Lulzim Basha: Pata kënaqësinë e veçantë t’i uroj mirëseardhjen jo për herë të parë, por për herë të parë në cilësinë e tij si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, mikut tim Memli Karsaniqit, bashkë me delegacionin që e shoqëronte, përfshirë miq e mikesha të vjetra, jo në moshë por në bashkëpunim. Ta përgëzoj Partinë Demokratike të Kosovës për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur në procesin e formimit të shtetit të Kosovës dhe për rolin që vazhdon të luaj si një opozitë konstruktive në shërbim të interesave të qytetarëve të Kosovës. Natyrisht folëm për zhvillimet e fundit, në veçanti sa i takon zhvillimeve të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku Partia Demokratike qëndron fuqimisht në të njëjtin pozicion sa i takon objektivit të këtij dialogu, që është njohja e ndërsjellët midis dy vendeve dhe në veçanti ndamë pikëpamjen se rikthimi i një koordinimi të fuqishëm midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një parantezë, një shans i mirë për të shtyrë përpara këtë dialog dhe për të tejkaluar pengesat, ku sigurisht një barë e madhe i përket Bashkimit Europian dhe 5 vendeve anëtare, njohja prej të cilave e realitetit të Republikës së Kosovës, do të shmang përfundimisht çdo skenar nga ato që shohim, që aviten aktualisht në Bosnje Hercegovinë dhe që i kërcënojnë jo thjesht arkitekturën e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan, por vet paqen dhe stabilitetin Europian. Ndamë po kështu mendimet tona sa i takon domosdoshmërisë së forcimit të luftës kundër korrupsionit, institucioneve të pavarura dhe të gjitha këto në funksion të mirëqenies së qytetarëve, sepse armiku kryesor i mirëqenies së qytetarëve si në Shqipëri, si në Kosovë, janë dhe mbeten institucionet e dobëta dhe korrupsioni. Ndaj, lufta kundër tyre qoftë nga pozitat e partive ndaj përgjegjësitë e qeverisjes dhe natyrisht kanë përgjegjësinë më të madhe, por dhe nga ata që kanë përgjegjësinë e opozitës, janë prioritete dhe janë shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë vendeve tona dhe qytetarëve tanë. Ndërkohë Shqipëria ka një detyrë të përhershme, por në momentin aktual edhe më të rëndësishmen si anëtare e Përkohshme e Këshillit të Sigurimit, të shtymë me të gjitha forcat dhe mënyrat përpara, çdo aspektet që ka të bëjë me Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, në veçanti me vazhdimin e njohjes ndërkombëtare, atë të angazhimit dhe të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare dhe Partia Demokratike këtu jo vetëm që nuk do të resht së shtyri nga pozitat e opozitës aktualisht, por dhe nuk do të kursejë asgjë që Shqipëria t’i jap gjithçka që mundet në mënyrë që Kosova dhe institucionet e Kosovës, forcat politike në Kosovë dhe qytetarët e Kosovës, të kenë benefitet maksimale të një bashkëpunimi të vërtetë, të ngushtë dhe produktiv midis Shqipërisë dhe Kosovës në rrafshin politik, padiskutim dhe në rrafshin ekonomik dhe në rrafshet e tjera. Edhe një herë dua t’i uroj punë të mbarë Memli Krasniqit, përfaqësuesi i një brezi të ri të lidershipit në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në Kosovë dhe në këtë kuadër besoj se është edhe një shenjë e mirë për të gjithë rininë shqiptare, këtej e andej kufirit se është koha për të mos shmangur, por për të mbajtur mbi supe barrën e përgjegjësisë që sjell politika, politika si një instrument ndryshimi, politika e cila nuk mund të jetë e keqe, të mirë ose të keqe e bëjnë njerëzit dhe në veçanti rinia e Kosovës, rinia e Shqipërisë kanë një rol të madh për të luajtur. Kështu që si një kryetar i ri në detyrë por edhe i ri në moshë, shpreh kënaqësinë dhe besimin se me energjitë dhe vizionin e tij do të kontribuoj edhe për një frymëzim të ri të rinisë shqiptare, për t’u angazhuar dhe për të marrë në dorë fatet e vendeve tona, fatet e kombit tonë!
MEMLIKRASNIQI: Vërtetë është kënaqësi që ditën e dytë të vizitës time si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ta filloj pikërisht këtu në selinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë për të takuar mikun tim dhe liderin e opozitës zotin Lulzim Basha, jo vetëm si dy lider të opozitës në dy vendet tona, por edhe si dy udhëheqës partish që kanë pasur bashkëpunim për shumë vite edhe bilaterisht, por edhe në forume ndërkombëtare nis dy parti që i përkasin bushtit të njëjtë ideologjik të qendrës së djathtë. Por përtej kësaj diskutuam në detaje me kryetarin Basha për tema të përbashkëta. Kosova dhe Shqipëria padyshim kanë shumë sfera të cilat kanë nevojë që të intensifikojnë bashkëpunimin që të rrisin edhe koordinimin institucional dhe gjithmonë ka qenë dhe është një shembull i mirë që pavarësisht se a jemi në qeveri apo në opozitë në vendet tona ne bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri dhe Shqipëri-Kosovë e kemi të padiskutueshëm edhe prioritet të prioriteteve. Ndaj gëzohem edhe si dy udhëheqës të dy partive kryesore opozitare në Kosovë dhe Shqipëri e vlerësojmë që obligimet tona dhe përgjegjësitë tona për të thelluar këtë bashkëpunim ndërmjet shteteve tona janë detyra dhe përgjegjësi të përbashkëta. Gjithsesi e falënderova zotin Basha për gatishmërinë e tij për të thelluar bashkëpunimin, por edhe koordinimin ndërmjet dy partive tona dhe në këtë kuadër ne do të vazhdojmë edhe takimet, por edhe ato bashkëpunime brenda forumeve të ndryshme. I urova sukses në procesin zgjedhor që do ta keni tani së voni duke uruar mbi të gjitha një proces të rregullt të pranueshëm prej të gjithëve që vërtetë e merr dhe e vendos në ballë vullnetin e qytetarëve. Ne si Kosovë besoj kemi të drejtë t’i japin vetës të drejtë të flasim për këtë çështje sepse jemi të lumtur që si vend kemi arritur ta konsolidojmë procesin demokratik edhe atë elektoral.
Faleminderit shumë!