• Dështimi me shkollat, Albana Vokshi nxjerr faktet: Në shkolla mungojnë mjetet elementare për mësim, prindërit detyrohen të blejnë çdo gjë. Vendit i duhet ndryshimi!

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI NGA “SHKOLLA JERONIM DE RADA”

Jam sot këtu para shkollës 9 -vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë. Të gjithë e mbajnë mend që në 13 shtator kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, nxitoi që të inauguronte me bujë rikonstruksionin e kësaj shkolle me fondet e vendit mik, të Katarit.

Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 57, pika 5 përcakton se “Arsimi i detyruar dhe arsimi i mesëm në shkollat publike në Shqipëri është falas”.

Por a është vërtetë falas ky arsim në Shqipëri?

Le ta nisim me atë që ne, qytetarët e Tiranës, paguajmë çdo muaj, taksën për infrastrukturën e arsimit. Çdo familjar, çdo prind paguan çdo muaj bashkë me faturën e ujit 1500 lekë. Çdo biznes, që nga biznesi i vogël, i mesëm apo biznes i madh paguan nga 40 mijë deri në 370 mijë lekë për infrastrukturën arsimore të shkollave. Pra, deri më sot, në 5 vite janë mbledhur deri në 50 milionë dollarë për infrastrukturën shkollore e cila duhet të ishte e dedikuar për ndërtimin e 17 shkollave të reja, në mënyrë që fëmijët të mos mësonin me 2, 3 apo 4 turne, apo për përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurimin e kushteve të përshtatshme për mësimin e nxënësve në shkollat e Bashkisë së Tiranës.

Janë mbledhur 30 milionë dollarë, por sot kur jemi në semestrin e dytë të vitit shkollor 2020-2021, nxënësit mësojnë ende me 2, 3 apo 4 turne. Shumica e shkollave në Tiranë nuk kanë sistem të përshtatshëm ngrohjeje.

Ku kanë shkuar pra 30 milionë dollarë që janë mbledhur nga Bashkia Tiranë?

Dhe nuk mjaftohen me kaq, çdo ditë kërkojnë të fusin duart në xhepin e prindërve, të fusin duart në buxhetin e familjeve.

Unë këtu kam disa mesazhe që drejtoresha e shkollës “Jeronim De Rada”, iu ka dërguar një grupi prindërish ku shpjegon se cilat janë nevojat emergjente të shkollës në mënyrë që të sigurohet, sikurse drejtoresha e përcakton në mesazhin e saj, “për zhvillimin sa më të mirë të procesit mësimor ashtu edhe mbi nevojat e shkollës.”

Çfarë kërkon drejtoresha?

Drejtoresha thotë që “Departamenti i Matematikës ka nevojë imediate për mjetet didaktike në ndihmë të mësimdhënies; për raportor, kompas”. “Departamenti i Gjuhës Shqipe ka nevojë për tabelat bazë të Gramatikës dhe të Gjuhës Shqipe”. “Departamenti i Historisë dhe Gjeografikë ka nevoja për harta si dhe mjete bazë për mësimin”. “Departamenti i Fiskulturës ka nevojë për topa dhe për mjete të tjera sportive”.

Ai i shkencave ka nevojë për mjete laboratorike dhe didaktike. Secila klasë duhet të ketë në këndin e saj të veçantë lidhur me ekspozimin e projekteve dhe punëve të nxënësve.

Departamenti i arsimit fillor, ka nevojë për magnetofon, videoprojektorë që lidhen me zhvillimin e orëve të ndryshme muzikore, si gjuhës së huaj, muzikës etj.

Projektet ndër lëndore sipas dapartamenteve të cilat kanë lidhje me bazën materiale që do të përdoret, printime, foto, korniza etj, biblioteka e shkollës që ka nevojë për etiketa, për skedat e librave dhe kartelat e anëtarësisë, libër inventari si edhe vulë për librat.

Shkolla ka nevojë për printer.

Sikurse e shihni, këto nevoja bazike për një mësimdhënie cilësore nuk i siguron qeveria por duhet që t’i sigurojnë prindërit.

Para ka në buxhetin e shtetit për plotësimin e të gjitha këtyre nevojave dhe për sigurimin e infrastrukturës së përshtatshme, por paratë vidhen, ato shkojnë në parajsa fiskale, ato shkojnë për një turizëm luksoz me mish floriri në restorantet më të shtrenjta në Dubai dhe nuk merret asnjë masë të kenë kushte të përshtatshme, të ngrohta për të bërë mësim.

Asnjë qindarkë investime nga qeveria për fëmijët, asnjë masë e marrë për të mbrojtur mësuesit.

Të braktisur, të keqtrajtuar, të keqshfrytëzuar, dhjetëra orë të papaguara në javë dhe për më tepër të mashtruar për gjoja rritje të pagave nga kryeministri Edi Rama.

Por kur është boll, është boll. Kësaj duhet t’i jepet fund një herë e mirë.

Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër të lidhur me bandat, për një kryeministër të lidhur me mafian dhe krimin.

Shqiptarët dhe Shqipëria kanë nevojë për një kryeministër të dijes, për një kryeministër të arsimit.

Pas 25 prillit Partia Demokratike do ta shndërrojë arsimin në prioritet të prioriteteve.

Në fund të mandatit të PD-së, çdo shkollë në të gjithë Shqipërinë do të ketë kushte të përshtatshme dhe infrastrukturë moderne të standardizuar integruese me standarde ndërkombëtare të aksesueshme për çdo fëmi.

Prindërit nuk do të kenë më shqetësimin se ku do të mësojnë fëmijët e tyre pasi shkollat do të jenë vënde të sigurta të dijes, argëtimit, pushimit të fëmijës, duke përfshirë këtu edhe një vakt ngrënie.

PD do t’i japë vendin që meriton me respekt dhe dinjitet që meritojnë të gjithë mësuesit, duke filluar që nga rritja reale e pagave.

Do të rriten pagat e mësuesve 60%.

Me pjesëmarrjen më të lartë ndonjëherë në historinë e vendit më 25 prill ne do të çlirohemi një herë e mirë nga kjo qeverisje e keqe, e dështuar, e korruptuar, për të sjellë në vend shpresë dhe ndryshim.

Së bashku ne do ta sjellim këtë ndryshim.

Falemnderit.