Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar me qytetarë të Rrogozhinës për t’i kërkuar mbështetjen për kandidatin e PD-së në këtë bashki, Ferdinant Saraçi. Gjatë takimit të tyre me Bashën, qytetarët shprehen problemet e ndryshme të ndryshme që përballen çdo ditë dhe në mungesë të zgjidhjes e vetmja shpresë është largimi nga vendi.
“E mendoj edhe unë personalisht të iki jashtë. Bashkë me nusen të iki. Të mundohem të iki sa më shpejt. E shoh që nuk ka asnjë lloj të ardhme. Biznesi ka një lloj stresi të paparë” – u shpreh një nga qytetarët.
Ndërsa një tjetër qytetar thotë se në Rrogozhinë vetëm pleq e plaka kanë ngelur, ndërsa në punën e tij shqetësim është edhe rritja e çmimit të naftës.
“Këtu dobët shumë. Vetëm pleq e plaka kanë ngelur. Unë merrem me linjën Rrogozhinë-Kavajë, dhe me tre ikim e me katër vijmë. Nuk ka! Vetëm paguajmë taksa. Nafta pritet pas ca ditësh të ngrihet prapë” – u shpreh qytetari.
Ndërsa ka dhe nga ata qytetarë që mbështesin kandidatin e PD-së përtej bindjeve politike.
“Gëzohem që jeni mirë! Se unë jam i majtë, por ke ardhur me një burrë të nderuar” – u shpreh një tjetër qytetar.
Pasi u njoh me shqetësimet e banorëve, kryedemokrati Basha u shpreh se beteja kryesore e PD-së është për fëmijët dhe familjet shqiptare. Për këtë ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve rrogozhinas që ditën e diel të votojnë kandidatin e Partisë Demokratike, Ferdinad Saraçi, në mënyrë që të fillojë ndryshimi i vërtetë.
“Motivi jonë kryesor për këtë beteje, jeni ju dhe fëmijët. Të gjithë këta burra që sheh këtu, shumë janë të rinj prej tyre, falë zotit. Dhe ma mbush zemrën që ka të rinj që mbështesin luftën për ndryshim, por gjithë këta të tjerët që janë prindër, këtë betejë nuk e bëjnë për vete, e bëjnë për fëmijët, për të rinjtë. Kështu që mos e dorëzoni shpresën, na u bashkoni të dielën, edhe në rrugë derisa të fillojë ndryshimi i vërtetë. Këtë të diel të bëjmë zgjedhjen e duhur për Rrogozhinën. Dhe do jem nen shërbimin tuaj siç do keni Ferdinand Saraçin” – u shpreh Basha.