- Ekonomia po zhytet në krizë, papunësia po rritet në mënyrë gjeometrike. Bizneset, qytetarët nuk kanë asnjë mjet për të tejkaluar këtë krizë të thellë
- Qeveria nuk dëgjon bizneset, nuk dëgjon mjekët, mësuesit, të rinjtë që lënë Shqipërinë nga terminali i autobusëve. Edi Rama dëgjon vetëm zërin e oligarkëve të tij që kërkojnë para për inceneratorët.
- Plani ynë me 5 pika nuk është kinematografi me regji qëndrore, nuk janë cic-mice, por rrugëdalje nga kriza. I vetmi shqiptar që nuk ka dëgjuar për planin e PD, është i pari i qeverisë. Të gjithë shqiptarët e tjerë e dinë.
- Plani me 5 pika, ofrimi i mbështetjes për të mbrojtur mjekët, trefishimi i numrit të testimeve, 1000 euro shtesë mujore për çdo mjek, 500 euro për çdo infermier.
- Plani me 5 pika, pajisja e shkollave me pajisje dhe materiale sanitare, testimi i të gjithë e mësuesve, 160 mijë lek/muaj për çdo të papunë, 20 mijë lek/muaj për çdo rimarrje në punë nga biznesi.
- Plani me 5 pika, çek 1000 € për biznesin e vogël, 20 mijë lek/muaj shtesë të gjithë pensionistëve, zgjerim i kategorive të bizneseve që përfitojnë nga garancia sovrane, zgjatje të afatit.
- Afera e inceneratorëve, pastrim i parave të pista, përpos vjedhjes së parave të qytetarëve. Afera e inceneratorëve do të jetë një test kyç i institucioneve të reja të drejtësisë.
KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.
Ditët kalojnë, njerëzit nuk marrin asnjë ndihmë dhe asnjë zotim nga qeveria për t’i ndihmuar… Javët kalojnë, kriza bëhet gjithnjë e më e thellë. Sot kemi marrë të tjera të dhëna tronditëse, të cilat tregojnë se ekonomia po zhytet ditë për ditë. Se numri i të papunëve po shtohet jo më me dhjetëra, por me qindra në ditë. Se numri i bizneseve që po largojnë njerëz nga puna, sepse nuk ia dalin dot t’i paguajnë dhe numri i bizneseve që po mbyllen, sepse nuk ia dalin dot të paguajnë as detyrimet ndaj shtetit, po rritet krahasuar me muajt e tjerë të këtij viti. Shëndetësia është në kufijtë e kolapsit, ndërsa i gjithë personeli shëndetësor ka arritur në pikën më të ulët, sa i përket aftësive për të përballuar rritjen e numrit të infeksioneve nga Covid-i dhe efektet që kjo ka tek aftësia e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë për t’u përballur jo vetëm me pandeminë, por edhe me sëmundjet e tjera dhe pacientë te tjerë shqiptarë. Siguria e fëmijëve dhe e mësuesve në shkolla është lënë në mëshirë të fatit. Qeveria dhe kryeministri nuk kanë marrë asnjë masë, ndërkohë që kanë kaluar javë nga hapja e shkollave. Po afrohet muaji për të korrigjuar problemet e mëdha, që nga furnizimi me ujë për të larë duart, e deri tek mundësia për t’i pajisuar ata me maska, me dezinfektantë apo dezinfektimi i ambienteve mësimore. Kjo është gjendja sot, përkeqësim i thellë në të gjitha aspektet e jetës, të ekonomisë dhe të shëndetit të shqiptarëve. Ndërkohë pyetjes tuaj sot paradite, nëse ka ndërmend ta zbatojë planin me 5 pika, që ne kemi shpalosur prej dy javësh, Edi Rama i është përgjigjur se nuk ka dëgjuar për këtë plan. Në fakt unë e besoj. Megjithëse askush prej jush këtu nuk e beson. Jam I bindur, shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e besojnë, unë zgjedh ta besoj që ai nuk e ka dëgjuar këtë plan. Sepse nuk ka ditë, por ka javë, muaj, vite që Edi Rama nuk dëgjon. Nuk dëgjon njerëzit, nuk dëgjon prindërit që kanë humbur vendin e punës dhe që nuk iu ka mbetur asnjë alternativë për të ushqyer fëmijët e tyre apo për t’ju blerë mjetet elementare për të shkuar në shkollë. Nuk dëgjon biznesin, sipërmarrjen që ka vite që lufton për mbijetesë, e tani po i dorëzohet një nga një falimentimit. Nuk dëgjon mjekët që kanë javë që kërkojnë atë që u është premtuar, mbështetjen minimale për t’u përballur me një situatë shëndetësore të cilën edhe vendi më i varfër në Ballkan, arrin ta përballojë shumë më mirë se Tirana dhe dy spitalet Covid, të cilat janë në pikën e thyerjes. Nuk dëgjon mësuesit, të cilët ditë për ditë, marrim qindra mesazhe nga ata për gjendjen katastrofike të higjenës në shkolla, me pasojën që pastaj disa media i raportojnë fare qartë, që është infektim masiv dhe detyrim për të mbyllur insituticionet arsimore. Nuk dëgjon shqiptarët, që ditë për ditë tek terminali i autobusave ndërkombëtarë, mbushin autobusat, e në veçanti të rinjtë. Se as të rinjtë nuk i dëgjon, siç nuk i dëgjoi para dy vjetësh gjatë protestave të studentëve, nuk i dëgjon as sot. E ku nuk dëgjon asnjë shqiptar, natyrisht që nuk dëgjon as planin tonë, rrugëdaljen për t’u përballur me këtë krizë. Prandaj, ndoshta duke rrezikuar të jemi i vetmi në Shqipëri sot. Po ua përsëris edhe njëherë, e besoj që nuk e ka dëgjuar planin, ndonëse nuk ka mbetur shqiptar pa e dëgjuar falë edhe raportimit tuaj si media. Por unë nuk do të lodhem ta përsëris edhe njëherë planin tonë me 5 pika. Sot me ndihmën tuaj, sepse ajo që ka më shumë rëndësi për njerëzit, për shqiptarët sot nuk janë batutat e lodhura. Nuk janë xhirimet me regji qëndrore të të njëjtit kantier ku shkon çdo javë për të shitur dështimin e tij si sukses. Nuk janë cic-micet dhe grindjet politike që i provokon me një qëllim: t’ju heqë shqiptarëve nga mendja mjerimin ku e ka zhytur vendin për shkak të premtimeve të pambajtura. Premtimeve të pambajtura për 7 vite. Premtimeve të pambajtura edhe gjatë përballjes me tërmetin. Premtimeve të pambajtura edhe gjatë kohës së pandemisë. Ka folur për paketë të tretë, vendet e tjera po japin paketën e katërt. Nuk i dëgjon as planet tona për rimëkëmbjen dhe daljen nga kriza, as zërin e qytetarëve. Por dikë dëgjon Edi Rama? Edi Rama dëgjon ata, të cilëve u jep paratë e shqiptarëve për inceneratorët dhe nuk kthen asnjë përgjigje për përgjegjësinë e tij politike dhe do të thoja edhe kriminale. Sesi në këtë kohë ku njerëzit kanë kaq shumë njevojë për ndihmë, lekët që jua mbledh me pikatore familjeve në nevojë, bizneseve në faliment, ia jep me lopatë incerneratorëve. 2 milionë euro vetëm javën e kaluar apo aferave të tjera korruptive dhe ka çuar kilomentrin e rrugës Korçë-Leskovik 5 milionë euro, ndërkohë që kilometrat e tjerë të asaj rrugë janë ndërtuar më 1 milionë. Prandaj nuk I dëgjon shqiptarët, sepse ka vendosur të dëgjojë vetëm ata me të cilët vjedh paratë e shqiptarëve edhe në kohën e pandemisë. Dhe ja ku janë rezultatet. I vetmi vend ku qindra, mijëra që kanë humbur vendin e punës, nuk kanë asnjë përgjigje. Nuk ka marrë asnjë masë për ta, asnjë masë. Pagesat e fundit me vonësë janë kryer para 3 apo 4 muajsh. Me çfarë hanë këta njerëz? Me çfarë i ushqejnë fëmijët? Si i mbajnë dyqanet hapur ata që japin me lista apo farmacitë? Si arrijnë t’i paguajnë punëtorët ata që nuk nxjerrin dot fitim? Për ta kujtohet vetëm kur u çon taksidarin për t’i mbledhur taksat, se vetëm ato mblidhen kokërr më kokërr. Para disa ditësh vizitova një tjetër familje në çadër, në Fushë-Milot, familjen e Viktor Gjonit dhe besoj shumica prej jush e kanë transmetuar dëshminë e tij që të ngjesh mishin. Atë ditë me shi ai, familja e tij, dhjetëra, qindra familje si ajo vazhdojnë të jenë në çadër. Po afron me shpejtësi 26 nëntori, 1-vjetori i tërmetit, njerëzit vazhdojnë të jenë në çadra apo në kushte të mjerueshme, vazhdojnë të jetojnë në shtëpi të cilat janë të pasigurta dhe mund t’ju shemben mbi kokë me një shi apo me një tronditje tjetër të lehtë, sepse Edi Rama nuk i dëgjon. Se veshët e Edi Ramës, sytë e Edi Ramës, mendja e Edi Ramës punon vetëm për ata të cilëve çon javë për javë miliona euro të taksapaguesve shqiptarë. Ja ku është plani ynë me 5 pika edhe njëherë për të vetmin njeri në Shqipëri që se ka dëgjuar.
Pika e parë, mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor për t’i paraprisë shpërthimit tjetër të infeksionit COVID-19. Duke ndërmarrë këto hapa: Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë. B. Rimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID-19, sepse çdo familje me një të sëmurë, e di që të mjekohet në shtëpi, do t’i kushtojë minimalisht 600 mijë lekë. Minimumi i minimumit është 600 mijë lekë. Imagjinoni për ato familje që kanë muaj pa punë dhe pa të ardhura. c. Sigurimin e paisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor. Për të gjithë do të thotë edhe për mjekët e familjes, edhe për sanitaret, edhe për infermierët, edhe për spitalet rajonale, për të gjithë pa përjashtim, sepse të gjithë përballen me të infektuarit dhe në këtë mënyrë të gjithë mund të angazhohen në betejën kundër infeksionit. Si dhe rritjen e kapaciteteve spitalore që kanë mbetur me dy spitale, të cilat tashmë, siç e thashë dhe më parë nga vetë dëshmitë e mjekëve, janë kthyer në pikë të rrezikshme, jo të kurimit, por të shpërndarjes së COVID-it. Dhe së fundi, premtimin me bujë për një bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier, ta bëjë realitet për të gjithë mjekët dhe infermierët shqiptar. 1 mijë euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm, për të përgatitur një ushtri të rraskapitur, të lodhur, të tradhtuar, të papajisur, të sëmurë, të infektuar, të keqtrajtuar, që t’ju shërbejnë njerëzve. Atyre që skanë mundësi, si disa, t’ia mbathin nëpër spitale jashtë shtetit të afërmit e tyre, jeta dhe shëndeti i të cilëve vihet në tehun e rrezikut për shkak të mundësisë osë pamundësisë së personelit shëndetësor për t’ju shërbyer. Pika dy, sigurimi i ambjenteve të shkollave pas hapjes së tyre. Të garantohet që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurt. Duke marrë këto tre masa të menjëhershme, përmirësimin e kushteve sanitare në shkolla që përfshjinë furnizimin me ujë. Është i vetmi vend ku i pari i qeverisë bën thirrje për të larë duart dhe nuk siguron ujin, ujin e rrjedhshëm në shkollat e vendit. Paisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregult të ambienteve mësimore, si detyrim shtetëror. Jo detyrim i individëve edhe kërcënimeve me gjobë, por si detyrim i shtetit ndaj mësuesve, ndaj stafit pedagogjik, ndaj stafit ndihmës dhe ndaj fëmijëve. Se fëmijëve të familjeve që kanë humbur vendin e punës, që kanë humbur të ardhurat minimale, nuk mund t’I kërkosh të shkojë me maskë apo të gjobiten, por e ke për detyrë t’ju sigurosh të paktën mjetet për të blerë maskat mbrojtëse. E dyta, testim periodik i mësuesve dhe stafit ndihmës. Për t’i paraprirq së të keqes dhe jo për të bredhur përpara së keqes. E treta, investimin tani në teknologji për rastin ku mund të kërkohet të rikthehet mësimi në distancë, duke përfshirë pajisjen me tabletë për fëmijët e familjeve në nevojë dhe me ardhura të ulta, në mënyrë që asnjë fëmijë mos të mbetet pa mësuar, në qoftë se detyrohet të shkohet drejt këtij skenari. Tre, asnjë shqiptar të mos lihet pas dore. Të mbështeten në radhë të parë ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekësh të reja në muaj, përpos pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh. Krijimin e një fondi punësimi në mbështetje të bizneseve që të rimarrin në punë ata që janë detyruar t’I largojnë gjatë pandemisë, duke u alokuar çdo punëdhënësi një shumë prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe 6 mujore, për çdo punonjës të larguar që e rimarrin në punë. Dyfishimi i ndihmës ekonomike për familjet me ndihmë ekonomike dhe ata në nevojë. Si dhe një çek prej 2 mijë lekësh të reja në muaj për çdo pensionist shqiptar, për përballimin e kostove shtesë në 6 muajt e ardhshëm. Katër, ndihmë për biznesin e vogël, tani, jo kur të jetë shuajtur: Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël, për të mbuluar kostot shtesë, për t’u përballur me rënien dramatike të të ardhurave, ku siç po raportohet 4 në 6 biznese nuk nxjerrin dot fitim dhe po dalin me humbje. Dhe mbyllja masive e bizneseve të vogla do të thotë kolaps total i ekonomisë. 1 mijë euro në total për 6 muajt e ardhshëm, një çek prej 1 mijë euro në total për 6 muajt e ardhshëm nuk është, nuk do bëjë mrekullira, është plotësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit. Por do të jetë një ndihmë për biznesin e vogël, për t’i përballuqr të gjitha shpenzimet që nuk i përballon dot në kohën kur ka rënë konsumi, ka rënë ekonomia, por po kështu dhe tregues që një herë të vetme nuk e kanë qeverinë kundër, por e kanë në krah për t’u përballur me këtë situatë. Dhe së pesti, mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj. U kemi kërkuar që për 6 muajt e ardhshëm qeveria të subvencionojë 50% të qirave të ambienteve për ata që i kanë me qira, dhe të mos vjelë taksën e pronës për ata që kanë pronat e tyre, në mënyrë që këto para të dedikohen për prioritetet më të ngutshme, ku kryesorja është mos të heqin njerëz nga puna. Me këto para të mbajnë njerëz në punë. Dhe pika e dytë, shtrirja në kohë, rikonceptimi i kërkesave për të përfituar nga garancia sovrane, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë dhe jo vetëm një grusht njerëzish, si dhe përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative dhe mbajtja në 0 përqind, kur kredia destinohet për të mbajtur njerëzit në punë. Ky është plani me 5 pika, që tanimë e di çdo shqiptar, dhe ivetmi shqiptar që nuk e di është njeriu përgjegjës për këtë situatë, i cili ka humbur dhe 2 javë kyçe në luftën kundër pandemisë dhe në luftën kundër krizës ekonomike, duke mos dëgjuar shqiptarët, duke mos parë hallet e tyre, duke mos u vënë veshin një plani që ne e kemi vënë, jo për fushatë por për të ndihmuar njerëzit. Është një plan, i cili ndihmon njerëzit këto 6 muaj, se 25 prilli, është larg për ta. Me këtë shpalosje të sotme të planit, jam i bindur që shumica dërmuese e atyre që presin dhe meritojnë ndihmën e shtetit nuk kanë ndonjë surprizë. Por sot bie çdo alibi që qeveria dhe i pari i qeverisë, nuk e kanë dëgjuar planin tim, planin e Partisë Demokratike për 5 hapat kundër krizës. Dhe del zbuluar ajo që thashë në fillim, ata kanë zgjedhur që paratë e shqiptarëve mos t’i çojnë tek shqiptarët në nevojë, por vazhdojnë të vjedhin sa të mundin këto javë e muaj që ju kanë mbetur dhe t’i çojnë te një grusht njerëzish me të cilët i bashkëndajnë këto para.
Pyetje: Zoti Basha në nisje të konferencës ju folët për të dhëna të reja që ka Partia Demokratike për përkeqësimin e ekonomisë dhe rritjen e papunësisë. A mund ta dimë se cilat janë ato dhe kujt i referoheni për këto të dhëna?
Lulzim Basha: Numri i njerëzve që po humbin vendin e punës, numri i bizneseve që po mbyllen çdo ditë po shtohet në krahasim me javët dhe muajt e kaluar.
Një pjesë e këtyre të dhënave burojnë drejtpërdrejtë nga statistikat zyrtare, të cilat siç e dini manipulohen, por prapë nuk e fshehin dot rënien e ekonomisë në kolaps.
Një pjesë e të dhënave përpilohen nga shoqatat e biznesit, me të cilat ne jemi në kontakt të vazhdueshëm; Shoqata e Biznesit të Vogël, Shoqata e Bizneseve Prodhuese, Shoqata e Fasonëve, Shoqata e Operatorëve Turistikë, Shoqata e Transportit, edhe Urdhri i Farmacistëve me të cilët u takova para disa ditësh, të gjitha Shoqatat e Investitorëve të Huaj, të dhënat e tyre të cilat përpilohen përmes metodave të sakta të anketimit të anëtarësisë së tyre, përputhen me të dhënat të cilat ka prodhuar Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe që tregojnë një përkeqësim galopant të ekonomisë shqiptare.
Pyetje: Keni deklaruar se pasi të vini në pushtet do të marrë fund pandëshkueshmëria si dhe do të anulohen inceneratorët. Por nëse drejtuesit e këtyre inceneratorëve kanë kryer procedura ligjore me qeverinë, nuk mendoni se më pas ata do t’i drejtohen gjykatës dhe do të jeni ju që do të humbisni?
Lulzim Basha: Pa diskutim që ata që bashkë me pushtetarët janë pjesë e kësaj afere në gjykatë do të përfundojnë. Kjo s’ka diskutim. Por jo për atë që ua merr mendja ju sot, kjo nuk është thjesht dhe vetëm një aferë korruptive e ndëshkueshme nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, është një aferë edhe më kriminale. Afera e inceneratorëve është aferë e pastrimit të parave të pista, përpos vjedhjes së parave të qytetarëve.
Ky është një nga testet më madhore për drejtësinë e dalë nga reforma. Dhe kalimi i këtij testi do të jetë përcaktues për organet e reja të drejtësisë. Shumë prej tyre sot, si shumica dërrmuese e medias janë në presion për të mos vepruar.
Pas 25 prillit do të jenë të çliruar edhe ata nga presioni politik për të mos vënë para drejtësisë njerëzit e pushtetit aktual dhe partnerët e tyre në këtë biznes të ndyrë, që kanë vjedhur paratë e shqiptarëve edhe në kohë pandemie, edhe në kohë tërmeti dhe nuk janë mjaftuar me kaq, por përmes skemave të dyshimta, të cilat do të hetohen një më një, janë përfshirë edhe në skemat e pastrimit të parave të pista.
Kolegët tuaja të gazetarisë investigative me mbështetje edhe të donatorëve amerikanë dhe të Bashkimit Europian kanë prodhuar mjaftueshëm investigime për aferën e pisët të inceneratorëve.
Shqetësimi im, siç iu thash edhe para dy ditëve, është heshtja dhe fikja e shumë ekraneve mediatike sa herë që kjo aferë përmendet.
Por kjo aferë nuk do të harrohet dhe as nuk do të lihet në heshtje, ne do t’i shkojmë asaj deri në fund dhe drejtësia do të bëhet.
Paratë e shqiptarëve që kanë shkuar për këtë aferë të tmerrshme korruptive do të gjurmohen kudo ku kanë shkuar dhe do t’u kthehen shqiptarëve.
Sa për realitetin, mjafton të çoni kamerat sot në Fier, ua thash edhe ditën e shtunë, dhe do të shikoni se aty ku janë derdhur 25 milionë euro të taksa paguesve shqiptarë se çfarë inceneratori ka aty. Shikoni gardhin e mjeruar që rrethon lëndinën. Shkoni skeletin e një ndërtese që duket sikur i ka rënë bomba. Dhe do ta kuptoni që kjo është një nga aferat më të zeza në 30 vite.
Ajo që dua të them sot është se ajo që e bën edhe më kriminale këtë aferë është që këto qindra miliona euro të dedikuara për inceneratorët, 75 milionë euro të paguara deri tani dhe dhjetëra milionë të paguara qëkur ka filluar pandemia, do të kishin mjaftuar për të ndihmuar, mbështetur, çliruar mijëra familje shqiptare nga dhimbja, nga vuajtja dhe nga efektet shkatërrimtare të krizës ekonomike.
Pyetje: Z.Basha ju prezantuat sërish sot planin e rimëkëmbjes nga kriza ekonomike. Ndërkohë që prej 15 ditësh në Ballsh naftëtarët vijojnë protestën, teksa pak ditë më parë ju i vizituat ata edhe personalisht. Ndërkohë që nuk kemi ende një zgjidhje të çështjes së tyre. Cili është qëndrimi i Partisë Demokratike dhe a keni ju një thirrje për qeverinë për ata naftëtarë të cilët tashmë janë ngujuar atje?
Lulzim Basha: Unë i qëndroj fjalë për fjalë asaj që kam thënë gjatë takimit që pata me naftëtarët në grevë urie. Sikundër ata janë të qartë sepse e thanë vetë me gojën e tyre dhe besoj se ju e transmetuat të gjithë: “nuk ka, nuk presim më zgjidhje”. Ata janë gënjyer, janë mashtruar vazhdimisht nga Edi Rama dhe nga partnerët e tij në këtë zhvatje.
Po të shikoni një material të publikuar nga z.Alibeaj sot, do të shikoni se çfarë thoshte për naftëtarët para dy vitesh e të krahasoni me atë që thotë sot. Do ta shikoni qartë se Edi Rama është kokë e këmbë i përfshirë në aferat e rafinerisë dhe në aferat që kanë të bëjnë me naftën.
Ndaj, zgjidhja e këtij problemi është plotësisht e realizueshme por kërkon mbi të gjitha një kryeministër dhe një qeveri që nuk është pjesë e aferave korruptive me Ballshin dhe me naftën në tërësi. Dhe kjo është ajo që naftëtarët e Ballshit, familjet e tyre, e gjithë zona e Patos Marinzës, i gjithë Qarku i Fierit do të kenë në dorë të vendosin me 25 prill.
Sa për ne, prioritet janë të qarta:
Së pari, heqja me urgjencë e taksës “Rama” mbi karburantin prej 240 lekësh për litër.
Kontrolli rigoroz i karburanteve, që po shkatërron automjetet e shqiptarëve dhe ekonominë e Shqipërisë, qofshin automjete private apo të transportit.
Dhe rikthimi në arkën e shtetit të një shume, prej të paktën 50 milionë eurosh në vit, të evazionit që i bëhet arkës së shqiptarëve nga ky sektor.
Me këto masa, ne do të mundësojmë që edhe uzina të rivihet në punë edhe nafta të prodhojë mirëqenie për të gjithë naftëtarët dhe gjithë fierakët, dhe gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për një grusht njerëzish të lidhur me Edi Ramën, që janë shkaktarët e vërtetë të situatës së përsëritur në Rafinerinë e Ballshit dhe kudo në zonën naftëmbajtëse të Shqipërisë. Por që të njëjtën situatë kemi edhe në zona të tjera minerale që nga Bulqiza e deri në Pogradec, e kudo tjetër nëpër Shqipëri.
Pyetje: Nëse kryeministri Rama edhe pas rikujtesës së sotme nuk do të vendosë në zbatim planin tuaj me 5 pika, cila është forma që iu sugjeroni shqiptarëve për të mbrojtur veten dhe ekonominë e tyre duke qenë se shëndeti nga kjo e enjte do ta mbrojnë përmes maskës e cila do të jetë e detyrueshme?
Lulzim Basha: Asgjë nuk mund ta justifikojë apo shpëtojë Edi Ramën nga përgjegjësia që ka këto ditë, këto javë, por edhe muajt që kaluan për keqmenaxhimin e krizës së pandemisë, për mosmbajtjen e premtimeve në raport me shëndetësinë, për tenderat sekretë përmes të cilave vodhi paratë, ndërkohë që këto para duhet të shkonin tek sektori i shëndetësisë dhe tek njerëzit që ishin në nevojë. Të njëjtën gjë bëri edhe me tërmetin. Po jua them edhe njëherë; ndërkohë që jashtë bie shi, familje në të gjithë zonën e goditur nga tërmeti vazhdojnë të qëndrojnë në çadra. Vazhdojnë të qëndrojnë në çadra! Asgjë nuk mund të justifikojë dhe të shpëtojë Edi Ramën nga përgjegjësia e qytetarëve se pse jemi i vetmi vend në rajon që në kohë sfidash ekonomike, edhe për shkak të pandemisë, paratë e shqiptarëve i merr, por nuk i çon tek shqiptarët, por vazhdon ti çojë tek një grusht njerëzish. Ndërkohë që Kosova, Maqedonia e Veriut ecin me paketën e katërt, ky mirë që nuk dëgjoka dhe nuk dika planin e opozitës për të dalë nga kriza, po ky nuk dëgjon as shqiptarët. Ndërsa në kushtet kur ndodhet para një krimi të përsëritur, sepse edhe me 11 mars, edhe me 25 prill, të njëjtën gjë kemi bërë: i kemi vendosur përpara një plan dhe po ta kishte zbatuar nuk do të ishte gjendja e ekonomisë këtu ku është sot. Nuk do të ishte gjendja e shëndetësisë ku është sot. Në kushtet kur edhe njëherë i parashtrojmë një plan me 5 pika për qytetarët jo për të, nuk na ha meraku për të por për qytetarët, dhe që e ka për detyrë. Kjo nuk është opsionale, e ka për detyrë. Qeveria ekziston për të ndihmuar njerëzit. Pse ekziston qeveria? Për të ndihmuar njerëzit. E ka për detyrë ta zbatojë. në kushtet e neglizhencës, shpërfilljes, siç e tha vetë, mos dëgjimit të zërit të njerëzve që kërkojnë ndihmë, qytetarëve të revoltuar, të nënave të dëshpëruara, të prindërve dhe kryefamiljarëve në pikën e fundit ku u ka ardhur aty ku s’mban më, atëherë ju siguroj që përgjegjësia që do të ketë nuk do të jetë thjeshtë dhe vetëm përgjegjësi politike të cilën do ta mbajë një më një, por do të jetë edhe përgjegjegjësi penale. Këtë mund të ju garantoj sot.
Pyetje: Një tjetër pikë diskutimi që ndan Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste është edhe përzgjedhja e kandidatëve. Zoti Rama e ka ironizuar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve nga selia blu. Ju vetë si e keni parë, duke patur parasysh që ka patur të përjashtuar ish-deputetë dhe ish-kryebashkiakë? A është një përgjigje që anëtarësia ju ka dhënë ju zoti Basha për vendime politike të gabuara?
Lulzim Basha: Është puna më e vështirë të krahasosh të pakrahasueshmen. Pyetja është shumë e drejtë dhe do të marrë përgjigje. Janë dy modele të ndryshme: është modeli i një njeriu që nuk bën zgjedhje në parti. Nuk bën zgjedhje në parti dhe nuk bën zgjedhje në Shqipëri, sepse ka tmerr nga zgjedhjet. Nuk do të dëgjojë as zërin e anëtarësisë së tij dhe kjo është arsyeja pse hodhi poshtë propozimin tonë për lista të hapura me renditje alfabetike. Sepse ai ka tmerr edhe nga vota e socialistëve. Prandaj ka ngjitur kudo që është pakicë e pakicës, sepse ai sot është pakicë edhe brenda socialistëve. Po të mos kishte frikë nga vota e Partisë Socialiste do të lejonte socialistët të renditnin kandidaturat e Partisë Socialiste. Jo nuk e bën. Pasi e ka shtyrë dhjetë herë Asamblenë për të zgjedhur kryesinë e shtyu edhe një vit kryesinë, vetëm e vetëm për të mbajtur në listë Vangjush Dakon e listës së zezë të Departamentit të Shtetit. tani pyetja është se pse e bën këtë?! Se këtë e ka kuptuar i madh e i vogël. Pse e bën?! Sepse po lëshoi Dakon, lëshoi veten. Sepse votat në Shijak nuk i vodhi Dako. I vodhi Rama përmes Dakos dhe bandave të Shijakut. Votat në Dibër nuk i vodhi Gjiknuri. I vodhi Rama përmes Gjiknurit, për llogari të Ramës. E kështu anembanë Shqipërisë. Dhe kodi mafioz dikton se po lëshove dikë, lëshove vetën tënde. Ky është taksirati i Partisë Socialiste deri më 25 prill: E ngushtuar elita e Partisë Socialiste në një grusht njerëzish që vetëm mbushin xhepat, drekojnë e darkojnë me kriminelë dhe kanë hall se ku do ti çojnë milionat e zhvatura këtij populli. Por unë jam i bindur, sepse këtu në këtë sallë ku flasim sot kam qenë kështu ballë për ballë me drejtues të organizatave socialiste të Tiranës, të cilët nuk do të vijnë këtu të bëhen anëtarë të PD, por do ti shërbejnë Partisë Socialiste duke ndërmarrë atë hap të guximshëm që ndërmerr çdo parti kur i kalçifikohet dhe i kriminalizohet drejtimi duke i dhënë një mesazh të fuqishëm me 25 prill dhe duke ia rikthyer Partinë Socialiste, socialistëve të ndershëm. Duke i hequr njollën e një partie të kriminalizuar deri në palcë dhe që e ka mendjen vetëm të vjedhë, të poshtërojë dhe të thyejë premtimet e dhënë dhe vetë socialistëve. Se edhe socialistët vidhen sot, nuk vidhen vetëm demokratët apo pjesa e tjetër e shqiptarëve. Vetë socialistët vidhen sot. Mos kujtoni se ka një mekanizëm ai që socialistëve të sëmurë me COVID ia rimburson. Jo, jo. Janë me dhjetëra, me qindra raste që i kanë shkruar që nuk paguajnë dot ilaçet e COVID dhe s’kanë marrë përgjigje. E shumë e shumë të tjera, sepse takime ka zgjatur me orë të tëra. Ndërsa Partia Demokratike është e vendosur të ecë në një model të ri që është parakusht për ndryshimin që do të sjellim për të gjithë shqiptarët, një model që fillon duke dëgjuar njerëzit brenda bazës tonë. Kjo është arsyeja pse kemi adoptuar një model të evidentimit të kandidatëve me ndihmën dhe përvojën e vendeve perëndimore ku zëri i anëtarësisë dëgjohet në propozime dhe vota e anëtarësisë dikton në vendimmarrje. Kjo është arsyeja pse ky proces ka patur një pjesëmarrje rekord dhe një vëmendje rekord nga qytetarët dhe nga media. Dhe unë jam i lumtur që ky proces është një gur themeli i një mënyre të re dhe një qasje të re të vendimmarrjes, sot politike dhe nesër qeverisëse për shqiptarët.
Pa diskutim, vota e anëtarësisë është ajo që ka vendosur dhe do të respektohet.
Pyetje: Edhe pse Kryeministri nuk e ka dëgjuar planin ekonomik, për çështjen e Kodit Zgjedhor duket se ka qenë i ndjeshëm. Madje sot ka prerë çdo shans për kompromis të fundit duke deklaruar se nuk do të ndryshojë Kodin Zgjedhor edhe në rast se Presidenti nuk e dekreton atë.
Lulzim Basha: Një njeri që është vendosur në kurs përplasje me shqiptarët, një njeri që i heq bukën e gojës fëmijëve të shqiptarëve për t’ia dhënë inceneratorëve, që i heq bukën e gojës shqiptarëve për t’ia dhënë me pesë fish çmimin kontraktorit të tij të përzgjedhur të rrugëve, një njeri që milionat e eurove të shqiptarëve, në kulmin e krizës ekonomike, i vjedh dhe i shpërdoron me një grusht njerëzish, pa diskutim, që ka bërë dhe është gati të bëjë gjithçka për pushtetin e tij. S’ka diskutim për këtë.
Por rrethi po ngushtohet dhe laku po shtrëngohet dhe nuk ka formulë në botë ta fshehë, që Edi Rama po sakrifikon integrimim europian të shqiptarëve, po i jep një goditje Integrimit Europian të shqiptarëve, po izolon përsëri shqipërinë si para 30 vitesh, për shkak të tmerrit që ka nga zgjedhjet, në të njëjtën mënyrë si po sakrifikon paratë e shqiptarëve që kanë nevojë më shumë se kurrë sot për ndihmën e shtetit, për të mbushur xhepat me një grusht hajdutësh.
Nuk ka për t’ia dalë.
Jë qeveritar që abuzon dhe shpërdoron në këto nivele. Që shkel Kushtetutë dhe Ligj. Që shkatërron konsensusin. Që mbyll dyert e Europës për Shqipërinë, të jeni të sigurt që do të marrë një përgjigje ekzemplare nga shqiptarët.
I ka bërë llogaritë gabim.
Pyetje: Ju z.Basha gjatë fjalës suaj deklaruat disa herë edhe problemet që hasin familjet e prekura nga tërmeti. Disa ditë më parë kur prezantuat planin me pesë pika, bëtë me dije se do të ketë edhe një platformë edhe për këto familje. Kur do të keni një prezantim të kësaj platforme dhe a ka opozita një ekip në terren duke parë se edhe shiu ka nisur dhe këto familje janë në vështirësi?
Lulzim Basha: Për çështjen e pandemisë shumë prej këtyre masave do të ndihmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë familjet e prekura nga tërmeti.
Sa i përket platformës sonë për t’i ardhur në ndihmë këtyre familjeve ne e kemi prezantuar tash e katër muaj, ku kemi kërkuar se familjeve individuale t’u jepej menjëherë ndihma, në vend se të kalonin në procedura, në rryshfete e në lloj-lloj alibirash.
Këto janë plane të shpalosura nga ana jonë, natyrisht nuk i ka dëgjuar sepse veshët, sytë dhe mendjen, nuk i ka tek shqiptarët, i ka tek xhepat e tij dhe xhepat e njerëzve me të cilët ndan paratë e shqiptarëve dhe paratë e donatorëve për shqiptarët.
Pa diskutim që jemi afër tyre, jemi afër tyre në mënyrë të përditshme.
Nuk i jemi ndarë asnjë çast terrenit dhe ju e shikoni që shumica e informacionit që vjen nga terreni, vjet drejtpërdrejtë nga familjarët të cilët flasin haptazi, pa dorashka dhe ne ku është e mundur e mundësojmë që zëri i tyre të dëgjohet dhe të përcillet realiteti edhe përmes mediave të cilat dua t’i falënderoj për të gjitha ato raste, ku përkundër presionit qeveritar, nuk kanë pranuar t’i censurojnë këto raportime nga terreni, ku flasin ata, nuk kemi nevojë të flasim ne, flasin ata.
Sot jemi pranë tyre edhe për të evidentuar gjendjen, edhe për t’i dhënë zë vuajtjeve, kërkesave, zemëreimit të tyre, por në të njëjtën kohë, plani që kemi parashikuar për ta dhe që nuk është zbatuar nga kjo qeveri përbën edhe bazën e një përqasje të re pas 25 prillit.
Për fat të keq, deri në 25 prill ka një dhe vetëm një rrugë, denoncimi i problematikës dhe kërkesa ultimative që të heqë dorë nga sjellja kriminale dhe të hapë veshët e sytë për shqiptarët që po vuajnë. Për të gjithë shqiptarët. Ata që janë goditur nga tërmeti, ata që ja goditur nga pandemia dhe në tërësi vendin dhe ekonominë që është goditur nga papërgjegjshmëria, nga keqmenaxhimi, keqqeverisja dhe padërdisja e buxhetit të shtetit, në kohë pandemie nga kjo qeveri.
Pyetje: Z. Basha, përpara vitit 2013 Partia Socialiste atëherë në opozitë ka ngritur mjaft akuza për afera korruptive ndaj PD-së në qeveri. Por të gjithë jemi dëshmitarë që momentin që erdhi në pushtet askush nuk shkoi përpara drejtësisë, ose në gjykatë për ato akuza. Sot, por jo vetëm sot, ju si kryetar i PD-së keni bërë akuza të ndryshme dhe në momentin që do të vini në qeveri të gjitha këto afera korruptive, koncesione të ndryshme, PPP, do të shkojnë për ndjekje penale. Z. Basha do ta mbani ju këtë fjalë, sepse çdo qeveri në Shqipëri çdo gjë që ka bërë asnjëherë nuk ka mbajtur përgjegjësi për kohën që ka qenë në qeverisje. Falemnderit.
Lulzim Basha: Një nga ndryshimet kryesore që duhet të ndodhin, që shqiptarët meritojnë dhe pa të cilin asnjë qeveri pas 25 prillit nuk do të arrijë dot të plotësojë asnjë premtim, është dhënia fund e kësaj kulture pandëshkueshmërie. Përse e them kësaj rradhe më shumë se çdo herë tjetër? Sepse nga kjo lidhet ngushtë aftësia e qeverisë për të dedikuar taksat e shqiptarëve për politikat siç kemi ne taksën 9%, minimumin jetik për njerëzit që kanë humbur vendet e punës, platformën tonë për bujqësinë, për sipërmarrjen, etj… të gjithë politikat tona, do të pamundësohen nëse nuk arrijmë dot që 2.2 miliardë Euro kontrata të korrupsionit me PPP, koncesione dhe tendera të zhbëhen dhe përgjegjësi të vendoset përpara ligjit.
Dhe për këtë arsye po ju them, se, sikur asgjë tjetër, javët dhe muajt e parë të kësaj qeverie, me institucione të posatshme ekzekutive, me përvojën më të mirë dhe ndihmën më të specializuar të partnerëve tanë strategjikë me të cilët kam qenë në kontakt prej majit të vitit të kaluar, ne do të bëjmë diçka shumë të thjeshtë, i dashur z. Stafa. Ne do të ndjekim paranë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ku e kanë çuar pushtetarët e korruptuar dhe ortakët e tyre në këto afera korruptive. Ne do të ndjekim paranë qoftë kjo e ngurtësuar, qoftë në ndërtime luksoze në Tiranë apo e pastruar në inceneratorë apo sektorë të tjerë të ekonomisë, apo e çuar në banka offshore apo e futur në dhe’ në stilin e Eskobarit, kudo që të jenë, paraja do të ndiqet dhe ata që i kanë shkaktuar shqiptarëve kaq shumë vuajtje dhe dhimbje para pandemisë, gjatë pandemisë dhe tani në vijim, do të japin llogari një më një. Nëse këto para sot do të shpenzoheshin për njerëzit, Shqipëria do të kishte mundësi që të paktën të kishte një paketë si e Kosovës. Të paktën si e Kosovës. Përse jo, si e Maqedonisë së Veriut? Përgjegjësia e Edi Ramës për këtë situatë është përgjegjësi politike por edhe penale. Ai ka vendosur që paratë të mos shkojnë tek njerëzit. Prandaj thotë se nuk e dëgjoj planin, sepse e ka vendosur tashmë që nuk do t’ia çojë njerëzve lekët. Ose do t’ua japë me pikatore siç ia dha ato dy muaj. Që siç ua dha më një dorë, ua mori me dorën tjetër. Bashkë kemi qenë tek “Myslym Shyri”, kur na i thonin bizneset: “Siç na i jepnin lekët, ashtu do i paguanim”. Prandaj të garantoj se këtu nuk bëhet fjalë as për premtime elektorale, as për fjalë thjeshtë dhe vetëm për konferencë për shtyp. Bëhet fjalë për një çështje jetike nëse do të ketë apo nuk do të ketë nesër një qeveri në gjendje të përballet me krizën. Dhe A-ja e përballjes me krizën është vendosja para përgjegjësisë e çdokujt të përfshirë në këto afera kriminale, ndjekja, gjurmimi dhe rikuperimi i parave me parimin Antimafia, “Ndiq paranë”.
Falemnderit, ju uroj një pasdite të mbarë!