BASHA: TENDERAT SEKRETË, RAST I PASTËR I ABUZIMIT ME PUSHTETIN. QEVERIA NUK DHA ASNJËHERË PËRGJIGJE OSE BLEU ME ÇMIM 2-4FISH MË TË LARTË

 

Ne duhet të shohim faktet dhe faktet janë që pajisjet e testimit që kanë blerë tani janë me katërfish çmimin. Këtu qartësisht është keqpërdorur pushteti. Është një rast i pastër i abuzimit me pushtetin. Ligji ia njeh këtë të drejtë qeverisë për të tjera kategori prokurimesh.

Pyetje: Zoti Basha i dispononi këto kontrata? Do t’i bëni publike këto kontrata si dokumente?

Lulzim Basha: Janë bërë publike faktet. Ato që kemi pasur i kemi bërë publike dhe natyrisht është detyrë edhe e medias të shkojë edhe më tej për të kërkuar transparencë. Megjithatë ajo që duhet t’u themi sot qytetarëve që na ndjekin, është që pyetja “pse i keni klasifikuar sekret këto tendera”, ka mbetur pa përgjigje. Pyetja se “pse i ke blerë katërfish nga çmimi i zhdoganimit”, ka mbetur pa përgjigje. Pyetja “pse i ke blerë dy apo trefish pajisjet mbrojtëse për mjekët”, ka mbetur pa përgjigje.

Pyetje: Rama është përgjigjur, qeveria ka thënë që nuk është e vërtetë. Ka folur ministria e Shëndetësisë me një deklaratë dhe Rama në një prononcim dhe kanë thënë që asgjë nga këto nuk është e vërtetë?

Lulzim Basha: Edhe njëherë, të thuash nuk është e vërtetë dhe të mos tregosh dokumente, do të thotë të vazhdosh të gënjesh, do të thotë të vazhdosh vjedhjen. Nuk njoh unë hajdut që të jetë kapur në vjedhje dhe të thotë “është e vërtetë”. Gjëja e parë që thonë, kur kapen duke vjedhur thonë që “nuk është e vërtetë”. Problemi më i madh është qeveria na tha para 4 javësh apo 6 javësh, kur ne e ngritëm çështjen e përgatitjes për pandeminë, që i kemi marrë të gjitha masat. Ja pra ku rezultoi se masat nuk ishin marrë. Qeveria fliste me gjuhë të ndryshme. Na thuhej se po të duhej bëheshin 2 mijë testime në ditë, pastaj dilte që kapacitetet tona testuese ishin 200 në ditë. Dilte që stoku i kiteve të testimit ishte edhe më i ulët. Pra prej fillimit kemi të bëjmë me monopolizim të të dhënave, me shtrembërim të të dhënave dhe në funksion të kësaj është dhe fakti që Shqipëria ka sot numrin më të ulët të testimeve, ndër më të ulëtat në Europë, qartësisht më të ulët se vendet fqinje. Nuk ka asnjë arsye tjetër që ne të jemi në nivel me testimet dy herë më pak se sa Maqedonia.

 

“PROCES I IMPROVIZUAR DHE KUTURU”, BASHA PËR MASAT E HAPJES: S’MUND TË JEM KURRSESI DAKORD ME NJË QEVERI QË VEPRON NË KUSHTET E NJË REGJIMI

 

Pyetje: Pyetja ime ka të bëjë në fakt me lirimin e këtyre masave të cilat duket se po paralajmërohen tashmë nga qeveria. Po me këtë hapje graduale edhe pse nuk ka diçka të shkruar dhe konkrete por që paralajmërohet javë pas jave nga kryeministri për kategori të reja biznesesh që hapen apo rikulifikim të lejeve për qytetarët me automjet dhe pa automjet, me orare të ndryshme. Ju jeni parimisht dakord me këtë hapje?

Lulzim Basha: I gjithë procesi është një proces kuturu, i improvizuar, s’mund të jem kurrsesi dakord me një qeveri që vepron në kushtet e një regjimi. Sepse vetëm në një regjim fshihen të dhënat, monopolizohen të dhënat. Vetëm një regjim në kohë pandemie bërtet për arkivole dhe iu thotë qytetarëve do të shkoni për mish qeni, i terrorizon për të fshehur mungesën e masave, masat e pamjaftueshme për ti mbrojtur ata, për të mbrojtur mjekët apo për të paguar atë që ka për detyrim për ti paguar njerëzve që iu ka thënë rrini në shtëpi. Dhe në të njëjtën mënyrë si I ka trajtuar këto 5 javë në të njëjtën mënyrë kërkon ta shtyjë edhe më tej. Ti çfarë plani ke për ti nxjerrë njerëzit nga kjo situatë, në qoftë se iu thua do të rrini edhe 4 javë, 5 javë nëpër shtëpi? Çfarë plani ke që hap pas hapi të fillosh të hapesh duke reduktuar rrezikun e kontaminimit, të infektimit, ke ndonjë plan për këtë? Keni dëgjuar ju ndonjë plan për këtë? A I keni kërkuar kryeministrit të shpalosë ndonjë plan?

Pyetje: Jo çdo gjë mund të parashikohet.

Lulzim Basha: Askujt nuk I kemi kërkuar parashikim ne. Por të fshehësh pas fjalësh është një art bajat në Shqipërinë e qeverisë së Edi Ramës. Ka 7 vjet që fshihet pas fjalëve. Kush i ka kërkuar që të parashikojë? I kemi kërkuar një plan dhe ka folur për një plan A, B dhe C. Kush është plani A? Kush është plani B? Kush është plani C? Kush e di?! E dini ju?

Pyetje: Jo, nuk ka asgjë publike!

Lulzim Basha: Askush nuk e di. E pra, kjo është e pafalshme, kjo ndodh vetëm në regjime. Kjo ndodh vetëm në vende ku të dhënat në vend që të bëhen transparente dhe të ndahen me publikun, monopolizohen, manipulohen në mënyrë që të justifikojnë dështimet dhe mospërmbushjen e detyrimeve që qeveria ka. Se nuk kanë vetëm qytetarët detyrime në rast pandemie, ka edhe qeveria. Për çdo propozim qeveria ka detyrim me ligjet e Shqipërisë t’i përgjigjet financiarisht. Pra, absolutisht, nëse ka një plan ky duhet bërë publikë. Në mungesë të një plani ne kemi propozuar një plan. Ne kemi propozuar një plan dhe ia kam propozuar edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një plan me 5 pika me anë të së cilës të shtrohet rruga për normalizimin e situatës sa është e mundur. Sepse, siç e thashë, askush nuk mund të parashikojë asgjë.

 

ZBULIMI I NJË SKANDALI TË RI ME MASKAT E SKADUARA, BASHA: EMISIONI INVESTIGATIV BOOM PROVOI SE TEK INFEKTIVI PËRDOREN MASKA TË SKADUARA QË NË 2014-ËN

 

Emisioni investigativ “Boom”, tek Ora Neës ka zbuluar maska të skaduara tek Infektivi. Këto maska të skaduara në vitin 2014 dhe të konfirmuara nga autoritetet. Tani kjo është virale, është fakt publik. Gazetarët, kolegë tuaj të këtij emisioni investigativ, kanë bërë publik një tjetër fakt tronditës. Mirë që ato maskat e para që i kishte të skaduara prej 10 vitesh, Rama tha që nuk i kam për mjekët e vijës së parë, po këto që u ka dhënë mjekëve të Infektivi, që i ka të skaduara prej 2014-ës, kush mban përgjegjësi për këto?

Pyetje: Nëse është e vërtetë kjo është një skandal, të dalin të japin një përgjigje, patjetër.

Lulzim Basha: Kush mban përgjegjësi që këtej flet për arkivole dhe për njerëzit si mish qeni dhe këtej nga ana tjetër ua merr kitet e testimit me 4 herë më të lartë çmimin?! Me këto para mund të ishin blerë 4 herë më shumë kite, mund të ishin testuar 4 herë më shumë qytetarë. Pra, për ne është e pafalshme që në kohë pandemie terrorizohen qytetarët për të fshehur paaftësinë e qeverisë dhe për të fshehur vjedhjen me tendera sekret. Tenderat sekretë në shëndetësi janë haptazi një instrument për të fshehur papërgatitjen e shtetit, papërgatitjen e qeverisë për të mbështetur shëndetësinë dhe më e tmerrshmja vjedhin dhe abuzojnë në këto kohë. Me paratë e vjedhura vetëm nga pajisjeve që u denoncua të shtunën mund të paguheshin 9 mijë pensione në qytet, 16 mijë pensione në fshat, mund të jepej ndihma ekonomike për 30 mijë familje ose pagesa e papunësisë për 12 mijë individë, vetëm me tenderin e denoncuar të shtunën dhe ende s’ka asnjë përgjigje. Kërkesa ime përmes emisionit tuaj ndaj çdo media është që të mos heshtë! Sepse në çdo moment kjo është e rëndë në një vend sado pak normal apo që aspiron të jetë normal, por në kohë pandemie nuk është thjesht vjedhje, kjo është kriminale, sepse kjo lidhet drejtpërdrejtë me shëndetin dhe me jetën e qytetarëve.

 

“1 PERSON INFEKTOI 67 TË TJERË”, BASHA: ËSHTË HIPOKRITE TË DUARTROKASIM SI NË KORE TË VERIUT PLANET E UDHËHEQËSIT, SEPSE NUK KA PLAN DHE KËTË PO E PAGUAJMË TANI

 

Pyetje: Sipas jush a duhet të lirohen masat që janë shtrënguar deri më sot, me këtë strategji të lirimit juve a jeni dakord, hapjen e bizneseve të ndryshme dhe lirimin? 

Lulzim Basha: Nuk ka strategji lirimi, ka njoftime që ndryshojnë nga mëngjesi në drekë dhe në darkë. Në qoftë se ne nuk u themi shqiptarëve të vërtetën për këtë, bëhemi bashkëfajtorë. Edi Rama nuk ka asnjë strategji lirimi. Sot thotë diçka nesër thotë diçka tjetër. Të premten thotë karantinë, pastaj çohet në darkë apo në mëngjes dhe thotë do të dalin nënat me fëmijë, do të dalin pensionistët. Në Kolumbi ndodh kjo dhe në Shqipëri. Janë sjellje tipike të një regjimi që mundohet të fshehë mungesën e planit, paaftësi, mungesën e përgatitjes.

Pyetje: Në fakt një plan të shpallur nuk e ka asnjë vend i botës sot, projeksione, hamendësime në media, nuk ka gjë zyrtare në vendet kryesore të paktën.

Lulzim Basha: E keni gabim. Çdo vend europian ka adoptuar një plan apo strategji dalje, i cili rrotullohet pak a shumë rreth tre katër pikave kryesore.

Së pari dhe më kryesorja,  është të kemi mjaftueshëm të dhëna realiste. Dhe për këtë duhen testime prandaj insiston çdokush në Europë që numri i testimeve të rritet kudo. Prandaj, Gjermania që ka marrë numrin më të lartë të testimeve vazhdon të menaxhojë situatën më mirë. Prandaj dhe brenda Italisë Lombardia pati një situatë katastrofike dhe rajoni i Venetos pati një situatë krejt tjetër, kjo është e vërteta. Brenda Italisë vetë patëm dy situata të ndryshme, aty ku u rriten testimet u bënë shumë më shpejt dhe shumë më shumë testime, situata u mbajt nën kontroll. Aty ku nuk pati testime situata doli jashtë kontrolli. Testimet do na tregojnë se çfarë gjendje infeksioni ndodhemi.

E dyta, në bazë të testimeve duhet të bëjmë gjurmimin dhe izolimin e rasteve. Në qoftë se një zonjë e vetme, e infektuar nuk do të kishte shkuar në atë fasoneri, sepse fasoneria do të ishte mbyllur apo në qoftë se një pronar restoranti nuk do të kishte shkuar tek restoranti ku më pas shkuar katër- pesë të tjerë dhe e përhapen kudo në Shkodër, atëherë situata do të ishte menaxhuar shumë më mirë, por nuk ka ndodhur kjo. Një person i vetëm në një fasoneri të Krujës ka infektuar 67 persona për katër ditë. Dhe kush do të mbajë përgjegjësi për këtë? Kemi katër javë që e paralajmërojmë. Një person i vetëm ka infektuar 67 të tjerë dhe e ka shpërndarë infeksionin ne Krujë dhe Kurbin. Kështu që mendoj që është pak herët dhe hipokrite që të duartrokasim si në Kore të Veriut planet e udhëheqësit, sepse nuk ka plan dhe këtë po e paguajmë tani.

Ama në qoftë se ka testime, në qoftë se ka gjurmime, në qoftë se ka izolime të rasteve atëherë qeveria e para thotë “shiko, situatën gjeografikisht në këto zona e kam me të lehtë, në këto zona e kam më të vështirë, në këto zona urbane e kam më të komplikuar, në këto e kam pak më të lehtë, në këto biznese e kam më të sigurt, në këto pak më të pasigurt” dhe vazhdimi i testimeve i jep mundësinë qeverisë të mbajë situatën siç është, të mos e  shtrëngojë ose ta lirojë.

Së treti, shëndetësia, çfarë ka ndodhur me respiratoret? Pse kanë ardhur vetëm pesë respiratorë, kur do të bëheshin 50? Cilat janë kapacitetet tona të vërteta në qoftë se kemi një kurbë rritëse aktuale apo një rikthim me kurbë rritëse, siç po u ndodh dhe vendeve me organizim të hekurt siç është edhe Singapori, mesa lexova sot?!

 

“KONTRATA E LOBIMIT E PD NË SHBA ËSHTË TRANSPARENTE”, BASHA: QEVERIA PAGOI 720 MIJË EURO ME TENDER SEKRET PËR LOBIM KUNDËR OPOZITËS

 

Pyetje: Kryetari i Grupit të PS, Taulant Balla ka akuzuar sot Partinë Demokratike se në kohën kur vendi është në kushte pandemie ju harxhoni 60 mijë dollarë dhe po citoj: për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Balla ka publikuar një dokument ku thuhet se kontrata është firmosur në datën 10 mars nga zoti Bardhi. A ka të vërtetë në këto akuza?

Lulzim Basha: E para, nuk bëhet fjalë për asgjë të re. Kjo është kontratë në vazhdim që Partia Demokratike e ka prej 2 vjetësh, një pagesë prej 10 mijë dollarësh në muaj, qëllimi i së cilës, siç dallohet qartë në dokumentet e publikuar, sepse janë transparente në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka qenë pikërisht për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të marrë ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Ajo që është vërtetuar është që, falë bashkëpunimit me autoritetet amerikane, për fat të keq për Shqipërinë, në raportet Departamentit të Shtetit dhe raportet e tjera të luftës kundër krimit, drogës dhe korrupsionit, kanë treguar se Shqipëria po zhytet thellë e më thellë në një regjim autokratik me probleme të thella korrupsioni dhe krimi. Pra kjo është një kontratë transparente që ekziston prej shumë kohësh dhe që rinovohet në mënyrë periodike. Nuk përbën asnjë lajm. Atëherë pyetja është: pse e nxori sot Taulant Balla?!

Pyetje: Mund ta thoni se cili është qëllimi i kësaj kontrate, qëllimi i këtij bashkëpunimi?

Lulzim Basha: Për një arsye shumë të thjeshtë. Qëllimi i këtij bashkëpunimi, sapo ju shpjegova, është pikërisht kërkimi i ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur Shqipërinë në luftë kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit si dhe për të bërë të mundur që Shqipëria të përfitojë sa të jetë e mundur nga ndihma e institucioneve dhe ndihma financiare e SHBA në këto fusha dhe pastaj në përmirësimin e kësaj situate edhe në fusha të tjera që kanë të bëjnë me investimet ekonomike dhe me programet e ndërsjellta që ndihmojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Edhe njëherë: është një kontratë që vazhdon të paktën prej 2 vitesh. Pra këtu nuk ka asgjë të re. Pyetja që shtrohet është: pse u kujtua sot Taulant Balla të nxjerrë një dokument transparent që është botuar dhe botohet në mënyrë periodike nga Departamenti i Shtetit? Cila është arsyeja? Pse sot?Sepse sot është denoncuar edhe njëherë tenderi për kitet. Sepse nuk duan të përgjigjen për tenderët sekretë që kanë bërë për shëndetësinë, ndërkohë që po sot media ka denoncuar diçka tjetër: një kontratë me një VKM sekrete të qeverisë për 720 mijë euro apo 900 mijë dollarë të taksapaguesve shqiptarë që qeveria i ka marrë për lobim. Tani, këto janë paratë e qeverisë që i përdor Partia Socialiste për të lobuar kundër kundërshtarëve politikë, kundër opozitës. Pra edhe njëherë, në këtë kontratë nuk ka asgjë të re. Është një kontratë që ekziston prej dy vjetësh, rinovohet në mënyrë periodike. Qëllimi është ndihma amerikane për të luftuar trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe penetrimin e krimit dhe korrupsionit në qeveri dhe në organet e shtetit.

Pyetje: Por, sipas zotit Balla, kompania është e njëjta që lobon për Maduron e Venezuelës..

Lulzim Basha: Po kompania që ka marrë qeveria dhe që e paguan me lekët e shqiptarëve për të lobuar kundër opozitës që ka Nursulltanin, çfarë domethënë kjo?! Kompanitë marrin klientët që marrin. Është fare normale që partitë politike të bëjnë aktivitet lobimi. Dy gjëra ama; nuk duhet të përdorë paratë e shtetit dhe Partia Socialiste ka përdorur pushtetin, 720 mijë euro për kontratën e publikuar sot nga media dhe nuk mund ta bëjnë për të luftuar opozitën. Në qoftë se doni lajm, ky është lajmi. Ndërsa në kontratën e Partisë Demokratike gjithçka është transparente, nuk është diçka e re, ka 2 vjet kjo kontratë dhe është e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit. Nuk përbën absolutisht asnjë lajm. Qëllimi është për të ndihmuar Shqipërinë, për të ndihmuar shqiptarët pikërisht që të mos ndodhin këto gjëra. Që të mos klasifikohen sekret kontratat e shëndetësisë e të vidhet me një dorë mjaftueshëm para për të paguar siç ju thashë 9 mijë pensione në qytet apo për të paguar 16 mijë pensione në fshat dhe kjo sigurisht i shqetëson ata që janë të përfshirë në korrupsion.