Partia Demokratike me gjithë strukturat e saj po ndjek me shqetësim situatën e rëndë të krijuar nga përmbytjet për qindra familje në Fier, në Vlorë, në Selenicë por dhe në qytete e fshatra të tjera të Jugut dhe në mbarë vendin, ku shirat e dendur që kanë nisur një ditë më parë e po vazhdojnë kanë krijuar pasoja dramatike.
Për fat të keq, ujërat e rrëmbyer morën jetën e kryefamiljarit Luan Qarri në Radhimë, dhe Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera të afërmve të tij, gruas dhe tre fëmijëve.
Situata mund të përkeqësohet edhe më shumë nga shirat që vazhdojnë në gjithë vendin, ndaj një orë e më parë qeveria duhet të mobilizohet me çdo mjet, instrument dhe burime njerëzore që ka në dispozicion, për të shmangur viktima të tjera në njerëz. Jeta e qytetarëve është prioritet, mbi të gjitha.
Ne i kërkojmë Edi Ramës të lërë keqardhjen për ndeshjen e futbollit që ai nuk e sheh dot në parkun e Kryeministrisë dhe të heqë dorë nga shfaqja mediatike edhe në këto orë të vështira për bashkqytetarët tanë.
Të marrë çdo masë përpara se të jetë vonë, që të mos ndodhin fatkeqësi të tjera.
I kërkojmë qeverisë të zbresë menjëherë në terren aty ku qytetarët, familjarët, fëmijë e të moshuar, burra e gra janë mbuluar nga uji dhe balta, ku rrugët janë bllokuar e ku mungojnë gjërat bazike, si ushqimi, uji i pishëm dhe energjia elektrike.
Situata e rëndë kërkon përgjigje serioze dhe të shpejtë nga autorietet.
Deklarata për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 11 Tetor 2015