Pyetje: Kryeministri Rama ka deklaruar se ulja e TVSH-së nuk përkthehet në ulje të faturave për konsumatorët. Sa qëndron ky pohim z.Basha dhe a keni ju një strategji për t’u ardhur në ndihmë familjeve shqiptare, në një kohë kur edhe plani juaj i publikuar prej 7 pikash është cilësuar sot si “planet e Sudes”?

Lulzim Basha: Sudja ishte ajo që merrte lekët njerëzve dhe i mbante për vete dhe paguante disa që bënin të mundur ekzistencën e saj. Është kështu apo jo?! Apo s’e mbani mend Suden se jeni shumica të rinj? Sudja ishte një person që i merrte lekët njerëzve dhe i mbante për vete.

Kush është Sudja?

Kush është plani i Sudes këto 8 vite?

Sudja ka prerë flokët, ka lënë mjekër dhe quhet Edi Rama. Këtë bën Edi Rama, ia merr lekët njerëzve dhe nuk ia kthen. Këtë bënte edhe Sudja, këtë bënte edhe Vehbiu; merr njerëzve lekët dhe nuk ia kthen.

Sudja me flokë të gjata dhe Sudja pa flokë, por me mjekër janë i njëjti fenomen, vetëm se janë dy njerëz të ndryshëm. Sudja ishte një analfabete. Ky tjetri ka 8 vite që “kapet me thonj” dhe me manipulime politike pas karriges së kryeministrit, njeriut që duhet të jetë i pari që do të kujdeset për interesin e njerëzve. Ajo tjetra ishte një hajdute ordinere që arriti të bëhej e famshme për skemën me të cilën vidhte paratë.

Ky është kryeministri i vendit. Ka bërë çfarë nuk ka bërë që të rrijë në këtë karrige; masakër zgjedhore, aleancë me krimin, “dashni” me personat e listës së zezë të DASH, “dashni politike” e kam fjalën dhe financiare. Pse?! Që të jetë dhe të sillet njësoj si Sudja.

Pra, ata shqiptarë që mbajnë mend Suden, këtë mbajnë mend, që na i merrte lekët dhe nuk na i kthente më.

Edhe një herë, Osman dhe kolegë tuaj dhe shqiptarët, kush i bie të jetë Sudja me flokë të shkurtër dhe me mjekër? Kush është Sudja sot?! Është Edi Rama!

Sa i përket gënjeshtrave që i han, se ai i han gënjeshtrat nga “tigri”. “Tigri” është usta që ta rrejë. Ky kuptohet se as nga shteti dhe as nga ekonomia nuk ka marrë vesh ndonjëherë. Normalisht një njeri normal, 8 vjet në një karrige, do të duhej ta kishte mësuar pak shtetin, ligjin dhe ekonominë; ky gënjen. Ose e kupton gënjeshtrën dhe gënjen me vullnet.

E para punës, dëgjoni se çfarë ka thënë vetë:  (Video) “Rama : Që të shkojmë më tutje, duam që të shkojmë drejt uljes së mëtejshme të çmimit. Duam që të shkojmë drejt përmbushjes së zotimit për TVSH-në e energjisë konsumatorëve familjarë dhe faturat aforfe nuk do të ekzistojnë më.”

Është prapë ky me mjekrën pak më të shkurtër që thotë se do ta ulim çmimin e energjisë dhe instrumenti i uljes do të jetë ulja e TVSH-së. Ky ishte apo ai aktori që doli në protestë, Flamur Binaj, Flor Binaj. Kë të besoj? Këtë! Nuk ishte Flori. Sot del dhe thotë se “Ulja e TVSH-së nuk do të përcillet tek konsumatori.” Kë të besojmë? Këtë! (Video) “Rama : Që të shkojmë më tutje, duam që të shkojmë drejt uljes së mëtejshme të çmimit. Duam që të shkojmë drejt përmbushjes së zotimit për TVSH-në e energjisë konsumatorëve familjarë dhe faturat aforfe nuk do të ekzistojnë më.”

Ky e kishte zotim, si shumë zotime të tjera, heqjen e TVSH-së apo uljen e TVSH-së me qëllim për të ulur çmimin e energjisë. Tani thotë :“Jo, ulja e TVSH-së nuk e ul çmimin e energjisë.”

Në fakt, ulja e TVSH-së e ul çmimin e energjisë. Ulja e TVSH-së, sikurse tha znj.Tabaku, në një shtet funksional ul edhe çmimin e bukës, edhe të vajit, edhe të sheqerit, edhe të orizit; në qoftë se ka një shtet funksional. Një shtet funksional fillon nga koka. Në qoftë se koka ka marrë erë, nuk ka më shtet funksional.

Pse e bëj këtë krahasim?

Sepse buka, veza, sheqeri, vaji, buka, qumështi, orizi, makaronat janë në fakt produkte të tregut të lirë. Ka patur deri para pak kohësh shumë furnizues që i sillnin dhe ka mijëra biznese që i shesin. Por bëhen gjithnjë e më pak sepse oligarkët janë të pangopur sepse kur e kanë nisur biznesin me naftë kanë kaluar tek orizi dhe makaronat, por prapë se janë në treg akoma, kurse energjia është monopol. Energjinë e ka monopol shteti. Kështu që duke ulur TVSH-në, padyshim që kjo përcillet në ulje çmimi për energjinë  tek fatura e familjeve shqiptare.

Pra, faleminderit për pyetjen Osman, po kapje më në flagrancë, më në rrenë, jo me një R por me dy RR të mëdha se kjo nuk ka. Jemi të qartë besoj.

Pyetje: Kisha edhe një pyetje për z.Rushaj. Sipas z.Rama kjo situatë nuk ka ardhur nga keq menaxhimi që i është bërë sistemit energjetik në Shqipëri, madje ka deklaruar se Shqipëria me prodhimin që bën të energjisë nuk mundet gjithashtu të plotësoj nevojat e të gjithë shqiptarëve. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë, duke qenë se ju keni përvojë në këtë fushë. A i plotëson nevojat e shqiptarëve hidrocentralet dhe HEC-et për prodhimin e energjisë për nevojat e tyre?

Alfred Rushaj: Nevojat e shqiptarëve për energji elektrike janë 4.6 miliardë kilovat orë, i referohem gjithmonë biznesit dhe familjarëve që marrin faturë në fund të muajit. Këtë energji detyrohet ta furnizojë KESH-i. Deri në shtator KESH-i ka prodhuar 4.5 miliardë kilovat orë, e sigurt që do të prodhojë edhe në tetor-nëntor-dhjetor. Pra, këtë vit nevojat për energji të konsumatorëve familjarë dhe bizneset, të cilat faturohen nga kompanitë e OSHË-së jo vetëm që plotësoheshin por kishte edhe për të shitur ne treg të lirë.

E dyta, madje edhe nevojat për të mbuluar humbjet teknike dhe jo teknike në rrjet të OST-së plotësohen sot nga hidrocentralet e vogla, të ndërtuara me koncesion, me çmim gjithashtu të fiksuar, në mos gaboj këtë vit është 65 euro për megavat orë. Pra ky vit duhet të ishte një vit i shkëlqyer ku konsumatorët familjarë dhe bizneset të cilët faturohen nga OSHË-ja jo vetëm që nuk do të kishte diskutim për rritje çmimi, por përkundrazi kompanitë do të kishin dalë me fitim nëse do ta kishin optimizuar siç duhet.

Që të kthehemi pak tek pjesa e mirëmenaxhimit që thotë kryeministri. Humbjet në rrjet të energjisë elektrike sipas vetë planit të tyre për këtë vit do të duhej të ishin 16% dhe do të jenë 21%. Duke konsideruar konsumin total; pra edhe të konsumatorëve familjarë, edhe të konsumatorëve të tjerë, edhe të atyre që OSSH iu bën shërbim janë rreth 350 mln kilovat orë që humbin më shumë sesa vetë targeti i tyre. 350 mln kilovat orë me çmim të rregulluar nga hidrocentralet e vogla, pra me 65 euro ta llogarisim, janë diku tek 22-23 mln kilovat orë. Vetëm kaq për të thënë sesa mirë është administruar dhe menaxhuar kompania. Nuk e di sesa isha i qartë?!

Basha: Shtoj edhe diçka për karburantin, meqë energji është edhe karburanti. Folëm për taksën “Rama” 240 lekë për litër dhe si rezultat i kësaj 65% e çmimit të çdo litri karburant që blini shkojnë taksë për qeverinë.

A është ky problemi i vetëm me karburantin?!

Sigurisht që jo!

Sa prej jush që ka një automjet apo që përdorin një automjet, apo që njohin dikë që përdor një automjet nuk e di që cilësia e karburantit shqiptar është mizerabël.

Pse është mizerabël?!

Për skemën e vjetër të  korrupsionit të naftës që del direkt nga puset e zonave tona naftëmbajtëse dhe shitet si naftë e përpunuar, që është një formë e kontrabandës së brendshme, për përzierjen e naftës me substanca të ndryshme që po kështu shkatërron automjetet, rrit kostot e prodhimit dhe kostot e mirëmbajtjes për pronarët e automjeteve, qofshin këta persona privatë apo kompani që përdorin transportin; nga ata që përdorin një fugon dhe ata që përdorin një flotë kamionësh.

Dhe e treta, siç është bërë e qartë dhe sot në mbledhjen nga e cila doli Edi Rama, sipas burimeve të besueshme, rezulton se 30% e karburantit në Shqipëri hyn kontrabandë, 30% hyn kontrabandë.

Sigurisht duke hyrë 30% kontrabandë  humb shtetit, për ta thënë shkurt. Por në fakt humbin qytetarët sepse shteti ato para duhet t’ua kthejë qytetarëve apo jo. Dhe ky ka qenë një moment qetësie apo heshtje e madhe nga ana e pjesëmarrësve në atë mbledhje sepse të gjithë e dinë që është fakt.

Pyetja është: Pse ndodh kjo? Si ka mundësi, 1/3 e karburantit hyn kontrabandë, të mos paguajë as taksë, as akcizë, qindra milionë euro që nuk përfundojnë në arkën e shtetit, që nuk përkthehen në pensione apo rritje pensionesh apo indeksim pensionesh, apo rritje pagash, apo ndihmë për spitalet, apo ndihmë për shkollat, apo diçka për fëmijët, për studentët; por zhduken.

Ku shkojnë këto para?

Pa diskutim që çdo shqiptar e di se ku shkojnë këto para.

Dhe në funksion të kësaj që po bëjmë sot që është pjesë e detyrës sonë por jo gjithë detyra jonë, po ju njoftoj se që prej ditës së djeshme Partia Demokratike ka nisur hartimin e një kallëzimi penal të cilin do ta depozitojë në SPAK, me shpresën, urimin dhe lutjen që të mos përfundojë as tek dhoma e pluhurave, as tek salloni i korrupsionit dhe as tek “frigoriferi i vonesave”.

Pyetje: A do t’i bashkohet PD protestës së qytetarëve kundër rritjes së çmimeve? Kush janë ekspertët apo grupi i punës që ka hartuar planin me 7 pika për të shmangur apo për të dalë nga kriza e energjisë? 

Lulzim Basha: Pyetja e parë besoj është e ezauruar sepse besoj e keni parë pjesëmarrjen e Partisë Demokratike por jo si politikanë, por si qytetar në protestën e thirrur nga qytetarët. E keni parë besoj edhe korrigjimin e bërë në njoftimin e një ambasade të një vendi partnerë.

Kur ne thërrasim protesta, siç i kemi thirrur dhe siç do t’i thërrasim nuk fshihemi pas askujt sepse ne kemi thirrur dhe do të thërrasim protestat më të mëdha që ka njohur ky vend.

Por ne nuk mund të biem në kurthin e atyre që duan të politizojnë gjithçka. Çështja në fjalë nuk i përket një partie politike, nuk është çështje partie, është çështje kombëtare, është çështje qytetare. Ndaj jemi të lumtur që qytetarët kanë nisur reagimin e tyre. Çdo akt provokativ për t’i veshur flamurin tonë, siç ndodhi aty, do të bëjmë gjithçka për ta shmangur, nuk ishim ne që e bëmë, janë ata që duan ta ngjyrosin politikisht çdo reagim qytetar. Vendi vuan nga një reagim qytetar. Por që do të jemi aty, që do të  inkurajojmë, do t’i nxisim, do t’i mbështesim me çdo mënyrë dhe formë që ka në dorë  Partia Demokratike dhe demokratët kudo që janë. Për këtë të mos keni as më të voglin dyshim.

Përsa i përket pyetjes së dytë, të garantoj që në fushën e energjisë, sikundër në fushën e ekonomisë, në fushën e ligjit, të teknologjisë së informacionit, zhvillimit rural, shëndetësisë, arsimit, marrëdhënieve me jashtë, integrimit europian, çështjeve sociale, Partia Demokratike e Shqipërisë disponon potencialet njerëzore profesionale, ekspertët më të mirë që ka vendi.

Të pakrahasueshëm edhe me momentin më të mirë të kësaj qeverie i cili nuk mbahet mend, e jo më me karikaturën që i thotë sot vetes qeveria e Shqipërisë.

Pyetje: Ju në fjalën tuaj thatë pak më parë se politikani duhet të mbajë përgjegjësi politike. Po për situatën brenda Partisë Demokratike, kush duhet të mbajë përgjegjësi?

 

Lulzim Basha: Falemnderit për pyetjen. U çudita që zgjati kaq shumë por përgjigjia është e qartë. Kjo konferencë dhe ky komunikim ka të bëjë me diçka që lidhet drejtpërdrejt me qytetarët, me familjet e tyre, me bukën e gojës së qindra mijëra familjeve që përbëjnë minimalisht 30 %, thotë Banka Botërore, që nuk ushqejnë dot fëmijët. Me gjithë respektin ndaj jush dhe çdo media, kam vendosur që, që sot, të mos lejoj asnjë padron tuajin, që të marrë peng këtë diskutim jetik për shqiptarët, me çfarëdo teme tjetër, që e kemi diskutuar më parë dhe do e diskutojmë përsëri më vonë.

Pyetje: Në propozimin tuaj me 7 pika të dielën e shkuar në pikën nr.4 ju theksoni: “Subvencionim të çmimit të energjisë për qytetarët”. PD është pro rritjes së çmimit të energjisë dhe subvencionimit për qytetarët dhe bizneset e vogla, apo jeni kundër rritjes së çmimit dhe duam të dimë qëndrimin e PD-së për këtë çështje, pasi keni 7 pika por në fakt thoni: “Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët”, por s’ka një pikë ku jeni kundër apo pro. Të kemi një ide të qartë për këtë.

 

Lulzim Basha: Qëndrimi politik ka qenë i qartë, jo vetëm gjatë shpalljes së programit tonë të fushatës, por sa herë ne kemi folur për energjinë dhe me siguri do të jetë në arkiva të televizionit ose portalit tuaj. Subvencionimi i çmimit ka të bëjë me kategoritë në nevojë. Me ato që nuk përballojnë as çmimin e parritur të energjisë dhe jo më atë që është sot, që është i rritur tashmë dhe që tani ky do e rrisë më tej. Ka qenë 7.4, shkoi 9.4. Një Zot e di sepse po i bëjnë hesapet, me kë po i bëjnë, me Ardin me “tigrin”, me dreqin dhe të birin se sa duan ta çojnë. Sepse gropën e kanë gërmuar, paratë i kanë vjedhur dhe do e mbushin. Me çfarë do e mbushin? Me lekët që do ju marrin ju. Kur flasim për subvencionim i qëndrojmë besnik një platforme që e kemi shpallur shesh më shesh, qytet më qytet, treg më treg. Tash, 7 vjet. Që nga tetori i 2014-ës kur nisi rritja e çmimit të energjisë. Dhe besoj se shqiptarët nuk e kanë harruar si ishte fatura deri në tetor të 2014-ës dhe se si ndryshoi më pas. Shqiptarët u mblodhën më 22  nentor të 2014-ëskundër asaj rritje çmimi.

Subvencionimi për çmimin e energjisë do të thotë që të paktën për shtresat në nevojë ky çmim që është sot të subvencionohet, jo më rritja. Të subvencionohet ky çmim për të arritur në ato nivele që ishte. Sepse ne e dimë sa del nga kaskada deh mund t’jua thonë ekspertët. Nga kaskada del 1/7-ën apo 1/8-ën e asaj që e shet konsumatorit.

 

Do të thonë, jo OST-ja, OSSHE-ja, transmetimi, humbjet në rrjet, shumica në fakt janë vjedhje. Media e ka zbuluar një pjesë të skandaleve. Një pjesë e kemi denoncuar ne. Vetëm pirgu i këtyre kush e di se sa dhoma ka mbushur në Prokurorinë e Tiranës, në SPAK dhe prokuroritë e tjera. Ndërsa përsa i përket rritjes së çmimit me sebepin dhe rrenën që ka shpallur, sigurisht që kemi qenë dhe jemi kategorikisht kundër. Besoj jam i qartë.

Pyetje: Z.Basha se fundmi Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e 3 Komisioneve Hetimore. Marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi me krizën e paralajmëruar energjetike, përse nuk është kërkuar një Komision Hetimor për abuzimet në sektorin e energjisë, përpos faktit që sapo deklaruat se do të dorëzoni një kallëzim penal në SPAK?

Lulzim Basha: Të jeni të sigurt që Partia Demokratike ka përdorur, po përdor dhe do të përdorë të gjithë arsenalin e vetë. Fuqia që shqiptarët na dhanë për të qeverisur vendin me të vërtetë u godit nga masakra zgjedhore, dhe na mohoi mundësinë që planin tonë për të ndalur, zgjidhur krizën e gjithanshme të Shqipërisë, ta vinim në zbatim si qeveri. Dhe pa diskutim, prioriteti ynë i parë është të largojmë këtë regjim që nuk është produkt i votës së lirë, por ndërkohë i njëjti plan, të njëjtat zotime, janë baza mbi të cilën ne kemi ngritur aksionin tonë politik.

Prandaj të siguroj, si në rastin e inceneratorëve, si në rastin e Beçhettit, si në rastin e Komisionit Hetimor për masakrën zgjedhore, në çdo rast tjetër, ekspertët tanë po shqyrtojnë dhe grupi ynë parlamentar do të marrë vendimet për të gjitha hapat e nevojshëm duke përfshirë këtu sigurisht edhe situatën e energjisë. Duke përfshirë ato drejtuar institucioneve të drejtësisë, dhe duke përfshitë instrumentat që na mundësojnë përsa do funksionojë ligji dhe Kushtetuta, nxjerrjen në shesh të batërdisë dhe vjedhjeve të kësaj qeverie.

Pyetje: Kur do ta çojë Partia Demokratike si nismë ligjore uljen e TVSH-së për ushqimet e shportës në Kuvend që të mos mbetemi vetëm në retorikë mes opozitës dhe mazhorancës? Kur do të kemi diçka konkrete?

Lulzim Basha: Së pari asgjë nga ajo që kemi thënë nuk ka mbetur në retorikë. Ju informoj që të tre Komisionet Hetimore është rënë dakord që do të kalojnë në seancë më 14 tetor. Ju informoj se ka nisur “Vallja e Osman Takës”, jo Osman Stafës, “Vallja e Osman Takës” që hedh PS-ja sa herë që kërkojmë Komision Hetimor. E dini besoj historinë e “Valles së Osman Takës” është një valle e gjatë dhe e ngadaltë e një heroi e asaj kohe që do të zgjasë momentin para se ta varin në konop. Është valle shumë e bukur në fakt, por nuk është vallja që duhet të hedhë Taulant Balla dhe padroni i tij. Sepse Kushtetuta e ka të qartë, kur ne kërkojmë Komision Hetimor ata duhet të ngrenë Komision Hetimor me objektin e Komisinit Hetimor. Ta lënë “Vallen e Osman Takës” dhe të enjten të gtre Komisionet duhet të kalojnë në Kuvend, ndërsa po kështu ka nisur procesi për depozitimin e kërkesës për uljen e TVSH-së nga 20% në 6% siç ju thash më përpara, ekupi ynë superior në çdo aspekt, profesional, etik, të integritetit, ka marrë përsipër të bëjë të gjithë propozimin, pra jo thjesht, ule këtë se kështu themi ne, por edhe ku t’i gjejmë paratë. Se thotë, ku ti gjejmë paratë. Kur është puna për t’i dhënë qytetarëve, ku t’i gjejmë paratë. E keni dëgjuar apo jo? Suden me mjekër? Ndjesë kush do që e mban mjekrën këtu, se nuk e kam tek mjekra, “Sudja me mjekër”, sa herë i themi ne, ço paratë tek qytetarët, thotë s’ka para’, ku t’i gjej paratë. Sa herë vjen puna për të mbushur xhepat e oligarkëve, për të bërë 20 milionë euro kilometrin, as flet fare. Vendimi merret natën. Deri tani firmoste ai, që i firmoste dhe pastaj qahej në face book, tani ka vënë “tigrin” dhe ata të tjerët që do të bëjnë të njëjtën gjë. Ne me përgjegjshmëri të madhe përpara qytetarëve jo për llafe, jo për retorikë, sepse ne jemi një ekip gati për të qeverisur vendin, vetëm masakra zgjedhore na ka ndalur, kemi gati të gjitha zgjidhjet për këtë vend. Edhe për gjëmat që ka bërë ky. Nuk do t’i çojmë thjesht një kërkesë, një copë letër, por një kalkulim të plotë se si arrihet kjo. I kam dëgjuar zërat e opozitarëve të përjetshëm të opozitës. Të atyre, hip nga kali, zbrit nga kali, çfarë uji i ke dhënë gomarit. Një pjesë prej tyre hanë bukë me këtë ustallëk dhe qoftë edhe nga formimi ynë të djathtë që besojmë tek liria, le të hanë bukë, edhe përse shpërndajnë gënjeshtra. Në asnjë rast PD nuk ka çuar që nga koha e pandemisë, që nga koha e tërmetit, nuk ka çuar tek Edi Rama propozime që nuk do t’i bënte vetë po të ishte në qeveri. Dhe në asnjë rast nuk i ka çuar tek Edi Rama sepse ka besim se Edi Rama do t’i bëjë këto, sepse koha e k provuar se ai nuk do t’i bëjë këto. Sepse edhe kur nuk di ne ia paraqesim të qarta se si mund të bëhen. Nuk do dhe nuk mundet sepse kjo situatë me të vërtetë ka krijuar një peng dhe një pengmarrje, që është qeveria e Shqipërisë, krimi i organizuar dhe oligarkia.

Llumi i tranzicionit. Me atë e kam betejën unë personalisht dhe partia që udhëheq deri sa t’i çojmë aty ku e kanë vendin dhe t’i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve të ardhmen që meritojnë.

Prandaj propozimi i plotë dhe i detajuar, përfshirë edhe zgjidhjet do t’i paraqiten.

Sigurisht, ju them sot, mbajeni shënim, do dalin e do të thonë, nuk bëhet dot. Duhen kaq lek. S’kemi ku t’i gjejmë. Por detyra juaj dhe në veçanti e kolegëve tuaj të ekonomisë është t’ju tregoni shqiptarëve se e vërteta është me ne se ne do t’ju tregojmë se ku janë paratë për të zhvilluar këtë politikë, në mbështetje të njerëzve dhe se si ata rrejnë vetëm për të vazhduar vjedhjen dhe për të mbuluar gropën e vjedhjeve që i kanë bërë buxhetit me më shumë para që duan të vjedhin nga xhepat e shqiptarëve.

Jorida Tabaku: Për të plotësuar këtë që tha z. Basha, sapo ka dalë vendimi i qeverisë për masat që do të merren. Pikën 5 të propozimit të PD-së e kanë kopjuar. Kjo është mënyra se si operojnë. Fillojnë sulmojnë e sulmojnë, nuk bëhet dhe pastaj fillojnë dhe e adoptojnë. Por çfarë shoh unë nga vendimi i qeverisë. Rama edhe atë ditë, edhe sot, nuk ka dalë për krizën e shqiptarëve, as për rritjen e çmimeve, as për shtresat në nevojë, ka dalë për të menaxhuar krizën e energjisë, ka dalë për të menaxhuar krizën e qeverisë. I gjithë vendimi në 6 pika nuk ka asnjë masë për qytetarët. Duan thjesht të mbulojnë katastrofën që kanë krijuar me vjedhjet galopante në sektorin e energjisë. Asnjë masë për shtresat në nevojë, asnjë masë për familjet e varfram asnjë masë për rritjen e çmimeve, vetëm fonde për të mbuluar vjedhjen në KESH dhe në OSSHE.

Pyetje: Çfarë qëndrimi do të mbajë PD për zgjatjen e afateve të vetingut?

Lulzim Basha: kemi kohë të flasim kur të kemi këtë çështje në rendin e ditës. Për ta përmbyllur nëse nuk keni pyetje të tjera për këtë çështje, mqse lajmi që sapo të paska ardhur. Këta edhe kur kopjojnë, çfarë ne propozojmë, nuk e bëjnë, e dini ju. E marrin por nuk e bëjnë. Se që të ndalësh shpenzimet luksoze, vjedhjen e OSSSHE dhe KESH, do të thotë t’i biesh me shkelm njerëzve nga Ard Çela tek kush janë të tjerët mbi, janë aty sepse çojnë valixhen lart e më lart e më lart, deri tek i madhi fare. Është një mashtrim dhe mos kini iluzion sepse siç ju thash këto janë për t’u treguar shqiptarëve që ka një rrugë, por këtë rrugë mund të ndjekë vetëm një qeveri e përgjegjshme. Jo një bandë e dalë nga një masakër zgjedhore.

Pyetje: Për të qëndruar tek tema meqënëse ju përjashtuat pyetjet jashtë çështjes së energjisë, ne planin me 7 pika që ju parashtruat para pak ditësh përmenden edhe disa oligarkë të cilët sipas PD-së i shmangen faturimit real. A mund të na i përmendni me emra se kush janë këta oligarkë?

Lulzim Basha: Po patjetër. Ne sipas hetimeve tona do të jemi të hapur që të botojmë emrat e çdokujt që denoncohet se po nënfaturohet dhe që nuk ka shpjegim tjetër që po nënfaturohet përveçse po i shërben regjimit. Dhe regjimit i shërbehet në forma të ndryshme. Paratë merren në forma të ndryshme. Një formë është që një oligark mund të shpenzojë 1 milionë euro në muaj dhe fatura i shkon për 200 mijë dhe ai është në atë moment oligark se po i bën një shërbim qeverisë. P.sh po ndan paratë për të blerë vota. Dikush tjetër mund të marrë para për të paguar fake polls, sondazhe fallco, si ato në Austri, që fatkeqësisht janë zbuluar. Paguhet me këto para për t’i bërë një shërbim, sigurisht për këtë i duhen të paguajë dikë, i duhet edhe një ekran për ta shitur. Kjo është kapja e shtetit. Është ndërthurja e interesave kriminale, oligarkike dhe depërtimi në ekrane dhe në media të cilat paguhen me paratë e korrupsionit për t’i shërbyer shtetit të korrupsionit. Pa diskutim, kjo nuk është përgjegjësia e askujt prej jush këtu, por për budallenj nuk bëjnë dot as Partinë Demokratike, as shqiptarët, as demokratët, pa diskutim as mua.

Ju faleminderit!