- Reagimi i PD: Regjimi nuk mban përgjegjësi për gjunjëzimin para krimit. Ndarja e politikës nga krimi e vetmja rrugë për të garantuar rend dhe siguri për familjet shqiptare.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ
E dëgjuam zëdhënësin e regjimit Rama-Doshi teksa lante duart me kapitullimin e rendit dhe sigurisë në vend.
Fjalë dhe vetëm fjalë nga ata që kanë rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë.
Për zëdhënësin e regjimit në ministrinë e brendshme, fajin e kanë shqiptarët, fajin e kanë viktimat, fajin e kanë familjet shqiptare që jetojnë në ankthin e breshërisë së radhës apo përgjakjes së radhës, por kurrsesi ata që të vetmen strategji kanë “hëngshin kokat e njëri-tjetrit’.
Fatkeqësisht, përveç gjunjëzimit para krimit, ata nuk kanë çfarë t’ju ofrojnë shqiptarëve.
Modeli që kanë ndërtuar ndër vite është ai i kriminalizmit të institucioneve dhe të politikës për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin me çdo çmim. Me krimin dhe për krimin.
Faturën e këtij bashkëpunimi të pështirë midis politikës dhe krimit, po e paguajnë familjet shqiptare, sepse një pushtet i marrë me krimin, nuk vret vetëm demokracinë, por vret të pafajshëm në çdo cep të Shqipërisë.
Pa u goditur ky model, pa u zhbërë aleanca midis regjimit Rama-Doshi dhe krimit të organizuar, pasiguria do të mbretërojë në çdo shtëpi, në çdo rrugë, në çdo lagje dhe në çdo qytet.
Partia Demokratike, bashkë me shumicën e shqiptarëve që në 25 prill votuan për largimin e këtij regjimin dhe fundin e modelit të politikës të lidhur me krimin, do të vazhdojë luftën për ndarjen e politikës nga krimin, për kthimin e legjitimitetit në vend, si të vetmen rrugë për të garantuar rend dhe siguri për familjet shqiptare.