Deputetët demokratë kanë vijuar betejën për të rrëzuar draftin ligjor  klientelist për barnat që rrezikon sigurinë e jetës së shqiptarëve. Në diskutimin nen për nen, në komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësine, Kryetarja Albana Vokshi kërkoi të ngrihet komision me ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë të zyrtarizuar nga OBSH për të përmirësuar ligjin në drejtim të sigurisë së medikamenteve.

“Pas ndryshimeve të sjella nga qeveria qëndrojnë vetëm interesa të lobeve dhe klienteve të Edi Ramës dhe Ilir Beqës. Miratimi i këtij ligji, do ti hapë rrugën barnave të pasigurta dhe mund të sjellë largimin e kompanive të tjera prestigjoze në farmaceutikë, në kushtet e një konkurrence të pandershme kur hyjnë barna të falsifikuara” u shpreh deputetja Vokshi.

Deputetët demokratë theksuan dhe një herë se arsyetimi i Qeverisë që  ligji aktual bie ndesh me marrëveshjen e CEFTA-s është mashtrim i pastër.

Neni 17 shprehet qartë ‎se CEFTA nuk tejkalon ligjet e një vendi kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shëndetit publik.

Në kushtet ku në Shqipëri Agjencia Kombetare e Barnave dhe Pajisjeve Mjeksore, nuk ka as teknologjinë dhe as kapacitetet njerezore për të bërë kontrollin dhe analizën e cilësisë, sigurisë së barnave, ligji ekzistues është një filtër i domosdoshëm për barnat që importohen nga Ballkani. ‎Një muaj më parë gati 700 barna të falsifikuara kanë qarkulluar në Europë, pavarësisht certifikimit, ku një pjesë e tyre mendohet se janë edhe në Shqipëri. Deputetët demokratë risollën në vemendje të publikut se ligji i ri i barnave dhe i shërbimit farmaceutik u hartua në menyrë klienteliste, pa asnjë mendim dhe propozim të profesionisteve.

Deputetët demokratë depozituan propozimet e tyre për përmirësimin e ligjit në interes të shëndetit e sigurisë së qytetarëve, të cilat u rrëzuan nga mazhoranca.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Tetor 2015