Deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, ka komentuar reagimin e kryeministrit për përplasjen e ndodhur ditën e sotme në parlamentin e Kosovës. Pampuri ironizon komentin e Ramës me një shprehje popullore ku thotë se: kësaj i thonë “Çatia e shtëpisë tënde po të bie në kokë, e ti merresh me shtëpinë e tjetrit”.
Sipas deputetes demokrate në rastin konkret, kryeminstri së pari duhej të përgjigjej për hallin ku ndodhet forca e tij politike pasi bashkëpunëtorët e tij që po zhvendosen në qeli.
Reagimi i deputetes Oriola Pampuri:
Kësaj i thonë; “Çatia e shtëpisë tënde po të bie në kokë, e ti merresh me shtëpinë e tjetrit”. Po s’thonë kot, hallemëdhenjtë merren gjithnjë me të tjerët, për të harruar hallin e vet.
Kosova është sigurisht çështje dhe e jona, e çdo ngjarje atje i dhemb gjithashtu çdo shqiptari, por në rastin konkret, kryeminstri së pari duhej të përgjigjej për hallin ku ndodhet forca e tij politike ku grupet rivale brenda saj po fundosin njëri-tjetrin, e ajo mazhorancë po qëndron veç për fasadë, e bashkëpunëtorët e tij që po zhvendosen në qeli.
Të mos kesh sistemuar hallet në shtëpinë tënde politike, të mos flasësh asnjë fjalë për forcën tënde politike, t’i shmangesh çdo diskutimi, qëndrimi apo debati për forcën tënde politike e të nisësh tu tregosh të tjerëve gabimet, ç’kanë bërë, çduhet të bëjnë, të qerasësh me poste anarshistë e diletantë, kjo nuk është politikë, po thjesht degradim ku ka rënë politika sot.