- Platforma antikrizë “Shqipëria në punë”, Basha me Shoqatën e Investitorëve të Huaj: Prioriteti im, mbrojtja e çdo vendi pune. Ja nga çfarë vuajnë investitorët e huaj dhe çfarë do të bëjë qeveria e PD për rritjen e investimeve.
Kthimi i besimit tek ekonomia dhe nxitja e punësimit në vend konsiderohet nga Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha si emergjencë kombëtare, ndërsa krijimi i lehtësirave dhe kushteve për të thithur sa më shumë investime të huaja, që hapin vende pune, si prioritet strategjik. Për këto çështje zoti Basha u takua me drejtuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, të cilët 4 janë shqetësimet kryesore: konkurenca e pandershme, korrupsioni, burokracia dhe informaliteti i lartë.
Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri u përfaqësua në takim nga z. Constantin Von Alvensleben, President i FIAA, z. Grant Sun, anëtar Bordi i FIAA, z. Përparim Kalo, Anëtar Bordi i FIAA, z. Emil Georgakiev, Anëtar Bordi i FIAA, znj. Marinela Jazoj, Drejtore Ekzekutive e FIAA, diskutuam mbi shqetësimet e investitorëve të huaj në Shqipëri.
Kretari Basha siguroi drejtuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj se reformat që do të ndërmarrë qeveria e ardhshme do të çmontojnë konkurencën e pandershme, do të eliminojnë burokracitë e tepërta dhe do të luftojnë korrupsionin, duke bërë të mundur thithjen e investimeve të huaja dhe mbështetjen e prodhimit vendas.
Kthimi i sigurisë juridike për investitorët e huaj përmes dhënies fund të ndryshimit të papritur dhe të pakonsultuar të rregullave është një nga vendimet e tjera të qeverisë së ardhshme për të krijuar një klimë pozitive për thithjen e investimeve të huaja. Kjo do të shoqërohet me politika transparente dhe afatgjatë për taksat. Taksa e sheshtë 9%, heqja e taksës “Rama” mbi karburantin, eleminimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve që pengojnë konkurencën e lirë dhe të drejtë do të jenë hapa të menjëhershëm. Kreu i opozitës theksoi se hapja e lojës, duke çmontuar monopolet dhe trajtimet preferenciale, do të garantojnë konkurencë të ndershme në vend të klientelizmit korruptiv të qeverisë.
“Shqipëria do të shohë përpara dhe prioriteti im absolut është të luftoj për të mbrojtur dhe hapur çdo vend pune të mundshëm.” – u tha zoti Basha drejtuesve të Shoqatës së Investitorëve të Huaj, duke i siguruar ata se “Shqipëria në punë” nuk është thjesht një moto, por një platformë reale. “Me planin tonë ekonomik do të sprapsim krizën “Rama” dhe do të mund të hapim vende të reja pune, të fuqizojmë ekonominë dhe të rrisim mirëqenien e shqiptarëve.”- theksoi kreu i opozitës Lulzim Basha.