·         Basha: Politika të gabuara dhe zbatim i gabuar i politikave të turizmit. Biznesi ia ka dalë vetëm ta rendisë Shqipërinë si destinacion turistik. Turizmi ndikon pozitivisht shumë sektorë të tjerë, si bujqësia, transporti.

·         Basha: Programi ynë “Shqipëria fiton turizmin” me angazhime serioze.  Dëshirat tona i tejkalojnë angazhimet tona dhe duam të jemi realistë.

·         Basha: Turizmi do të ketë një rritje të kontributit në GDP nga 8% në 10%.  Dyfishim i numrit të të punësuarve në turizëm.  Rritje vjetore 15% e industrisë së turizmit.

·         Basha: Një paketë financiare dhe fiskale për të kualifikuar fuqinë punëtore.  Turizmi prioritet kombëtar, mbështetje me masa financiare, ligjore, fiskale.

·         Basha: Shteti ka mundësi të bëjë shumë për turizmin. Prej 8 vitesh, shumë pak investime publike. Pas 25 prillit, një qeveri që ka turizmin prioritet kombëtar.

·         Basha: Vëmendje e jashtëzakonshme në program për trajnimin e burimeve njerëzore. Partneritet me institucione europiane për trajnimin e stafeve. Një pjesë e ndihmës së BE do ta kanalizojmë në skemat e trajnimit profesional të nivelit europian. 

 

NJOFTIMI PËR TAKIMIN E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME PËRFAQËSUES TË BIZNESIT TË TURIZMIT NË DURRËS

 

Kryetari i PD, Lulzim Basha u takua sot në Durrës me përfaqësuesit kryesor të biznesit të turizmit në këtë rajon për të shpjeguar Programin Shqipëria Fiton për Turizmin.

Kreu i opozitës u shpjegoi bizneseve efektet që do të ketë ky angazhim i qeverisë së tij pas 25 prillit për të gjithë turizmin në vend.

Lulzim Basha: Për fat të keq, sot është dita e parë e masave të reja shtrënguese që fillojnë me kufizimin e orarit dhe një nga shqetësimet kryesore, padiskutim është fati i turizmit dhe i gjithë industrisë dhe i degëve të lidhura me të gjatë muajve që vijnë. Megjithatë, sot jam në mesin tuaj për të diskutuar jo thjeshtë për problemet e shkaktuara dhe të thelluara nga pandemia dhe mbartjen e këtyre problemeve gjatë sezonit të ardhshëm turistik, por mbi të gjitha të flasim për një zgjidhje afatmesme dhe afatgjatë për shumë prej këtyre problemeve të akumuluara që janë pjesë e planit që ne shpalosëm dhe bëmë publik dje. Siç e keni ndjekur, një pjesë e madhe të propozimeve tuaja gjatë dialogut që kemi pasur gjatë një viti e gjysmë, pothuajse dy vite, janë reflektuar në këtë plan. Padiskutim që turizmi ka marrë një rol kryesor në programin tonë, për arsyen e thjesht dhe të qartë, sepse përbën një prioritet kombëtar sa i përket objektivit tonë të rritjes ekonomike dhe të shumëfishimit të mundësive për të punësuar njerëzit dhe për të siguruar punonjësit me paga dinjitoze. Merita kryesore këtu është e juaja, është e operatorëve turistik që pavarësisht prej situatës së vështirë, mungesës së mbështetjes dhe në shumë raste të politikave të gabuara dhe zbatimit akoma më të gabuar të këtyre politikave, ja keni dalë që në një kohë relativisht të shkurtër ta vendosni Shqipërinë në hartën e turizmit. Por kjo nuk mjafton. Të gjithë e dimë që sfidat me të cilat ju përballeni, asnjë vend tjetër nuk i përballon pa rreshtuar ndihmën e qeverisë dhe ndihmën e shtetit në krah të operatorëve turistik, në krah të punëdhënësve të cilat janë përgjegjës drejtpërsëdrejti përmes restoranteve, hotelerisë, resorteve por dhe përmes zinxhirit të ekonomisë që tërheqin, i cili shkon thellë degë të tjera të ekonomisë, që nga transporti, transporti ajror dhe detar, transporti i brendshëm tokësor, bujqësia, agro-përpunimi e gjithë industria e shërbimeve në tërësi. Ndaj sot jam këtu me dy nga anëtarët e ekipit që kam punuar bashkë me dhjetëra ekspertë të tjerë, në bashkëpunim dhe me shoqatat e operatorëve turistikë për të bashkëbiseduar për programin tonë, për Turizmin dhe për të hedhur së bashku disa piketa mbi të cilat nis një orë e më parë zbatimi I këtij programi, natyrisht bëhet fjalë pas 25 Prillit. Dy çështje përpara se ta nis këtë bashkëbisedim në mënyrë të thelluar, jemi kujdesur që gjithçka i vendosur në këtë plan të jetë një angazhim i zbatueshëm. Dëshira jonë tejkalon disa prej objektivave që kemi vendosur aty por do të ishte e padrejtë dhe e pandershme dhe një dejavu e 8 viteve të kaluara që të vinim me premtime bombastike dhe pastaj të rrinim duarkryq dhe ju të mbeteni në vend numëro siç keni mbetur këto 8 vite. Është më mirë të jemi realist, të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin dhe ato angazhime që merren të kryen. Po-ja të jetë po, angazhimi të përmbushet dhe padiskutim rritja ekonomike, zhvillimi ekonomik në çdo sektor dhe në veçanti në sektorin e Turizmit hap pastaj të gjitha mundësitë që të kalojmë edhe  përtej këtyre objektivave. Në rrafshin e objektivave të drejtpërdrejta  që kanë të bëjnë me turizmin, synimi kryesor është  që brenda 4 viteve  industria të ketë  një rritje nga 8 në 10% dhe këtu padiskutim përjashtojmë pjesën e udhëtimit, që është pothuajse edhe njëherë kaq. Flasim vetëm për  turizmin dhe jo  për udhëtimin, se  bashkë me udhëtimin na shkon 22%. Në praktikë kjo do të thotë, të dyfishojmë numrin  e  të punësuarve në sektor. Në praktikë kjo do të thotë synojmë  një rritje prej 15% të numrit të turistëve vit pas viti. Këto janë objektivat. Instrumente sesi duhet bërë kjo.

Ne kemi shpalosur disa prej këtyre instrumentave dhe  sot mund të diskutojmë në detaje  edhe të tjera dhe proceset se si do i avancojmë, por një nga instrumentat  është padiskustim që taksa 6% që duhet të zbatohet për të gjithë operatorët turistikë, e kam fjalën për TVSH-në, tatimin mbi vlerën e shtuar. Ky instrument së bashku me një mbështetje të fuqishme financiare, me një paketë financiare dhe fiskale për të mbështetur kualifikimin e fuqisë punëtore, kualifikimin e rikualifikimin e fuqisë punëtore. Për të tërhequr në bashkëpunim me ju dhe drejt bashkëpunimit me ju  agjensitë më të mëdha, operatorët më të mëdhenj turistikë për të diversifikuar tregun në veçanti në ato zona të cilat i kemi të paprekura ose pak të prekura dhe që kanë një potencial të madh. Këto nuk do të jenë më thjesht objektiva individuale apo të shoqatave të ndryshme të sektorit por do jenë objektiva të përbashkëta të qeverisë së ardhshme dhe të gjithë sektorit nga operatori individual tek shoqatat e sektorit me të cilat dialogu do të jetë i përhershëm dhe vendimmarrja do të jetë transparente. Deklarimi i këtij sektori si një prioritet kombëtar nuk vjen thjesht dhe vetëm për një parullë apo slogan, se me slogane, me parulla e me premtime bosh edhe ju si çdo kujt tjetër i ka ardhur në majë të hundës këto 8 vite. Me to mbetesh në llucë, nuk ecën përpara. Deklarimi si prioritet kombëtar do të thotë të bashkëshoqërohet me masa konkrete, fiskale, financiare, ligjore dhe mbështetje konkrete institucionale. Shteti ka mundësi të jashtëzakonshme për t’iu mbështetur në çdo hap duke përfshirë edhe në kontaktet, edhe në thithjen e interesit dhe shprehjen e interesit dhe pranisë së operatorëve ndërkombëtarë, edhe në diversikimin e tregut, por mbi të gjitha duke ju mbështetur aty ku ju dhemb më shumë. Për 8 vite me radhë, po të bëjmë një analizë të investimeve publike do të shohim që shumë pak investime publike kanë shkuar në ndihmë të sektorit turistik apo në ndihmë të ekonomisë në tërësi dhe kjo është e papranueshme. Këto janë paratë e taksave të tuaja, taksave të shqiptarëve. Me planin tonë një pjesë e madhe e investimeve publike do të shkojnë drejtpërdrejt në ndihëm të turizmit qoftë kjo në planin e infrastrukturës rrugore padiskutim të infrastrukturës që mbështet furnizimin me ujë të pijshëm me energji të pandërprerë dhe në të gjitha aspektet e tjera të cilat janë të domosdoshme për të siguruar një sezon turistik normal dhe një sezon turistik që shkon përtej gjatësisë aktuale e cila është totalisht e paqëndrueshme në kuptimin e investimeve që keni bërë dhe e përfitimeve që prisni të merrni dhe është totalisht e papërputhshme me potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi. Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm, vendi ka operatorë turistikë që i kanë ndërtuar me duart e tyre pa mbështetje, shpesh herë me shtetin kundër një infrastrukturë, një taban mbi të cilin mund të punohet. Pas 25 prillit do të ketë një qeveri që turizmin e ka prioritet kombëtar, jo me fjalë por me vepra dhe me akte konkrete, me akte fiskale, me akte buxhetore, me financime konkrete, me trajnimin, me në qoftë se mund ta quaj kështu me diplomacinë turistike, pra me vënien në dispozicion të resurseve të shtetit për të bërë të mundur që Shqipërisë ti jepet mundësia të kapë ritmin e vendeve të tjera të rajonit të cilat të gjithë e dinë që nuk ka nevojë të krahasohemi me të tjerët, kanë ecur shumë më përpara se ne për këtë arsye. Për arsyen e vetme sepse Mali i Zi, Maqedonia e Veriut madje edhe Kosova, kanë ditur të japin mbështetjen e duhur sektorit të turizmit dhe kjo është përkthyer në vende pune, është kthyer në mirëqenie, është përkthyer në rritje ekonomike. Ka ardhur koha që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë dhe unë para jush nuk vij me premtime por vij me angazhime konkrete, pjesë e një plani konkret të zbatueshëm prej ditës së parë, javë pas jave, muaj pas muaji me qëllim që edhe ju qeverinë e ardhshme shqiptare ta keni në krah siç e kanë në krah qeverinë e tyre vendet e rajonit për zhvillimin e turizmit.

Me statusin e kandidatit për kryeministër, Basha iu tha përfaqësuesve të sipërmarrjes turistike se ai nuk bën premtime boshe të cilat nuk mbahen, por angazhime konkrete të cilat do të jenë në planin e punës së qeverisë për turizmin fill pas 25 prillit.

Lulzim Basha: Kamë bindjen më të thellë që Shqipëria i ka të gjitha mundësitë nuk është faji juaj, nuk është faji i rinisë, nuk janë dështimet tuaja ju keni bërë mbi njerëzoren keni bërë atë që s’bëjnë dot kolegët tuaj në vendet e rajonit dhe Europë përkundër gjithë vështirësive që keni pasur. Dështimi është për fat të keq i kryeministrit në ikje dhe të garantoj meqë ma përmende jemi takuar ju kam thënë do takohemi prapë meqë ma përmende përsëri do të takohemi pas 25 prillit që këto angazhime që kam sjell para jush këtë plan konkret t’i matim muaj pas muaji, vit pas viti në plotësimin e tyre siç të kam thënë kur jemi takuar herën e parafundit që do të shihemi prapë e do t’iu vij me një plan konkret, nuk do t’ju vij me premtime dhe vetë e the që nuk janë premtime, është një plan i realizueshëm nuk janë premtime bombastike që pastaj harrohen dhe mbeten të parealizuara siç kanë ndodhur para 8 viteve dhe jemi vend numëro kemi ngec në baltë, ndërkohë të gjithë vendet e tjera të rajonit kanë ec përpara. Po kështu po të garantoj që këto angazhime konkrete që kemi ndërmarrë para jush do të fillojmë t’i zbatojmë prej ditës së parë, muaj pas muaji dhe do të vazhdojmë këtë lloj dialogu që kemi ndërtuar në mënyrë që ju të jeni në gjendje të matni performancën e qeverisjes së ardhshme, si po i mbajmë këto angazhime si po i vëmë në jetë angazhimet që kemi ndërmarrë ndaj jush dhe po kështu bashkërisht të shoshim se çfarë tjetër mund të bëjmë në mënyrë që Shqipëria të kap kohën e humbur. Sepse e the shumë mirë dhe ky është çelësi edhe për t’i thënë rinis shqiptare mos ikni rrini këtu. Rrini votoni për ndryshimin, çelësi është ky. Asnjë nga shqiptarët nuk ka dështuar këto 8 vite përkundrazi po të shikoni pengesat që keni pas ju jeni heronjtë. Ju kolegët tuaj në Vlorë, në Shkodër, në Lezhë, në Pogradec kudo jeni heronjtë, kolegët tuaj të sipërmarrjes shqiptare në të gjithë ekonomin shqiptare jeni heronjtë keni mbijetuar me sakrifica të jashtëzakonshme, keni vazhduar të investoni, të besoni tek ky vend i mrekullueshëm. Nuk kemi ardhur në këtë pikë krize për shkakun tuaj, as për shkak të rinisë shqiptare, që është po kaq e mrekullueshme, plot me talent që e do këtë vend, e do këtë vend, kemi ardhur për shkak të dështimeve të një njeriu që premtoji hënën dhe diellin dhe jo vetëm nuk bëri asgjë, por e çoji ekonominë në gropë. Ndaj sot vijmë para jush me angazhime dhe jo me premtime, shihemi sy më sy siç jemi parë ditën e parë kur kemi diskutuar problemet para shumë vitesh, siç jemi parë herën e fundit para këtij takimi, kur ju kam thënë që para jush do vij me plan konkret dhe s’do të vij me premtime boshe e të pambajtshme dhe ju siguroj që pas 25 prillit me qeverinë e re do ta keni këtë partneritet, siç e keni sot me mua si kryetar i opozitës, si kryetarë i koalicionit të opozitës, nesër do ta keni me mua si kryeministër dhe me qeverinë e re, të jeni të bindur dhe kam besim se do ta vlerësoni, siç vlerësuat dhe faktin që u ktheva tek ju me një plan konkret angazhimesh dhe jo me premtime boshe.

Përfaqësuesit e biznesit turistik, vlerërsuan angazhimin e PD në programin për turizmin dhe gjatë diskutimit shpalosën edhe dietë e tyre se si mund të ndërtohet një turizëm elitar në vend. Ata thanë se bashkëpunimi me qeverinë e ardhshme, por edhe efektet që sjell programi i propozuar nga Basha, janë garanci për të çuar në standardet europiane turizmin.