Kryetari i Partisë Demokratike uron besmitarët muslimane nga Kavaja, në ditën e festës së Kurban Bajramit
Në këtë ditë të festës së Kurban Bajramit, urimi im u shkon të gjithë besimtarëve të Zotit dhe të gjithë shqiptarëve; Gezuar Kurban Bajramin. Mbarësi, Dashuri, e Mirësi sjelltë për çdo shqiptar, për çdo familje shqiptare e për të gjithë kombin tonë kudo. Dua të përkujtoj këtu në Kavajë thelbin e kësaj feste, devotshmërinë ndaj Zotit përmes sakrificës ndaj Zotit, që na bën më të mirë, më të fortë, më të drejtë. Më të drejtë në veçanti me ata që janë më në nevojë dhe sot Shqipëria ka njerëz në nevojë më shumë se kurrë më parë. Ky Kurban Bajram e gjen Shqipërinë me themele të tronditura të ekonomisë, me mijëra familje që vuajnë nën peshën në rritje të varfërisë, me dhjetëra mijëra të rinj e të reja, kryefamiljarë, burra dhe gra, që janë në kërkim të një vendi pune. Uroj që dita e sotme të jetë një ditë reflektimi për t’iu larguar rrugës së urrejtjes, të energjisë negative, negativitetit, të ndasisë, të përplasjes, të konfliktit, e të na kthejë drejt rrugës së drejtë të punëve të mira, të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, ndaj një shoqërie të drejtë, të përkushtimit në veçanti ndaj njerëzve në nevojë për të kryer shumë punë të cilat ky vend ka nevojë, e për t’iu larguar rrugës së shkatërrimit që ky vend e ka njohur më shumë dhe me keq seç do vend tjetër i Europës ish komuniste. Por po kështu shpreh bindjen se e keqja i ka këmbët e shkurtra dhe kohën e shkurtër, se me ndihmën e Zotit të madh, me ndihmën e qytetarëve shqiptarë, që duan përparimin, që nuk duan konfliktin, nuk duan përplasjen, nuk duan shkatërrimin, do të dimë ta arkivojmë edhe atë pjesë të kaluarës që sot na rikthehet me petkun e rremë të së ardhmes. Ajo nuk është e ardhmja, ajo nuk është as e sotmja. Ajo është e djeshmja. E djeshmja e ka vendin në arkiva, e djeshmja e ka vendin në gropën e zezë të historisë.
Me kavajasit, këtë popull të qytetëruar të traditës, të virtyteve më të mira të shqiptarit, që i priu qytetarisë shqiptare në rrugën e çlirimit prej zgjedhës më të mynxyrshme që kishim njohur, me rininë kavajase, me shqiptarët e lirë të djathtë e të majtë, anembanë Shqipërisë, do të dimë ta ndalim prapë të keqen, do të dimë të përqafojmë të ardhmen.