- Basha: Plani me 5 pika, përballje me aspektin shëndetësor ekonomik dhe social të pandemisë.
- Basha: Plani me 5 pika, jo përpjekje për kredi politike, por adoptim i praktikave më të mira të rajonit.
- Basha: Plani me 5 pika, paratë e taksapaguesve për t’u përballur me krizën e thellë shëndetësore e ekonomike, jo për inceneratorët.
- Basha: Vendet e tjera po ndalin edhe investimet e pastra publike; kjo qeveri dhe ky kryeministër vazhdon të vjedhë fondet publike.
- Basha: Kosova u jep sot bizneseve 60 milion euro, Shqipëria nuk u jep pensionistëve një shtesë mujore prej 20 mijë lekësh.
- Basha: Nga 75 milion euro që u janë dhënë inceneratorëve, vetëm një pjesë e vogël është investuar në to.
- Basha: Thirrje SPAK të nisë urgjentisht hetimet për aferën 400 milion euro të mafias së plehrave.
- Basha: Mafia e inceneratorëve është mafia qeveritare. Kjo është vjedhje e shekullit, është monumenti i kapjes së shtetit shqiptar. Pronarët e mediave të refuzojnë mit marrjen dhe mitet e marrjes së plehrave.
- Basha: Ndërkohë që numri i viktimave shtohet nga COVID-i, kryeministri vjedh paratë e shqiptarëve.
- Basha: Anëtarët e SPAK të nisin hetimet për aferën 400 milion, ose të japin dorëheqjen.
- Basha: Me urdhra për të vënë maska dhe larë duart, duan të lajnë duart nesër kur infeksioni të shkaktojë më shumë viktima.
- Basha: Plani me 5 pika, mbulimi i paketës së mjekimit ambulator për të sëmurët në shtëpi
- Basha: Plani me 5 pika, sigurimin e pajisjeve spitalore dhe mjeteve mbrojtëse për mjekët e familjes dhe spitalet rajonalë.
KONFERENCA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA, ME GAZETARËT.
Konferencën e sotme për shtyp, do ta nis me ngushëllimet e mia për viktimat e djeshme, ato të raportuara dhe ato të pa raportuara.
Nuk do të harrojmë që ndërkohë që nga kjo sallë, unë në emër të Partisë Demokratike dhe të opozitës dhe ju si përfaqësues të medias, po bëjmë një betejë të përditshme, për t’i dhënë fund neglizhencës kriminale të qeverisë për marrjen e masave, por nga ana tjetër një tragjedi njerëzore po shpaloset në një numër të madh familjesh shqiptare, duke nisur me ata që kanë humbur të afërmit e tyre, numri i të cilëve po shtohet dhe duke vazhduar me ata që i kanë në rrezik për jetën apo në kushtet e rënda të shtruar, apo në trajtim ambulator.
Ndaj, dua në këtë moment të parë në emrin tim personal dhe në emër të opozitës, t’i ofrojmë ngushëllimet e mia të gjithë viktimave, familjeve të të gjithë viktimave të COVID-it në këto ditë dhe javë, dhe t’ju shpreh solidaritetin tim njerëzor dhe në radhë të parë gjithë familjeve që po vuajnë me të afërmit e tyre të shtruar apo të karantinuar në shtëpi.
Jam i vetëdijshëm se kjo as nuk e lehtëson dhimbjen e tyre, as nuk i rrit aftësinë apo mundësinë e tyre për t’u përballur me këtë gjendje të rëndë, e cila siç vërtetojnë statistikat e djeshme dhe të pardjeshme të vetë shtetit, të cilat tregojnë vetëm një pjesë të problemit, është një gjendje që po vjen duke u thelluar, një krizë, një kolaps i vërtetë që ilustron më së miri domosdoshmërinë urgjente për të ndërmarrë që prej 16 ditësh tashmë, opozita, Partia Demokratike dhe unë personalisht i kemi formalizuar në planin me 5 pika.
Ju kam thënë ditën e parë kur kemi nisur këtë bashkëbisedim se unë nuk do të lodhem të bëj detyrën time, detyrën e opozitës, por nga ana tjetër nuk mund të mos shpreh dëshpërimin dhe revoltën, neverinë nga shpërfillja që po i bëhet nevojave bazike të njerëzve nga një kryeministër dhe një shpurë qeveritare, që ndërkohë që njerëzit dergjen në spitale, ndërkohë që numri i viktimave rritet, ndërkohë që pamundësia e të sëmurëve për të paguar faturën e kripur të ilaçeve për t’u trajtuar nga COVID-I thellohet.
E ndërkohë që sëmurët e tjerë me diagnoza të tjera e gjejnë veten mes dy zjarreve, nga njëra anë ju duhet të kujdesen ata dhe familjet e tyre për diagnozat e tjera dhe nga ana tjetër spitalet kryesore ku pritet të merret ky trajtim, janë kthyer në vatra infeksioni.
E keni parë vetë gjatë ditës së djeshme, edhe pas bashkëbisedimit tonë se si shifrat që qeveria jep, janë në rastin më të mirë kundërthënëse. Shikoni vetëm shpalljen e kapaciteteve të spitaleve të situatës COVID, pra sa shtretër thonë që kemi gati për t’u përballur me këtë situatë dhe do të shikoni gënjeshtrat dhe mashtrimet e përditshme, që tregojnë një nivel kriminal papërgjegjshmërie.
Që kjo qeveri dhe ky Kryeministër gënjen, nuk themi asnjë lajm, asnjë gjë të re.
Që këta kanë gënjyer gjashtë muaj për pandeminë, për shifrat, për trajtimin, për ndihmën, edhe këtu nuk themi asgjë të re. Po që të vazhdojnë të gënjejnë ditë për ditë, në vend që të marrin masa apo të përballen me situatën që po përkeqësohet, kjo duhet të jetë një këmbanë që s’duhet të rreshtë së rëni nga mëngjesi deri në darkë.
16 ditë kanë kaluar kur nga kjo sallë, bashkë me grupin tonë të punës kemi shpalosur paketën, planin me 5 pika për t’u përballur me aspektin shëndetësor dhe ekonomik të krizës që po thellohet.
Atëherë kur shifrat duken se nuk ishin akoma nën kontroll, kërkuam që të merreshin urgjentisht masat që po marrin vendet e tjera të rajonit. Nuk është dhe nuk dua t’u jap kredi, as vetes time dhe as grupit tonë të ekspertëve se po shpiknim rrotën. Jo aspak! Por po merrnim përvojat më të mira të rajonit dhe po i përputhnim me gjendjen e kolapsit shëndetësor dhe ekonomik në Shqipëri. Morëm buxhetin e shtetit dhe pamë se si po shpenzohen paratë e qytetarëve shqiptar, për të mbushur xhepat e mafiozëve të plehrave dhe mafiozëve të rrugëve dhe mafiozëve të naftës, që i ndajnë pastaj me Edi Ramën dhe ministrat e tij.
Dhe ju thamë, për hir të fëmijëve shqiptarë, për hir të prindërve shqiptarë, për hir të të moshuarve, ndaleni këtë barbari dhe këtë vjedhje tani dhe çojini këto lekë aty ku duhen sot më shumë se kurrë në 30 vite ekonomi tregu dhe taksa pagim.
Paratë e taksapaguesve, kurrë më shumë se sot nuk janë të domosdoshme për të ndihmuar ata taksapagues, ata njerëz që numërojnë kacidhet për të blerë ilaçet.
Që shtojnë listat për të marrë ushqimet. Që janë në kufijtë e dëshpërimit absolut që mund të ndjejë një prind kur nuk arrin të plotësojë nevojat më minimale jetike për fëmijët. Përgjigjja cinike nuk tregon vetëm papërgjegjshmëri, por vetëm kriminalitet.
Është kriminalitet të vazhdosh të vjedhësh paratë e shqiptarëve me inceneratorë dhe ju siguroj se herët a vonë, fatura që vjedhja me inceneratorët me tendera dhe korrupsionit dhe me koncesionet, do të jetë dyfish më e lartë për atë, për vetë faktin se nuk e ndali as në kohën kur njerëzit kishin nevojë.
Vendet e tjera po ndalin tendera të pastra, investime të pastra publike, sepse tani është momenti që lekët e shqiptarëve, lekët e taksapaguesve të shkojnë tek nevojat dhe emergjencat shëndetësore dhe ekonomike.
Vendet e tjera kanë bërë rialokime masive në buxhet për të mundësuar një mbështetje sa më të madhe ndaj mjekëve, ndaj infermierëve, ndaj spitaleve, për të krijuar kushtet, që paketa e trajtimit ndaj COVID-it të jetë e përballueshme dhe çdo qytetar që infektohet për të mundësuar që çdo familje të ketë minimumin jetik.
E vetmja qeveri në botë, se edhe në Zimbabve ministrin e inceneratorëve e futën në burg. E vetmja qeveri në botë dhe i vetmi kryeministër në botë që vazhdon të vjedh ditën me diell paratë e shqiptarëve në vend që t’jua çojë 100 mijë të papunëve.
Në vend që të japë bonusin e premtuar, mjekve dhe infermierëve që po strapacohen, pa asnjë mbrojtje, pa asnjë mundësi për të kryer detyrën ashtu siç duhet para pacientëve. Është kjo e Edi Ramës. Për fat të keq një pjesë e madhe e mediave vazhdojnë të censurojnë përveç konferencës time për shtyp, denoncimin tim për aferën e mafies së plehrave, mafies së inceneratorëve.
Mafia e inceneratorëve, e cila ka në përbërjen e saj Edi Ramën, Arben Ahmetajn, Erion Veliajn, figura të krimit të organizuar si Klodian Mërtiri me shokë, sot vazhdon të marrë miliona euro që duhet të shkonin sot për të paguar minimumin jetik për mbi 100 mijë shqiptar që e humbën vendin e punës. Për të dhënë atë çekun prej 1 mijë euro për bizneset e vogla që Kosova po e bën me një paketë prej 60 milionë eurosh.
Për t’ju dhënë pensionistëve 20 mijë lekë në muaj simbolikisht për të përballuar kostot e shtuara të maskave, dezinfektantëve, se në fakt me pensionin që kanë sot mezi paguajnë dritat dhe ilaçet dhe pastaj nuk ju mbetet as për bukën e gojës. Por kjo bandë, kjo strukturë kriminale, ky grup i strukturuar kriminal i përbërë nga Edi Rama, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Klodian Mërtiri, për fat të keq, jo vetëm ka shtrirë tentakulat në buxhetin e shtetit dhe po vazhdon të vjedhë paratë e shqiptarëve, por ka shtrirë tentakulat edhe në një numër të madh mediash.
Po ju them pronarëve të këtyre mediave sot: Janë haram ato para. Janë paratë me të cilat po kushtojnë dhjetëra jetë njerëzish sot e qindra nesër. Ato para mund të shmangnin këtë katastrofë. Ato para mund të shmangnin tavolinat bosh të fëmijëve që shkojnë me barkun bosh për të fjetur, e çohen me barkun bosh për të shkuar drejt shkollave pa mbrojtje.
Refuzojini paratë e mafias dhe denonconi aferën më të madhe kriminale në 30 vite. 400 milion euro të shqiptarëve për mafien e plehrave. Nuk është kurrë vonë për t’u penduar dhe për të refuzuar këtë mëkat, këtë haram. Paratë e shqiptarëve, në kohë pandemie, në xhepat e Edi Ramës dhe mafies së plehrave, Arben Ahmetajt, Erion Veliajt me shokë.
Vetë Ministria e Financave, në një raport të publikuar dhe të rimarrë nga një media e shkruar, që ka patur guximin ta publikojë, tregon qartë se vetëm një përqindje e vogël e parave që kanë marrë nga taksat e shqiptarëve, nga taksat tuaja dhe të miliona shqiptarëve jashtë kësaj salle, është raportuar si e investuar nga kjo mafie.
E kuptoni çfarë po ndodh, apo jo? Vendet e tjera kanë shkuar deri në bllokimin e investimeve publike, që paratë e taksapaguesve të shkojnë te shëndetësia, t’i çojnë te familjet në nevojë, t’i çojnë të biznesi, t’i çojnë të konsumi. Këta në mes të pandemisë vazhdojnë të vjedhin haptazi. Edhe KLSH-ja ka konstatuar të njëjtën gjë.
Nga afro 75 milionë euro, që janë paguar deri tani inceneratorit të Fierit, inceneratorit të Tiranës, inceneratorit të Elbasanit, vetëm një pjesë e vogël, edhe zyrtarisht, raportohet si e investuar. Ku kanë shkuar të tjerat? Kjo është nje pyetje për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK-u.
Dhe sot, jo për herë të parë, as për herë të dytë, po i drejtohem përsëri Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion. Justifikoni ekzistencën tuaj! Keni marrë miliona nga taksapaguesit shqiptarë, taksapaguesit amerikanë, taksapaguesit europianë. Sot është momenti të çoheni për bukën e gojës së fëmijëve shqiptarë e mos tê fshiheni e të flini mbi dhjetëra denoncime dhe dosje të korrupsionit.
I bëj thirrje SPAK-ut të nisë dhe të njoftojë urgjentisht progresin e hetimeve për aferën 400 milionë të mafias së plehrave. Ja ku janë të dhënat, raporti i KLSH për aferën e inceneratorëve mafias së plehrave. Kjo është vetë Ministria e Financave, vete Ministria e Financave.
Të dhënat publike e tregojnë se ka marrë para me lopatë dhe kanë bêrë sikur kanë investuar me pikatore, i kanë futur në xhep, i kanë ndarë me politikanët që bashkëpunojnë për afera mafioze. Edhe kjo, raporti vjetor i përmbledhur 2019, performanca e kontratave të konçesioneve të partneritetit publik-privat. Dokument zyrtar i qeverisë së Edi Rames.
Si mundet ndërkohë që numri i të infektuarve sa vjen e shtohet, ndërkohë që numri i viktimave sa vjen e shtohet, ndërkohë që njerëzit flasin me veten në rrugë po të dalësh jashtë ti shikosh dhe nuk dinë nga tia mbajnë për shpenzimet e ditës, të pranojmë që një kryeminister dhe një grusht politikanesh me nje grusht mafiozësh të vazhdojnë të vjedhin paratë e shqiptarëve. Si mundet të pranojmë që në këtë vend ka një reformë në drejtësi ku 75 milione euro e taksave janë përpirë nga një aferë korruptive dhe struktura e posaçme anti-Korrupsion nuk lëviz as gishtin.
Nuk lëviz gishtin. Çfarë janë këta? Janë pa zot? Janë të frikësuar? U çuan atje si ndër më të aftët e prokurorëve. Ju është dhënë mbrojtje special kundër mafies, marrin rroga të majme. Sot duhet të japin përgjegjësi para shqiptarëve ose të japin dorëheqjen të gjithë e t’i tregojnë shqiptarëve që SPAK nuk ka, SPAK s’ka aspak.
Çfarë presin? Të marrin njerëzit fatin e tyre në dorë? Është një institucion i investuar me përgjegjësi nga Kushtetuta, nga reforma në drejtësi, nga institucionet e huaja ndërkombëtare, nga partnerët tanë strategjik.
Sot duhet të dalin dhe t’u thonë shqiptarëve: a ka filluar apo jo hetimi, kush janë të pandehurit, çfarë veprime hetimore kanë bërë, se dhe gazetari më i ri investigative e ka nxjerrë hapur vjedhjen që bëhet me milonat e shqipëtarëve në kohë pandemie. Edhe po të ishim në kohë më të mirë dhe mos të kishte krizë ekonomike, ky krim i rëndë duhet të ishte hetuar dhe përgjegjësit duhet të ishin vënë para ligjit, ndërkohë vazhdon vjedhja.
Paguan vetëm javën e kaluar dy milionë euro dhe s’lëviz gishtin asnjë prokuror. Miliona euro të shqiptarëve po vazhdojnë të vidhen nga Edi Rama nuk ka balet e cirk estradë dalë boje ta fshehë këtë. Ky është një krim i rëndë kundër shqiptarëve, është një krim kundër jetës dhe shëndetit të tyre, ndaj edhe njëherë dua të përsëris planin tonë me pesë pika, që sot më shumë se kurrë ka nevojë të nisë të zbatohet menjëherë dhe këto fonde që vidhen edhe përpihen nga këto monstra të korrupsionit qeveritar dhe të krimit të organizuar, që janë paratë e shqipëtarëve të shkojnë tek shqiptarët, duke nisur me shëndetësinë.
Sa kohë kam që kërkojë 2500 testime në ditë, pse nuk shkojnë lekët për të blerë pajisje të mjaftueshme, për testimin e shqiptarëve masivisht, për të pasur skuadra të mjaftueshme, që sa herë që testohet dikush pozitiv, ambjenti i tij, i kontakteve të hetohet, personat të testohen, të izolohet. Çfarë presim? Të infektohet e gjithë Shqipëria? Dhe pastaj thonë, ju thamë vini maskën. I marrin shqipëtarët për budallenj.
Kjo nuk është çështje as maskash, as maskash, as gjobash. Kjo është çështje vjedhjeje dhe dështimi, me qëllim i një qeverie dhe i një Kryeministri, që e ka mendjen edhe në kohë pandemie të mbushë xhepat.
Pa diskutim që prej ditësh së parë të pandemisë, i kam bërë thirrje dhe i bëj thirrje qytetarëve të marrin gjithë masat që mund të marrin vetë, sepse siç e shikoni, këto mostra e kanë lënë shoqërinë në mëshirë të fatit. Ju kanë lënë juve si prindër në mëshirë të fatit. I kanë lënë fëmijët tuaj, fëmijët tanë në mëshirë të fatit. Aq sa mund të bëni, duhet patjetër ta bëni që nga maskat, që nga distancimi social dhe higjienën, pa diskutim. Kush ju thotë të kundërtën nuk bën mirë. Po ky është minimum i minimumit.
Detyrat e qeverisë nuk është thjesht dhe vetëm t’ju thonë mbani maskën, apo akoma më keq t’ju kërcënojnë me gjobë. Është të investojnë në ato segmente të shoqërisë që nuk kanë mundësi ta blejnë maskën, se s’kanë mundësi të blejnë bukën e gojës. Është të investojnë, të testojnë masivisht qytetarët dhe të hetojnë çdo rast e përgjegjësi.
Është të mbrojnë mjekët, po sëmuren, po infektohen, bashkë me infermierët dhe personelin shëndetësor. Përgjegjësia e tyre është që sot, jo kur të ketë shkuar gjithçka në kolaps total, është të ndihmojnë njerëzit që kanë humbur çdo të ardhur dhe bukën e gojës për shkak të vjedhjes dhe batërdisjes me tendera sekretë në kohë pandemie me inceneratorët e plehrave dhe mafien e plehrave gjithashtu. Dhe me rrugë rrugë të florinjta me 5 milion euro kilometric, siç është afera e fundit e Korçë- Leskovik. Pika e parë dhe kryesore jetike për aftësinë e sistemit shëndetësor për t’u përballur, është mbështetja dhe përgatitja e sistemit shëndetëso, ku e para dhe më kryesorja mbetet rritja e numrit të testimeve në të paktën 2500 në ditë si dhe financimi i aparatit të plotë të ndjekjeve, gjurmimit, izolimit të rasteve të infektuara, të shoqëruar me rimbursimin e plotë për mjekimin ambulator për ata që mund ta përballojnë infektimin në shtëpi.
E përsëris, mjekimi ambulator në rastin më të pakët 600 mijë lekë të vjetra. Ka ilaçe që kanë dalë edhe në tregun e zi, që duket se ka një efektivitet më të lartë, të paktën kështu thuhet e kushtojnë deri në 800 e deri në 1200 Euro një pako. Në vend që të marrë të gjitha masat për të patur një paketë sa më efektive antibiotikësh, anti-viralesh e çfarë tjetër ka kjo paketë të ta ofrojnë falesh, totalisht të rimbursueshme për çdo të sëmurë me COVID, vazhdojnë të vjedhin e të përqeshin vetveten.
Sigurimin e paisjeve mbrojtëse për gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore 16 ditë që kur e kemi rishpallur, 6 muaj që kur e kemi kërkuar prej fillimit, ndryshe do të ishte puna nëse mjekët e familjes prej fillimit, ndryshe do të ishte puna, nëse mjekë të familjes prej fillimit do të ishin pregatitur, me protokolle, me masa mbrojtëse, trajtuese, që të jenë edhe ato pjesë e plotë e përballjes me pandeminë.
E njëjta gjë vlen dhe me spitalet rajonale. Dy spitalet COVID janë në kolaps total. I treti, mure të lyera si çdo tjetër premtim i pambajtur, por koha nuk pret. Dy spitale të tejmbushura plot e për plot, ndërkohë që numri i infeksioneve vazhdon të rritet. Thashë që pardje kishim një rekord, dje kishim një rekord tjetër.
Sa do të vazhdohet kështu?! Bonusi 1000 euro për mjekë, 500 euro për infermierë. Mos kujtoni se 6 muaj betejë dhe braktisje nga qeveria e kanë bërë, i kanë kalitur mjekë dhe infermierët. Jo, jo janë të rraskapitur, janë të kalitur dhe minimum që një qeveri ka për detyrë të bëjë, është bonusin e premtuar. T’i mbrojë sa është e mundur me pajisje mbrojtëse dhe ti motivojë në këte luftë për jetë a vdekje të 10-tra ndoshta 100-nda të bashëkqytetarëve. E dyta, siç e keni pare, lajme të trishta kanë ardhur edhe sa i përket personelit pedagogjik.
Viktima që nga drejtor shkollas, të sëmurë që nga mësues dhe edukatorë dhe kjo është pika e dytë e planit tonë me 5 pika prej 16 ditësh. Kërkesa që fëmijët të arsimohen të sigurt, duke garantuar përmirësimin e kushteve sanitare në shkolla, duke përfshirë furnizimin me ujë që vazhdon të mungojë në 70% të shkollave, ndërkohë qe ky inaguron aeroporte, që ky inaguron aeroporte 3D në çdo qytet. Pajisje me maska mbrojtëse dhe dezinfektim i rregullt të ambienteve mësimore. Maskat mbrojtëse të jenë, të mundësohen për të gjithë edhe për ata që s’kanë mundësi t’i blejnë, edhe në veçanti për familjet në nevojë, për fëmijët e familjeve në nevojë.
Testimi periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës dhe investimi në teknologji nuk do të thotë të bredhësh, të gjesh një shkollë e të bredhësh duke shpërndarë 4 apo 5 tabletë, për të bërë fushatë mbi mjerimin që e ke mbjellur vetë këto 7 vite, por do të thotë në mënyrë të organizuar e të strukturuar, të prokurosh mjaftueshëm tableta dhe të mundësosh që çdo fëmijë shqiptar, në rast të një skenari kur duhet të kalojmë tek mësimi në distancë, mos të mbetet pas, por të ketë mundësinë të ndjekë mësimdhënien përmes tabletave. E treta, ka të bëjë me kolapsin ekonomik.
Asnjë shqiptar të mos lihet pasdore. Të nisë mbështetja urgjentisht me atë numër që po vazhdon të rritet nga dita në ditë prej më shumë se 100 mijë shqiptarësh, të cilët nuk kanë asnjë të ardhur, nuk kanë asnjë shpresë për të ardhur, të cilët tashmë nuk arrijnë dot të paguajnë as me lista as ushqimin, as ilaçet, as dritat dhe as minimumin për fëmijët e tyre. 160 mijë lek të vjetra apo 16 mijë lekë të reja në muaj për 6 muajt e ardhshëm për çdo shqiptar që ka humbur vendin e punës. Një fond punësimi për t’i mundësuar çdo biznesi një pagesë prej 20 mijë lekësh të reja, 200 mijë lekë të vjetra për çdo person që e rimerr në punë për 6 muajt e ardhshëm.
Dyfishimin e ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe rifutjen në këtë skemë të qindra mijërave familjeve të hequra padrejtësisht, që sot janë lënë në mëshirë të fatit më shumë se kurrë më parë. Dhe një çek prej 2 mijë lekësh të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj me radhë për çdo pensioniste dhe pensionist shqiptar.
Katër, biznesi i vogël ju përmenda, Kosova 60 milionë euro paketë. Kemi kërkuar prej 16 ditësh një çek 1 mijë euro për çdo biznes të vogël, që ka minimum një të vetëpunësuar, por shkojnë dhe dy edhe tre, që të mbajnë kokën mbi ujë, që të mos vazhdojë falimentimi me ritmet që është paralajmëruar nga Banka Botërore prej 6 në 10 biznese dhe së fundmi, mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj për 6 muajt e ardhshëm. Subvencionimin e 50% të qerasë për ambientet e punës ose heqjes së taksës së pronës për bizneset pronare të ambjenteve të punës dhe shtrirë në kohë dhe rikonceptimin e kritereve të përfitimit nga të dyja skemat e garancisë sovrane, në mënyrë që çdokush që ka nevojë të ketë akses dhe ta përballojë kredimarrjen për të mbajtur biznesin hapur dhe për të mbajtur njerëzit që punëson në marrëdhënie pune.
Pyetje: Z. Basha keni më shumë se dy javë që keni prezantuar planin tuaj me 5 pika, por nga ana tjetër kryeministri Rama shprehet se nuk e ka dëgjuar këtë plan. A jeni i gatshëm ju z.Basha që të bëni një debat publik me kryeministrin për të folur për këtë çështje, e cila është mjaft e rëndësishme për kohën që po jetojmë?
Lulzim Basha: E para e punës që gënjen si derr! Sepse siç e shikon kur është puna për të bërë karagjozllëqe që e karakterizojnë, 22 vjet me karagjozllëqe e ka shtyrë, atëherë rri me laps në dorë dhe merret me lapsuset e mia.
Pra, nuk është e vërtetë që nuk e ka dëgjuar planin. E ka dëgjuar. Gënjen si derr! Se pse gënjen besoj e keni të qartë. Se po të zbatojë këtë plan nuk i merr dot baulet e eurove nga mafia e plehrave dhe nga klientët e rrugëve të florinjta.
Prandaj i bëj edhe një herë thirrje SPAK-ut, të nisë urgjentisht hetimin dhe të informojë publikisht për këtë interes esencial publik, qytetarëve shqiptarë ku janë me hetimin.
Faktet janë ashiqare, para syve të të gjithëve. Edi Rama duhet ta bëjë këtë debat me prokurorët dhe t’u tregojë atyre : Çfarë e ka shtyrë që të paguajë 75 milionë euro mafies së plehrave? Ndërkohë që vetëm një fraksion i tyre është investuar dhe të tjerat as nuk janë investuar fare, janë zhdukur, janë vjedhur.
Çfarë e shtyn që javën e kaluar, në mënyrë të përsëritur, të paguajë 2 milionë euro mafies së plehrave, mafies së inceneratorëve. Ndërkohë që thirrjet e dëshpëruara të shqiptarëve për ndihmë sa vijnë e shtohen.
Sa për mua, ua kam thënë por po e përsëris, kërkesën për debat e ka prej 2006-ës. Por mos kini shpresë se njeriu që ka frikë edhe nga fjala brenda partisë së tij, nga fjala ime ka tmerr. Kështu që mos prisni që të pranojë ftesën time për debat.
Pyetje: Z.Basha krahas kërkesës që i bëni SPAK për të nisur hetimet për inceneratorët, a zotoheni që kur të vini në pushtet do t’i anuloni këto kontrata koncensionare të inceneratorëve?
Lulzim Basha: Anulimi i këtyre kontratave është minimumi, është gjëja më e parë dhe më sigurt. Dhe po ua përsëris atë që ju kam thënë para tre ditësh, mekanizëm anti mafia “Ndiq paranë”, kudo që ta kenë çuar; nga Zimbabve në Honululu e në Alaskë, kudo që ta kenë çuar do ta ndjekim me agjencitë tona që do të merren full-time me këtë punë dhe me agjencitë e specializuara të partnerëve tanë strategjikë.
Pyetje: Z.Basha dy ditë më parë, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka deklaruar se SPAK është shpresa e fundit për sa i përket drejtësisë. Sot ju keni përdorur një gjuhë të ashpër dhe iu keni kërkuar atyre që të nisin punë, duhet të justifikojnë detyrën që kanë marrë përpara shqiptarëve. A mendoni se ka dështuar reforma në drejtësi duke parë ecurinë e deritanishme të SPAK?
Lulzim Basha: “Duhet të justifikojnë edhe mbështetjen e partnerëve strategjikë”-e thash dhe po e përsëris : Duhet të justifikojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Duhet të justifikojnë besimin e investuar e në veçanti të partnerëve strategjikë SHBA dhe BE. Nuk ka aferë më kriminale se kjo.
Ka shumë korrupsion në Shqipëri, çdo raport e thotë këtë. Dhe të gjitha aferat duhet të hetohen nga fillimi deri në fund. Por një vrasje që po kryhet në sytë e të gjithë shqiptarëve, një krim makabër që po kushton jo një, por dhjetëra jetë shqiptarësh, shëndetin e qindra, mijëra të tjerëve. Sepse lekët që duhet të shkojnë tek ta, vazhdojnë të shkojnë tek mafia e plehrave, ku janë të përfshirë dhe janë bashkë krimi i organizuar dhe politikanët drejtues të qeverisë, duhet të kishte nisur me kohë hetimi.
Duhet të nisë hetimi dhe çdo shprehje e pritshmërisë që partnerët ndërkombëtarë i kanë dhënë mbështetje SPAK-ut, si ajo që cituat, tregon të njëjtën gjë që po them edhe sot unë: Po mbaron durimi!
Po mbaron durimi, duhet të justifikojë veten dhe milionat që janë investuar në këtë strukturë. Duhet të nisë urgjentisht hetimin për këtë aferë që e ka marrë vesh i madh e i vogël. Që është shprehja më e qartë e kapjes së shtetit shqiptar nga mafia dhe krimi organizuar. I kapjes së kryeministrit shqiptar nga mafia e plehrave. Dhe kur të fillojnë hetimin, këto që kemi thënë deri më sot, janë vetëm gjysma e asaj që do të zbulojnë. Do të zbulojnë Ambrozia, sepse inceneratorët janë projekltuar në një kapacitet shumëfish më të madh se sa plehrat e Shqipërisë, sepse plani ishte për të sjellë edhe plehrat e Italisë.
Do të zbulojnë dhe rizbulojnë se si paratë e taksapaguesve të Durrësit duna t’i çojnë tek inceneratori i Tiranës dhe ju thash edhe dje, duan të shkarkojnë kryetarin e tretë apo të katërt të Bashkisë së Durrësit dhe të çojnë atje një deputete, Milva Ikonomin, për të firmosur një kontratë me inceneratorin e Tiranës në vlera marramendëse.
Do të zbulojnë se këto kompani janë të regjistruara në një sistem të ndërlikuar kompanishë kuackë jashtë Shqipërisë, për të fshehur përfituesit e vërtetë.
Do të zbulojnë po kështu se kanë investuar dhe do të vazhdojnë të investojnë për të mbyllur gojën e medias shqiptare në forma dhe mënyra nga më kriminalet. Por, le ta fillojnë hetimin menjëherë dhe të vënë përpara përgjegjësisë këdo që në kohë pandemie vazhdon të ushqejë mafian e plehrave me para.
Interesi im akut, nuk dua ta fsheh, nuk është përfundimi sa për të larë gojën e një jetimi që do të kërkojë kohën e vetë, dhe nuk dua të kursej askënd që është përfshirë, por është “Plani me 5 pika”, është ndalja e hemoragjisë së lekëve të shqiptarëve në drejtim të mafias së plehrave, mafias së rrugëve të florinjta dhe kthimi i këtyre parave tek shqiptarët, tek shëndetësia, tek mjekët, tek infermierët, sepse koha nuk pret.
Sepse çdo minutë na kushton jetën dhe shëndetin e bashkëqytetarëve tanë.
Pyetje: Cilët janë përfaqësuesit e medias z. Basha të përfshirë në mafian e plehrave pasi akuzat tuaja konsiderohen si sulme të medias të lirë.
Lulzim Basha: Unë kam respektin më të madh për çdo gazetar që ndodhet sot këtu dhe për të gjithë gazetarët shqiptarë. Unë e di se pjesa më e madhe e mediave në nivelin e redaksive dhe në nivelin e pronarëve janë nën presion kriminal nga qeveria. Ndaj, ajo që ju drejtoj sot pronarëve të mediave është, të refuzojnë mit marrjen dhe mitet e marrjes së plehrave. Le ta nisim me një test të thjeshtë, kush do ta transmetojë të plotë denoncimin tim sot, e kush jo. Shqiptarët nuk janë budallenj, shqiptarët nuk janë syleshë, kanë sy për të parë, kanë veshë për të dëgjuar dhe e kuptojnë fare mirë se kujt i ngel sharra në gozhdë kur flitet për inceneratorët.
Unë sot dua t’i inkurajoj edhe ata që mund të jenë vënë nën presion nga mafia e inceneratorëve dhe që është një mafia qeveritare, nuk është thjesht krim i organizuar, se të ishte vetëm krimi i organizuar nuk do të arrinte deri këtu. Këtu i ka sjellë Edi Rama. Edi Rama i ka sjellë deri këtu.
Të mos ngurojnë, le të pendohen, të gjithë e dimë se në çfarë situate është vendi, por ta bëjnë këtë, s’ka nevojë t’i kërkojnë falje shqiptarëve, por ta bëjnë si hap të parë për të mos censuruar këtë aferë të tmerrshme korruptive. Këtë vjedhje të shekullit, që është monumenti i kapjes së shtetit shqiptar.
Çfarë është kapja e shtetit?
Kur interesa okulte, në këtë rast, krimi i organizuar dikton vendimmarrjen e qeverisë dhe nuk ka rast më të qartë ku interesat e krimit të organizuar diktojnë vendimmarrjen e qeverisë, se sa rasti i aferës së inceneratorëve.
Kemi prej 2017-ës që e denoncojmë. Kemi bërë gjithçka për ta parandaluar. Sot është kontrasti më therrës, prandaj e sjell dhe e risjell si shembull, sepse me ato para, fare mirë, Tetori, pse jo edhe Nëntori mund të ishte zbatuar Paketa jonë me 5 pika, për shëndetësinë, fëmijët, mjekët, qindra mijëra të papunë, pensionistët, sipërmarrjen e vogël dhe ekonominë në tërësi.