KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, ME GAZETARËT PAS MBLEDHJES SË GRUPIT PARLAMENTAR

 

Përshëndetje të dashur gazetarë, punonjës të medias, sapo kemi përfunduar mbledhjen e grupit parlamentar. Siç me siguri jeni informuar në qendër të vëmendjes, ajo që dominoi bisedën ishte çështja e çmimeve në tërësi dhe paralajmërimi i tellallit të keqes  dje, për rritjen e çmimit të energjisë. Të gjithë jemi dëshmitarë, nuk mendoj se ka nevojë  të zgjatem shumë që çmimi i energjisë dhe çmimi i karburanteve rëndon më së shumti ekonomitë familjare dhe bizneset, në veçanti biznesin e vogël dhe të mesëm, por dhe biznesin e madh prodhues. Të gjithë e dimë që çmimi i energjisë dhe i karburanteve rrit apo ka një efekt të drejtëpërdrejtë tek çmimi i gjithçkaje tjetër që ne konsumojmë, qofshin këto nga buka e gojës e deri tek shërbimet që marrin qytetarët. Dua të kujtoj këtu se Edi Rama e premtoi uljen e çmimit të energjisë, kur në fakt e rriti edhe për familjarët edhe për bizneset. Dhjetra kryefamiljarë kanë vrarë veten në qelitë ku janë plasur nga Edi Rama për shkak të faturave të rritura të energjisë elektrike. Mbi 1000 janë burgosur, mbi 40 mijë qytetarë kanë shpenzuar të paktën një natë në komisariat, në furtunën e terrorit që Edi Rama ngriti gjoja në kuadër të reformës së sistemit të energjisë. Jemi vendi i katërt sipas raporteve ndërkombëtare ku pjesa më e madhe e buxhetit shkon për energjinë, energjinë elektrike apo karburantin. Dhe këtu pyetja shtrohet:  Çfarë u bë me të famshmen reformë të energjisë? Ku shkuan paratë e vjelura qytetarëve apo gjoja të kursyera, të mirë administruara. Ne e dimë fare mirë që këto para nuk shkuan kurrë në destinacion, se çmimi i energjisë u rrit, se çmimi i karburantit u rrit, jo një herë, por dy herë duke e bërë karburantin shqiptarë një ndër më të shtrenjtët në Europë dhe botë, më të shtrenjtin në rajon. Ndërkohë që shqiptarët vetë, kanë fuqinë blerëse më të ulët në Europë. Këto janë fakte që i di gjithkush. Është tashmë një fabul, një anekdotë sesi në veçanti zonat kufitare kalojnë kufirin vetëm për të blerë karburant në Kosovë, apo në Maqedoninë e Veriut. Pra, nuk është mashtrimi i Edi Ramës se kjo që po na vjen është çështje e tregjeve ndërkombëtare, kjo është një tjetër pasojë e keqqeverisjes së tij, e dështimeve të tij, e vendimmarrjes së tij gjakftohtë, por kriminale. Që paratë që duhet të çonte për uljen e çmimit të energjisë , për uljen e çmimit të karburanteve, siç I ka premtuar, i ka marrë në fakt, këto çmime I ka shtuar dhe me paratë e mbledhura shtesë ka pasuraur veten e tij dhe një grusht oligarkësh që janë pjesë e thellimit të problemit në Shqipëri, sepse siç theksova dhe dje abuzimi I tyre duke vjedhur energjinë elektrike është pjesë e problemit. Përball kësaj ne kemi jo thjeshtë dhe vetëm propozimet të cilat u bënë publike dje dhe të cilat do të zhvillohen në detaje edhe nga parlamentarët tanë edhe nga grupet tona të ekspertëve në bashkëpunim me grupet e interesit të shoqërisë që nga ato të biznesit dhe të konsumatorëve. Po ne po kështu do të bëjmë gjithçka për të ndalur këtë fatkeqësi të re që Edi Rama po përgatit. Këtë sëpatë që po mpreh për qafën e holluar e të varfëruar të shqiptarëve, për tavolinat e tyre të zbrazura, për xhepat e tyre ku do të fus duart për të marrë, qindarkat e fundit pikërisht për të mbyllur gropën e korrupsionit. Kjo nuk është një gropë e krijuar nga tregjet ndërkombëtare, kjo është një gropë e krijuar nga korrupsioni i Edi Ramës,  8 vite në kurriz të shqiptarëve dhe në kurriz të ekonomisë tonë kombëtare. Dhe kjo gropë nuk mund të mbushet kurrësesi duke grabitur dhe duke iu marrë qindarkat e fundit shqiptarëve. Ka vetëm një mënyrë për ta mbushur këtë gropë, është që paratë e zhvatura me PPP, me tendera korruptivë, me koncesione, me afera, që janë të vetmet vepra apo gjëma të Edi Ramës karshi njerëzve dhe karshi publikut, këto para të shërbejnë për të plotësuar ato hapa të menjëhershëm që ne kemi propozuar dhe që janë rruga për ti dalë përpara kësaj fatkeqësie që në fakt nuk vjen nga jashtë, por vjen siç ka ardhur çdo fatkeqësi nga brenda nga keqqeverisja dhe nga korrupsioni. Padiskutim që detyra jonë nuk është thjesht  denoncimi që e kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, nuk është thjesht ti tregojmë shqiptarëve  që me një qeveri të përgjegjshme siç nuk është kjo, ka zgjidhje dhe unë e përmblodha në dy fjalë, por është e zbërthyer në ato shtatë propozime, por është po kështu t’i qëndrojmë në krah shqiptarëve kudo që janë si dhe të nxisim, inkurajojmë, mbështesim dhe përkrahim të gjitha  format e reagimit popullor sepse ky nuk është një problem i Partisë Demokratike,por është një problem i të gjithë qytetarëve,është një problem kombëtar. Ju faleminderit!