Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me tregtarë dhe qytetarë të Fierit në kuadër të turit “Fjalën e kanë qytetarët”. Ndonëse takimi ishte planifikuar me tregtarët dhjetëra qytetarë e kanë ndalur zotin Basha për t’i shprehur shqetësimet nga papunësia deri te pamundësia për të siguruar bukën e gojës.
Qytetarë:  Jam me një pleqëri në shpi, më kanë hequr përkrahjen. S’kam bukë, ku do vete, s’kam me çfarë të paguaj as ujë, as drita. Ku mund të ushqehem. Jam një 84 vjeçe me një pension pa gjë tjetër, pa një të ardhme. Më kërkojnë taksën e shtëpisë e me çfarë ta shlyej?!
“Shqiptarët po jetojnë ditë për ditë depresionin ekonomik dhe psikologjik, që është produkt i vetëm i qeverisjes së Edi Ramës dhe Ilir Metës, këtë po e prekim dhe shohim kudo, nga jugu në veri, me demokratë e socialistë e njerëz pa bindje politike,” -theksoi zoti Basha në takimin me tregtarët.
Tregtarët janë ankuar për dhunën dhe terrorin që ushtron policia ndaj tyre sikur janë kriminel, jo sikur mbajnë frymën gjallë duke shitur disa tufa me çaj.
Tregtare:  Kemi një biznes të vogël. Ai thotë mbyll biznesin nëse nuk është personi që është në emrin e vet. S’lë dot fëmijën në dyqanin tënd. 80 metër katrorë me thotë dua kasën. Lekë nuk ka. Unë kam djalin pa punë, vajzën pa punë,  burrin pa punë, dhëndrin pa punë. Në ç’vend të botës të fut në burg pse po ha bukë?
Tregtare: Ka filluar reprezalja. Kam falimentuar sepse dyqani është në emër të vajzës. Burri im ka që në ‘92 me licencë taksie  dhe është pa punë. Kam harxhuar 30 mijë euro të marrë kredi në bankë për operacion në zemër dhe jam pa kemp sepse me thonë të funksionojnë valvulat mirë. Që të funksionojnë mirë duhet të paguaj 200 euro në muaj. I kam nisur letër ministrit të Shëndetësisë dhe me ka thënë ik te Sigurimet. Merret domatja me liste? Ku vajtën 600 milionë euro? Pse nuk mblidhet populli siç u mblodh për armët kimike se s’ka më shkatërruese se çfarë po bëjnë këta sot me biznesin e vogël.
Taksist:  Të lutem çohu dhe t’i rrëzojmë se po na shkatërrojnë.
Tregtare: Më kanë vënë një gjobë 500 mijëshe kot fare. I thash t’i je spiun e çfarë mund të bësh tjetër. Me dokumente në rregull me të gjitha.
Shitëse ambulante: Burri më ka vdekur dhe më ka lënë dy jetimë. Jam 53 vjeç, shteti nuk më mbështet fare. Shes dy tufa çaj dhe rigon dhe këta me shajnë më kërkojnë kasën. Sikur po vjedh. Të shahet të ofendohet një grua me thinja në kokë…. të më fusin në punë një pastruese.
Shitëse ambulante:  Pa punë burri, djali, të gjithë në shtëpi. Po na ndjekin policët për këtë arkën e domateve. Djali do të hajë një copë bukë se vdes. Na thonë policët zhdukuni, na vjen turp.
Tregtari: Lule shesim. Na mashtruan ju dhamë votën, na gënjyen.
Ndërsa ka dëgjuar një nga një shqetësimet e tregtarëve zoti Basha beri të ditur se një tjetër lajm i keq ka ardhur sot për ekonominë shqiptare nga Banka Botërore.
“Sot  kemi një tjetër lajm negativ për ekonominë. Ndërkohë që Edi Rama është në luks të shfrenuar në hotelet më të shtrenjta të Hong-Kongut për të ftuar gjoja biznesmenët që të vijnë në Shqipëri, Banka Botërore thotë që Shqipëria ka rënë në pikatë për sa i përket klimës së biznesit, ka rënë në pikiatë korrupsionit, ka rënë në pikiatë për shkak të politikës arbitrare me energjinë, me biznesin, me taksat. Pra, tashmë nuk është vetëm opozita, nuk janë vetëm qytetarët por janë edhe institucionet ndërkombëtare që i kanë hequr një kryq të madh të qeverisjes së Edi Ramës, të cilët duke iu bashkëngjitur analizës tonë për faktet na mbështesin me atë që është detyra ime, detyra jonë, t’ju ofrojmë shqiptarëve një rrugë tjetër sepse rruga e nisur dy vite më parë çoi  për fat të keq drejt një gremine,” -tha zoti Basha.
Shkopi arbitrar i kësaj qeverie i godet të pamundurit, ndërkohë që një grusht njerëzish vazhdojnë të pasurohen, tha zoti Basha duke sjellë në vëmendje 130 milionë dollarë taksa dhe TSVSH të papaguar nga Albpetroli që ka përfunduar në xhepat e pushtetarëve.
“Këtu në Fier vetëm në 10 muajt e fundit oligarkët e mafia qeveritare të lidhur me të kanë bërë 100 milionë dollarë pasuri vetë me Albpetrolin. 100 milionë dollarë taksa që nuk janë paguar,  30 milionë dollarë  TVSH që nuk është paguar.  Çfarë do të mund të bënim në Fier me 30 milionë dollarë? Sa familje mund t’u vinim në ndihmë me 30 milionë dollarë?  Çfarë investimesh mund të bënim këtu me 30 milionë dollarë? Sa vende pune mund të hapeshin me 30 milionë dollarë? Por nuk janë hapur, as investime nuk janë bërë, as familjeve nuk u është ardhur në ndihmë sepse vetëm me vetëm në këto muaj 30 milionë dollarë janë pasuruar dhe shtuar kontot e oligarkëve dhe qeveritarëve të lidhur me ta, të cilët ngrenë vila dhe saraje nga  Surreli në bregdet.
Nuk ka shqiptarë që nuk e sheh me sy se ku ka shkuar vendi për shkak të qeverisjes së korruptuar dhe kriminale, të një kryeministri për të cilën OSBE-ja në raportin e vet të punës thotë se ka 200 milionë euro pasuri. Ku i mori? Kush ja la? Paratë e shqiptarëve përfundojnë në kontot bankare të qeveritarëve.  Por dita për të dhënë llogari dhe për t’ia kthyer këto popullit po afron,” – u shpreh kreu i demokrateve.
Zoti Basha ka paraqitur disa prej propozimeve të demokratëve të cilat synojnë të nxjerrin ekonominë nga kriza, rrisin punësimin dhe mirëqenien për qytetarët.
“Preokupimi kryesor i imi është punësimi dhe mirëqenia.  Së pari,  ne duam të injektojmë në tregun shqiptar dhe ekonominë shqiptare milionat që sot zhduken, duke ulur taksat. Premtimi im dhe vendimi i parë i qeverisë së re të demokratëve, kur të ketë besimin tuaj, do të jetë ulja më e madhe e taksave që ka përjetuar ndonjëherë ky vend, duke nisur me taksën e biznesit, tatimin mbi fitimin në 9%.
Së dyti, sa i përket taksave për biznesin e vogël,  ne do ta rrisim nivelin e biznesit të vogël deri në 120 milionë lekë të vjetra. Deri në 2 milionë lekë të reja, pra 20 milionë lekë të vjetra  biznesi i vogël do të paguajë vetëm 100 mijë lek të vjetra në vit.
Ndërsa për fashën e epërme, për ata që kanë xhiro deri në 120 milionë lekë të vjetra taksa maksimale nuk do të kalojë  600 mijë lek të vjetra. Kjo taksë do të paguhet dhe do të verifikohet përmes pullës fiskale të vendosur në një nga xhamat e biznesit dhe kjo pullë fiskale, ju jap fjalën do të jetë tabela e ndalim –kalimit për bandat e tatimorëve dhe për inspektorët që po ju marrin shpirtin biznesit. Nuk do të ketë dhe as nuk do të justifikohet prani e tatimorëve në ato biznese që e ekspozojnë pullën e pagimit të taksave.
Efekti total i masave tona fiskale do të arrijë në mbi 650 milionë euro, para që sot zhduken në kontot e qeveritarëve, ne do t’ia kthejmë tregut, do t’ia kthejmë qytetarëve, do t’ia kthejmë mirëqenies së qytetarëve nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Do të jetë një fillim i mbarë sepse do të ketë më shumë para, më shumë para në xhepat e konsumatorëve, më shumë xhiro për biznesin, më shumë qarkullim i lekut, më shumë optimizëm, më shumë energji pozitive, më shumë kreativitet.
Do t’i marrim këto masa por nuk do të ndalemi me kaq. Ne do të çmimin e energjisë, duke e ulur me 15% TVSH-në për biznesin dhe me 19% TVSH-në për të gjithë konsumatorët. Ulja e çmimit të energjisë do të sjellë po kështu rritje të konkurrueshmërinë në tregun e brendshëm dhe natyrisht eksporteve. Ne po kështu do të ulim çmimin e naftës, do të heqim 240 lekë për litër taksë “Rama”, duke bërë naftën automatikisht 240 lekë më të lirë për litër. Dhe sot duam të konfirmojmë këtu para biznesit të vogël fierak, për ju dhe për shqiptarët anembanë, vendimin tonë dhe vendosmërinë time për të falur pa kusht të gjithë kamatëvonesat e energjisë elektrike shqiptare. Falja e kamatëvonesave do të thotë po kështu çlirim për ata që kanë lidhur kontratë me OSHEE-në, nga gjoba e përmuajshme e pagesës së këtyre kamatëvonesave. Natyrisht ne jemi dhe do të jemi për shtet formal, për pagesën e energjisë elektrike, por jemi dhe do të jemi patjetër në krah të njerëzve dhe jo në krah të një pale të korruptuar siç është OSHEE-ja, e cila ka një dhe vetëm një qëllim: Të mbledhë para për t’ia dhënë Carapulëve të Edi Ramës me shokë,”- u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 tetor 2015