Edi Rama e bëri Shqipërinë vendin më të korruptuar në Europë.Ka vetëm një forcë që mund të luftojë për të mirën e shqiptarëve dhe jo të baronëve të drogës, kjo forcë është Partia Demokratike.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ERVIN SALIANJI
Shqipëria është një vend burim i kanabisit dhe një bazë lokale për grupet e krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e origjinës në tregjet evropiane.
Për fat të keq për Shqipërinë ky është vlerësimi në Raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike!
“Kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët kombëtarë shqiptarë”, të cilët “ luajnë një rol të madh në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar”.
Shqipëria konsiderohet si “një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar”,
Grupet shqiptare të krimit të organizuar janë të pranishme në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Evropën, si dhe në Amerikën e Jugut, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë”.
Grupet shqiptare vlerësohet të kenë shtrirë praninë e tyre në të gjitha hallkat e trafikut që nga blerja, transporti, shpërndarja deri te zinxhiri i shitjeve kudo nëpër botë.
E kemi paralajmëruar dhe kemi ngritur shqetësimin përhershëm se bashkëpunimi i qeverisë me grupet kriminale do të pillte krim dhe do të dobësonte sundimin e ligjit.
Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se “sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë nxitësit kryesorë” të fenomenit të drogës në Shqipëri. Krimi i dhunshëm në Shqipëri është shpesh i lidhur me krimin e organizuar dhe, gjyqtarë, prokurorë, policë dhe gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve”.
Praktikisht qeveria shqiptare ja ka dorëzuar sovranitetin dhe kontrollin në territor bandave të krimit të organizuar, për fat të keq pasi përdoren në zgjedhje për të grumbulluar vota duke kërcënuar, intimiduar dhe blerë vota për rilindjen ata shpërblehen me emërime në postet kyçe qeveritare, me kontrollin e emërimeve në administrate dhe ju ofrohet paprekshmëri në aktivitetin e tyre kriminal!
Aktiviteti kriminal shkon më tej duke pastruar dhe paratë e pista “Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj Pastrimit të Parave për shkak të korrupsionit, pranisë së rrjeteve të krimit të organizuar dhe boshllëqeve në legjislacion dhe mbikëqyrje” thotë DASH.
Pavarësisht kambanave të forta të alarmit dhe reagimeve të përvitshme të DASH qeveria shqiptare nuk bën asnjë përpjekje serioze për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sepse për këtë qeveri interesi i një grushti njerëzish prevalon ndaj interesit të shtetit dhe qytetarëve, për këtë qeveri prodhimi i parave të pista për organizatën e saj vlen më shumë se shkretimi i përditshëm qe po i behet Shqipërisë për shkak te pabarazisë, papunësisë dhe varfërisë.
Partia Demokratike e vlerëson raportin e DASH dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që qytetarët të vendosin dhe jo krimi, që politika të jetë instrumenti i zgjidhjes dhe jo krijimit të problemeve. Me forcën e ligjit ne do të shtypim kriminelët dhe të korruptuarit.
Është për të ardhur keq, që edhe pse vitet kalojnë vlerësimi sa i përket Shqipërisë si vend prodhues dhe tranzit i lëndëve narkotike, mbetet i njëjti.
Edi Rama e bëri Shqipërinë vendin më të korruptuar në Europë.
Ka vetëm një forcë që mund të luftojë për të mirën e shqiptarëve dhe jo të baronëve të drogës, kjo forcë është Partia Demokratike.