Deputeti Halimi denoncon moskryerjen e veprimeve nga policia pas dëshmisë së qytetarit për vrasjen e Santos. Halimi kërkon nga Prokuroria e Shtetit të nisë menjëherë hetimin
Kronika e djeshme televizive e dëshmimtarit okular për vrasjen e bankierit Artan Santo, ka tronditur mbarë opinionin publik. Tronditje e cila ka lidhje të drejpërdrejtë jo vetëm me ngjarjen më të rëndë kriminale të vitit, por mbi të gjitha me mosveprimin kriminal dhe të qëllimshem, fshehjen e dëshmise okulare nga Policia e Shtetit, mosarrestimi i personave të dyshuar dhe të denoncuar nga deshmimtari, dhe sulmi i policisë mbi median që nxori në dritë të diellit të vërtetat e krimit mafioz.
Mbarë opinioni publik sot është i tronditur, nga mënyra sesi policia nuk arreston të dyshuarit për krimin, por sulmon dëshmimtarët dhe median. Kjo situate është e rëndë dhe kritike, për sigurine publike në vend, për jetën e qytetareve, për mbrojtjen e krimit në vend të sundimit të ligjit.
Me faktet e dëshmimtarit policia duhej të kishte një provë më shumë për të zbardhur vrasjen mafioze, por në fakt qytetaret kanë një provë më shumë për fshehjen me dashje nga shteti të vrasjes mafioze, për lejimin e vrasësve të shëtisnin lirshëm me targa para vrasjes dhe pa targa ditën e vrasjes në qender të kryeqytetit, për lejimin e tyre të largoheshin nga Tirane pa ngritur asnjë postobllok të vetëm policie për më shumë se 1 orë nga ngjarja. Me dëshminë e djeshme, qytetaret kanë një provë më shumë për vrasësit por dhe për përfshirjen e qeverisë në këtë krim mafioz.
Në një shtet ku sundon ligji, policia dëgjon dëshmitarët, i merr në mbrojtje ata, falenderon qytetarët dhe median që ndihmon në zbardhjen e krimit, arreston menjëherë të dyshuarit dhe i jep shpresë qytetareve, se ata do përballen me ligjin.
Por kronika e dëshmimtarit dje tregon të njëjtën histori se qytetarët dëshmojnë por ata nuk mbrohen nga policia, madje as pranohet dëshmia e tyre, sepse më e rëndësishme se lufta ndaj krimit, është mbrojtja e krimit.
Kronika e djeshme tregon se krimi ka emër, vrasësit kanë emra, mjeti me të cilin është kryer krimi ka numra, mafia ka fytyrë. Moskryeja e veprimeve për të zbuluar, identifikuar dhe ndaluar autorët e dyshuar të krimit mafioz të vrasjes së bankierit Artan Santo, përbën krim sipas Kodit penal Shqiptar. Moskryerja e veprimeve për të mbrojtur dëshmimtaret kur këtë detyrë e ke të ngarkuar nga ligji, përbën krim sipas Kodit penal Shqiptar. Krime që trondisin po aq shumë sa nje vrasje, kur ata që kanë për detyrë të sulmojnë krimin, sulmojnë deshmitarët dhe median, dhe mbrojnë krimin dhe mafian
Ndaj dhe në këtë situatë tepër të rëndë për rendin, sigurinë, zbatimin e ligjit, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Shtetit të nisë urgjentisht hetimet, sot, t’i nisë tani, për cilindo që refuzoi të kryente detyrën dhe pengoi zbardhjen e krimit, të marrë nën përgjegjësi penale të gjithë, pa as më të voglin përjashtim dhe të shpëtoje cfarë mund të shpëtohet, për ti shkuar cështjes deri në fund duke zbuluar autorët e krimit mafioz, po aq dhe ata që i ndihmuan të moszbuloheshin.
Të administrojë menjëherë dëshminë dhe informacionin e qytetarit dhe te gjitha komunikimet me drejtuesit e policise, të gjitha veprimet dhe mosveprimit që kanë tronditur dhe po trondisin mbarë opinionin publik.
Vetëm një hetim i shpejtë, efikas dhe gjithpërfshirës i Prokurorisë sot, në lidhje me moskryerjen e veprimeve, pas deklarateve të dëshmimtarit do të cojë ne një shteg i sigurtë, tek vrasja e bankierit Santo, që tronditi mbarë opinionin publik dhe atë ndërkombëtar.
Tradhëtia publike e dëshmitarëve nga qeveria, e personave që kanë informacion për krimet e rënda dhe vrasjet mafioze, është krim i rëndë qeveritar dhe duhet të ndëshkohet.
Vetëm ndëshkimi i atyre që tradhëtuan dëshmimtarët okulare, do të mund të japë shpresë se ligjin në këtë vend e bën shteti dhe jo krimi dhe mafia.
Ne jemi besimplotë se Prokuroria e Shtetit do të dijë të jetë në lartësinë e detyrës së saj kushetutese për të përballur gjithkënd që shkeli ligjin duke tradhëtuar dëshmimtarët, që shkeli ligjin duke injoruar dëshmimtarët, që shkeli ligjin duke mbrojtur krimin dhe duke sulmuar dëshmimtarët dhe median për të shpëtuar nga ndëshkimi.
Inkurajojmë prokurorinë dhe presim bashkë me qytetarët të marrim shenjat se këtu sundon ligji dhe krimi duhet të ndëshkohet sa më shpejt, pa vonesë.
Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, 14 Tetor 2014