• Kallëzim penal edhe për inceneratorin korruptiv të Elbasanit, PD: Për kompaninë e sapokrijuar, qeveria miratoi të gjitha procedurat e koncesionit për 24 orë.

 

  • PD: SPAK të tregojë pavarësi. Kërkohet pezullimi nga detyra i Edi Ramës dhe vartësve të tij për të mos ndikuar në hetimin e çështjes më të madhe korruptive të qeverisë në ikje.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENDRI HASA DHE ÇLIRIM GJATA PAS DORËZIMIT TË KALLZIMIT NË SPAK

 

Endri Hasa: Sapo depozituam sot një kallëzim për inceneratorin e Elbasanit. Ky incenerator pavarësisht se vitet kalojnë, afera e madhe korruptive që i hapi edhe rrugën aferës së madhe korruptive, megaaferës së inceneratorëve, pavarësisht se është denoncuar prej vitesh akoma nuk ka patur asnjë lëvizje për të dhe asnjë hetim nga drejtësia.

Sot kërkojmë nga SPAK të marrë përgjegjësi dhe të hetojë historinë se si një kompani e sapokrijuar në pronësi të Stela Gugalli papritur aplikon për një koncension për incenerimin dhe të nesërmen qeveria hap garën automatikisht për këtë koncesion.

Kompania e sapokrijuar me një kapital prej vetëm 1000 euro aplikoi pa patur asnjë eksperiencë dhe gjithë shteti u ngrit në këmbë për t’i dhënë koncesionin. Aq i rëndësishëm ishte ky person për qeverinë e Edi Ramës, saqë ajo vendosi që të anashkalojë çdolloj procedure dhe ligji dhe të kryejë gjithçka në vetëm 24 orë.

Më 16 dhjetor 2014 kompania “Albtech Energy” u shpall fituese pavarësisht afateve ligjore prej 7 ditësh, u mbyll afati i ankesave po më 16 dhjetor. U dërgua për mendim në të gjithë ministritë e linjës kontrata dhe po në datën 16 dhjetor u mor përgjigjja nga të gjitha institucionet. Dhe po në datën 16 dhjetor u hartua, u negociua dhe u firmos një kontratë me plot 40 faqe po në datën 16 dhjetor.

24 orë më vonë, në mëngjesin e datës 17 dhjetor 2014 kjo kontratë e lidhur për inceneratorin e Elbasanit për t’i dhënë paratë firmës së Klodian Zotos u miratua në mbledhjen e datës 17 dhjetor.

Një eficiencë të tillë qeveritare nuk e kemi parë kurrë më parë. Një eficiencë të tillë për procedurat nuk e kemi parë as në rastin e tërmetit, as në rasti e pandemisë apo në asnjë rast tjetër kur me të vërtetë vendi ka patur emergjencë.

Emergjenca qeveritare dhe eficenca qeveritare ka qenë vetëm për një arsye sepse e gjithë qeveria u ngrit në këmbë për t’i dhënë 23 milionë euro nga taksat dhe nga paratë e shqiptarëve për inceneratorin e Elbasanit për t’i çuar në xhepat e qeveritarëve dhe në xhepat e Klodian Zotos.

Cila është arsyeja që kjo qeveri kreu një sërë të gjatë veprimesh proceduriale me një nxitim kaq të madh dhe vetëm në një ditë ?

Ky është një grup i strukturuar kriminal që i ka kushtuar buxhetit të shtetit deri më sot vetëm për rastin e Elbasanit 23 milionë euro të cilat janë vjedhur dhe janë çuar në drejtim të paditur. Të gjithë përgjegjësit për këtë aferë korruptive e kanë vendin në burg dhe duhet të shkojnë në burg.

Çlirim Gjata: Pa dashur të përsëris atë çka tha ish deputeti Endri Hasa, pa dashur të përsërisim atë çka kemi thënë dje dhe gjithë këto ditë, por është e pamundur të mos përsëritet, por janë të njëjtat shkelje të bëra, si të thuash “copy paste”, e njëjta dorë; nga njëra anë është qeveria, nga ana tjetër janë të njëjtët persona por diku fusin gruan bashkëjetuese, diku një kompani të sapokrijuar, e të tilla gjëra.

Përse e fiton këtë lloj tenderi një kompani e cila regjistrohet 1-3 ditë para se të fitojë tenderin, nuk ka kapital vetëm 1000 euro, ndërkohë që merr nga qeveria 23 milionë euro, pa garë dhe pa eksperiencë.

Tani të dalë prokuroria dhe të thotë : “Këto nuk janë në kundërshtim me ligjin”. Në qoftë se del një zyrtar, një prokuror dhe thotë: “O zotëri këto fakte nuk janë në kundërshtim me ligjin”. Dakord, hajde ta diskutojmë, por ama nuk besoj se del kush dhe të thotë se: “Ky tender i zhvilluar në këtë formë nuk është në kundërshtim me ligjin.”

Momenti tjetër është se mirë që kanë bërë një binar aty, kanë bërë një gropë të zezë aty ku e trumbetojnë me të madhe inceneratorin e Elbasanit.

Por çfarë ndodh?

Në bazë të kontratës, ajo godinë atje, ai investim duhet të prodhonte 313 ditë energji. S’po i hyj sa kilovat orë, etj. të gjithë janë këto të përcaktuara. Prandaj duhet një hetim. Hetimi nuk është i vështirë , është voluminoz, ka dokumenta por nuk është i vështirë, është i thjeshtë këtë rast, vetëm do vullnet ligjor.

 

Ky incenerator duhej të prodhonte tash tre vite 313 ditë energji për 3 vjet bëjnë 939. Doni të dii sa ka prodhuar? Vetëm 22.

 

Dikush nuk e pranon këtë, jo janë më shumë, jo janë më pak, aq sa ka në kontratë nuk ka prodhuar, askush nuk del ta thotë që aq sa kemi vënë në kontratë, aq kemi prodhuar.

 

Ne po themi 22 ditë, 7 ditë e 8 orë në vit.

 

Kaq ka prodhuar energji.

 

A duhet ta hetojmë? Koncesionin nuk është se e ka bërë privati me paratë e veta dhe t’i thotë shtetit, po prodhoj energjinë, benefitet i ndajmë dhe ti gradualisht për 7 vjet do të mi japësh prapë. Jo, ia ka dhënë buxheti i shtetit paratë.

 

Na këto para, bëje atë incenerator. Shteti ta bënte me prokurim të drejtpërdrejt vetë, ç’nevojë kishte ta jepte me koncesion kur privati nuk ka paguar asnjë lek, nuk ka nxjerrë asnjë lek nga xhepi, gjithçka është marrë nga buxheti i shtetit.

 

Ku janë parë koncesione të tilla?

 

Pa folur për pafundësi shkeljesh, pa hyrë në Ligjin e Mjedisit, mungesa e studimit të fizibilitetit, kush e kërkoi këtë lloj koncesioni? Kush ra dakord? Ka një strategji qëq duhet t’i trajtojë mbetjet me incenerim. Ndërkohë që nga BE ka një direktivë të drejtuar posaçërisht Shqipërisë, jo me incenerim mbetetjet. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë sepse e kanë si përvojë të keqe. Ata mund të kenë me incenerim por kanë vite e vite, janë sipërfaqe dhe popullsi shumë të mëdha.

 

Në Shqipëri thotë, nuk mundet sepse mund të sjellë dëm shumë më të madh se sa ajo që mund të kërkohet.

 

Duhet vullnet ligjor dhe paanshmëri, pavarësi ligjore nga institucionet, prokuroritë, SPAK, për t’u hetuar.

 

Pyetje: Besoni tek ky vullnet ligjor?

 

Çlirim Gjata: Të shohim tani, përse po bëhet kjo Reformë në Drejtësi. Ne po presim  se ndryshe nuk kishim ardhur. Shenjat nuk kanë qenë të mira për disa raste përpara këtyre, por të shohim. Po presim.

 

Pyetje: Një grup kriminal ka ndrejtues, ka anëtarë, me role specifike. Ju lutem kush është drejtuesi i këtij grupi kriminal, cilët janë anëtarët dhe cilat janë rolet e secilit?

 

Çlirim Gjata: Jua lexova se edhe dje më pyete. Grupi i strukturuar kriminal ka disa nene në Kodin Penal, fillon me nenin 28, 333a, 334. Kryetari është Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i këtij grupi. Ja ku i keni. Në këtë kallzim kemi vënë Edi Ramën, Arben Ahmetaj, Lefter Kokën, Stela Gugalli, administratore, të cilën e përmendi edhe z.Hasa se si kishin vajtur procedurat. Të gjitha janë të sqaruara në kallzim. Ne presim hetimin. Janë disa gjëra që ju duhet të insistoni dhe shpresoj dhe kam besim se do të insistoni tek SPAK. Çfarë po bëhet me këto. Të na kthejnë një përgjigje, të na thonë, kemi bërë këtë hetim, kemi shkuar deri atje. Më thuaj një dokument, një element i kësaj megaafere korruptive që s’ka dalë në media. Çfarë sekreti hetimor mund të ketë këtu. Mirë është që SPAK të shikojë edhe ato që i kemi kërkuar ne, marrjen e masës së sigurimit, që është pezullimi nga detyra e këtyre personave për arsyen që vetë Prokuroria e ka përdorur shpesh, të prishjes apo fshehjes dhe shkatërrimit të provave.

 

Pyetje: A mos është e vonuar kjo ndërmarrje e juaja? Kallzimi i parë në SPAK është bërë që në muajin  gusht, përveç deklaratave publike të selisë blu?

 

Çlirim Gjata: Dakord, ne jemi të këqinjtë. A ka megaaferë këtu qindra miliona euroshe që po vidhet? Kjo është e rëndësishme tani. E kemi sjellë të enjten, të mërkurën, dje, apo pardje, apo pasnesër.

Nuk besoj se është kjo kryesore. Kemi tre vjet që e denoncojmë. Të mos përsërisim të njëjtat gjëra se bëhemi të bezdisshëm për publikun. A duhej kjo prokurori të ndërhynte, ka tre vjet, që nga interperlanca e parë që kanë bërë deputetët e PD, përpara se të digjnin mandatet për këtë çështje. Sa gazetarë dhe sa agjensi investigative e kanë nxjerrë këtë problem? Sa herë është debatuar nëpër media. A duhej të ndërhynte prokuroria? Nqse paska ngel tek përse e sollëm tani dhe pse e sollëm në gusht, këtë ditë apo atë ditë, më duket se kjo nuk ka pikë vlere.

 

Këtu kemi një kallzim, kemi një afër.

 

21 milionë e 600 mijë euro ka marrë kjo vajzë në këtë tender dhe më pas 2 milionë euro, sot janë bërë 23 milionë euro dhe na ka lënë atje një hata të madhe. Ndotje të ambientit, do të vazhdojë të paguhet vite e vite me radhë. Sepse të lë një gropë financiare me atë që ka lënë sepse s’është fare efektive.

 

I gjithë problemi ishte se si duhej të merreshin këto para, të vidheshin këto para.

 

Prokuroria të shkojë të marrë dokumentacionin sepse gjithçka ka dalë.

 

Është edhe një raport i KLSH-së që e ka detyrim Prokuroria ta shikojë.

 

Endri Hasa: Është një projekt që përveçse vjedh paratë e shqiptarëve, të cilët duhej të iknin në drejtime të tjera, nuk i sjell asnjë benefit konkret as zonës së Elbasanit, dhe banorët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për ndotjen që sjell dhe nga ana tjetër mbetjet apo aty depozitohen, shfrutëzojnë damperin që ka qenë i ndërtuar, kompania sërish nuk investoi, përsëri nuk harxhoi sepse projekti i qartë dhe kriminal ishte i thjeshtë, paratë e buxhetit të shtetit në duart dhe xhepat e qeveritarëve të korruptuar.