- Dalin provat e përfshirjes së administratës në zgjedhje në Fier. Formularë të plotësuar me emra, ID dhe numra telefoni. PD: Të gjithë për ndjekje penale. Ndryshimin nuk e ndal dot asgjë!
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, LUAN BAÇI
Partia Socialiste e mohoi pak ditë më parë aktin e saj të paligjishëm dhe kriminal të përfshirjes së administratës publike në fushatë elektorale.
Si për çdo gjë tjetër, mashtruan.
Ne po ju sjellim sot fakte të përfshirjes së drejtorëve të administratës në fushatën e partisë në pushtet.
Këtë janë 2 formularë të plotësuar nga persona realë që punojnë në administratë. Ata janë kërcënuar me largim nga puna, nëse nuk përmbushin detyrimin për të siguruar një numër të caktuar votuesish, që deklarohen pro Partisë Socialiste.
Njëri formular është plotësuar në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier, nën drejtimin e Mirela Mitros. Formulari tjetër i përket Bashkisë Fier me Kryetar Armando Subashin.
Në të dy këta formularë janë shënuar emra nga punonjësi i administratës. Përbri emrit është numri personal i kartës së identitetit, numri i telefonit dhe njësia ku voton.
Ka vetëm një arsye pse Edi Rama e ka ndërmarrë këtë operacion të paligjshëm, duke kryer një krim elektoral, qe dënohet nga Kodi Penal. Është humbja e thellë dhe largimi nga pushteti në 25 Prillin e ardhshëm.
Edi Rama nuk u ka besën as socialistëve, sepse e di që ata e refuzojnë në masë këtë kryeministër të dështuar.
Nuk ka asnjë makinacion, asnjë pazar, asnjë shkelje ligji që do të ndryshojë vullnetin e shumicës së shqiptarëve për ndryshim!
Askush nuk do t’i shpëtojë përballjes me ligjin! Që nga Armando Subashi dhe tek kushdo që guxon t’u bëjë presion votuesve të administratës, në Fier dhe kudo në Shqipëri!
Si fillim, për Armando Subashin dhe Mirela Mitron po bëjmë gati kallëzimin penal për “Përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të parashikuar në Kodin Penal.
Partia Demokratike garanton të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike dhe nuk bien pre e presionit të paligjshëm, se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit.
Përfitoj nga rasti të përshëndes veprimin kurajoz të naftëtarëve, që po protestojnë sot në Tiranë për të fituar atë çfarë u takon nga djersa e mohuar.
Rafineria e Ballshit është një nga vatrat më të mëdha të korrupsionit të kryeministrit në ikje. Ata nuk e zgjidhin dot hallin e naftëtarëve, sepse kanë marrë pjesën e tyre gjigande në kurriz të naftëtarëve dhe pasurisë kombëtare.
Mashtrimet, shantazhet, dhuna policore e kësaj qeverie nuk i ndalin dot më shqiptarët, të cilët duan ndryshimin, duan një jetë më të mirë dhe me dinjitet!