Të nderuar deputetë,

Meqë po diskutojmë për ligjin e shërbimit civil, më lejoni të bëj një citim:

“Punësoni votuesit tuaj. Flakni kundërshtarët.

Mënyra më e mirë për të qëndruar në pushtet është të merrni në punë votuesit tuaj. Ka plot vende pune për të ofruar, nga këshilltarët tek sanitaret.

Nëse është e qartë se ajo që ka rëndësi është përkatësia në partinë tuaj, kjo do t’ju ndihmojë të mblidhni vota dhe mbështetje për partinë. Shumë nga shërbyesit tuaj civilë do të rekrutojnë dhjetëra votues vetëm që të ruajnë vendin e tyre të punës.

Oponentët tuaj mund të flaken në rrugë, nga administrata shtetërore […] apo edhe prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre. Ka plot mënyra t’i bëni të mendohen dy herë kur flasin për ju.”

A ju kujton gjë kjo?

Ky është një nga 10 këshillat e Makiavelit të shekullit XXI për Princin e Ballkanit. Jua kam përmendur disa muaj më parë. Prof. Florian Bieber i universitetit të Graz-it duket  sikur të ketë patur parasysh këtë Kryeministrin tonë kur e shkroi këtë!

80 punonjës të ish-bashkisë së Sukthit‎, përfshirë edhe nëpunës civilë u fluturuan në grup nga puna pak kohë më parë me pretekstin e reformës territoriale dhe shkurtimeve që ajo sjell. Shumë shpejt, këto vende do t’i zenë militantët socialistë të zonës me në krye komisionerët e saj në zgjedhje. Administratori i emëruar për kontributin e vetëm, atë të kërcënimit dhe intimidimit të zgjëdhësve, që ditën e parë i përze të gjithë nga zyrat.

Në Shijak, kryetari i ri e ka të deklaruar që kush është marrë në punë pas 2011, do të ikë nga puna.

‎Dhjetëra punonjës të bashkisë Tiranë po hiqen nga puna. Kryetari i Bashkisë kujton se duke tallur e stigmatizuar individë, mund të fshehë spastrimin që po bën? Na thotë se nuk punon dot me kundërshtarët e tij. E thotë me bindje. Ka nga ata që thonë: Pooo, ka të drejtë Erioni, si mund të punojë me njerëzit e besuar të Bashës?!

Me batutat sharlatane që i ka në majë të gjuhës, kryetari i bashkisë do vazhdojë të masakrojë punonjësit civilë që nuk i ka vënë vetë. Nëpunës civilë hiqen në kundërshtim me ligjin dhe detyrohen të përplasen dyerve te gjykatave. I vetmi ngushëllim për ta mbetet refreni që fillon me vargun: Në ato maja, rripa rripa‎…

Ligji i nëpunësit civil, si rregull as që duhet të marrë në konsideratë nëse i pëlqen apo jo të punojë me ata që ka marrë në punë paraardhësi, këtij kryetari bashkie që u zgjodh duke humbur numrin rekord të votave në historinë e zgjedhjeve lokale.

Por këtyre dhjetëra kryebashkiakëve socialistë ia ka shtruar rrugën Kapiteni i tyre me ‎atë aktin normativ antikushtetues që shpartalloi ligjin konsensual për nëpunësin civil. Ju kujtohet që e paralajmëruam se me atë akt do flakeshi mijëra vetë dhe kjo ndodhi.

Që nga 30 shtatori 2013, dita kur ra hanxhari mbi sigurinë e vendit të punës së nëpunësve civilë, ligji i 30 majit, ai konsensuali, ai që miratuam se e vuri Fule si një nga 3 kushtet për statusin e vendit kandidat, pa e ngatërruar me kushtin për CEZ, ai ligji që ishte berë me ekspertizë ndërkombëtare, për të cilin edhe ju që sot jeni në mazhorancë ishit dakord, pra ky ligj është copëtuar dhe arnuar disa herë.

Qëllimi ka qenë vetëm një: t’i hapej rruga ‎spastrimit të administratës nga çdokush që Kapiteni dhe rreshterët e tij e kanë piketuar si kundërshtar politik, dhe më pas të fusin mbështetësit e tyre.

‎Fundja, Makiaveli ka dhënë këshillë me vend. Pse të mos e zbatojnë. Si mund të punojnë me armikun brenda? Si mund t’i lenë militantët jashtë? Po pse, një ligj do ua ndalka dorën Kryeministrit dhe Erionit?

LSI të kryen punë, të premton vend pune para zgjedhjeve dhe e ke të kryer, kurse këta tanët na rrejtën, u dhamë votën, u bëmë copë në fushatë por punë hiç, thonë militantët e Partisë Socialiste në Durrës.

Ndaj s’ka pse habitet njeri që flaken njerëzit me tufa. Zgjedhjet e 2017 jane vetem 1 vit e gjysëm larg. Formulën e Makivelit e kanë këta që janë në pushtet, ndaj po i largojnë njerëzit nga puna dhe po punesohen militantë, ndërsa drejtues po vendosen kriminelë.

Ligji i Nëpunësit Civil, i miratuar me konsensus më 30 maj 2013, kishte dy kolona të mëdha garantiste për profesionalizmin dhe stabilitetin e Shërbimit Civil.

Së pari, sekretarët e përgjithshëm do të ishin profesionistë, apolitikë. Do të përzgjidheshin brenda sistemit, dhe jo nga militantët jashtë tij. Kjo u zhbë dhe sot sekretarët janë komisarë politikë që egzekutojnë formulën e Makiavelit.

Së dyti, dispozita tranzitore u garantonte, me konsensus, statusin e nëpunësit civil një numri të madh nëpunësish në detyrë, sapo ligji të hynte në fuqi në minutat e para të datës 1 tetor 2013. Me aktin normativ antikushtetues, të miratuar vetëm 2 orë para 1 tetorit 2013, kryeministri i preu ne besë,shkeli marrëvshjen dhe konsensusin dhe kjo garanci ra. Sot ata mijëra nëpunës civilë janë pa bukën e gojës së fëmijëve të tyre. Ikën ata që ishin me eksperiencë pune dhe trajnime dhe vendin ua zunë njerëz që as kompiuter nuk kishin zënë me dorë në tetë vite.

Ligji që u miratua me konsensus më 30 maj 2013 ishte shumë më garantist se ligji i viti 1999. Por ligji i 1999 jepte shumë më tepër garanci se ky mishmashi ku e keni degraduar ligjin e shërbimit civil. Sot një nëpunës i shërbimit civil, nuk ka më asnjë garanci procedurale që i siguron se pasi futet ne sistem, nuk lëviz më kollaj sepse kështu i teket shefit politik.

Jo vetëm kaq, por me ligj u keni kufizuar të drejtën që të përfitojnë dëmshpërblim jo më shumë se 3 paga mujore. Ju edhe i rrihni, dhe as i lini të qajnë. Le pastaj kur merrni në telefon gjyqtarët që të mos guxojnë t’u japin të drejtë hallexhinjve kundër qeverisë. Ka gjyqtar që nuk e kupton se me reformën në drejtësi kur testuesit qeveritarë do i marrin në provim, nuk është shumë e mençur të mos ia dëgjosh fjalën qeverisë? Përndryshe del në rrugë si nëpunësit civilë.

A dini se ata që nuk janë nëpunës civilë por kanë kontratë pune sipas Kodit të Punës, kanë të drejtë të përfitojnë deri në 12 paga mujore? Pra këta qenkan më të mbrojtur se nëpunësit civilë. Ky është absurd!

Projektligji i sotëm është i pafat. Madje ka edhe qeverinë kundër. Fundja është kompetencë e Kryeministrit që ta shkërmoqë ligjin e Shërbimit Civil, jo e deputetëve.
Propozuesit kërkojnë që stafi i ERE-s të përjashtohet nga ligji i shërbimit civil. Pra të kenë kontrata me Kod Pune. Qëllimi i i propozuesve mund të jetë pozitiv, kërkohet që rregullimi ligjor për ERE-n të lejojë kapacitete më të mira. Por Shërbimi Civil është sistem garantist dhe duhet të mbrojë sa më shumë. Mesa duket, inisiatorët e kuptojnë që ligji nuk garanton më asgjë, dhe meqë barka e shërbimit civil po mbytet, të shpëtojë kush të mundet.

Fundja, po u rregullua statusi i tyre me Kod Pune dhe jo me këtë mishamashin e shërbimit civil, do kenë shans të marrin më shumë para dëmshpërblim po i hoqën nga puna.

Por problemi është  tjetër. Si mund të pranojë qeveria që listën e përjashtimeve nga Shërbimi Civil t’ia shtojnë deputetë të thjeshtë?! A e dini ç’gërmë e nenit do të ishte ky përjashtimi për ERE-n nëse miratohet sot? Gërma “ll”. Nga gërma “a” tek gërma “ll” janë plot 17 gërma. Pra 16 përjashtime i ka bërë qeveria. 16 institucione apo sektorë të administratës. Disa me të drejtë, por shumica për të lënë nëpunësit pa garanci.

Ore, po c’farë ka mbetur më në Shërbimin Civil? Çfarë mund të hiqni ende. Se po i mbetet vetëm titulli ligjit se nuk po ka më sektor administrate ku ta zbatojmë atë ligj. E keni bërë ligjin si proshutë, feta feta, dhe në fund vetëm spango që e mban varur në tra po i mbetet.

Nejse, ata që po ikin nga puna, dhe ata që kanë ikur më parë, nuk duan t’ia dinë as për argumentet ligjore, as për institucionet që përjashtohen apo jo, dhe as duan t’ia dinë për moton makiavelike të Kryeministrit “hiq nga puna kundërshtarët dhe punëso militantët e tu”.

Ata janë duke pritur fundin e strofës që fillon me vargun “Në ato maja rripa-rripa”.


Fjala në kuvend e deputetit të PD, Oerd Bylykbashi, 15 Tetor 2015