëhet tepër pak, tepër vonë. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë, asgjë më shumë, por nuk mund të pranojmë asgjë më pak se sa Shqipëria të ngrihet të paktën në nivelin e Kosovës. Mendja ta do që mund të kërkonim dyfishin, meqë kemi dyfishin e buxhetit, por ne po kërkojmë minimalisht atë që Kosova ka shpallur dhe po ekzekuton për qytetarët e vet. Plani ynë është realist, është i zbatueshëm dhe duhet menjëherë të adoptohet dhe të vihet në funksion të njerëzve, sepse sot ka nisur një muaj edhe më i vështirë se ai që lamë pas, në veçanti sa i përket pasojave ekonomike për njerëzit.

Ndryshe nga kryeministri që ka kohë të merret dhe të sulmojë opozitën dhe që e këshilloj që të gjithë këtë kohë, energji dhe pasion ta përdorë për t’u shërbyer njerëzve sipas detyrës që ka, unë nuk kam për të bërë asnjë koment dhe nuk kam për të hyrë në asnjë debat politik me kryeministrin, por do t’i uroj sa më shumë shëndet, forcë dhe energji për të bërë detyrën që ka. I kërkoj miqësisht që të mos harxhojë kohë me opozitën ose, në qoftë se e ka të pamundur, të harxhojë kohë, të paktën, të njëjtën kohë dhe pasion për t’i shërbyer shqiptarëve, sepse, po ta bëjë jam i sigurt që shqiptarët nuk do të jenë në atë gjendje që janë sot, ku një numër shumë i madh familjesh janë pa të ardhura, të pasigurtë, të papunë dhe pa ushqimet bazë. Ky është shqetësimi im, ky është shqetësimi i opozitës. E gjithë vëmendja jonë do të mbetet këtu dhe jo te retorika boshe, lojrat e fjalëve, të cilat nuk sjellin ushqim. Batutat ndaj opozitës nuk sjellin ushqim në tavolinat e shqiptarëve. Retorika, propaganda dhe telefoni, puna me telefon zbulon falimentimin e administrates, por nuk është zgjidhje për krizën që sa vjen e thellohet.

 

BASHA, QEVERIA TË VENDOSË SI PJESË TË EMERGJENCËS EDHE NDIHMËN PËR ATA QË KANË MBETUR NË ÇADRA DHE ATA QË KANË MBETUR NË BANESA TË DËMTUARA NGA TËRMETI.

 

Pyetje: Zoti Basha, a nuk mendoni se është shqetësim real edhe vijimi i punës për banesat e dëmtuara nga tërmeti? Pasi vendimi i sotëm i APP-së nuk lë hapësirë as për prokurimet për nevojat që lidhen për riparimin e dëmeve dhe ndërtimin e shtëpive dhe apartamenteve për të gjithë ata persona që kanë mbetur të pastrehë.

 

Lulzim Basha: Vendimi i sotëm është i qartë, kur kërkon të merren ato masa që kanë lidhje me emergjencën, ndaj kërkohet që ky vendim që është shpallur në faqe. Kërkesa ime e parë është të kthehet në një vendim qeverie të detajuar. Ndaj kërkoj sot dhe shpresoj që edhe do të këshilloheshin, të konsideronin si pjesë të emergjencës edhe ndihmën për ata që kanë mbetur në çadra dhe ata që kanë mbetur në banesa të dëmtuara. Padiskutim që kjo është pjesë e ndihmës së dyfishtë që ata meritojnë edhe si viktima të termetit të 26 nëntorit, por edhe si ekstra të ekspozuar ndaj rreziqeve COVID-19.

 

 

KONCESIONET KORRUPTIVË, KREU I OPOZITËS TREGON KONTRIBUTIN PERSONAL QË ARBEN AHMETAJ DUHET TË JAPË PËR TË MOS THELLUAR GROPËN E BUXHETIT.

 

Pyetje: Dje ministri Arben Ahmetaj u shpreh se pas gjithë kësaj lufte që kemi me COVID-19, pritet të jetë edhe fundi i gropës, do të jetë kriza shumë e madhe. Mendoni se me këtë plan që ju ofroni do të zgjidhet gjithçka?

 

Lulzim Basha: Ministri Arben Ahmetaj dhe Klodian Zoto duhet të dorëzojnë kontratat që u kushtojnë shqiptarëve më shumë se 400 milion euro të incineratorëve dhe ky do të jetë kontributi personal i zotit Ahmetaj dhe i zotit Klodian Zoto që gropa mos të jetë kaq e thellë. Këto para që janë planifikuar t’u merren shqiptarëve, një pjesë e të cilave janë hedhur tashmë, madje në disa raste pa filluar punë akoma me kompani offshore, këto para nuk mund të shkojnë më as te Klodian Zoto e as tek ata që fshihen pas tij, kështu që zoti Ahmetaj ka një kontribut personal për të dhënë që gropa të jetë jo aq e thellë sa e kanë planifikuar dhe para pandemisë me PPP, me koncensionet dhe tenderat korruptivë.