Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë u bëri thirrje sot të gjithë vajzave dhe nënave në të gjithë vendin që të bëjnë kontrollin e vazhdueshëm për të parandaluar kancerin e gjirit, në muajin e sensibilizimit kundër kësaj sëmundje.
Deputetet Albana Vokshi, Majlinda Bregu, Jorida Tabaku të shoqëruara edhe nga deputetët Roland Keta e Bedri Mihaj, u takuan sot me mjekë diagnostifikues në Spitalin Amerikan, ku ofrohet kontrolli i mamografisë falas si dhe një paketë analizash për nënat në nevojë. Kryetarja e Lidhjes së Gruas, Albana Vokshi i beri thirje qeverisë që të krijojë të gjitha mundësitë që çdo vajzë dhe nënë në Shqipëri të ketë mundësi të kontrollohet dhe të parandalojë këtë sëmundje.
“Forumi i Gruas i Partisë Demokratike po flet me gratë dhe vajzat për rëndësinë e kontrolleve mjekësore për të parandaluar në kohë kancerin e gjirit. LDGSH do të jetë në terren për të kujtuar gratë të kryejnë kontrollin e përvitshëm të mamografisë . zbulimi i hershëm i sëmundjes rrit mundësitë e kurimit dhe shërimit të plotë. Në shqipëri, 500 gra preken çdo vit nga sëmundja e kancerit të gjirit. 50 % e rasteve të prekura zbulohen në fazë të avancuar të sëmundjes, kur ka pak shpresa për mbijetesë. Nëse kanceri i gjirit kapet në kohë, 90 % e rasteve të ekzaminuara kurohen plotësisht. Gratë në qeveri, t’i thonë ministrit të Shëndetësisë që të sigurojë shërbimin e mamografisë. në shumë qytete të shqipërisë mungojnë aparaturat e mamografisë. qeveria duhet të veprojë me urgjencë për të ofruar këtë shërbim edhe në fshat. Gratë në fshat janë harruar, se qeveria bën propagandë në kryeqytet. Është folur për mamografi falas, por kur mungojnë aparaturat, besoj të gjithë e kuptojnë se falas është vetëm propaganda dhe ironia qeveritare. Falenderoj spitalin amerikan qe po mbeshtet fushaten e ldgsh për të mundësuar falas kontrollin e mamografisë dhe një paketë analizash për nënat kryefamiljare dhe gratë e pushuara nga puna, të cilat nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar vizitat mjekësore”, tha Vokshi.