DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI PËR DECENTRALIZIMIN DHE PUSHTETIN VENDOR, ROLAND BEJKO
Me iniciativën dhe pas kërkesës së shtatë deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e fundit plenare të datës 10 shkurt 2022, ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale me një mandat gjashtë mujor të veprimtarisë së tij me objekt rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale të miratuar më 2014-ën në mënyrë të njëanshme nga koalicioni PS-LSI.
Partia Demokratike e ndërmori këtë iniciativë për rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale mbështetur mbi reagimet e shumta të qytetarëve, raporteve të organizatave jofitimprurëse dhe botës akademike, raporteve të organizatave dhe institucioneve të huaja si Kongresi i Autoriteteve Lokale i KE-së, konkluzioneve të raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, progres raporteve vjetore të BE-së, rekomandimeve të donatorëve të huaj në Shqipëri që të gjitha së bashku bien dakord se Reforma Administrativo-Territoriale dhe ligji për Vetëqeverisjen Vendore kanë nevojë urgjente për një analizë dhe rishikim të thelluar.
Pavarësisht se Reforma Administrative-Territoriale ishte e domosdoshme, ajo nuk ka reflektuar plotësisht parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore.
Kjo Reformë në zanafillën e vet:
1. Synoi thellimin e decentralizimit. Por, koha tregoi se e thelloi edhe më shumë centralizimin. U rrit varësia dhe kontrolli nga qeveria qëndrore.
2. Synoi Subsidaritetin. Por e largoi edhe më shumë qytetarin nga pushteti dhe vendimmarrja.
3. Synoi vetëqeverisje lokale. Por, kryetarët e bashkive, nga njëra anë kanë më shumë përgjegjësi, por nga ana tjetër, kanë më pak kompetenca. (Për shërbimet e deleguara, vendosin ministritë)
4. Synoi decentralizimin fiskal. Por legjislacioni i ri (konkretisht Ligji “Për Financat Vendore” dhe Ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore”) nuk është harmonizuar me ligje te tjera ne vazhdim. Legjislacioni i ri nuk ka sjellë rritje të buxhetit të bashkive që ishte thelbi i decentralizimit. Niveli është pak a shumë i njëjtë si para reformës territoriale- administrative, pra nga buxheti qendror alokohet jo më pak se 1% e GDP-së që është niveli më i ulët rajonal.
5. Synoi simetri në ndarjen e territorit. Por, prodhoi asimetri demografike, ekonomike me kufijtë e bashkive. Në Veri amalgamim, në Jug fragmentarizim (Gati dy të tretat e bashkive janë ndarë sipas interesit elektoral dhe politik të Kryeministrit Rama dhe partisë së tij.)
U shkelën detyrimet kushtetuese dhe kriteri i popullsisë minimale, kriteri gjeo-kulturor, traditat historike administrative te zonave, etj.
6. Synoi demokraci lokale, transparencë, referendume etj. Por, i ka penguar me ligj referendumet lokale. Kjo është shkelje e Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.
7. Shkrirja e komunave do sillte ulje te shpenzimeve duke reduktuar numrin e punonjësve. Por ky veprim e çoi nr. e tyre në gati 60 mijë, nga 22 mijë që ishte në 2015. Nr. i lartë i punonjësve rëndon buxhetin e bashkive. Gati 65-70% e grantit shkon për paga e shpenzime, rreth 30 % për investime. Reforma rriti koston për qytetarët, por jo cilësinë e shërbimeve.
8. Me bashkitë e mëdha synoi zhvillim ekonomik, bujqësor, barazi dhe cilësi në ofrimin e shërbimeve ne qytet, deri ne zonat me te thella të territorit të saj. Por, në fakt, pushteti vendor e ka përqendruar gjithë vëmendjen e saj kryesisht në qendra qytetesh. Për shkak të bashkimit të Bashkive dhe Komunave në një bashki të vetme, banorët e zonave rurale janë braktisur dhe nuk marrin asnjë shërbim, duke sjell pasoja në jetën e tyre edhe pse banorët e zonave rurale paguajnë të njëjtat taksa dhe tarifa vendore. Këto politika të gabuara kanë nxitur braktisjen e fshatit, por edhe të ish periferive urbane me industri te falimentuar.
Ndaj, me qëllimin për t’u ardhur në ndihmë përfaqësuesve të saj në Komisionin e posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Partia Demokratike e Shqipërisë i bën me dije opinionit publik se brenda pak ditëve merr formë dhe fillon nga veprimtaria një grup pune me ekspertët më të mirë që ajo ka në fushën e qeverisjes vendore, duke kapitalizuar përvojën më të mirë të ish drejtuesve të pushtetit vendor në vite, dhe në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë civile e botës akademike, do të nisë një tur bashkëbisedimesh në të gjitha qarqet e vendit për të marrë prej qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit gjithë mendimet e vlefshme mbi korrigjimin e gjithçkaje që ka shkuar keq në zbatimin e Reformës Administrativo-Territoriale me synimin e vetëm, jo vetëm të përmirësimit të efikasitetit në ofrimin e shërbimeve në vetëqeverisjen vendore, por ç ‘është më e rëndësishmja, edhe për thellimin e mëtejshëm të decentralizimit dhe demokracisë vendore në përputhje të plotë me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale.
Partia Demokratike e Shqipërisë është e bindur se reformat e mëdha, për të qenë të qëndrueshme në kohë dhe efikase në qëllimet e tyre, kanë nevojë për dialogun politik, kuvendimin publik dhe konsensusin e gjerë politik, në përputhje me vullnetin e shumicës së qytetarëve, frymës së Kushtetutës së vendit dhe detyrimeve që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe veçanërisht ato të BE-së ku synojmë të antarësohemi si një vend demokratik dhe me ekonomi të zhvilluar.