Deklaratë e Edlira Devollit, zëdhënëses së fushatës së kandidatit demokrat për Bashkinë e Durrësit, Luan Hoti
Shkolla “Gjergj Kastrioti” po shembet sot.
Shembja e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”në qytetin e Durrësit, janë kryer në mënyrë jotransparente përsa i përket dokumentacionit i cili vërteton se ata kanë pësuar dëmtime nga tërmeti fatkeq i Nëntorit 2019.
Të dyja shkollat e mesme, si ajo Naim Frashëri dhe ajo “Gjergj Kastrioti” janë përdorur pas tërmetit të Nëntorit nga nxënësit. Këtyre shkollave pas tërmetit, iu bënë verifikime nga Instituti i Ndërtimit dhe u rivunë në përdorim në periudhën Dhjetor e deri në Mars 2020 kur ra pandemia Covid-19. Më pas këto shkolla u klasifikuan të dëmtuara rëndë, shumë të rrezikshme, deri për prishje.
Ngrejmë disa pyetje për këtë që ka ndodhur:
1. A ka vënë në rrezik jetët e fëmijëve kryebashkiakja Sako, si përgjegjëse direkt për gjendjen e shkollave pas tërmetit (si drejtore e Shërbimeve Publike) dhe z.Ardian Gurra si drejtor i Arsim-Kulturës në periudhën Dhjetor 2019 -Mars 2020?
2. Me Vendimin e Këshillit Bashkiak Durrës me Nr.111 datë 30.09.2021 është miratuar prishja e detyruar e shkollës Gjergj Kastrioti, si rezultat i konkluzioneve të aktekspetizës së thelluar hartuar nga subjekti “ARKONSTUDIO” shpk.
Pyetjet të tjera që shtrohen janë:
Pse nuk është kryer nga Instituti i Ndërtimit kjo akt-ekspertizë? A ka mbajtur akt Konstatim Instituti i Ndërtimit, kur u rivu në përdorim nga Bashkia Durrës shkolla në periudhën Dhjetor 2019-Mars 2020?
A ka kryer prokurim Bashkia Durrës për hartimin e kësaj akt-ekspertize me subjekt privat?
Me çfarë parash është paguar kjo shoqëri, e cila ka ortak 50% z.Erjon Këri (djali i Pilo Kërit) ish kandidat i PS për qarkun Berat, dhe subjekt i cili gllabëron pothuaj të gjithë prokurimet e rindërtimit në Durrës?
3. A është lëshuar leje për prishje ndërtimi të objektit të dëmtuar nga fatkeqësia natyrore nga Bashkia Durrës për Shkollën Gjergj Kastrioti? Meqenëse jemi në këtë temë: Po për shkollën tashmë të prishur Naim Frashëri, a kishte lëshuar leje për prishje ndërtimi Bashkia Durrës?
4. Pse zëvendëskryetarja Emiriana Sako e kryen këtë prishje pikërisht 3 ditë para zgjedhjeve lokale?
Të gjitha këto veprime të zëvendëskryetares Emiriana Sako, flasin për shpërdorim të pastër detyre nga ana e saj, dhe abuzim me fondet e bashkisë dhe fondet e rindërtimit.