Partia Demokratike dënon ashpër masat e Edi Ramës për pakësimin e kuotave të masterit dhe rritjen e tarifës financiare. Në krah të studentëve për të ndalur të keqen
Edi Rama po u pakëson cdo ditë shanset studentëve shqiptarë duke reduktuar kuotat e masterit dhe duke rritur tarifën financiare.
Eshtë e pabesueshme se si një Kryeministër ndërhyn në këtë mënyrë në projektet, ëndrrat dhe dëshirat që kanë të rinjtë për t’u arsimuar e për t’u përgaditur për të ardhmen.
Në vend që të lehtësojë jetën e tyre akademike, Edi Rama po u bëhet studentëve barrë e papërballueshme duke ulur me 40 përqind kuotat për masterat profesionalë dhe me 30 përqind kuotat për masterat shkencorë.
Po ashtu, vendimi që ai ka marrë për të paguar 30% të shumës që në momentin e parë të regjistrimit, është një tjetër shtrëngesë e papërballueshme për studentët.
Kjo sjellje armiqësore dhe ndërhyrje brutale në rrugën që studentët duan të ndjekin për t’u aftësuar e specializuar, është e papranueshme dhe nxjerr në pah tiparet e një Kryeministri që nuk e do shkollimin, nuk e do rininë të arsimuar.
Partia Demokratike e dënon ashpër këtë akt dhe i kërkon Edi Ramës ta kthejë mbrapsht menjëherë vendimin që ka marrë, të rikthejë kuotat e mëparshme dhe ta lehtësojë tarifën e tyre financiare.
Ne i bëjmë thirrje studentëve të bashkohen e të kundërshtojnë këto masa represive të Edi Ramës.
Ne përkrahim fuqimisht protestën e studentëve, dhe do të jemi me ta në cdo lëvizje që do të bëjnë për të fituar të drejtat që u takojnë.
Kur një kryeministër sulmon rininë dhe studentët, ai godet të ardhmen e vendit, godet gjithë shoqërinë.
Por qytetarët po ngrihen.
Studentët po ngrihen.
Dhe ne do të jemi me ta për ta ndaluar të keqen.