• Biznesi në Elbasan drejt falimentit, Basha: Të bashkohemi dhe të heqim të keqen me votë

 

TAKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA ME QYTETARË DHE BIZNESE TË VOGLA NË ELBASAN

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha konstatoi në Elbasan një krizë të thellë të biznesit çka tregon qartë situatën ekonomike të banorëve të kësaj bashkie. Të gjithë bizneset konfirmuan njëzëri se qytetarët nuk blejnë më dhe për pasojë ka rënë xhiroja në masën 50 përqind.

Bilancet e vetë tregtarëve tregojnë krizën e thellë ekonomike, krizë që reflektohet në të gjithë bisedat me ta. “Xhiroja ditore ka rënë 50 përqind. Këto 3 vite të fundit, janë padyshim vitet e krizës së madhe të biznesit të vogël”, – thonë njëzëri të gjithë tregtarët.

Në një kohë kur kriza është në kulmin e saj për shkak edhe të pandemisë, bashkia e Elbasanit u kërkon një më një taksat që nga qeveria u lajmëruan me bujë si të falura. “Na tha që nuk keni taksa, e mbas para një jave na e prunë ata të bashkisë letrën të të gjitha taksave”.

Pjesa më e madhe e bizneseve pranojnë se tashmë janë në prag falimentimi dhe se në vend që të shesin e të nxjerrin fitime, po bëjnë rojën e bizneseve të tyre pasi askush nuk blen dot më.

“Gjithë ditën rri në këmbë roje. Shumë dobët, shumë dobët, as shpenzimet nuk i nxjerrim dot”, – thonë pronari i një biznesi tjetër në tregun e Elbasanit.

Kryetari Basha pasi dëgjoi shqetësimet e bizneseve dhe qytetarëve tha se gjendja duhet ndryshuar si e vetmja rrugë për të nxjerrë ekonominë nga kriza e thellë ku ka rënë.

“Në momentin që ju do keni një lekë në xhep, do filloj të xhiroj ekonomia, do ketë konsum. Përndryshe lekët do vazhdojnë të shkojnë te 5 njerëz, kriza që ka fillu do shkoj thellë e më thellë”, tha Basha teksa parashtroi edhe zgjidhjen.

“Duhet ndryshuar gjithçka me themel, duhet nxituar konsumi, duhet rritur punësimi. Të bashkohemi të gjithë me votë do ta heqim”, – u shpreh Basha duke garantuar se qeverisja e ardhshme do të jetë në krah të biznesit dhe jo në shërbim të një grushti oligarkësh.