• Erion Veliaj me metoda mafioze kundër medias. Po përdor segmente të caktuara shtetërore për t’i mbyllur gojën RTV Ora.
  • Çdo zyrtar i përfshirë nga Veliaj në sulmin kundër gazetarëve dhe pronarit të RTV Ora do të mbajë përgjegjësi.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Erion Veliaj është shndërruar sot në një nga pushtetarët më të rrezikshëm kundër lirisë së medias. Në telefonin e çdo gazetari apo pronari mediash, që është treguar kritik ndaj bashksië së Tiranës, gjendet patjetër një mesazh joshës, intimidues apo kërcënues nga Erion Veliaj.

Rasti i televizionit RTV Ora është më flagranti në radhën e gjatë të mediave që Erion Veliaj i kërcënon me qëllim mbylljen e gojës.

Gazetarët e Televizionit Ora janë prej muajsh nën sulmin e pandërprerë të Erion Veliajt. Për shkak të punës së pavarur të gazetarëve, që vënë në dukje abuzimet skandaloze të bashkisë së Tiranës, shkeljen e ligjit në tendera dhe dhënien e lejeve korruptive të ndërtimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj po përdor çdo mjet për të kërcënuar jo vetëm gazetarët, por edhe pronarin e kësaj mediaje, Ylli Ndroqi.

Mesazhi i Erion Veliajt është i qartë: Televizioni Ora duhet të pushojë kritikat ndaj tij dhe Bashkisë së Tiranës. Nëse nuk pranojnë kronikat e gatshme të Veliajt, duhet të heshtin, të mos investigojnë, të mbyllin gojën përpara padrejtësisë dhe abuzimit me pushtetin nga Kryetari i paligjshëm i Bashkisë së Tiranës.

Në shërbim të këtij mesazhi mafioz, Erion Veliaj ka angazhuar edhe institucione të tjera, përfshirë segmente të Policisë së Shtetit dhe të organeve të tjera ligjzbatuese.

Për Partinë Demokratike këto metoda represive kundër fjalës së lirë janë të papranueshme. Erion Veliaj do të japë llogari për këtë.

Bashkë me kryebanditin e Tiranës, që kërcënon, fyen dhe shantazhon gazetarët, do të japë llogari çdo punonjës i shtetit që zbaton planin mafioz të Erion Veliajt, me miratimin në heshtje të Edi Ramës, për të kërcënuar Televizionin Ora, gazetarët dhe pronarin e tij.

Sulmet mafioze të Erion Veliajt ndaj televizionit Ora, ndaj gazetarëve të saj dhe kundër pronarit të televizionit Ylli Ndroqi nuk kanë të bëjnë thjesht me një person apo me një televizion. Ato janë sulme kundër lirisë së shprehjes, lirisë së medias, kundër lirisë së mendimit dhe lirive politike.

Segmentet e shtetit që Erion Veliaj po i keqpërdor për interesat e tij kriminale duhet të kuptojnë që përgjegjësia është individuale dhe secili do të përgjigjet për çdo veprim kriminal kundër lirisë së medias.