Faleminderit drejtuese e seancës.
Të nderuar kolegë.
Te nderuar qytetarë.
Para se të filloj diskutimin për projektligjin që po diskutojmë dua te mbështes fermerët e Devollit që organizuan një protestë paqësore e me leje te rregullt. Këtë protestë deshën ta pengonin për një makine me mallra vendi.
Jo të dashur pushtetarë devollitët kishin ardhur per te kerkuar vëmendje per atë, se përvec shume halleve që kanë, duan te sigurojnë bukë per familjet e tyre.
Dua të tërheq dhe unë vëmendjen se edhe në Shkodeër, si në Devoll, ka mungesë totale në mbështetjen e fermereve. Në qarkun tone nuk ka asnje lloj subvencioni. Investimet nga ana e qeverisë janë shumë të ulta, ku në total per në gjithë qarkun tonë kapin shifrën 400 mije euro.
Tani per projektligjin.
Projektligji “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha insitucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë” i sjellë për diskutim në parlament na paraqitet si një amendim shtesë i reformës së pensioneve të ndërmarra nga qeveria.
Ashtu si dhe vetë reforma në përgjithësi, e cila nuk pritet të përmirësojë situatën e pensionistëve aktualë dhe përfituesve në vitet që do të vijnë, edhe ky amendim nuk vjen për të rritur pensionet, por kontributet për  punonjësit  me tituj shkencor të institucioneve të arsimit të lartë, atyre kërkimore shkencore dhe Akademisë së Shkencave. Në  relacionin e qeverisë thuhet se përmes këtij projektligji synohet  harmonizimi i efekteve financiare që vijnë si rezultat i përfitimeve suplementare të personave me tituj shkencorë, me qëllim lidhjen më të mirë mes kontributeve dhe benefiteve, si dhe reduktimin e subvencioneve buxhetore për financimin e kësaj skeme, duke ndryshuar përkatësisht nenet, 2, 4, 5, 7, 8, 10 dhe 14 të ligjit të 2009. Sipas ligjit ekzistues, ndryshe nga punonjësit e administratës publike punonjësit me tituj shkencor në institucionet e sipëpërmendura u bënë subjekt i perfitimit të pensioneve suplementare. Në këtë ligj u përcaktua një kontribut shtesë 3,5%, i cili është 0.5% më i lartë se i specialistëve të administratës publike dhe 0.5% më i ulët se sa i drejtuesve në administratën publike, duke ruajtur edhe një ekuilibër logjik sipas pagave përkatëse. Ligji ekzistues i vitit 2009 e përcaktonte masën e kontributit për personat me tituj shkencorë të punësuar në institucionet publike në masën 3.5% të pagës referuese, ndërsa tani  ky kontribut kërkohet të rritet në 5%. Njëkohësisht ligji bën disa rregullime teknike dhe fut në skemë edhe punonjësit kërkimorë-shkencorë që kanë tituj alternative të barasvlefshëm me titujt akademikë “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”.
Pra siç shihet, qëllimi mbetet reduktimi i subvencionit shtetëror për këtë kategori përfituesish të cilët përbëjnë sipas raportit të qeverisë vetëm 595 përfitues dhe ka  aktualisht 510 kontribues. Po sipas relacionit, mësohet se më të ardhurat nga kontributet mbulohen vetëm 27% e shpenzimeve të skemës dhe buxheti i shtetit mbulon përmes subvencioneve pjesën tjetër prej 73%.
Në pamje të parë duket se ky amendim ka një logjikë të pranueshme ekonomike që shkon drejt shkurtimit të parave që derdh shteti, pasi numri i kontribuesve aktualisht është më i vogël se i atyre që përfitojnë.  Por vështruar në raportin e asaj fryme që gjoja po synohet të realizohet përmes kësaj skeme, nuk është balancimi mes kontributit të individit dhe përfitimit të tij në të ardhmen, por i rritet nga 3.5% në  5%, vetëm kontributi, çka mund të përkthehet se sot -ti punonjës me titull shkencor, paguan më shumë sigurime nga paga jote, jo me qëllimin që nesër do të kesh një pension më të mirë, por duhet të të marrim më shumë që të paguajmë këto që janë në pension se duam të qesim më pak para nga arka e shtetit. Një logjikë të tillë nuk e ndeshim në asnjë vend të Bashkimit Evropian. Kudo, duke përjashtuar pensionet private, shteti është subvencionuesi kryesor i pensioneve dhe skema e tyre gjithnjë llogaritet në politikat sociale.
Ajo çfarë të bën tjetër përshtypje në këtë ndryshim të ligjit mbi pensionet suplementare është pritshmëria financiare e cila sipas përllogaritjes të relatorëve duhet të jetë afro 5 milionë lekë. Një shifër kjo që duket jo vetëm e vogël, por edhe mjaft qesharake duke pasur parasysh skandalet e ryshfetmarrjes, korrupsionit dhe abuzimeve deri në 600 milionë euro me CEZ-in. Duke u nisur nga kjo mund të shihet qartë se raporti kontribute-subvencione nuk ndryshon shumë, pasi siç e thamë kontribuesit e sotëm të kësaj kategorie janë vetëm 510 vetë, pra  kjo rritje nuk e përmirëson skemën, por rëndon vetëm kontribuesit e sotëm. Madje ky grup me rritjen e kontributit në nivelin 5% nga ky ndryshim në ligj, paguan më shumë edhe se vetë drejtuesit e administratës publike të cilët e kanë kontributin në nivelin 4%.
Mendoj se mjafton vetëm kjo pikë për të parë se këto ndryshime ligjore nuk ecin aspak në harmonizim me reformën e pensioneve. Madje në këtë këndvështrim, kur paguan më shumë se të tjerët që i takojnë së njëjtës kategori pagash, padyshim që nuk shkon drejt harmonizimit të pritur, por merr ngjyra diskriminues. Mund të quhet pa frikë diskriminues, pasi rrit kontributet e sigurimeve shoqërore për punonjësit e Universiteteve në një nivel më të lartë se administrata publike. Kjo rritje e kontributit në 5 %, tani, e shndërron të drejtën e marrjes së pensionit suplementar, në blerje të tij.
Nga ana tjetër edhe koha kur vijnë këto ndryshime ligjore të bëjnë ti mendosh këto amendime si paragjykuese, si një lloj hakmarrje ndaj punonjësve akademikë. Pasi, pikërisht ato që goditen nga ky ndryshim ligjor janë  punonjësit e Universiteteve, dhe kjo bëhet në momentin kur ata kontestuan dhe kundërshtuan ligjin e ri të arsimit të lartë që miratuat sërish me forcën dhe arrogancën e kartonave tuaj si mazhorancë.
Mesa duket edhe këto ndryshime ecin në frymën e politikave të kësaj qeverie, që si vizion të  vetëm politik dhe zgjidhjet fiskale i gjen duke rënduar qytetarët.
Ndryshimet që u bënë vitin e kaluar në ligjin e pensioneve u shitën si reformë, por në të vërtetë ishin disa amendime të ligjit mbi koncepte politike që uljen e pensioneve e shesin për rritje.
Reformat e pensioneve gjithmonë parashikojnë efekte për 50 – 70 vite të ardhshme dhe ato duhet të miratohen me konsensus, sepse më shumë se politika ekonomike, pensionet janë mirëfilli politika sociale, ku shteti mbron dhe paguan moshën e tretë, sipas parimit kushtetues.
Por qeveria e majtë  uli pensionet e reja dhe bllokoi rritjen e atyre ekzituese. Prej 2 vitesh pensionet janë ulur të paktën 15% mbasi inflacioni ka qenë rreth 2%,  ndërsa çmimet e mallrave bazë të konsumit janë rritur 6-8% në vit.
Prandaj mendoj se duhet votuar kundër këtyre ndryshimeve ligjore, pasi shtërngimi i masave fiskale, rritja e taksave, po e tregojnë se nuk janë aspak zgjidhja e duhur ekonomike, madje përkundrazi po bëjnë të kundërtën, po thellojnë dhe po e zgjasin krizën, dhe po vrasin shpresën e shqiptarëve duke prodhuar vetëm eksod.


Fjala në kuvend e deputetes të PD, Irma Kopliku, 15 Tetor 2015