- DENONCIM i PD/ Rama po u jep klientëve të tij pasuritë publike. Pronat shtetërore duhet të shërbejnë për kompensimin e pronarëve të ligjshëm.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, INA ZHUPA
Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe vodhi zgjedhjet e 25 Prillit, që të masakrojë dhe vjedh pasuritë publike të shqiptarëve, që të vazhdojë të shtojë pasurinë e tij dhe të bizneseve pranë tij, që të vazhdojë të detyrojë të rinjtë e papunë të largohen të pashpresë nga vendi.
Më datë 19 Maj 2021, njëlloj siç ka bërë gjatë keqqeverisjes së tij, Edi Rama ka vendosur të trajtojë si plaçkë personale një tjetër pasuri publike të shqiptarëve. Plot 55 mijë m2 tokë në bregdet, në zonën e Hamallajt, pa garë dhe pa asnjë transparencë, ka vendosur t’ia jap dy miqve të tij në një biznes korruptiv, shoqërisë “Sviluppo Mare 1” sh.p.k., me pronar Redi Pezën dhe “S&D Invest” sh.a., me pronar Gentjan Sulën.
Çmimi i vendosur për shitje është disa herë më i ulët se çmimi i tregut në atë zonë bregdetare, rreth 1,100 lekë për metër katror. Siç provon ky dokument shtetërore, vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 292, datë 19.5.2021, 55 mijë metra tokë shtetërore në bregdet i është dhënë dy oligarkëve të Edi Ramës, Redi Peza dhe Gentjan Sula, për 59,565,000 lekë.
E ndërsa Edi Rama dhe miqtë e tij ndajnë si plaçkë pasuritë publike, shumica e shqiptarëve janë të papunë dhe të pashpresë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Ndërkohë që Edi Rama ka përqëndruar të gjithë ekonominë e vendit tek 5 biznese korruptive pranë tij, mijëra biznese në Shqipëri kanë falimentuar apo janë në prag falimenti, nga taksat e rritura dhe nga rënia e konsumit.
Po ky nuk është prioritet i Edi Ramës. Ai nuk i vodhi zgjedhjet që ti shërbejë Shipërisë apo shqiptarëve. Prioritet i vetëm Edi Ramës është pasurimi i miqve të tij.
Kjo është arsyeja, pse shqiptarët janë të zhytur në varfëri, ndërkohë që Edi Rama dhe oligarkët e tij janë zhytur në luks. Kjo është arsyeja pse Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara në botë dhe ka 8 vjet që ka ngecur në vendnumëro.
Partia Demokratike i kërkon SPAK të hetojë menjëherë këtë aferë të rëndë korruptive dhe të vendos përpara përgjegjësisë plaçkitësit e pasurisë publike. Shqipëria dhe pasuritë e saj, duhet t’i shërbejnë shqiptarëve dhe rritjes së mirëqenies së tyre. Pronat shtetërore duhet të shërbejnë për t’i dhënë fund sa më parë procesit të kompensimit të pronarëve të ligjshëm.
Prona shtetërore duhet t’i shërbejë vetëm interesit publik dhe interesit të qytetarëve shqiptarë. Ndaj ne do luftojmë kundër kësaj pakice plaçkitësish që pengoi përkohësisht ndryshimin, derisa t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.