·         Basha: Mijëra familje janë nën ujë, pa furnizime ushqimore e medikamente. Zona nga Shkodra, Durrësi, Lezha dhe gjithë ultësira perëndimore nën ujë.

 

·         Basha: 8 vite propagandë, asnjë punë dhe flet sikur ka ardhur dje në qeveri, ka 8 vjet kryeministër. Kushdo përpiqet të bëjë sa mundët, kryeministri ulet më zyrë e bën propagandë.

·         Basha: Ky dështak prodhon vetë dështime. Ka vetëm një zgjidhje: të bëhemi bashkë për ta larguar burimin e dështimit. Ka ardhur koha ta largojmë. Ka ardhur koha për një qeveri të përgjegjshme.

·         Basha: Me të gjitha pushtetet në dorë, Rama ka dështuar dhe përpiqet të shfajësohet. Thirrje strukturave të opozitës të ndihmojnë njerëzit. 25 prilli, dita e ndryshimit të madh.

  

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, PËR GAZETARËT

 

Gjatë ditëve të kaluara kam qenë bashkë me bashkëpunëtorët e mi me disa prej jush  në disa prej zonave të përmbytura, e kemi parë me sytë tanë dëmet e mëdha që janë shkaktuar, vështirësitë e mëdha që po kalojnë njerëzit. Edhe sot që flasim qindra, mijëra banorë, mijëra familje janë nën ujë. Shtëpitë e tyre janë në prani të ujit, janë të rrethuara nga uji, janë me mungesa të mëdha të ujit të pijshëm, të ushqimeve, medikamenteve. Vuajnë për aksesin për të dalë nga shtëpitë apo të çuar të sëmurët në spital.

Janë pa medikamente dhe nuk po flas vetëm për zonën e Shkodrës por po flas edhe për zonat rreth e qark Tiranës, Durrësit dhe të gjithë ultësirën Perëndimore. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka. Kryetarja e bashkisë se Shkodrës ndonëse në rrethim politik po përpiqet të bëjë gjithçka bashkë me punonjësit e saj. Ne jemi përpjekur me rrethin tonë të vullnetarëve të bëjmë gjithçka dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për t’ju qëndruar pranë këtyre njerëzve. Ndërkohë kjo është e vetmja qeveri në botë që fatkeqësinë e shikon si mundësi për propagandë. Ulen dy orë dhe njeriu që ka 8 vjet kryeministër, 8 vjet përgjegjës për këtë vend, na tregon historikun e rrethjeve në 20 vitet e fundit.

Ne fakt  gënjen se e di e gjithë Shkodra që ka ditë që nuk bie shi dhe përmbytja ka ardhur nga kaskada. Njerëzit janë nën ujë dhe ky u thotë nuk shihni investimet që kam bërë unë. Njerëzit janë përmbytur dhe ky vazhdon t’ju vejë fajin të tjerëve. 8 vite propagandë dhe asnjë punë  për të zgjidhur hallin e njerëzve.

Kush ka qenë 8 vite kryeministër? Kush i ka pasur të gjitha pushtetet këto 8 vite? Kush ka pasur miliarda euro në duar për të zgjidhur këto probleme në 8 vite? Dhe tani në këtë moment në vend që të mendojë për hallin e këtyre njerëzve që sot, përmbytjes, pandemisë, krizës ekonomike i është shtuar edhe një ditë e acartë edhe paralajmërohet edhe nesër një ditë tjetër e acartë  prapë del pa pikë turpi dhe flet sikur ka ardhur dje në qeveri. Ka 8 vjet kryeministër. Kujt t’i kërkojnë llogari njerëzit? Kush e ka përgjegjësinë për këtë situatë dhe çfarë po bën për t’ju ardhur në ndihmë? Çfarë po bën për t’iu ardhur në ndihmë?

Të gjithë janë ngritur në këmbë. Kushdo po mundohet të bëjë aq sa mundet, ky që e ka përgjegjësinë me ligj, ulet atje 2 orë bën propagandë me fatkeqësinë. Boll më! 8 vite dështim. 8 vite vetëm propagandë. Edhe fatkeqësinë më të madhe e merr e shndërron në propagandë. 8 vite vetëm duke fajësuar të tjerët për dështimet e tij. Boll më! Nuk ka shqiptar që se kupton më që ky njeri është problemi i vendit. Ky dështak prodhon vetëm dështime dhe ka një dhe vetëm një zgjidhje,  të bëhemi të gjithë bashkë e ta largojmë burimin e të gjithë këtyre fatkeqësive që është një njeri që edhe përmbytjen, si çdo fatkeqësi tjetër, po mundohet ta kthejë në propagandë duke mashtruar, duke gënjyer, duke fajësuar. Kush? Njeriu që 8 vite ka qenë kryeministër.

Është në fund të mandatit, njerëzit janë deri në brez në ujë, jemi në mes të pandemisë, ata të tjerët kanë mijëra familje në çadra, viti i dytë i gjen në çadra, qindra e mijëra kanë humbur vendin e punës dhe ky nga mëngjesi deri në darkë vetëm propagandë. Ka ardhur koha ta largojmë. Ka ardhur koha të kemi një qeverisje të përgjegjshme, një qeverisje minimalisht të përgjegjshme sa qeveritë e tjera të rajonit. Një kryeministër serioz. Probleme kanë ndodhur, probleme do të ndodhin.

Detyra e kryeministrit, detyra e qeverisë është të bëjë gjithçka për të ndihmuar njerëzit dhe në këtë detyrë si në rastin e përmbytjeve dhe në çdo rast tjetër, për 8 vite me radhë një njeri që i ka pasur të gjitha pushtetet, Edi Rama ka dështuar. Dhe e sotmja ishte një vulë tjetër e fundit e turpit në ikje se si edhe këtë tragjedi të përmbytjes po mundohet ta kthejë në një shfajësim për veten e vet dhe në propagandë të cilën nuk e hanë më askush.

Vazhdoj t’i bëj thirrje gjithë strukturave tona, të bëjnë ç’është e mundur për t’i ndihmuar njerëzit dhe uroj, shpresoj dhe kam besim shumë të madh që edhe ky mësim i sotëm i një qeverie dhe një kryeministri të mbytur në dështimet të njëpasnjëshme, të intoksikuar nga propaganda, do të mundësojë që 25 prilli të jetë dita e një ndryshimi të madh dhe rrënjësor, dita kur të kemi një qeveri që të mendojë për njerëzit, si në ditë të mira ashtu edhe në ditë të këqija. Ju faleminderit!