Dy javë përpara i kërkova qeverisë shqiptare t’i dalë përpara pasojave të paevitueshme të rritjes së çmimeve, duke filluar me rritjen e çmimeve përdorur ato mekanizma të cilat në fakt jo vetëm lehtësojnë qytetarët, por zhbëjnë edhe padrejtësie e kësaj qeverie të këtyre 8 viteve.

Kërkova eliminimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit me vlerë 240 lekë që njihet nga populli si taksa “Rama”; si fillim dhe konsiderimin e lehtësimit të përkohshëm të disa prej taksave të tjera si akcizës së karburantit apo taksave të tjera mbi naftën. Kërkova po kështu rikonsiderimin e paketës tonë për TVSH 6% për ushqimet duke qenë se çmimi i naftës nuk ka të bëjë vetëm me ata që kanë automjete apo varen nga automjetet, por ka të bëjë me gjithçka që varet nga transporti, pra gjithçka që ka të bëjë me bukën e përditshme dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

E kam përsëritur si sot një javë si kërkesë kur karburantet shkuan 2300 lekë. Ndërkohë që ka nisur reagimi qytetar që ka mbështetjen tonë të plotë dhe ndaj këtij reagimi qytetar qeveria ka bërë veshin e shurdhër, kryeministri është tallur. Jo vetëm kaq por i është përgjigjur me dhunë policore, të cilën PD e ka dënuar me forcë, teksa deputetët tanë janë gjendur pranë protestuesve të keqtrajtuar dhe të arrestuar në komisariate e cila është një praktikë e tmerrshme, abuzive dhe fytyra e vërtetë e një regjimi, një qeverie, një kryeministri të shkëputur nga realiteti, shkëputur nga dhimbja e përditshme e shqiptarëve.

Sot dua të vendos edhe një herë theksin tek nevoja imediate për t’i ardhur në ndihmë njerëzve, që njerëzit të paguajnë më pak dhe që çmimet të mbahen nën kontroll nuk mjaftojnë fjalët, as premtimet boshe por duhet hedhur direkt në veprim, as nuk mjafton që topin t’ia kalosh një faktori tjetër, kushdo qoftë ky dhe çfarëdo pjesë të përgjegjësisë apo të fajit të ketë.

E lehtë t’i vesh fajin Autoritetit të Konkurrencës, e lehtë të bësh sikur zihesh me ata që deri dje i ke patur ortakë në krah, tani është momenti të veprosh. Është akoma më e dhimbshme po të kujtosh se  ndërkohë që çmimi i naftës rritet, rriten të ardhurat e qeverisë.

Them qeverisë sepse prej kohësh nuk janë të ardhurat e qytetarëve sepse nuk kthehen tek qytetarët. Skandali i inceneratorëve tregoi se 430 mln euro  u përvetësuan nga një grup qeveritarësh, një grup i strukturuar kriminal për të cilin ne do të çojmë shume shpejt padi. Ndaj po ua them paraprakisht, që pavarësisht situatës së brendshëm që po kalon PD, subjekt i cili është mbledhja e sotme dhe procesi i reflektimit që ne kemi nisur, ne në asnjë moment nuk harrojmë detyrën tonë para njerëzve. Dhe demokratët janë dhe do të jenë në krye të kësaj beteje për jetën e përditshme të qytetarëve, për krizën e tmerrshme që po kalojmë, aq më shumë ku ndërkohë që çmimet rriten për shkak të sistemit të taksave, qeveria shton të ardhurat dhe në vend që të shtojë ndihmën ndaj qytetarëve, shton retorikën dhe shton dhunën ndaj qytetarëve. Kjo është e papranueshme.

Kjo do të thotë që të gjithë ata të ardhura të shtesë që ka marrë gjatë kohës që është rritur çmimi i naftës, urgjentisht t’i dedikojë urgjentisht për familjet në nevojë, në radhë të parë.

Ka dy mënyra për t’i administruar situata të tilla të vështira, jo se janë përjashtuese nga njëra tjera por varet nga buxheti i shtetit.

Njëra është subvencionimi, por që të mund të jetë pre shumë lehtë e praktikave korruptive, diskriminuese ose të padrejta.

Tjetra është përpjekja për të mbajtur nën fre çmimin.

Kjo nuk mund të ndodhë me metoda të tjera përveçse duke eliminuar, siç e thashë, taksën “Rama”, qoftë edhe përkohësisht taksa të të tjera.

Le të mësojmë nga vendet e rajonit.

Shikoni, Maqedonia e Veriut, Greqia, urgjentisht po veprojnë.

Dakord, Greqia ka një standard tjetër. Por Maqedonia e Veriut është e krahasueshme si në forma, edhe në mjete me krizën që po përballet.

Kosova po konsideron po kështu masat e saj.

Qeveria e Shqipërisë, kryeministri shqiptar të kapur ne flagrancën e 430 mln eurove nuk mund ta kalojë lumin me dhunë policore, me censure apo me premtime boshe.

Dy javë më parë i kam bërë thirrje. Tani jem në mes të kësaj krize e  cila nuk dihet se çfarë pasojash të tjera mund të ketë.

Ndaj një nga propozimet që do t’i parashtroj grupit parlamentar është që të kërkoj mocion me debat, në momentin më të parë të mundshëm në Parlament, për të vënë para presionit maksimal qeverinë që të lërë llafet, të lërë fjalët dhe të fillojë me veprat.

Për çështjet e tjera pas mbledhjes së grupit parlamentar.

Falemnderit!