Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjerigji në një postim në facebook shkruan se në fushën e mbetjeve në qytetin e Elbasanit po digjen mbeturinat.
Gjergji shprehet se qeveria shpenzoi miliona euro për ndërtimin e Inceneratorit, një vepër monument i korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës, që është më shumë jashtë funksionit, ndërsa sot kanë kaluar çdo limit, duke kryer një akt kriminal duke djegur mbetjet në fushë të hapur dhe duke i shkaktuar qytetit një bombë mjedisore, në dëm të jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Deputetja demokrate u bën thirrje autoriteteve të marrin masat menjëherë për të izoluar pasojat, si dhe për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë personat përgjegjës.
Reagimi i plotë i deputetes, Zheni Gjergji:
E paimagjinueshme ajo që po ndodh në fushën e mbetjeve pranë Inceneratorit të Elbasanit. Shpenzuan miliona euro për ndërtimin e Inceneratorit, një vepër monument i korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës, që është më shumë jashtë funksionit, sesa në shërbim të qytetarëve. Sot kanë kaluar çdo limit, duke kryer një akt kriminal, të djegies me paramendim të mbetjeve në fushë të hapur, duke i shkaktuar qytetit një bombë mjedisore, në dëm të jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Si deputete dhe qytetare e Elbasanit i bëj thirrje autoriteteve të marrin masat menjëherë për të izoluar pasojat, si dhe për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë personat përgjegjës. Mali me mbetje që mbahen në pritje të vënies në punë të Inceneratorit, janë një rrezik permanent për shëndetin e qytetarëve. Sot ky rrezik u bë fakt, duke i shkaktuar një tjetër ndotje me pasoja të rënda për qytetin. Kjo kërkon përgjegjës dhe përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë!