PANDEMIA EKONOMIKE EDHE MË E RREZIKSHME SE PANDEMIA E VIRUSIT, BASHA: KURBA E PANDEMISË PO AQ E ÇORODITUR SA KRYEMINISTRI. ME TESTIME TË ULËTA, U MBAJT NJË TABLO E RREME

 

Pyetje: A mendoni se ka ardhur koha të lehtësohen masat e izolimit?

Lulzim Basha: Nëse qeveria do të kishte pasur një plan, nëse qeveria do të kishte treguar transparencë dhe mirëmenaxhim për krizën, sot Shqipëria do të ishte shumë më e hapur, do të ishte në një stad shumë të përparuar të hapjes dhe nuk do të kishim këtë gjendje, ku pandemisë së virusit tani i bën konkurrencë, madje është bërë po aq e rrezikshme, për të mos thënë më e rrezikshme, pandemia ekonomike.

Pyetje: Kjo është padyshim më e rrezikshme. Për momentin vëmendjen ndaj ekonomisë, të paktën vëmendje se nuk e di pasojat, janë më të mëdha se ato të COVID-19, por ju thatë se qeveria nuk i mori masat në mënyrë e duhur zoti Basha, ndërkohë që ka shumë veta që mendojnë se qeveria reagoi më shpejt se sa duhej, më mirë se sa duhej dhe arriti të sigurojë këtë rezultat që kemi sot, 31 jetë të humbura, shumë pak të shtruar në spital, shumë pak në terapi intensive dhe vetëm shtatëqind e ca të prekur?

Lulzim Basha: Natyrisht këto janë shifrat e qeverisë dhe problemi është se kur ke shifra zyrtare të cilat nuk janë transparente por përpilohen sipas një protokolli që mbahet akoma sekret, ku numrin e testimeve e kemi më të ulëtin në rajon dhe më të ulëtin në Europë, atëherë pa diskutim ke numrin më të ulët të infektimeve dhe shqiptarëve mund t’u shesësh sapunin për djathë.

Pyetje: Pretendoni se ka shifra të tjera të vdekshmërisë dhe të infektimit në vend?

Lulzim Basha: Jo, nuk pretendoj asgjë, por mendoj se edhe një nxënës i fillores e kupton se po të testosh 5 veta, do të dalin më pak të infektuar se po të testosh 50. Dhe në raport me vendet e tjera të Europës ky është raporti, 1 me 10, 1 me 100 i testimeve në Shqipëri. Në raport me vendet e tjera të rajonit është 1 me 3, 1 me 4, në rastin më të mirë 1 me 2. Pra qeveria e ka mbajtur të ulët numrin e testimeve dhe shifrat që na shërben nuk janë shifrat e realitetit. Këtë mund ta shikoni fare thjeshtë se vetëm para pak ditësh keni parë kurbën e raportuar zyrtarisht që ne arritëm nivel po aq të lartë sa me datën 4 prill. Dhe po të shikoni të gjithë kurbën e infeksioneve të raportuara nuk ka asnjë rregullsi. Janë po aq të çoroditura sa edhe masat, janë po aq të improvizuara sa edhe fjalimet e kryeministrit. Kurbës së Shqipërisë nuk i përafrohet asnjë vend tjetër. Pse?! Për një arsye fare të thjeshtë: sepse numri i testimeve është mbajtur i ulët. Ne sot akoma nuk e dimë tek numri i përditshëm se sa janë testime të reja e sa janë ritestime. Ne nuk dimë nëse testimi bëhet në mënyrë inteligjente i gjithë kontakteve të personave të infektuar. Ne e dimë fare mirë se për shkak të mungesës së testimeve patëm numrin më të lartë të infektimeve tek mjekët. Pra duke mbajtur testimet e ulëta, qeveria ka vazhduar të shesë në tablo të rreme.

Me të njëjtën situatë me masa shumë më të liruara Greqia ka një numër më të ulët vdekshmërie se Shqipëria.

Pyetje: Po Maqedonia ka një numër më të lartë sesa ne?

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë, po të shikoni shifrat në të gjithë rajonin, Shqipëria demonstron me shifrat zyrtare, se ju e keni parë që vetëm në Shkodër 2 apo 3 pacientë që ndërruan jetë i deklaruan për shkak të COVID-it dhe pastaj i ndryshuan.

 

BASHA: QEVERIA NUK KA PLAN PËR HAPJEN. NUK KA PLAN AS PËR SHËNDETËSINË, AS PËR EKONOMINË

 

Lulzim Basha: Qeveria ishte pa plan, është pa plan dhe këtë e shohim si në aspektin shëndetësor dhe në aspektin ekonomik.

Pyetje: Çdo me thënë është pa plan z.Basha?

Lulzim Basha: Ju e dini se çfarë plani ka për 3-4 javët e ardhshme se si do të shkojmë drejt hapjes graduale?

Pyetje: Unë e di që kryeministri ka hedhur një plan, i cili është zbatuar edhe në vende si Spanja dhe Italia, karantinë e plotë, ndalimi i lëvizjes edhe pse i vështirë sepse të izolosh njerëzit , të reduktosh liritë e tyre nuk është kaq e thjeshtë, por ndoshta edhe për arsye të frikës, për arsye të fenomenit global.

Lulzim Basha: Cili është plani i daljes po flasim?

Pyetje: Një hapje e ngadalshme.

Lulzim Basha: Çfarë do me thënë hapja e ngadalshme?! T’ju them unë se çfarë është plani I daljes. Plani i daljes është se nuk ka plan për një arsye të thjeshtë, sepse kur nuk ke testime, kur nuk e di sesa të përhapur ke virusin e ke shumë të vështirë. Tani ka disa zona nëpër Shqipëri që raportohen për fat të mirë që nuk ka infeksione dhe janë deklaruar zona të gjelbra, ka zona të tjera që ka infeksione dhe janë deklaruar zona të kuqe. Ndërkohë me këtë numër testimesh ne ke shumë të vështirë ta besojmë apo ta kuptojmë  se këto zona të gjelbra janë vërtetë zona të gjelbra, p.sh. Kruja ishte një zonë e gjelbër deri përpara se të plaste bomba e fasonëvë që ne e kishim paralajmëruar prej ditës së parë.

Pyetje:  Po,  kjo është e vërtetë e kishit folur për këtë çështje.

Lulzim Basha: E pra, brenda 3 ditëve këta vendosën që brenda kësaj studioje të mos jenë më shumë se dy persona, ja pra ku jemi dy persona se nuk lejohen të tjerë, ndërkohë që në një fasoneri me hapësirë sa kjo punojnë 200 gra. Brenda 3 ditësh një bashki e tërë u kthye nga një zonë e gjelbër në një zonë të kuqe.

Pyetje: Po por z.Basha edhe Italia I mbajti fasonët vetëm se mori masa strikte me mënyrën e izolimit dhe të dezinfektimit?

Lulzim Basha: Nuk ka krahasim Italia me Shqipërinë sepse fasonët, i gjithë biznesi italian mori një paketë ndihmëse e cila nuk krahasohet me Shqipërinë. Ndërsa këtu fasonëve iu tha diçka tjetër, ju jeni protokoll i kuq, për të cilët kostot e fasonëve shtoheshin, bëhej absolutisht e pamundur. Masa qesharake, Blendi. U thuhej “duhet të dezinfektoheni dy herë në ditë”, ndërkohë që protokolli kërkon që pas një kohe dezinfektimi nuk mund të punosh. U kërkohej që mbi 50 punëtorë duhet të kishe mjekun, mbi 70 mijë punonjës të kishin mjekë. Pra, ishin qartësisht masa të parealizueshme nga ana e fasonëve.

 

Pyetje: Nuk them vetëm per fasonët por nga kjo situatë kemi kuptuar që duhet mjeku i punës që duhet ta ketë çdo qendër pune, z.Basha. Këto janë masa që duhet ti kishin marrë edhe ata vetë.

Lulzim Basha: Pa diskutim duhet t’i kishin marrë në një shtet normal, por në një shtet ku u merr 12 milionë euro në muaj fasonëve, ka 12 vjet që iu merr 12 milionë euro në muaj dhe tani kur ata kanë nevojë të mbanin njerëzit në punë, se ne këtë kërkuam pasi ato para nuk do të shkonin për pronarët e fasonerive, nuk do të shkonin për administratorët, do të shkonin për 70 mijë gra dhe vajza shumica që paguhen me pagë minimale. 15 milionë euro ishte fatura, do të shmangte edhe bumin e infektimeve që nisi në Shkodër e Krujë dhe vazhdon në Kamzë dhe zinxhirin e kostove.

 

BASHA: REGJIMI I FACEBOOK-UT VENDOSI INTERESAT E 10 OLIGARKËVE MBI INTERESIN E 3 MILIONË SHQIPTARËVE

 

Pyetje: Çfarë i gjeni të mirë ju reagimit të qeverise këto 60 ditë?

Lulzim Basha: Propagandën e ka qarë, regjimi i Facebookut është shpalosur me gjithë dimensionin e tij

Pandemia, njësoj si tërmeti, treguan atë që dimë prej kohësh, kemi një qeveri të huaj, një qeveri të pakicës, e cila vendos interesat e 10 oligarkëve dhe 10 klientëve të saj mbi interesat e 3 milion shqiptarëve. E kemi parë këtë në mënyrën se si është sjellë qeveria gjatë këtyre 7 viteve, ka 7 vjet që ua rrit taksat shqiptarëve, u ka rritur çmimin e energjisë, u ka rrit çmimin e naftës dhe kur erdhi dita që shqiptarët të merrnin një përfitim nga paratë e tyre nuk kujtohet për ta. Tani paratë prapë shkojnë,  siç shkuan sot për oligarkët, siç shkuan për inceneratoret, siç shkuan para 5 javësh 22 milion euro për katër kontraktorë. E gjithë fatura që është paguar për shqiptarët është 27 milionë. E dinë të gjithë  që inceneratorët  janë një aferë korruptive. E dinë brenda Partisë Socialiste. E dinë zyrtarët më të lartë  socialistë që kjo është një aferë korruptive e anëtarëve të Bandës së Lushnjes me Edi Ramën, me Arben Ahmetajn dhe me Erion Veliajn.  E dinë të gjithë.  Strategjia që qeveria shqiptare ka patur prej 10 vitesh në mënyrë të pandërprerë me qeverinë gjermane, paguan nga taksat e gjermanëve , nuk ka qenë për incerneratorët, ka qenë për të vazhduar regjimin e landfilleve. Inceneratorët u shpikën për një arsye të thjeshtë: Për t’u vjedhur shqiptarëve 400 milionë euro.

 

Pyetje: Si dalin 400 milionë euro?

Lulzim Basha: Janë kontratat, janë kontratat. I keni ju, mund ta nxirrni prapë. Janë paratë që u paguan shteti inceneratorëve të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit  për të gjithë pjesën e kontatës 10, 15 sa vjet e kanë.  Pra vetëm pagesa e inceneratorëve  këtë vit  do të mjaftonte që punonjësit e fasonerive të mos ekspozoheshin ndaj një rreziku të tillë . Pra pandemi çfarë ka bërë në fund të fundit? Ka ekspozuar shtetin prej kartoni që u rrënua me goditjen e parë të tërmetit. E mbani mend që nuk kishte as kazma,  as lopata, as doreza për të gërmuar, jo më qen shpëtimi.  Dhe pandemia zbuloi tjetër gjë. Megjithëse kishim 1 muaj që u thonim merrni masa dhe thonin “kemi marrë masa, mos kini merak është grip i zakonshëm”, I gjeti pa masa.

 

QEVERIA E PAPËRGATITUR, BASHA: OPOZITA ZGJODHI JETËN DHE SHËNDETIN E SHQIPTARËVE, PARA PANIKUT DHE POLITIKËS ME FATKEQËSINË

 

Lulzim Basha: Kjo qeveri ka para, sepse 200 milionë lekë është shuma që shpenzohet për zyrën e Belinda Ballukut. Këtë shifër nuk e kemi shpikur, është në dokumentet zyrtare të shtetit. Merren nga organizata për fat të mirë, siç është Open Data Albania që financohet nga partnerët tanë strategjikë, dhe ne i marrim qoftë nga ata qoftë nga ekspertët të departamenteve. Pra shifrat tona mos i vër në diskutim.

Pyetje: Ju pyeta nëse keni pasur një tentativë për kontakt të drejtpërdrejtë me kryeministrin në këto kohë?

Lulzim Basha: Jo nuk kam pasur asnjë tentativë. Pse duhet të ketë.

Pyetje: As ai vetë nuk ua ka kërkuar?

Lulzim Basha: Jo. Ju e keni parë se çfarë sjellje ka adoptuar?! Kur ne propozonim masa, ky dilte dhe shante e bërtiste në parlament, pastaj kur e pa se çfarë po ndodhte në vend që të bënte një gjest pre shtetari, doli dhe përhapi panik e terror duke zgurdulluar sytë e duke thënë se “do të shkojmë për mish qeni, do shkojmë për mish mace, arkivole. Po mirë, çfarë emri mund t’i vësh një qeverie ku i pari i qeverisë del për dy javë rresht dhe thotë që shqiptarët do të shkojnë për mish qeni, arkivole etj. dhe nga ana tjetër  vidhen paratë e shqiptarëve me katërfish çmimin e pajisjeve, vazhdojnë e paguhen inceneratorët. Përgjigja është kjo: është një regjim dhe regjimi nuk pret telefonatë nga opozita. Opozita e ka bërë shumëfish detyrën e saj sepse nuk e shfrytëzoi situatën për panik. Pa një qeveri të papërgatitur, prapë nuk e shfrytëzoi për politikë. Çfarë bëri? I propozoi një plan. Jo për të mirën e qeverisë se nuk na intereson e mira e qeverisë, por për të mirën e shqiptarëve. Sepse dështimi i qeverisë në ato momente do të kushtonte jetë, shëndet dhe mirëqenie. Sigurisht ne si opozitë ishim para një dileme. Dilema e parë,  dilema e shëndetit të  qytetarëve sepse pandemia shpërtheu me një forcë dhe më një  intimidim të madh në të gjithë botën dhe pozicioni tjetër që mund t’i thonim që shiko se ti nuk mund t’i marrësh masat kështu siç ta do qejfi ty, nga Facebook-u  duhet të zbatosh Kushtetutën dhe ligjin. Dhe, i gjendur para këtyre dy dilemave vendimi ynë ishte të zgjidhnim shëndetin e qytetarëve të parin. Prandaj ishim të parët që kërkuam masa, sigurisht në bazë  të ligjit dhe Kushtetutës. Ky s’i mori sipas ligjit dhe Kushtetutës. E mban mend që e vonoi gjendjen e  jashtëzakonshme. Pse e vonoi? Pikërisht sepse gjendja e jashtëzakonshme vërtet i jep qeverisë mundësinë të kufizojë liritë  e qytetarëve, por i jep edhe detyrimin për t’i dëmshpërblyer  për çdo dëm ekonomik financiar që sjellin këto masa shtrënguese. Të gjitha qeveritë i kanë bërë të dyja. E vetja qeveri dhe i vetmi kryeministër  që I përdor masat shtrënguese siç e the edhe vetë për t’u tallur me shqiptarët, për të bërë lojëra me shqiptarët, por nuk u jep shqiptarëve që janë dëmtuar për shkak të masave, mbështetjen ekonomike është kjo qeveri.