Mimi Kodheli po konkuron turpshëm me Ilir Beqën për çmimin e parë në fushën e korrupsionit.
Faktet e zbuluara nga kontrolli që është bërë në Ministrinë e Mbrojtjes, janë rrënqethëse, janë abuzim i paimagjinueshëm, që nxjerrin në pah hajdutërinë me cizme të Mimit të Ramës.
Kontrolli ka zbuluar se tenderin për blerje, furnizim, instalim dhe vënie në punë të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, Kodheli ia ka dhënë një dyqani celularësh në rrugën e Durrësit.
Pra dyqani i përzgjedhur i Kodhelit në rrugën e Durrësit do të monitorojë hapësirën detare, dhe po flasim pikërisht për rrugët nga ku kalon trafiku i drogës.
Me një rrugë, dy punë bën Mimi.
E para ndan 850 milionë lekë me dyqanin e celularëve në rrugën e Durrësit, e dyta garanton rrugët detare të trafikut të drogës.
Dëmet ekonomike janë në qindra milionë lekë, dhe procedura është nëpërkëmbur sipas nevojave të Mimit.
Kush kishte menduar se të paktën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare këta nuk do ta kalonin vijën e kuqe, e ka gabim.
Këta po tregojnë se nuk ndalen para asgjeje kur është puna për zhvatur e përvetësuar fondet publike, taksat e shqiptarëve.
Kjo është skema e Edi Ramës, e cili ka vendosur Mimin në tenderat e Ministrisë së Mbrojtjes, ngaqë e njeh mirë se ka dorë për këtë punë, nga përvoja e gjatë e bashkëpunimit.
Ky është shteti i korruptuar dhe kriminal që ka ngritur Edi Rama.
Nga njëra anë u merr shpirtin, qindarkën e fundit të pamundurve, i fut në burg për një kupon, nga ana tjetër ndan 850 milionë lekë me një dyqan celularësh për një shërbim të sigurisë kombëtare.
Kjo hajdutëri, ky regjim kriminal i korruptuar, meriton përgjigjen e duhur nga qytetarët e vendit.
Deklarata për mediat e anëtares së Këshillit Kombëtar, Reila Bozdo, 7 Nentor 2015