• Pagat e mësuesve, PD i përgjigjet Ramës: Nuk e mbajti premtimin. Në 8 vjet rritja reale vetëm me 30 euro. Më 25 prill, Rama humbet, fiton Shqipëria.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Edi Rama sot bëri një autogol në tentativën për të mashtruar publikun për programin tonë të arsimit. Në të vërtetë, tregoi se për 8 vjet, që nga 2013-2021, ai i la në baltë mësuesit dhe nuk i rriti pagat e tyre.

Janë 8 vjet dështime në arsim. 34 mijë mësues dhe familjet e tyre janë në vendnumëro me Edi Ramën.

Nuk ishte kështu më qeverinë e Partisë Demokratike. Ne i rritëm pagat mbi 2 herë. Shpërblimi në fund të vitit ishte 100 mijë lekë. Ndërsa Edi Rama, i mashtroi dhe i braktisi. Për 8 vjet i ka rritur pagat e mësuesve diku tek 30 euro, shpërblimi I fundvitit është harruar, ndërsa prej një viti u vjedh mësuesve edhe orët shtesë të pandemisë.

Mësuesit janë të lënë në baltë nga qeveria e Edi Ramës. Janë të tallur, të fyer, të stërmunduar dhe të keqpaguar. Këta ishin 8 vitet më të këqinj për arsimin, për nxënësit, për prindërit dhe për të gjithë vendin.

Janë 8 vjet në vendnumëro. E gjithë Shqipëria është në vendnumëro për shkak të dështimeve të Edi Ramës.

Shqipëria nuk e ka luksin të rrijë edhe 4 vjet të tjera vend numëro me Ramën. Ka ardhur koha për ndryshim, sepse ata që e lanë në baltë Shqipërinë, nuk mund ta çojnë drejt suksesit.

Në qeverinë e Lulzim Bashës do të garantojmë që paga e mësuesve të jetë të paktën 700 Euro. Duke investuar për arsimin, ne kemi investuar për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e tyre të sigurtë.

Më 25 prill, Edi Rama do të humbasë dhe do të fitojë Shqipëria!