Koordinatori Salianji dhe banorët e rrethit të Hasit denoncojnë politikat korruptive të qeverisë me arsimin 

 

Partia Demokratike denoncoi skandalin me arsimin në rrethin e Hasit, ku që prej fillimit të vitit të ri shkollor fëmijët e këtij rrethi nuk bëjnë më shumë se 2 orë mësim për shkak se mësuesit janë pezulluar masivisht nga puna. Koordinatori për Ndihmë Ligjore dhe Denoncimet në PD Ervin Salianji vizitoi banorët e zonës dhe Shkollën e Mesme në Komunën Golaj dhe pa nga afër kushtet mjerane të arsimit në këtë rreth, ku prindërit dhe fëmijët ishin tepër të shqetësuar që nuk bënin më shumë se 2 orë mësim në ditë.  Banorët e zonës u shprehën se Drejtoria Arsimore e Rrethit ka pezulluar nga puna mësuesit në mënyrë masive  dhe nuk i ka zëvëndësuar ata, duke lënë në mëshitë të fatit fëmijët e tyre. 

“Unë jam kryeplaku i fshatit dhe drejtuesi i furgonit të fëmijëve. Ka 15 ditë që fëmijët vijnë në orën 8, dhe në orën 10 i hipin makinës për në shtëpi. Nuk e dimë se ku janë mësuesit. Jemi zonë malore dhe kemi dimrin para”, u shpreh kryeplaku I fshatit. 

“Unë jam një prindër i fshatit Golaj dhe kam 3 fëmijë në këtë shkollë. Ka 2 javë që nuk bëhët mesim i rregullt. Këtu mungojnë 9 apo 10 mësues. Unë i bej thirrje qeverisë, kush e ka për detyrë, që t’i sjellë sa më shpejet mësuesit në këtë shkollë”, tha një prind i zonës.

Kryetari i Bordit të Prindërve në këtë shkollë u shpreh se ankesat e tyre nuk kanë marrë asnjë përgjigje ndonëse u janë drejtuar të gjitha autoriteteve përkatëse të arsimit. 

“Komuniteti i këtij fshati është shumë i shqetësuar këtë vit për personelin arsimor, të cilët Drejtoria Arsimore e rrethit Has i ka sjellë me mangësi. Nuk ka sjellë strukturë dhe ne jemi shumë të shqetësuar për këtë gjendje të shkollës së mesme në Golaj. I jemi drejtuar drejtorisë Arsimore, edhe Drejtorit të shkollës, dhe asnjë zgjidhje nuk ka. Jemi shumë të shqetësuar si komunitet për fëmijët tanë që mësojnë këtu”, tha kryetar i Bordit të prindërve të shkollës, Sulejman Brati.

Koordinatori Salianji u shpreh se situata e arsimit në rrethin e Hasit tregon qeverisjen e vertetë në vend, e cila nuk ka kursyer as pezullimin masiv të mësuesve nga puna. Duke e cilësuar një skandal të rëndë që fëmijët e Hasit nuk po arsimohen dot për shkak të kësaj drame qeveritare, Salianji kërkoi shkarkimi i drejtorit të Arsimit në këtë rreth ndërsa shtoi se ky realitet tregon se si po qeveriset vendi, krejt ndryshe nga realiteti virtual i medias sociale që paraqet Kryeministri. 

“Jemi sot në një nga shkollat e mesme të rrethit të Hasit. Siç e dëgjuat nga qytetarët dhe banorët e zonës, por edhe nga nxënësit e kësaj shkolle, qeveria, pavarësisht se prej 3 javësh ka filluar mësimi për shkollat 9 vjeçare dhe të mesme në të gjithë Republikën e Shqipërisë, në rrethin e Hasit qeveria nuk sjell mësuesit për të vazhduar procesin normalisht për arsye se do që t’i mbushë shkollat me mesues të rilindjes, me mësues militantë, duke zëvëndësuar profesonistët me militantët partiakë. Duke i detyruar mësuesit profesionistë që të japin dorëheqjen pa u dhënë vendimin e largimit, dhe duke lënë këta nxënës dhe këto familje pa mësimdhënie. Nuk besoj se ka pamje me dramatike se sa sa të shohësh  nxënës të rinj të cilët vijnë në shkollë për të mësuar dhe përfundojnë të paktën duke luajtur futboll, duke bërë edukim fizik me mjete të tjera alternative për të shtyrë ditën. Ndërkohë që shkolla, drejtoria, ministria e Arsimit, dhe kjo qeveri nuk merr asnjë masë. Sepse kjo qeveri, armikun më të madh ka arsimin, armiqtë me të mëdhenj ka profesionistët. Kjo qeveri rrezikohet nga profesionistët sepse ata nuk lejojnë që administrata, politika dhe parlamenti, të mbushet me kriminelë, të mbushet me persona të inkriminuar, dhe persona të cilët janë njerëz të afërt të dyshes Rama-Meta. Siç shihet qartë, sot pas një viti qeverisje, janë krijuar dy realitete në Shqipëri. Një realitet që është realiteti i facebook-ut, i televizionit dhe i fasadës së kryeministrit, dhe realiteti që gjendet në çdo cep të Shqipërisë si në këtë zonë që ndodhet larg kryeqytetit, dhe kryeministri me ministrat nuk vijnë ta vizitojnë sepse këtu nuk ka det, nuk ka asnjë resort turistik ku kryeministri dhe ministrat e tij të vijnë e të mblidhen për t’u argëtuar e për të kaluar ditën. Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë, që të marrë masa të menjëhershme, të shkarkojë në mënyrë të menjëhershme drejtorin e Drejtorisë Arsmore të Rrethit të Hasit, dhë të zëvëndësojnë mësuesit për të krijuar kushtet më minimale të gjithë nxënësje dhe banorëve të kësaj zone, për të mos lënë asnjë shteg as banorëve, as ndonjë ndonjë njeriu që ky mund të jetë diskriminim, së paku politik”, tha Salianji.