Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me prishjen e lulishtes në qendër të Tiranës për të ngritur kullën e radhës.

Në një postim në Facebook, Tabaku shprehet se vendit që në 2011-ën u vendos të ndërtohej një park, për të mbyllur një herë e mirë epokën e një Tirane të mbytur në pisllëkun e asaj grope, sot i erdhi goditje sërish nga bashkëfajtorët që e mbajtën një moçal.

Deputetja demokrate gjithashtu thotë se fatkeqësisht këto ndërtime po i vjedhin shpirtin dhe të ardhmen familjeve dhe përmes pastrimit  të parave ofrojnë një të ardhme të pandershme dhe të pabarabartë.

 

Postimi i plotë:

 

Lulishtes së fundit të Tiranës po i vjen fundi

Prej dekadash Tiranën e qelbte një moçal që ishte burimi ndotjes dhe modeli perfekt i zhvillimit. Aty u vendos në 2011 të ndërtohej një park, për të mbyllur një herë e mirë epokën e një Tirane të mbytur në pisllëkun e asaj grope.

Fatkeqësisht asaj lulishte i erdhi goditje nga bashkëfajtorët që e mbajtën një moçal. Më saktë nga bashkëortakët që kanë vendosur të shkatërrojnë Tiranën duke i zhdukur çdo copëz identitare. Akoma më keq, sot një qytet pa identitet po e kthejnë në të pajetueshëm..

Fatkeqësisht këto ndërtime po i vjedhin shpirtin dhe të ardhmen familjeve. Jo vetëm se ofrojnë betonin dhe jo planifikimin urban por sepse përmes pastrimit  të parave ofrojnë një të ardhme të pandershme dhe të pabarabartë. Kjo pandershmëri ka prodhuar këtë ekonomi ku çmimet rriten artificialisht ndërsa çiftet e reja e kanë ta pamundur të blejnë një apartament sado punë të mira të kenë.

Tirana po kthehet në një fjetore që nuk ka jetë. Njerëzit janë kthyer në banorë të një qyteti që ofron kutitë e betonit si shtëpi, pa identitet, pa urbanizim. Një fjetore e madhe prej betoni!

Këtë zhvillim nuk e do askush përpos bashkëortakëve që nuk kanë në dëshirë të ndërtojnë qytete të banueshme por lavatriçe të mëdha parash.

Ky zhvillim nuk është oferta e duhur për pronën, por kurthi ngritur nga ortakët bashkëfajtorë që qëllimisht këtë situatë e konsiderojnë zhvillim. Një qytet i tillë nuk ofron asgjë veç flluskave dhebpiramidave ekonomike ku në fund do humnasin qytetarët ndërsa bashkëfajtorët do përpiqen të justifikohen se kështu qe sistemi!

Pikërisht këtë sistem mbrojti mazhoranca socialiste dy javë më parë në parlament duke rrëzuar propozimet ligjore që prezantova. Një grup ndryshimesh që do të frenonin investimet e ortakëve bashkëfajtorë në kulla të tilla me fonde të dyshimta. E rrëzuan sepse kërkojnë që askush mos ketë përgjegjësinë të kontrollojë fondet e atyre që ndërtojnë.

E rrëzuan sepse askush nuk do të ofrojë transparencën e ndërtuesve me zero kapital që lulëzojnë në kulla.

E rrëzuan sepse siç edhe kanë dëshmuar këto javë krimi organizuar konvertuar dhe investitor (stratrgjik) mbeten partnerët e një mazhorance që e konsideron edhe sot veten e paprekshme!