Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me disa qytetarë të cilët kanë kaluar COVID-19.
Në bisedë me shefin e opozitës, qytetarët treguan dramat e tyre në përballjen me virusin. Një sfidë e vështirë ku jo të gjithë kanë arritur të dalin fitimtarë. Histori të dhimbshme të cilat si fajtor vendosin në bankën e të akuzuarve shtetin.
Gjatë bisedës qytetarët i thanë kryetarit të PD se në shumicën e rasteve në mungesë të përgjigjes nga shteti, janë detyruar të gjejnë zgjidhje në spitalet private duke paguar shuma të papërballueshme nga familjet shqiptare.
“Vetëm 30 gjilpëra më kanë kushtuar 1 milion e 800 mijë lekë. Është me të gjitha rregullat nëpërmjet mjekut të familjes që kam marrë. Falë një djali që kam në Angli, me lekët e mija i kam ble, 80 gjilpëra kam bërë në trup, pa lëri kokrrat e të gjitha ilaçet. Asnjë gjë. Të gjitha me lekët e mija”, – thotë qytetari Muharrem Poleshi i cili është përballur me virusin pa asnjë ndihmë nga shteti.
Dramatike është historia e Aldi Gjurbavija i cili krahas përballjes së vështirë personale me virusin, në këtë betejë ka humbur të jëmën e cila atëherë kur mjekët thonin se ishte shëruar e humbi luftën.
“Ne kërkonim një karrocë që ta nxirrnim me karrocë sepse ishte e pafuqishme, ishte dobësu, dhe doktori që e ndiqte doli aty jashtë tha dëgjo: ditën e hënë ne do e nxjerrim, do pak kujdes tek shtëpia, sepse normalisht ka kaluar probleme etj., etj. Ditën e hënë tha është mirë, për një muaj e merr veten dhe bëhet siç ka qenë në fillim. Në rregull, faleminderit. Ditën e hënë ne na marrin në telefon, është shumë rëndë tha doktori, ka kaluar ishemi celebrale, dhe në mëngjes duke u gdhirë e marta, domethënë që u bënë dy javë fiks, ndërroi jetë”.
Kryetari Basha ndërsa bisedoi me dëshmitarët e kësaj pandemie, apeloi edhe njëherë për kujdes, ndërsa i kërkoi qeverisë që të të ndalë vjedhjen dhe dërgimin e taksave në parajsat fiskale por të çojë paratë tek qytetarët, mjekët, infermierët dhe tek shëndetësia që të mos humben më jetë.
“Edhe në kohën kur njerëzit po vdesin nëpër spitale prapë se prapë edhe para disa ditësh vazhdojnë pagesat në thesar për inceneratorin e Elbasanit.
Ne do të bëjmë gjithçka që ta mundim këtë të keqe në të gjitha dimensionet e saj dhe ta shërojmë Shqipërinë edhe të ecim drejt një të ardhme më të mirë ashtu siç dëshironi ju dhe ashtu siç dëshiron çdo shqiptar”, – u shpreh zoti Basha.
BASHKËNGJITUR BASHKËBISEDIMI I PLOTË I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME QYTETARË QË E KANË KALUAR COVID-19
Lulzim Basha: Së pari dua të shpreh kënaqësinë që jemi bashkë këtu dhe secili prej jush e ka kaluar COVID-in e shpresoj të jeni sa më mirë e rikuperim sa më të shpejtë që ky infeksion mund të ketë pasur tek ju apo familjarët tuaj.
Së dyti, në kuadër të takimeve që po bëjmë për të ndërgjegjësuar njerëzit për të pasur kujdes në radhë të parë, por dhe për të parë sesi po përballohet situata e pandemisë edhe nga njerëzit edhe nga familjarët, nga pikëpamja shëndetësore, nga pikëpamja ekonomike dhe çfarë duhet bërë tani që pandemia po merr përmasa shumë të frikshme.
Ndaj sot të flasim sa më hapur mbi përvojat që keni pasur personalisht. Çfarë ka ndodhur? Sa ju është gjendur pranë shteti apo sistemi shëndetësor dhe çfarë do të kishit dashur apo çfarë do të donit të ishte ndryshe për të ndihmuar apo për të ndihmuar njerëzit në nevojë të cilët edhe sipas raportimeve zyrtare po shtohen në mënyrë të frikshme?
Kryesisht nga pikëpamja shëndetësore e kam këtë pyetje, por padiskutim edhe nga pikëpamja ekonomike sepse e kemi thënë që një nga problemet kryesore është që paketa e ilaçeve për trajtimin e sëmundjes është e parimbursueshme dhe fatura për trajtimin e saj është shumë e lartë. Tani unë këtë e kam thënë duke e dëgjuar nga njerëz si ju, duke dëgjuar specialistët. Po më mirë se kushdo tjetër, sot mund të flisni ju. Mund të flisni ju e unë të ju dëgjoj, të ju dëgjojnë edhe shqiptarët në mënyrë që së bashku të vetëdijësohemi, të bëjmë çfarë është më e mira për vendin tonë për tu mbrojtur. Por po kështu të ushtrojmë presionin maksimal që të ndërgjegjësohen ata që kanë në dorë vendimet për të ndihmuar mjekët, infermierët, shëndetësinë, dhe mbi të gjitha pacientët dhe familjarët e tyre.
Qytetari Muharrem Poleshi: Në datën 18 shtator më ka përfshirë dhe mu COVID dhe të them të drejtën jam vënë deri para vdekjes. Kam kaluar të gjitha simptomat që kam dëgjuar të paktën në rrjet. Të gjitha më kanë përfshirë. Me temperaturë 39 e gjysmë, me kollë, me mushkëri të bllokuar totalisht, isha gati për intubim. Telefonova 127 që sot këta e bëjnë si urgjencë heroike, 7 herë e kam të regjistruara për fat në telefon, 7 herë dhe nuk mu përgjigj kush. Ditën e tetë mu përgjigj një mjek dhe më tha: nuk jemi ne ata që ju shërbejmë ju. Mund të lidheni me Institutin e Shëndetit Publik. Unë nuk kisha asnjë lidhje me Institutin e Shëndetit Publik. Vajta tek mjeku i familjes. Çava me shpenzime private shumë marramendëse. Vetëm 30 gjilpëra më kanë kushtuar 1 milion e 800 mijë lekë. Është me të gjitha rregullat nëpërmjet mjekut të familjes që kam marrë. Falë një djali që kam në Angli, me lekët e mija i kam ble, 80 gjilpëra kam bërë në trup, pa lëri kokrrat e të gjitha ilaçet. Asnjë gjë. Të gjitha me lekët e mija. As rimbursim, absolutisht, absolutisht asgjë. Të gjitha me lekët e mija. Thashë, falë një djali që kam në Angli dhe mjerë ai që nuk ka djalin në Angli se në Shqipëri nuk blihen ilaçet, nuk merren kokrrat, vdes. Prandaj po vdesin njerëzit ditë për ditë. Asnjë nuk e di. Të paktën shteti i pari, shteti, shëndetësia falas. Unë nuk e dua falas, po hajde më trego të paktën. Ore të paktën në formën njerëzore hajde më thuaj ti ke këtë, do këtë, këtë, këtë, ik blejë se nuk e kam unë.
Lulzim Basha: Unë të falenderojë për ardhjen edhe për tregimin dhe rrëfimin e historisë tënde.
Qytetari Muharrem Poleshi: Shumë faleminderit
Lulzim Basha: Shyqyr Zotit që pavarësisht radhës së lartë të vuajtjeve, dhimbjeve me të cilën e ke kalu, të uroj shërim dhe rikuperim sa më të shpejtë ty edhe shpresoj që kjo e keqje që ti ke kalu të kufizohet sa më parë, njerëzit të ruhen dhe qeveria të bëjë detyrën e saj.
Qytetarja Amarda Hanku: Unë jam në punë, mësuese. Kur mu shfaqen simptomat në moment mora mjekun e familjes edhe drejtoreshën e shkollës dhe i thash se unë nuk vij në shkollë sepse kështu është situata. Pasi i kam lajmëru më erdhën më bënë tamponin dhe përgjigjen ma kanë dhënë të hënën në orën 10 të darkës, që ja pozitiv. Pastaj doktori më dha kurën plus. Vazhdova kurën por në momentin që mora përgjigjen e tamponit që ishte pozitiv aty ishte..
Lulzim Basha: Moment i rëndë psikologjik.
Qytetarja Amarda Hanku: Aty ishte domethënë, ana psikologjike në zero, sa i thirra të dy fëmijët e mi dhe iu thashë: situata është shumë e keqe. Kam dhe babain 90 vjeç në shtëpi, i ra edhe atij gripi korona, doli pozitiv. U vetëizoluam pastaj bashkë me të. Ai e kaloi më lehtë sepse është i rregullt me ilaçet. Kurse unë nga ana psikologjike u rëndova, u bëra keq sa arrita deri atje sa caktova dhe vendin ku…
Lulzim Basha: Po fizikisht si ndihesh?
Qytetarja Amarda Hanku: Ndihem mirë se nuk e kalova, ndoshta ka qenë korona që kam marrë nga shkolla, nga fëmijët ka qenë i dobët si mund të themi dhe nuk e kalova domethënë as me oksigjen, por kura që mora tarifa e gjithçkaje që u përfshi këtu ishte mbi 700 mijë lekë.
Lulzim Basha: Nëse mund t’ju pyes sa i keni të ardhurat mujore?
Qytetarja Amarda Hanku: Të ardhurat?! Unë marr një rrogë 515 mijë lekë.
Lulzim Basha: Domethënë kura që tu desh të paguaje ishte më e madhe sesa rroga mujore?
Qytetarja Amarda Hanku: Po ishte më e madhe sesa të ardhurat.
Lulzim Basha: Sa ju zgjati e gjitha?
Qytetarja Amarda Hanku: 4 javë dhe dje kam vajtur në punë nga data 12 tetor.
Lulzim Basha: Si e paguat këtë, me kursimet me borxhe apo si e paguat këtë kurë?
Qytetarja Amarda Hanku: Babai merr pension kështu që…
Lulzim Basha: Kombinuat rrogat tuaja me pensionin…
Qytetarja Amarda Hanku: Pensionin me rrogën.
Lulzim Basha: Nga gjithë kjo që hoqe në qoftë se do të thoje një moment të vështirë, që do ta veçoje në qoftë se do të kishe pasur nevojë për ndihmën e shtetit cila do të ishte? Cila është më e rëndësishmja?
Qytetarja Amarda Hanku: Ishte ajo pjesa e ilaçeve duhet të ishte falas.
Lulzim Basha: Rimbursimi i ilaçeve.
Qytetarja Amarda Hanku: Edhe nga ana psikologjike duhet një psikolog që të jetë aty i pranishëm që të jap pozitivitet.
Qytetari Aldi Gjurbavija: Atëherë ditën e martë ka qenë data 7 korrik, unë me nusen dhe gocën e vogël ikëm me pushime në Vlorë. Në darkë kur mbërrita unë kisha ethe dhe ndjeja se kisha temperaturë dhe me thënë të drejtën u shqetësova pak se duke dëgjuar gjërat për COVID-in ishte diçka që nuk mund të merrej shumë lehtë dhe shumë kollaj. Mora ato mjekimet e para paracetamol…
Lulzim Basha: Qëndrove në Vlorë apo u ktheve?
Qytetari Aldi Gjurbavija: Qëndrova në Vlorë meqenëse kisha rezervuar apartamentin me qira aty dhe mendoja ishallah nuk është COVID, mos është ndonjë ftohje ose diçka tjetër. Të nesërmen kur u ngrita isha me 39 e gjysmë, nuk isha i zoti të ngrihesha nga krevati, por duke marrë mjekimet më binte temperatura 37 dhe thashë ndoshta 2-3 ditë, unë kisha shkuar për 10 ditë me thënë të drejtën, ndoshta 2-3 ditë më kalon. Kjo zgjati deri ditën e premte. Ditën e premte temperatura 40 dhe nuk zbriste nën 38 e gjysmë, domethënë nuk zbriste më poshtë pavarësisht se marr mjekime. Marr mjekun e familjen meqenëse kemi pasur dhe takime të shpeshta me të dhe njihemi mirë dhe më thotë mos e ki problem, merr 3 ditë Azitromicinë thotë, vitaminë, vitaminë D 1000 dhe besoj pas tre ditësh ja ke hedh nuk ke problem. Filloj të premten, të shtunën asnjë përmirësim i them nuses ta marrim këtë të bëjmë tamponin se nuk e di si po shkon kjo punë, mos është problem COVID-i dhe po shkon më keq. Marrim 127, na përgjigjen dhe thonë shiko ke këto simptoma duhet të rrish disa ditë të presësh. Merr mjekime, paracetamol etj, domethënë më japin disa lloj ilaçesh ça duhet të marr. A ke marr antibiotik? Po i them kam marrë Azitromicinë. Shumë mirë, – tha, – pa problem. Për sa ditë? Për tre, në qoftë se nuk kryen për tre ditë merr dhe tre ditë të tjera, 6 ditë se aq është kura tamam. Ditën e diel unë, zgjohem nga krevati për të lëviz pak nëpër shpi, ndiej një marrje fryme që s’e kisha provuar ndonjëherë në jetën time. Ishte diçka shumë e temerrshme. Shtrihem në krevat dhe dua 15 minuta për të marrë veten. Marr përsëri 127-ën dhe i them: kam marrje fryme, jam keq, jam në Vlorë. Nuk kemi ça të bëjmë thotë, eja në Tiranë dhe do ta shënojmë emrin. Këto 2-3 ditë do të vijmë për tampon sepse ka radhë të madhe. Unë i thashë jam keq më merret fryma dhe ndiej se po iki nga kjo botë, të lutem më ndihmo. Në Vlorë nuk kemi ça të bëjmë, më tha. E para duhet të vish në Tiranë më tha, të regjistrohesh dhe pastaj ne do tua sjellim 127-ën për t’ju bërë tamponin në shtëpi. Si përfundim të dielën e kalova ashtu dhe ditën e hënë nisem pa u bërë java për Tiranë. Kur kam parkuar makinën në parking jam shtrirë në tokë. Kur kam dalë nga makina jam shtrirë në tokë, kam dashur 20 minuta, më shikonin njerëzit te parkingu ça ka ky dhe kam përfunduar te një klinikë private sepse të prisja tamponin nuk kishte sens. Shkoj aty, më vizitojnë dhe mjeku më thotë se dyshoj për COVID, duhet të bësh skanerin. Ku ta bëj skanerin? Po bëje diku më thotë o në shtetëror ose këtu. Shkoj te shtetërori, atë ditë nuk punonte, kështu që mu desh të shkoja prapë në një vend tjetër privat, spital privat për ta bërë. Edhe aty me shumë problem se kur merrnin vesh që unë jam me temperaturë dhe Covid nuk donin të më pranonin, domethënë ishte dhe ky një problem tjetër për ti dhënë zgjidhje. Kur e çoj skanerin, doktori sa e pa, ti je për spital tha, vëllai im të jesh tha un nuk kam ça të bëj tha. Më dha mjekimin. Mjekimi ishte shumë i fortë, ishte dy antibiotik, dy herë në ditë që u merrte venoz jo me gjilpëra. Kushtonte 70 mijë lekë në ditë, më ka kushtuar mua me gjithë infermieren, për 12 ditë.
Lulzim Basha: 70 mijë në ditë!
Qytetari Aldi Gjurbavija: 70 mijë lekë të vjetra në ditë me gjithë infermieren që merrte 15 mijë lekë për të bërë dy herë në ditë që vinte në mëngjes dhe
në darke për të bërë serumin plus antibiotikët që ishin prape 500 ml serum.
Lulzim Basha: Sa të zgjati kjo kurë?
Qytetari Aldi Gjurbavija: 12 ditë më zgjati. Domethënë diku te 840 mijë lekëshi në qoftë se duam të bëjmë një përllogaritje vetëm këto, jo gjërat e tjera. Jo skaneri 240 mijë lekë, jo analiza gjaku që kam bërë. Gjatë 12 ditëve kam shkuar 4 herë te klinika për të parë PCR, për të parë ecurinë e shumë të tjera. Pas 4-5 ditësh që kam filluar mjekimin ka filluar të normalizohet frymëmarja dhe të vijë në vete. Kur unë kam ardhur nga Vlora, mami ishte dita e parë, dita e dytë që kishte filluar shenjat e temperaturës. Po nuk i kishte shenjat si të mia, i kishte ndryshe. Mori 127-ën për të bërë tamponin, u mor vëllai se unë nuk isha, isha i pafuqishëm për ta ndihmuar, domethënë isha i mbaruar fare. U mor vëllai dhe thanë nuk ka ndonjë problem, merrni këto mjekimet në shtëpi, kështu, kështu, kështu, fola dhe me doktorin që më ndiqte mua, dhe tha bëja këto gjëra, por tha është pak problematike sepse vuan nga diabeti dhe duke qenë se vuan nga diabeti, duhet të ndiqet në një mënyrë më të specializuar. Ja them këto fjalë vëllait dhe kërkojmë që ta çojmë në një spital privat, s’po japim emra për etikë, dhe ato nuk e pranojnë duke qenë se ishte me temperaturë dhe kishte dyshimet për COVID, pasi tampon nuk kishte bërë. Prapë edhe për mamin, tamponin nuk ja bënin, pavarësisht se më morën në telefon 3-4 herë, janë telefonat, tabulatet, janë të gjitha domethënë që mund të vërtetohen, verifikohen.
Lulzim Basha: Çfarë thonin që nuk i bënin tamponin?
Qytetari Aldi Gjurbavija: Po të kalojë këtë, nuk është temperaturë e lartë, e kalon në shtëpi me një mjekim kështu, nuk keni pse të shqetësoheni, jo mund të mos jetë dhe COVID, mund të jetë dhe një virus stine etj, etj. Si përfundim më datën 21 korrik më lajmëron vëllai dhe thotë mami është shumë rëndë. Erdhi urgjenca, shkoj në spital, bëri skanerin, doli me mushkëri prapë me probleme. Diabeti i lartë, i kaloi 12 ditë. Ditën e 12 na thotë doktori, besoj ja ka hedhur, është mirë, ishte ditë e shtunë. Ditën e hënë thotë, do ta nxjerrim nga spitali. Dua të shtoj këtu se gjatë gjithë këtyre ditëve, deri në datën 3 që ka qenë ditë e hënë, 3 gusht, me mamin unë kam fol më pak se një minutë në ditë, që ma nxirrte një infermiere. Them e kam parë, se më dtën 4 gusht ditën e martë, kur ne prisnin me e nxjerr, na lajmëruan që ajo vdiq. Na ka ngel enigmë, dhe unë nuk e di se si domethënë…
Lulzim Basha: Domethënë, pasi qëndroi dy javë në spital, ndërkohë ju prisnit që të dilte, ndërroi jetë?
Qytetari Aldi Gjurbavija: Ne kërkonim një karrocë që ta nxirrnim me karrocë sepse ishte e pafuqishme, ishte dobësu, dhe doktori që e ndiqte doli aty jashtë tha dëgjo: ditën e hënë ne do e nxjerrim, do pak kujdes tek shtëpia, sepse normalisht ka kaluar probleme etj., etj. Ditën e hënë tha është mirë, për një muaj e merr veten dhe bëhet siç ka qenë në fillim. Në rregull, faleminderit. Ditën e hënë ne na marrin në telefon, është shumë rëndë tha doktori, ka kaluar ishemi celebrale, dhe në mëngjes duke u gdhirë e marta, domethënë që u bënë dy javë fiks, ndërroi jetë.
Lulzim Basha: Ngushëllimet e mia dhe një herë!
Qytetari Aldi Gjurbavija: Faleminderit!
Qytetarja Xhemile Mema: Pak a shumë, janë probleme të njëjta. Problemi fillon nga 127-ta, kryesorja fare. Me prindërit e kalova në të njëjtën kohë. Të dy prindërit. U drejtuam për një skaner, privatisht gjithmonë, bëmë skanerin dhe me skaner babi u konfirmua pozitiv, ndërsa mami jo. Filloi mjekimi…
Lulzim Basha: Pas sa ditësh nga simptomat e bëtë skanerin?
Qytetarja Xhemile Mema: Pas 6 ditësh.
Lulzim Basha: Në shtet apo te privati?
Qytetarja Xhemile Mema: Në shtet, në shtet analizat dhe skanerin brenda ditës. Fatura në fund të ditës ishte 500 mijë lekë të vjetra, pa mjekim, vetëm ekzaminime për të konfirmuar që jemi dhe ku jemi me gjendjen.
Lulzim Basha: Fatura ishte 500 mijë?
Qytetarja Xhemile Mema: 2 skanerat dhe analizat e gjakut, kaq.
Lulzim Basha: Kushtuan 500 mijë lek?
Qytetarja Xhemile Mema: 500 mijë lek, po. Të nesërmen filloj mjekimin babi. Mori mjekim për të paktën 10 ditë edhe babi edhe mami, të nesërmen pjesëtarët e tjerë të familjes bëmë tampon privatisht. 4 tamponë, fatura për secilën ishte 100 euro domethënë 400 euro tampon, për të parë mënyrën se si do izoloheshim, se pjesëtarët e tjerë domethënë familjarët janë moshë më e madhe me probleme. Prej 10 ditësh u mjekuan të dy. Në këto 10 ditë infermieri vinte në shtëpi privatisht, mjekimin ua mora të dyve normalisht privatisht dhe në fund të ditës së dhjetë fatura minimale vetëm për një mjekim normal, nuk po them as aparat oksigjeni, vetëm analiza rikontrolli dhe fatura e mjekimit, ka qenë 2 milion lekë të vjetra. Domethënë me gjëra të domosdoshme, holluesi i gjakut, antibiotiku, infermieri, domethënë gjithë mjekimi bazë. Koha është sukses dhe koha apo ekzaminimi apo tamponi në kohë këtu padiskutim që mungon, padiskutim.
Lulzim Basha: Kjo është gjëja e parë dhe kryesore për këtë sëmundje dhe në qoftë se testohet në kohë e para e punës fillon trajtimi në kohë dhe e dyta kufizon kontaktet dhe në këtë mënyrë kufizohet përhapja e virusit. Është mungesa e testimeve dhe fakti që Shqipëria është vendi me testimet më të ulëta në botë, që është përgjegjësia kryesore e qeverisë.
Unë dhe askush tjetër nuk mund të bëjë përgjegjës qeverinë për pandeminë, por për përgjigjen ndaj pandemisë absolutisht ka qenë një keqmenaxhimin dhe një dështim total, që fillon me mungesën e testimeve dhe sot që flasim testimet janë më të ulëta në Europë, ndërkohë që numri i infeksioneve të raportuara po rritet nga dita në ditë dhe numri i infeksioneve të pa raportuara të jeni të sigurt sipas mjekëve me të cilët kam biseduar edhe mbrëmë, është 2-3 deri në 5 herë më i lartë se ajo që raportohet.
E para testimet, e dyta për të gjithë ato pacientë që do kalojnë kalvarin që ju vetë e keni kaluar, nga diagnoza te trajtimi. Nuk ka rezultate të dëshiruara, trajtimi i të sëmurëve në qoftë se nuk izolohesh në kohë. Nëse nuk e di kohën që je me COVID arrin në shifra të papërballueshme, shifra që më përmendet prej 2 milion lekësh. A ka familje shqiptarë që mund ta përballojë këtë? Apo ato shifra që përmendi zonja pre 700 mijë lekësh, me të ardhura 550 mijë lekë në muaj. Apo z. Muharrem që tha, po të mos kisha djalin emigrant s’do kisha shans.
Po atëherë, pyetja shtrohet, këta njerëz si kurohen?
Në mëshirë të kujt janë lënë?
Në mëshirë të fëmijëve, në mëshirë të fatit?
Po ata që nuk e kanë mundësinë, se nuk i kanë fëmijët emigrantë?
Po ata që nuk e kanë mundësinë të marrin borxh?
A të shënojnë emrin në listën e farmacisë, se farmacitë janë bërë me lista, edhe para COVID-it?
Kjo do të thotë t’i dënosh njerëzit e tu me vdekje. Dhe për këtë po, fajin e ka kryeministri, fajin e ka qeveria dhe s’mund të fshihet pas asnjë Komiteti, se këto janë vendime që i merr qeveria. Qeveria vendos se ku do t’i shpenzojë paratë e taksave që u kërkojnë njerëzve. Taksat i merr qeveria, taksat i shpenzon qeveria.
Dhe e treta, ka të bëjë me cilësinë e spitaleve. Se, në qoftë se mjekët kanë 6-7 muaj që punojnë në kushte çnjerëzore dhe spitalet janë plot. Janë me 4-5 pacientë në një dhomë, kur duhet të jenë jo më shumë se dy. Dhe ti nuk hap spitale të reja, apo nuk e bën të mundur aktivizimin e spitaleve rajonale, atëherë me duart e tua, si qeveri faktikisht po ndihmon edhe përhapjen e infeksionit, edhe rritjen e numrit të viktimave.
Kemi 6 javë që i kërkojmë ditë për ditë të hapi spitalet rajonale, mos të vinë të përplasen të gjithë në Tiranë. Ka premtuar që prej muajsh dhe e ka inauguruar COVID 4-ën kryeministri. Po nuk ka COVID 4 dhe njerëzit janë të paketuar me 4-5 vetë në sallë, më thonin mjekët mbrëmë, tek infektivi dhe tek “Shefqet Ndroqi”. Dhe pastaj kjo sjell pasoja më të rënda. Se duke parë njëri-tjetrin duke vuajtur, është dhe rëndesa psikologjike, dhe zonja e tha në momentin që mësova që kam COVID, u rëndova psikologjikisht. Po këta që kalojnë javë e javë të tëra brenda spitalit. Dhe fatkeqësi pas fatkeqësie, është një zinxhir fatkeqësish i cili mund dhe duhej të ishte ndërprerë nga qeveria, sepse këto janë përgjegjësi të qeverisë.
Dhe shqetësimi kryesor që kam sot, është që në të gjitha këto të këqija që po na ndodhin, me shumëfishimin e rasteve të infektimit, me numrin më të lartë të viktimave të raportuara, prapë se prapë nuk shoh asnjë reflektim nga ana e qeverisë. Asnjë plan nga ana e kryeministrit, asnjë masë për të ndihmuar njerëzit. Se shumë prej njerëzve do ta kalojnë në shtëpi. Detyra e qeverisë është që këta që e kalojnë në shtëpi, mos t’ju mungojnë barnat. Detyra e qeverisë është që të paktën sëmundja, që është një e keqe në vetvete mos të kthehet në një mallkim të dyfishtë dhe t’i shkatërrojë fare ekonomikisht familjet shqiptare që edhe kështu, edhe pa sëmundje, ekonominë e kanë më të rrënuarën në Ballkan, më të rrënuarën në Europë.
Si i paguat këto para, mund t’ju pyes, mund t’i paguaj dikush për ju, jeni futur në borxh, çfarë bëtë? Si i paguat këto fatura?
Qytetarja Xhemile Mema: Unë mendoj që këto tarifa edhe në një familje me ekonomi mesatare e rëndojnë ekonominë. Dhe në situata të tilla padiskutim që njerëzit mirë apo keq, me borxh apo pa borxh mundohen ta zgjidhin sepse e dinë që duhet ta zgjidhin vetë, nuk do ja zgjidhi askush këtë pjesë. Dhe një shqetësim tjetër që e mendoj tek shifrat e raportimeve, familjarët e mi nuk pulsuan askund për statistika pozitiv, që do të thotë…
Lulzim Basha: Nuk janë rregjistruar fare?
Qytetarja Xhemile Mema: Jo, kush i rregjistroi. Sa janë të tillë domethëne që nuk pulsojnë askund pozitiv.
Lulzim Basha: Ky është problemi, fshihen të dhënat. Dhe kur e them këtë nuk e them thjesht për të bërë një akuzë që kryeministri apo qeveria po fshehin të dhënat, është më e rëndë se kaq.
Në qoftë se të dhënat nuk fshihen dhe publikohen ashtu siç janë me të vërtetë, atëherë merren masat sepse dihet që një përqindje e caktuar e atyre që janë të infektuar sot, pas një jave apo pas 10 ditësh do të kenë nevojë për trajtim spitalor.
Pra në qoftë se ke 500 apo 1 mijë të infektuar sot e di që këta, pra ky numër të sëmurësh, 50, 60 apo 70 do të duhet ti trajtosh në spital dhe fillon merr masat që sot për pas 10 ditësh nuk e lë për çastin e fundit. Bëhet analiza e të dhënave dhe ndihmohen mjekët. Kurse kësaj që po bën kjo qeveri do të thotë ta lësh situatën në rënie të lirë.
Prandaj testimet janë kryesore sepse testimet tregojnë me të vërtetë se sa është përhapja e infeksionit dhe në bazë të saj pastaj merr masat për trajtimin e njerzve.
Fati juaj i mirë nuk është thjesht dhe vetëm që e keni kaluar dhe keni mbijetuar pavarsisht prej kalvarit që po më tregoni dhe parave që ju duhet të paguanit, por e keni kaluar në një kohë kur akoma kishte kapacitete deri diku spitalore dhe mjekësore për tju ardhur në ndihmë.
Fati tragjik i gjithëve ne të tjerëve që nuk e kemi kaluar dhe i shumicës dërrmuese që janë në pamundësi ekstreme ekonomike është që në momentin që flasim kapacitetet spitalore janë realisht të mbingarkuar në çdo aspekt, mbingarkesë e mjekëve, mbingarkesë e infermierëve. Ndërkohë ka medikamente të fuqishme të cilat, disa prej tyre janë të çertifikuara qoftë në Europë apo qoftë në SHBA, ma kanë përmendur Rendisevirin, në Shqipëri është i pa çertifikuar, i pa legalizuar dhe gëlon tregu i zi. Mirpo çmimi kërcet deri në 3000 euro për një kurë Rendiseviri, ndërkohë që ky ilaç duhet të ishte i pranishëm bashkë me ilaçet, bashkë me barnat e tjera duhet të ishte i pranishëm në të 2 spitalet COVID apo në të 3 spitalet COVID.
Të gjitha këto, pastaj dhe rimbursimi i paketës së ilaçeve. Mund të jetë 50 mije, mund të jetë 100 mijë, mund të jetë 200 mijë, në rastin tuaj ka shkuar 2 milion. Po ata që e kanë blerë Randisivirin me paratë e tyre ju ka shkuar 3 mijë euro vetëm Randisiviri.
Qytetarja Xhemile Mema: 4200 euro
Lulzim Basha: 4200?
Qytetarja Xhemile Mema: Po shkon dhe një tjetër format Randisiviri 4200 euro 6 flakonë
Lulzim Basha: E shikon. Këto janë shifrat reale, ky është realiteti. Në qoftë se Randisiviri do të çertifikohej, në qoftë se kompanitë farmaceutike do të merrnin autorizimin për ta sjellë këtu do ta sillnin me çmime normale jo me çmime të tilla, dhe shteti prapë se prapë nuk ka detyrë me të madhe sesa të mbrojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Paratë këtu duhet të shkojnë, sepse edhe në kohën e pandemisë paratë e taksave të shqiptarëve po vazhdojnë të abuzohen, të zhvaten dhe të shkojnë në drejtim të pa ditur, të shkojnë në parajsa fiskale.
Edhe në kohën kur njerëzit po vdesin nëpër spitale prapë se prapë edhe para disa ditësh vazhdojnë pagesat në thesar për inceneratorin e Elbasanit.
Ne do të bëjmë gjithçka që ta mundim këtë të keqe në të gjitha dimensionet e saj dhe ta shërojmë Shqipërinë edhe të ecim drejt një të ardhme më të mirë ashtu siç dëshironi ju dhe ashtu siç dëshiron çdo shqiptar. Edhe njëherë ju falenderoj nga zemra për këtë bisedë.