Ka shumë gjëra që i ndajnë forcat tona politike, siç e fundit është normale për politikën në përgjithësi, por të paktën deri më sot çështjet Europiane na kanë bashkuar. Gjatë këtyre viteve, thuajse të gjitha qeveritë janë përpjekur që të përfshijnë në axhendat e tyre politike integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Padyshim disa e kanë bërë këtë me më shumë retorikë se sa me vepra, e të tjera kanë pasur më pak fantazi në publicitet dhe më shumë vullnet në vepra.

Në këtë përpjekje prej dy dekadash nga ky parlament kanë dalë ligje që janë në përputhshmëri thuajse të plotë ose të pjesshme me ligjet e bashkimit Evropian. Kjo jo vetëm si mënyrë për të shprehur vullnetin tonë politik se jemi pro integrimit, por edhe si një dëshmi edhe dakordësi e vlerave që këto ligje përfaqësojnë për shoqërinë. Si një besim se legjislacioni europian është ai që siguron një dinjitet dhe një besim të shoqërisë ndaj pushtetit.

Me sa duket, kjo filozofi dhe perceptim për ligjin dhe raportin tonë me Bashkimin Europian ka filluar të rrëshqasë në një humnerë që nisi si pa pritur e pa kujtuar duke i vënë shqelmin atij pakti të gjerë për ligjin e nënpunësit civil. Pjesë e kritereve të Komisionit Europian për hapjen e negociatave! Që vazhdoi me të bërit të paditurit kur vjen fjala për dekriminalizimin, reformën në drejtësi e kështu me radhë.

Veprime që dëshmojnë më së miri ligjërimet e një kryeministri që do të bëjë interesantin ndaj Europës, megjithëse populli të cilin ai ka marrë përsipër ta përfaqësojë dhe ta qeverisë mendon tërësisht të kundërtën e tij. E për këtë të fundit dëshmitarë janë ato qindra e mijëra shqiptarë që largohen përditë nga kjo anija e përmbytur drejt Gjermanisë. Veprimet e qeverisë që përputhen tërësisht me ligjërimin kryeministror kanë arritur deri në pikën e krijimit të ligjeve apo ndryshimeve ligjore që janë tërësisht të papërputhshme me legjislacionin e BE-së si dhe këshillat e saj.

Ligji mbi Inspektimin Financiar, që sot është në rendin e ditës, është një shembull i qartë i materializimit të ligjërimit kryeministror, e të kësaj mendësie. Për të qenë më konkret, funksioni i inspektimin financiar ekzistues është rregulluar me asistencën e BE-së, e kolegë deputetë më të vjetër se unë në këtë sallë besoj se e dinë më mirë se unë këtë fakt. Mirëpo ndonëse është një funksion që nuk ka hasur në probleme e ka funksionuar më së miri përsëri po ndryshohet. Por ky ndryshim nuk vjen në favor të përputhjes së këtij ligji me standartet e BE-së, ndonëse qeveria përdor argumentet e saj në raportin e paraqitur, kjo sepse këto ndryshime vijnë vetëm si qëllim për të fryrë numrin e të punësuarve në shtet.

Si pasojë, ndryshimet do të reflektojnë një rritje të burokracisë dhe presionin mbi të punësuarit në këto sisteme. Rezultati i këtyre ndryshimeve do të sjellë kthimin e njësisë ekzistuese nga një njësi koordinimi në një njësi inspektimi, duke rritur artificialisht dhe në mënyrë të pakuptimtë burokracinë e mbi të gjitha duke qenë në kundërshti me BE-në dhe sugjerimet e saj. Duke denatyruar funksionin kryesor të saj e duke e kthyer dhe këtë në një shkop në dorë të ministrave për të gjuajtur ata që nuk i pëlqejnë.

Prandaj sot kemi një ligj që nuk është jo vetëm në përputhje me ndonjë kritikë apo përputhshmëri me këshillat e BE-së, por që është një prurje e pakuptimtë që do të na sjellë më shumë burokraci dhe më pak efektivitet. Por duket se kjo është gjëja e fundit që mund t’ju shqetësoj disave prej jush, ndoshta edhe shumicës së një mazhorance që duket se e ka humbur atë fillin e logjikës që duhet të ketë gjithsecili prej nesh.

E fundja ne sot këtu diskutojmë disa ndryshime që shumë prej jush mund t’iu duken teknike, e kur çdo gjë po shkon keq në këtë vend pse duhet të shqetësohemi që edhe inspektimi financiar po shkatërrohet?! Kur nuk ju bën përshtypje që të ardhurat muaj pas muaji po bien, e kur ju shtoni presion të ardhura vazhdojnë bien. Kur trau i doganës jo vetëm që nuk ulet më po nuk ka mbeturë maune e kamion pa kaluar kurse të ardhurat mbeten po me minus. Kur vetëm dy muajt e fundit keni një msorealizim prej 50 mln usd, kur keni rritur numrin e kuponave tatimore por vlera për kupon ka rënë me një të tretën, kur nuk po lihet shërbim pa u dhënë me koncesione abuzive kur tendera publikë u jepen ministrave e miqve të tyre.

Çfarë mund të jenë disa ndryshime në funksionimin e sistemit të isnpektimit financiar? Sigurisht jo një dëm ëaq i madh krahasuar më këto bëma të qeverisë, por mënyra se si sistemi po ndryshon, mënyra se si çdo isntitucion po kapet, se si çdo mekanizëm thjesht po përdoret për të gjuajtur e goditur ato që nuk e mendojnë si ty është e frikshme.

I mbushni, bizneset në gjoba për të shpëtuar lëkurën e drejtorëve që keni vendosur në krye të agjencive më të rëndësishme qeveritare. I mbushni në gjoba qytetarët që mezi nxjerrin bukën e gojës dhe nuk ju ndjehet zëri kur drejtoresha e tatimeve abuzon me thuajse 10 milion euro tender. Më e bukura është që mirë se ka harxhuar si të ketë dëshirë 10 mln euro por nga ana tjetër produkti që ka nxjerrë është një faqe interneti që nuk funksionon as në kriteret më minimale. E për shkak të këtij abuzimi shumë biznese ose detyrohen të kthehen në forma primitive për të dorëzuar bilancet ose nga krahu tjetër mbushen me gjoba.

Nuk mund të pres të jeni të ndjeshëm ndaj këtij ligji, kur prej askujt nuk dëgjova të flitej një fjalë për akuzën që KLSH i ka bërë një ish drejtori të OSHEE. I cili është akuzuar nga KLSH se ka abuzuar me 9.7 milion euro në blerjen e energjisë elektrike ndërkohë që shumica prej jush ishin luftëtarë të paepur ndaj vjedhjes që ju bëhej shqiptarëve në energjinë elektrike. Po sot ku janë këto luftëtarë të paepur të barazisë përpara ligjit? Ku janë fjalimet pompoze se shteti nuk ndalon para asgjëje?

Ndërkohë që oratorët e zotë të kësaj qeverie kanë filluar të heshtin, shqiptarët jetojnë në një Shqipëri të varfër, e këtë ua thonë shifrat e INSTAT të Kryeministrit, i cili ju tregoi atë që opozita dhe aktorë të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë u kanë thënë. Ju dëshmoi se konsumi ka rënë  me 3.16% në tremujorin e dytë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke ua përplasur në fytyrë të vërtetën që për një kohë të gjatë e mohonit, duke ua thënë edhe një herë se nuk keni as rritje të konsumit dhe as një jetesë më të mirë.

Shqiptarët sot po kursejnë dhe po shpenzojnë më pak edhe për mallrat jetikë, ato janë të detyruar të shpenzojnë më shumë vetëm në ato mallra që nuk mund t’i shmangen. E juve pikërisht si një qeveri xhandarësh rrisni çmimin e këtyre të mirave dhe shërbimeve, siç bëtë me çmimin e energjisë elektrike, me tarifat e shkollimit madje edhe me taksat të cilat në versionin e tyre neto kanë patur një impakt negativ prej 5.12%.

Sot Shqipëria nuk është më një vend që përpiqet të luftojë për të nxjerrë qytetarët e saj në një jetë më të mirë, përkundrazi është një vend që ka zgjedhur të luftojë si Don Kishoti me mullinjtë e erës. Jemi një vend që kemi zgjedhur të mbulojmë defiçitin e stërmadh buxhetor, që na vjen si pasojë e pazareve në poste të larta drejtuese me një betejë të pamëshirshme ndaj bizneseve të vogla. Të gjithë e dimë ku çalon puna dhe hiqemi sikur nuk e kuptojmë problemin, si e si për t’i shmangur problemit.

Jo më larg se pesë ditë më parë, ministri i ekonomisë ka qenë në një tryezë me aktorët ekonomikë ndërkombëtarë. Të cilët nuk i thanë asgjë më shumë se sa ajo çfarë opozita ka thënë në këtë sallë kuvendi. Ato i përsëritën qartazi se historia e kërbaçit dhe gjasme të bërit shtet nuk e ndihmon biznesin e rrjedhimisht as ekonominë edhe as nuk shëron plagën e një buxheti që me zi mbushet me të ardhura.

I përsëritën se sot e kësaj dite, biznesi është vendosur në një klimë tmerri nga një qeveri që nuk ka fuqinë për të dënuar ato që korruptohen më kollaj. Biznesit i duhet të mbyllë qepenat jo sepse shteti do të bëjë shtetin por sepse ky i fundit ka vendosur të bëjë xhandarin me të dobëtin duke mos folur aspak për ato që i vjedhin paratë e qytetarëve shqiptarë nën hundë.

Për pasojë, qytetarët e Vlorës dhe Fierit do të përmbyten sepse qeveria që pretendon se ka edhe sot e kësaj dite votat e tyre i ka shkurtuar me 25% fondet për infrastrukturën e kullimit. Qytetarët e këtyre zonave nuk mundën dot të përfitonin sepse qeveria qe e paaftë që të mblidhte paratë e kontrabandës së cigares dhe naftës. Zonat rurale të këtyre bashkive të mëdha, nuk mundet të përfitonin nga  2 miliardë lekë që ishte fondi fillestar në buxhet për infrastrukturën e Ujitjes dhe Kullimit sepse qeveria socialiste nuk mundi dot të ndalonte abuzimin me fondet publike të drejtoreshës së tatimeve.

Sot jemi më pak të sigurtë në biznes, në konsum dhe madje edhe për shëndetin tonë. Ironikisht, qeveria e shëndetësisë falas vazhdon të mbushë gazetat dhe mediat me një reformë shëndetësore që po bën namin kur në fakt përballë nesh shohim vetëm tendera abuzivë. Shëndetësia falas na është kthyer në një paketë të re kostosh për qytetarët që u duhet të paguajnë për barnat kurse Ministria e Shëndetësisë ka dështuar të sigurojë ilaçe të mjaftueshme për skemën e rimbursimit.

Por kjo nuk është problem sepse ministri i shëndetësisë nga ana e tij ka mundësuar që ish kompania e tij të fitojë tendera me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Pak rëndësi ka nëse shqiptarët paguajnë më shumë për ilaçet e tyre, nëse ato nuk marrin shërbimin e kërkuar në spital apo nëse transportohen nga mjekët e urgjencës në mjete rethanore. Me rëndësi është që ministri të jetë i qetë në punën e tij dhe të ketë mundësinë të fitojë tendera sidomos ato të cilat janë tendera të drejtë për drejtë.

Duket se të gjitha sa më sipër janë paketa e plotë rilindase e vendosur në funksion të qytetarëve. Arsim Publik Fals, Shëndetësi False dhe një qeveri që mbush xhepat e qeveritarëve, prodhuat parrullën e famshme të Oruell “Të gjithë të barabartë përpara ligjit por disa janë edhe më të barabartë”

Prandaj, sot nuk është më çështja nëse juve po qeverisni mirë apo keq sepse bëmat me të inkriminuar në parlament dhe me të korruptuar në qeveri të cilët ju i mbuloni duke arrestuar të pafajshëm, janë një argument i qartë për këdo që do të shohë. Çështja sot është se ne kemi një qeveri që përmes publicitetit fals jo vetëm po gënjen shqiptarët se po ndërton shtet por mbi të gjitha po gënjen dhe veten e saj për këtë, e kjo është më e rrezikshmja.


Fjala në kuvend e deputetes të PD, Jorida Tabaku, 15 Tetor 2015