“Vendet e punës ndahen nga shtabi elektoral i Ramës dhe Veliajt”, Albana Vokshi sjell fakte të punësimeve elektorale: Qytetarët refuzojnë shitjen e votës! Edi Rama është humbës! Tirana i prin ndryshimit!

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Kur dëgjoni Edi Ramën apo Erion Veliajn të flasin për shtet ligjor apo zhvillim, ju duhet ta dini, të dashur qytetarë, se kjo është vetëm
fasada e propagandës. Në të vërtetë, ata po krijojnë një parti – shtet, ku njerëzit ndahen në votues të Edi Ramës dhe kundërshtarë të tij.

Ky diskriminim skandaloz, që shkel të drejtat e njeriut, që synon të përçajë shqiptarët në funksion të pushtetit është bërë më i theksuar në këtë fushatë.

Vendet e punës kalojnë përmes shtabeve elektorale të Partisë Socialiste.

Nuk ka garë! Nuk ka meritë! Ka vetëm përpjekje për blerje votash edhe me vende pune, që nuk i paguajnë Edi Rama dhe Erion Veliaj nga xhepi i tyre, por i paguajnë shqiptarët me taksat e rritura dhe pastaj të vjedhura!

Rasti më i ri është një komunikim i orëve të fundit nga Bashka e Tiranës me shtabet elektorale të Partisë Socialiste të Tiranës.

Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve dhe i Ndriçimit, Herion Rrapaj, u ka dërguar informacion shtabeve të partisë për vende pune që duhen mbushur me njerëz të partisë. Punësimi elektoral është urgjent dhe vartësi i Erion Veliajt në Bashki, u kërkon shtabeve elektorale të Tiranës që të dorëzojnë propozimet e tyre deri ditën e diel, 1 javë para zgjedhjeve.

Çdo gjë të këtij shteti që ne e mbajmë në këmbë me taksat tona, Edi Rama dhe Erion Veliaj e kanë vënë në shërbim të pushtetit të tyre.

Ata shesin për 1 votë edhe vendin e pastrueses tek materniteti i vjetër. Hapin vende të përkohshme pune për të gënjyer njerëzit që të votojnë për ta.

Ja ku është një pjesë e listës që u dërgohet shtabeve të Partisë Socialiste nga Bashkia e Erion Veliajt.

Janë vende pune si specialist auditi, recepsionist në poliklinikë, magazinier tek materniteti, inxhinier elektronik, sanitare tek materniteti, inspektor tek Instituti i Shëndetit. Pra nuk janë vende pune të Bashkisë, janë vende pune të strukturave të ndryshme, që përqendrohen tek Erion Veliaj si drejtues i fushatës së Edi Ramës në Tiranë dhe u shpërndahen strukturave të Partisë Socialiste.

Shpërdorimi i detyrës nga Erion Veliaj dhe vartësit e tij është vepra më e pakët penale që ata kanë konsumuar në ketë rast. Prokuroria mund të vazhdojë të heshtë, siç ka bërë deri tani, por ne do të bëjmë detyrën tonë. Do të çojmë kallëzim penal në prokurori edhe për këtë rast flagrant të vendosjes së shtetit në shërbim të partisë në pushtet 1 javë para zgjedhjeve.

10 mijë vende të reja pune janë hapur deri tani, me qëllim për të shpëtuar lëkurën e Edi Ramës dhe për t’i ruajtur karrigen e pushtetit. Por e kanë të kotë. Këto manovra të paligjshme nuk do ta shpëtojnë.

Edi Rama është humbës, sepse shumica e qytetarëve të Tiranës refuzon të blihet dhe të shitet për një vend të përkohshëm pune, për një çertifikatë elektorale legalizimi që nuk dihet a është e vlefshme apo jo. Qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë refuzojnë të shesin të ardhmen e tyre në duart e një kryeministri të dështuar, që ua bëri jetën keq e më keq në këto 8 vjet.

Tirana do të jetë surpriza e madhe e zgjedhjeve të dielën. Tirana do t’i prijë ndryshimit të madh me një rezultat spektakolar, sepse e para nuk është partia dhe pushteti i Edi Ramës, por e para është familja, janë fëmijët tanë!

Të dashur qytetarë! Na ndajnë vetëm 6 ditë nga zgjedhjet. Vendimi i duhur për një të ardhme më të mirë është vota juaj për numrin 9. Lulzim Basha do të jetë kryeministri i të gjithë qytetarëve për të sjellë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Ndryshimi është në dorën tuaj! Të gjithë bashkë, demokratë, socialistë, pa parti ne mund dhe do ta sjellim ndryshimin për te cilin kanë nevojë fëmijët tanë.

Është vetëm çështje ditësh! Të dielën, të dalim dhe të votojmë masivisht numrin 9, të votojmë Partinë Demokratike!