- Situata me COVID 19, jashtë kontrollit, qeveria e dorëzuar dhe pa plan po u fshihet qytetarëve. Kreu u opozitës takim me ekspertët e shëndetësisë: Rama ka lënë shqiptarët vetëm përballë krizës, paguan tenderat dhe PPP.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, diskutoi me mjekë dhe specialistë të fushës dhe me Departamentin e Shëndetësisë në PD shqetësimin për daljen jashtë kontrollit të përhapjes së COVID-19.
Një nga shqetësimet kryesore është mungesa e gjurmimit të rasteve të infektuara. Të afërmit e të sëmurëve ankohen se nuk u është bërë tamponi, duke zgjeruar zinxhirin e infeksionit.
Në vlerësimin e ekspërtëve dështimi me menaxhimin e situatës çoi dëm sakrificën e 3 muajve izolim. Kriza ekonomike është thelluar, numri i të shtruarve në spital dhe numri i viktimave është rritur ndjeshëm.
Problemi kyç, i ngritur në takim është shndërrimi i spitaleve dhe qendrave shëndetësore në vatra kryesore të infeksionit. Prej andej, virusi është përhapur kudo, në polici, në kopshte, çerdhe, gjykata dhe në zyrat e tjera të shtetit.
Në takim mbizotëruan argumentat që faktojnë dorëzimin e qeverisë dhe mosmarrjen e masave parandaluese, ku viktima të kësaj papërgjegjshmërie kanë rënë edhe vetë mjekët.
Kryetari Basha vuri në dukje mungesën e transparencës së qeverisë për situatën. Prej 4 muajsh qeveria nuk tregon për numrin e kiteve të testimit apo nëse ka vënë fonde të reja në dispozicion për të rritur kapacitetet testuese.
Ekspertët ngritën shqetësimin e heshtjes së qevErisë për situatën e dalë jashtë kontrollit dhe reduktimin e saj tek disa statistika. Në vend të heshtjes, qeveria duhet të kishte marrë masa për aktivizimin e një rrjeti të gjerë laboratorësh publikë e privatë për testet molekulare e imunologjike.- pohuan ekspertët.
Ata vlerësuan si jetik testimin e personelit dhe të pacientëve për të gjurmuar-identifikuar sa më parë dhe për të izoluar të infektuarit.
Kryetari Basha vuri në dukje se në kushtet e përkeqësimit të situatës nga COVID-19, Shqipëria është pa plan dhe pa masa për pajisjen e popullsisë me maska gratis ose me çmime të përballueshme.
“E gjithë vëmendja dhe kujdesi i qeverive të përgjegjshme sot në botë është fokusuar tek menaxhimi i situatës shëndetësore dhe ekonomike dhe parashikimi e shtimi i kapaciteteve. Vetëm qeveria e Edi Ramës e ka mendjen tek tenderat e PPP korruptive, për të cilat vazhdon të japë fonde, duke lënë shëndetësinë dhe shqiptarët të vetëm përballë virusit dhe krizës ekonomike.”- theksoi lideri i opozitës.