- Betoni është alternativa e Erion Veliajt edhe për Tirana 2021. PD: Për 5 vjet ka ngritur mesatarisht 540 kulla me vlerë 2.2 miliardë euro.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, AKIL KRAJA
Çdokush duhet të vijë një herë pranë Malit të Dajtit për të kuptuar sesa të pabanueshëm e ka bërë qytetin tonë Erion Veliaj në këto 5 vjet.
Në Tiranë nuk ka oksigjen. Ne vend të tij, ne thithim pluhur betoni. Prandaj vetë e ka marrë shtëpinë në një nga kodrat e qytetit, larg trafikut dhe ndotjes. Prandaj edhe shefi i tij, Edi Rama, që nisi betinizimin e Tiranës, e ka ndërtuar vilën luksoze jashtë qytetit.
E keqja është se edhe këtë vit, Erion Veliaj, me mbështetjen e Edi Ramës do të vazhdojnë të betonizojnë Tiranën. Buxheti i bashkisë parashikon rritje të të ardhurave nga taksa në ndërtim.
Gati në çdo rrugë në Tiranë, ndërtohen kulla.
Kontrasti është dramatik. Nga njëra anë janë mijëra binzese që vuajnë pasojat e krizës dhe të pandemisë, nga ana tjetër është Erion Veliaj që firmos akoma më shumë leje ndërtimi për kulla që po i zënë frymën qytetit, që nuk sjellin zhvillim, por janë burim kryesor për pastrimin e parave te pista.
Në kulmin e krizës ekonomike, të daljes pa punë të mijëra njerëzve, të falimentimit të shumë bizneseve, bilanci vjetor për Erion Veliajn do të jetë 26% më shumë kulla, sesa ishte parashikimi në fillim të vitit.
Për qytetarët kjo përkthehet në trafik më të rënduar, në ajër më të ndotur, në më pak hapësira për lulishte.
Që kur ka marrë drejtimin e Tiranës, 5 vjet më parë, Erion Veliaj ka ndërtuar mesatarisht 540 kulla 10 katëshe. Nëse konvertohen në para, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, janë 2.2 miliardë euro beton.
2.2 milairdë euro është një shumë gjigande, që reflekton sesa thellë janë lidhur interesat e krimit të organizuar me bashkinë e Erion Veliajt dhe me qeverinë e Edi Ramës.
Nën drejtimin e dyshes Rama-Velaij Tirana është kthyer në një lavatriçe të madhe të parave të pista, pasojat e të cilave i vuajnë direkt qytetarët.
2.2 miliardë euro të investuara në beton, pra 540 kulla 10 katëshe kanë bërë që trafiku në kryeqytetit të kthehet në një torturë të vërtetë, ndërsa niveli i ndotjes së ajrit e bën Tiranën që nga qytetet më të këqinj në Europë për të jetuar.
BBC ka raportuar më herët se Shqipëria është një nga vendet me numër rekord vdekjesh nga ajri i ndotur, gati 23 përqind e personave që vdesin në Europë nga ky shkak.
Kjo me ajër betoni është Tirana që ka ndërtuar Erion Veliaj dhe që po vazhdon të planifikojë edhe për vitin e ardhshëm.
Erion Veliaj është një politikan që nuk e mban fjalën. Ai premton mashtrime, njësoj si shefi i tij në qeveri. Erion Veliaj premtoi moratorium për lejet e ndërtimit, por sot Tirana është një qytet betoni, që pastron paratë e krimit dhe dëmton jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Ndërsa kullat shtohen, ajri ndotet, lulishtet zhduken, në Tiranën e Erion Veliajt nuk shtohet asnjë orë ujë ne çezma, rrugët mbrten të shkatërruara dhe shërbimet jetësore nuk përmirësohen.
Boll më me Erjonin dhe betonin!
Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës nga mashtrimet e tij. Banorët e Tiranës meritojnë shumë më mirë! Tiranës i duhet ndryshim! Shqipërisë i duhet ndryshim!