Kryetari i Komisionit Zgjedhor të PD, Jemin Gjana në një deklaratë pë mediat, është shprehur se materialet e votimit për garën e kreut të kësaj force politike që do mbahet me 19 korrik, do të shpërndahen të premten.
Gjana tha se procesi është i rregullt dhe se s’do lejohen të marrin pjesë në votim ata që janë angazhuar në një forcë tjetër politike.
“Miratuam komisionet. Duke qenë se njëri nga kandidatët zoti Hani nuk paraqiti pretendime për të pasur anëtarë të votimit, nuk kemi miratuar asnjë. Ka 71 degë të PD. Në disa prej degëve, në 2-3 raste do të ketë një qendër votimi për më shumë se sa dy degë. Nga verifikimet dhe listat e depozituara, rezulton se në 71 degë të PD janë verifikuar se do të jenë pjesë e listave dhe do të dërgohen 25460 anëtarë të PD. Është një numër për të gjithë procesin që ka ndodhur në këto 2 vite, për faktin se një pjesë e anëtarësisë është angazhuar në strukturat e Rithemelimit. Numri i anëtarëve të verifikuar shkon deri në 2300 anëtarë. Rreth 31 degë janë të verifikuara dhe në 15 degë rezulton një numër me më shumë se 500 anëtarë. Materialet e votimit do të shpërndahen të premten. Procesi është i rregullt. Nuk janë lejuar të marrin pjesë në votim ata që janë angazhuar në një forcë tjetër politike. Ka konflikt interesi. 25 mijë anëtarë është shifra e konfirmuar, zyrtarizuar, që do i dërgohet degëve për të votuar. Është proces statutor, PD është e gatshme të përballet ligjërisht me këdo pjesë që dëshiron të ankimojë“ – tha Jemin Gjana.